Seminare dhe Institute
Hyrje e Manualit Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Manuali i Mësuesit (Feja 275)


Hyrje e Manualit Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Manuali i Mësuesit (Feja 275)

Çfarë pritet nga një mësues i fesë?

Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, është e rëndësishme të kuptoni Synimin e Seminareve dhe Instituteve të Fesë:

“Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatitin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell” (Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], [2012], f. x).

Ju mund ta arrini këtë qëllim duke e jetuar me zell ungjillin, duke ua mësuar në mënyrë të efektshme ungjillin studentëve tuaj dhe duke e administruar siç duhet orën mësimore ose programin tuaj. Ndërsa përgatiteni dhe e jepni mësim ungjillin në këto mënyra, ju do të kualifikoheni për ndikimin e Frymës së Shenjtë (shih DeB 42:14).

Është mundësia juaj që t’i ndihmoni studentët të mësojnë me anë të Shpirtit, që të mund ta forcojnë besimin e tyre dhe ta thellojnë kthimin e tyre në besim. Ju mund t’i ndihmoni studentët që ta arrijnë këtë, ndërkohë që i udhëhiqni ata që ta gjejnë, kuptojnë, ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e saj, dhe të zbatojnë doktrinat e parimet domethënëse të ungjillit të Jezu Krishtit.

Manuali Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit është një burim thelbësor për të kuptuar procesin e mësimdhënies dhe për të mësuar mënyrën se si të bëheni të suksesshëm në klasë.

Cilat janë synimet dhe qëllimet e këtij kursi?

Pritet që shumë studentë të moshës së institutit do ta kenë studiuar më parë Librin e Mormonit në mënyrë të njëpasnjëshme – nga fillimi deri në fund – në seminar, në shtëpi ose në mision. Ky kurs, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit (Feja 275), hartohet që t’i ndihmojë studentët të përdorin një metodë të ndryshme të studimit të Librit të Mormonit. Mësimet që gjenden në këtë kurs, përqendrohen në tema të rëndësishme doktrinore, të theksuara nga autorë të frymëzuar të Librit të Mormonit.

Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) i ftoi lexuesit e Librit të Mormonit ta përqendrojnë vëmendjen e tyre te doktrina që ai përmban:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Libri i Mormonit u shkrua për kohën tonë. … Jo vetëm që duhet të dimë se cilat histori dhe ngjarje që nxisin besimin, përmban ai, por ne duhet t’i kuptojmë mësimet e tij. Nëse me të vërtetë e bëjmë detyrën tonë të studimit dhe i afrohemi Librit të Mormonit nga ana doktrinore, ne mund t’i nxjerrim në pah gabimet dhe t’i gjejmë të vërtetat për të luftuar shumë teori dhe filozofi të tanishme, të rreme, të njerëzve.” (“Jesus Christ—Gifts and Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 4).

Përgjatë këtij kursi, studentët do të studiojnë shkrimet profetike dhe mësimet që gjenden në Librin e Mormonit, me theksimin tek plani i Atit Qiellor dhe roli qendror i Birit të Tij, Jezu Krishtit. Studentët do ta kuptojnë më mirë Librin e Mormonit si një dëshmi tjetër të Jezu Krishtit dhe do ta thellojnë dashurinë dhe dëshminë e tyre për Të. Ata do të përmirësojnë aftësinë e tyre për t’i studiuar doktrinat e ungjillit në kontekstin e tyre të shkrimeve të shenjta, duke çuar drejt një kuptueshmërie më të madhe dhe një dishepullimi vetjak më të madh. Ata do të përgatiten që të shpjegojnë e dëshmojnë për rëndësinë dhe origjinën hyjnore të Librit të Mormonit dhe doktrinën që ai përmban.

Çfarë pritet prej studentëve?

Me qëllim që të marrin kredite për diplomimin nga instituti, studentëve u kërkohet të lexojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta, bisedat e konferencave të përgjithshme dhe materiale të tjera të renditura te pjesa Materiale Leximi për Studentin e çdo mësimi. Studentët gjithashtu duhet të përmbushin kërkesat e frekuentimit dhe të tregojnë zotërim të materialit të kursit nëpërmjet përfundimit të një vlerësimi.

