25
Të Jetuarit me Drejtësi në një Kohë Ligësie
Hyrje
Libri i Mormonit shënon shkatërrimin e individëve dhe të shoqërive që e përqafuan ligësinë dhe i lejuan të ekzistonin lidhjet e fshehta. Në të njëjtën kohë, Libri i Mormonit na mëson gjithashtu që ne mund të jetojmë me drejtësi pavarësisht nga të jetuarit në një mjedis të lig. Në këtë mësim, studentët do të mësojnë se çfarë mund të bëjnë për të qëndruar të drejtë në botën e sotme.
Lexim Konteksti
Quentin L. Cook, “Reaping the Rewards of Righteousness”, Ensign, korrik 2015, f. 33–39.
Denis B. Nojenshvander, “Dikush nga Mesi i Turmës”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 101–103.
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma 37:21–22, 25–27; Helamani 6:20–26, 37–40; Ethëri 8:18–26
Lidhjet e fshehta mund të shkatërrojnë liritë dhe shoqëritë
Shkruani në tabelë frazën territori armik dhe pyetini studentët se çfarë do të thotë ajo.
Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Ju të rinj po rriteni në territor armik. Ne e dimë nga shkrimet e shenjta se ka pasur një luftë në qiell dhe se Luciferi ngriti krye dhe, me pasuesit e tij, ‘u hodh [në] tokë’ [Zbulesa 12:9]. Ai është i vendosur të prishë planin e Atit tonë Qiellor dhe kërkon të kontrollojë mendjet dhe veprimet e të gjithëve” (“Këshillë për Rininë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 16).
Në çfarë mënyrash është të jetuarit në këtë kohë i ngjashëm me të qenit në territor armik?
Shpjegoni se ky mësim do të shqyrtojë përshkrimin e Librit të Mormonit për mjedisin e lig në të cilin jetuan disa njerëz të drejtë. Ftojini studentët të kërkojnë parime e doktrina që mund t’i zbatojnë teksa studiojnë shembujt e individëve që qëndruan besnikë pavarësisht nga të qenit të rrethuar nga ligësia.
Kujtojuni studentëve se Moroni dëshmoi shkatërrimin e tërë qytetërimit nefit. Ai përshkroi ligësinë që çoi drejt shkatërrimit si të nefitëve ashtu edhe të jareditëve. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Ethërin 8:18 dhe 21 teksa klasa përcakton shkakun e këtij shkatërrimi. Ftojini studentët të tregojnë atë që zbulojnë.
Shkruani në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta dhe pyetjet vijuese:
Vërini studentët të lexojnë një prej fragmenteve në tabelë dhe të kërkojnë përgjigje ndaj pyetjeve të renditura. U thoni studentëve se, fragmenti që zgjedhin, mund të mos u përgjigjet të gjitha këtyre tri pyetjeve, por ata duhet të gjejnë çfarë të munden. Pas një kohe të mjaftueshme, diskutoni si klasë pyetjet në tabelë. Më pas diskutoni sa vijon:
Nga ajo që lexuat, cilat janë pasojat e lejimit të lidhjeve të fshehta që të ekzistojnë dhe përhapen? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Lidhjet e fshehta mund të shkatërrojnë liritë, qeveritë dhe shoqëritë.)
Si mendoni, cilët janë disa shembuj të lidhjeve të fshehta në kohën tonë?
Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, paraqitni thëniet vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994). Kërkojini një studenti t’i lexojë ato me zë të lartë.
“Ndër lidhjet e fshehta të sotme janë bandat, kartelet e drogës dhe familjet e krimit të organizuar. Lidhjet e fshehta të kohës sonë funksionojnë shumë si hajdutët e Gadiantonit të kohës së Librit të Mormonit. … Mes qëllimeve të tyre janë të ‘vr[asin] dhe të plaçkit[in] dhe të v[jedh]in, dhe të bë[jnë] lavirësi dhe të gjitha llojet e ligësisë’ [Helamani 6:23]” (M. Russell Ballard, “Standing for Truth and Right”, Ensign, nëntor 1997, f. 38).