Si janë ndërtuar mësimet në këtë manual?

Ky kurs është hartuar si një kurs i plotë semestral me 28 mësime të shkruara për orë mësimore 50-minutëshe. Nëse klasa juaj mblidhet dy herë çdo javë, jepeni një mësim në çdo orë mësimore. Nëse klasa juaj mblidhet vetëm një herë çdo javë për 90 ose 100 minuta, ndërthurini dhe jepini dy mësime për çdo orë mësimore. Çdo plan mësimor përbëhet nga katër pjesë:

  • Hyrje

  • Lexim Konteksti

  • Sugjerime për Mësimdhënien

  • Materiale Leximi për Studentin

Hyrje

Kjo pjesë jep një hyrje të shkurtër të temave dhe synimeve të mësimit.

Lexim Konteksti

Kjo pjesë rekomandon burimet, të tilla si mesazhe nga profetët e ditëve të mëvonshme dhe udhëheqës të tjerë të Kishës, që mund t’ju ndihmojnë t’i kuptoni më mirë doktrinat, parimet dhe të vërtetat e ungjillit të trajtuara në planin mësimor.

Sugjerime për Mësimdhënien

Pjesa Sugjerime për Mësimdhënien përfshin materialin që ju ndihmon të dini çfarë të jepni mësim, si edhe mënyrën se si ta jepni mësim atë (shih edhe pjesët 4.3.3 dhe 4.3.4 te manuali Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit). Veprimtaritë e sugjeruara të të mësuarit hartohen për t’i ndihmuar studentët që të përcaktojnë, të kuptojnë, ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e të vërtetave të shenjta dhe t’i vënë ato në jetë. Ju mund të zgjidhni të përdorni disa ose të gjitha sugjerimet, ndërsa i përshtatni ato që të përputhen me stilin tuaj vetjak të mësimdhënies dhe që të përmbushin nevojat dhe rrethanat e studentëve tuaj. Ndërsa merrni parasysh mënyrën se si t’i përshtatni materialet mësimore, ndiqni këtë këshillë nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Dallin H. Ouks

“Shpesh e kam dëgjuar Presidentin Paker të japë mësim që ne së pari përvetësojmë, pastaj përshtatim. Nëse jemi tërësisht të ngulitur në mësimin e përshkruar, të cilin na duhet ta japim, atëherë ne mund të ndjekim Shpirtin për ta përshtatur atë. Por ka një tundim, kur flasim për këtë mundësi për ndryshueshmëri, që t’ia nisim nga përshtatja në vend që t’ia nisim nga përvetësimi. Është një baraspeshim. Është një sfidë e vazhdueshme. Por metoda e përvetësimit së pari dhe më pas përshtatjes është një mënyrë e mirë për të qëndruar mbi një bazë të shëndoshë” (“A Panel Discussion with Elder Dallin H. Oaks” [transmetim satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 7 gusht 2012]; si.lds.org).

Ky kurs përfshin thënie nga udhëheqës të Kishës që ka mundësi të jenë në dispozicion në shumë gjuhë. Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, ju mund të doni t’i përshtatni mësimet duke përdorur thënie të tjera që i keni në dispozicion nga udhëheqësit e Kishës, të cilat janë domethënëse për lëndën e temës.

Pjesa Sugjerime për Mësimdhënien përmban të paktën një thënie të doktrinës ose të parimit, e cila paraqitet me germa të theksuara. Ndërsa studentët i zbulojnë këto doktrina e parime dhe shprehin atë që kanë mësuar, fjalët e tyre mund të ndryshojnë nga ato të përdorura në manual. Kur ndodh kjo, bëni kujdes të mos nënkuptoni që përgjigjet e tyre janë të gabuara. Sidoqoftë, nëse një thënie mund të ishte më e saktë, ndihmoni me kujdes që ta qartësoni të kuptuarin.

Ky program mësimor paraqet se si të ndërthuren parimet themelore të mësimdhënies dhe të të mësuarit të ungjillit në një kurs tematik (shih Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit, f. 10, 23–31, 38–41).

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi disa prej përfitimeve që vijnë nga të studiuarit e ungjillit në mënyrë tematike:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Megjithëse leximi i një libri të shkrimit të shenjtë nga fillimi deri në fund siguron një gjerësi bazë të diturisë, studimi sipas temës e shton thellësinë e diturisë sonë. Kërkimi nëpër zbulesa i lidhjeve, modeleve dhe temave e ndërton dhe e shton njohurinë tonë shpirtërore…; ai zgjeron këndvështrimin dhe kuptueshmërinë tonë për planin e shpëtimit.

Sipas mendimit tim, kërkimi me zell për të zbuluar lidhjet, modelet dhe temat është pjesë e asaj që do të thotë të ‘ushqehemi me bollëk’ me fjalët e Krishtit. Kjo mënyrë mund t’i hapë dyert e përmbytjes së rezervuarit shpirtëror, ta ndriçojë kuptueshmërinë tonë nëpërmjet Shpirtit të Tij dhe të prodhojë një thellësi të mirënjohjes për shkrimet e shenjta dhe një shkallë të zotimit shpirtëror që nuk mund të merret në asnjë mënyrë tjetër. Një kërkim i tillë na bën të aftë të ndërtojmë mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë dhe t’u bëjmë ballë erërave të ligësisë në këto ditë të fundit” (“A Reservoir of Living Water” [mbledhje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 4 shkurt 2007], f. 3, speeches.byu.edu).

Materiale Leximi për Studentin

Kjo pjesë rendit fragmente të shkrimeve të shenjta, biseda nga udhëheqës të Kishës dhe materiale të tjera që do ta pasurojnë kuptueshmërinë e studentëve për temat që theksohen në mësimet. Caktojini dhe nxitini studentët që t’i lexojnë këto materiale përpara se të vijnë në çdo orë mësimore. Kur i studiojnë këto materiale të frymëzuara, ata jo vetëm që do të jenë të përgatitur më mirë për të marrë pjesë në diskutimet e orës mësimore, por gjithashtu do të fitojnë një kuptim më të gjerë dhe më të thellë të temave të kursit. Jepuni studentëve listën e të gjitha pjesëve Materiale Leximi për Studentin në fillim të semestrit.

fletushkë, materiale leximi për studentin

Si mund të përgatitem për të dhënë mësim?

Zoti do t’ju ndihmojë ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Ndërsa përgatiteni, mund t’ju duket e dobishme t’i bëni vetes pyetjet vijuese:

  • A po përpiqem ta jetoj me denjësi ungjillin që të mund të jem pranues ndaj Shpirtit në mësimdhënien time?

  • A jam lutur për të marrë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë? (Shih DeB 42:14.)

  • A i kam studiuar blloqet e caktuara të shkrimeve të shenjta dhe leximin e kontekstit?

  • A e kam lexuar programin mësimor dhe a kam përcaktuar nëse ka ndonjë gjë që duhet ta përshtat ose rregulloj për të përmbushur nevojat e studentëve të mi?

  • Si mund ta ndjek ecurinë me studentët për t’u siguruar që ata po përfitojnë nga shumica e leximeve të caktuara?

  • Si mund ta ndihmoj secilin prej studentëve të mi që të marrë pjesë plotësisht në mësim?

Rekomandimet vijuese mund të jenë gjithashtu të dobishme:

  • Nxitini studentët që t’i lexojnë fragmentet e shkrimit të shenjtë dhe artikujt e caktuar përpara çdo ore mësimore.

  • Prisni nga studentët që ta përmbushin rolin e tyre për të mësuar.

  • Siguroni mundësi të vazhdueshme për studentët që të shpjegojnë doktrina e parime me fjalët e tyre, të tregojnë përvoja të përshtatshme dhe të dëshmojnë për atë që dinë e ndiejnë.

  • Ndryshojini veprimtaritë dhe metodat mësimore që përdorni në çdo orë mësimore dhe gjithashtu nga dita në ditë.