“Unë dëshmoj që ligësia po përhapet me shpejtësi në çdo segment të shoqërisë sonë. (Shih DeB 1:14–16; 84:49–53.) Ajo është e organizuar shumë më mirë, e maskuar më me zgjuarsi dhe e nxitur më fuqimisht sesa ka qenë ndonjëherë. Po lulëzojnë lidhjet e fshehta që kanë epsh për fuqi, fitim dhe lavdi. … (Shih Ethëri 8:18–25.)” (Ezra Taft Benson, “I Testify”, Ensign, nëntor 1988, f. 87).
Si mendoni, përse profetët e Librit të Mormonit e përfshinë informacionin rreth lidhjeve të fshehta në analin e tyre?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Helamanin 6:20, 37–40. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar për krahasime midis lamanitëve dhe nefitëve. (Shënim: Krahasimi dhe dallimi është një aftësi e studimit të shkrimeve të shenjta që ju mund ta theksoni në këtë mësim [shih Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë (2012), f. 22].)
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje lidhur me mënyrën se si t’i asgjësojmë ligësinë dhe lidhjet e fshehta?
Alma 62:41; 4 Nefi 1:42; Mormoni 1:13–17, 19; 2:8, 14–15, 18–19; 3:2–3, 12, 22; Moroni 9:6, 22, 25–26
Të qëndruarit të drejtë ndërkohë që rrethohemi nga ligësia
U thoni studentëve se profeti Mormoni u lind në një mjedis të ligësisë në rritje, të shkaktuar nga këto lidhje të fshehta. Vërini studentët të studiojnë fragmentet vijuese dhe të kërkojnë e shenjojnë përshkrimet e mjedisit të Mormonit: Mormoni 1:13–14, 16–17, 19; 2:8, 14–15, 18. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjetën dhe më pas pyetini:
Çfarë shqetësimesh do të kishit pasur rreth të jetuarit në një mjedis të tillë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 1:15 dhe 2:19.
Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Mormonit gjatë kësaj kohe të ligë? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë: Ne mund të jetojmë me drejtësi edhe kur rrethohemi nga ligësia.)
Jepuni studentëve kohë të lexojnë Mormonin 3:2–3, 12, 22, që të shohin se ç’gjë tjetër mund të mësojnë rreth mënyrës se si Mormoni ishte në gjendje të jetonte me drejtësi në një kohë të ligësisë. Pasi studentët tregojnë për atë që mësuan rreth Mormonit, bëni pyetjet vijuese:
Kush tjetër në Librin e Mormonit është një shembull i të jetuarit me drejtësi, ndërkohë që u rrethua nga ligësia? (Përgjigjet mund të përfshijnë Ethërin, Moronin, Abishin dhe njerëzit që besuan se Krishti do të lindej, siç shënohet te 3 Nefi 1.)
Çfarë sfidash hasim kur përpiqemi shumë që të jetojmë me drejtësi në një botë të ligë?
Kujtojini studentët se biri i Mormonit, Moroni, jetoi gjatë së njëjtës kohë të ligësisë së përhapur gjerësisht. Përpara vdekjes së tij, Mormoni i shkroi një letër Moronit, që shënohet te Moroni 9. Kërkojini një studenti të lexojë Moronin 9:6, 22, 25–26. Ftojeni klasën të marrë parasysh se si këshilla e Mormonit në këto vargje mund të na ndihmonte të jetojmë me drejtësi në një botë të ligë.
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje që do të na ndihmojë të jetojmë me drejtësi në botën e sotme? (Ndihmojini studentët të kuptojnë parimin vijues: Nëse kemi besim në Krishtin dhe në Shlyerjen e Tij, atëherë ne vërtet do të kemi forcën për të jetuar me drejtësi, pavarësisht nga të qenit të rrethuar nga ligësia.)
Çfarë shembujsh keni parë të dikujt që jeton me drejtësi në mes të ligësisë së sotme?
Si ju ka ndihmuar përqendrimi te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij që të ngriheni mbi kushtet e liga ose të vështira?
Lexoni thënien vijuese nga Motra Virxhinia U. Xhensen, ish-këshilltare në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, për t’i ndihmuar studentët të marrin parasysh çfarë tjetër mund të bëjnë që të qëndrojnë të vendosur në besim e drejtësi:
“Që të mbajmë një qëndrim të vendosur për veten tonë dhe që t’i ndihmojmë të tjerët të qëndrojnë të vendosur, mesazhi i ungjillit të rivendosur duhet të ngulet fort në zemrën tonë dhe të jepet mësim në shtëpitë tona. … Mësojuni njerëzve tuaj të dashur se si të marrin nga fuqitë e qiellit nëpërmjet agjërimit dhe lutjes. Mësojuni atyre se mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë do t’i veçojë ata nga bota. Mësojini të jenë të bindur. Mësojini të kërkojnë miratimin e Perëndisë, jo të njeriut. Mësojuni atyre që e vetmja udhë kthimi drejt shtëpisë tonë qiellore është nëpërmjet dashurisë për Shpëtimtarin dhe ndjekjes së Tij, dhe bërjes e mbajtjes së besëlidhjeve dhe të urdhërimeve të shenjta. Të vërtetat e ungjillit dhe njohuria për planin e shpëtimit janë mjete mbrojtëse që anëtarët e familjes suaj mund t’i përdorin për fitoren mbi forcat e liga të Satanit” (“Stand Firm”, Ensign, nëntor 2001, f. 94).
Çfarë ju ka dhënë vendosmërinë dhe forcën për të qenë të bindur ndaj Zotit në një botë gjithmonë e më të ligë?
Shpjegoni se, gjatë luftës së gjatë midis nefitëve dhe lamanitëve, të shënuar në librin e Almës, njerëzve iu desh të qëndronin përkundrejt forcave të ligësisë me qëllim që të ruanin jetën e tyre. Ftojini studentët të studiojnë Almën 62:41 dhe të kërkojnë mënyrat e dallueshme në të cilat individët iu përgjigjën kundërshtisë dhe ligësisë. Ftojini studentët të tregojnë atë që zbuluan, që mund t’i ndihmojë ata të jetojnë me drejtësi në një botë të ligë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), i Presidencës së Parë, lidhur me këtë fragment:
“Në një botë gjithnjë e më të padrejtë, që të mbijetojmë dhe madje të gjejmë lumturi e gëzim, pavarësisht nga ajo që ndodh, ne duhet ta shprehim pa mëdyshje qëndrimin tonë me Zotin. Kemi nevojë të përpiqemi që të jemi besnikë çdo orë të çdo dite, kështu që themeli ynë i mirëbesimit në Zotin nuk do të lëkundet kurrë. …
Nuk është aq e rëndësishme ajo që na ndodh, por mënyra se si veprojmë me atë që na ndodh. Kjo më kujton një fragment nga Alma. Pas një lufte të gjatë ‘shumë u ashpërsuan’, ndërkohë që ‘shumë të tjerë u zbutën për shkak të vuajtjeve të tyre’ [Alma 62:41]. Të njëjtat rrethana prodhuan përgjigje të ndryshme. … Ne secilit na nevojitet të kemi shtëpinë tonë të ruajtjes së besimit për të na ndihmuar që të ngrihemi mbi shqetësimet të cilat janë pjesë e kësaj kohe të provës në vdekshmëri” (“Where Do I Make My Stand?” Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 18, 20).
Kërkojuni studentëve të harxhojnë disa minuta për të shkruar përgjigjet për pyetjen vijuese:
Çfarë zotimesh keni bërë për të qëndruar “pa mëdyshje … me Zotin”?
Më pas nxitini studentët të përsiatin pyetjet vijuese:
Çfarë nxitjesh keni marrë nga Shpirti lidhur me mënyrën se si ju mund të jeni më të zotuar ndaj Zotit?
Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes suaj që të jenë më të zotuar ndaj Zotit?
Dëshmoni se, kur ngulmojmë me besim, Zoti do të na bekojë dhe do të na ndihmojë të jetojmë me drejtësi në mes të ligësisë.
Materiale Leximi për Studentin
Alma 37:21–22, 25–27; 62:41; Helamani 6:20–26, 37–40; 4 Nefi 1:42; Mormoni 1:13–17, 19; 2:8, 14–15, 18–19; 3:2–3, 12, 22; Ethëri 8:18–26; Moroni 9:6, 22, 25–26.
Quentin L. Cook, “Reaping the Rewards of Righteousness”, Ensign, korrik 2015, f. 33–39.