  • Krijoni një mjedis të të mësuarit që e fton Shpirtin dhe u jep studentëve privilegjin dhe përgjegjësinë që të japin mësim dhe të mësojnë nga njëri-tjetri (shih DeB 88:78, 122).

  • Përgjatë kursit ka referenca ndaj aftësive të studimit të shkrimeve të shenjta. Shfrytëzojini këto mundësi për t’i ndihmuar studentët që të bëhen më të mbështetur te vetja në studimin e tyre të shkrimeve të shenjta dhe më të përkushtuar në të mësuarin gjatë gjithë jetës nga shkrimet e shenjta.

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

Plaku Riçard G. Skot

“Sigurohuni që të ketë pjesëmarrje të shumtë, sepse ai përdorim i lirisë së zgjedhjes nga një student e autorizon Frymën e Shenjtë që të udhëzojë. … Kur studentët i shprehin të vërtetat me fjalët e tyre, ata përforcohen në shpirtrat e tyre dhe i forcojnë dëshmitë e tyre vetjake” (“To Understand and Live Truth” [mbrëmje me Plakun Riçard G. Skot, 4 shkurt 2005], f. 3; si.lds.org).

Si mund t’i përshtat mësimet për njerëzit me paaftësi?

Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, jini të vëmendshëm ndaj studentëve që kanë nevoja të veçanta. Përshtatini veprimtaritë dhe rezultatet që prisni, për t’i ndihmuar ata që t’ia dalin mbanë. Kërkoni mënyra që t’i ndihmoni të ndiejnë dashuri, të ndihen të mirëpritur dhe të përfshirë. Nxitni një marrëdhënie mirëbesimi.

Për më shumë ide dhe burime, drejtojuni faqes Disability Resources [Burime në Lidhje me Paaftësitë] te disabilities.lds.org dhe seksionit të manualit të rregullave të Seminareve dhe Instituteve të Fesë, të titulluar “Orë dhe Programe Mësimi të Përshtatura për Studentë me Paaftësi”.

Fletushkë

fletushkë, materiale leximi për studentin

Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit (Feja 275)

Materiale Leximi për Studentin

Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Hyrje

Shënim: Nuk ju kërkohet të lexoni ndonjë nga materialet e sugjeruara që nuk janë në dispozicion në gjuhën tuaj.

Mësimi

Titulli

Materiale Leximi të Sugjeruara

1

Libri i Mormonit Është një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit

2

Dëgjimi i Fjalëve të Profetëve

3

Bindja Sjell Bekime

4

Rënia e Adamit dhe Dhurata e Lirisë së Zgjedhjes

5

Shlyerja e Pafundme e Jezu Krishtit

6

Libri i Mormonit u Shkrua për Kohën Tonë

7

Libri i Mormonit dhe Bibla

8

Shpëtimi Vjen nëpërmjet Jezu Krishtit

9

“Kërkoni Mbretërinë e Perëndisë”

10

Lutja dhe Zbulesa

11

Mbrojtja e Vetvetes kundrejt Doktrinave të Rreme të Ditëve të Fundit

12

Nevoja Jonë për Rilindje Shpirtërore

13

Besëlidhja e Pagëzimit, Shabati dhe Sakramenti

14

Fuqia e Perëndisë për Çlirim

15

Bërja Mjete në Duart e Perëndisë

16

Pendimi dhe Falja

17

Fuqia e Fjalës

18

Përgatitja për Ditën Përfundimtare të Gjykimit

19

Mbrojtja e Lirisë Fetare

20

Forcimi i Besimit dhe Dëshmisë Sonë

21

Ardhja e Jezu Krishtit

22

“Madje si Jam Unë”

23

Shpërndarja dhe Mbledhja e Izraelit

24

Të Gjithë Janë Njësoj para Perëndisë

25

Të Jetuarit me Drejtësi në një Kohë Ligësie

26

Pas Sprovës së Besimit

27

Besim, Shpresë dhe Dashuri Hyjnore

28

Ejani te Krishti