Seminare dhe Institute
Mësimi 21: Ardhja e Jezu Krishtit


21

Ardhja e Jezu Krishtit

Hyrje

Kushtet dhe ngjarjet e shoqëruara me vizitën e Jezu Krishtit në kontinentin amerikan shërbejnë si një model për Ardhjen e Tij të Dytë. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të vënë në jetë parime nga Libri i Mormonit që të përgatiten më mirë për “ditë[n e] madhe dhe të tmerrshme” (3 Nefi 25:5) kur Krishti do të vijë përsëri.

Lexim Konteksti

  • Dallin H. Oaks, “Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 7–10.

  • Jeffrey R. Holland, “Preparing for the Second Coming”, New Era, dhjetor 2013, f. 2–5.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 14:20–30; 16:1–5; 3 Nefi 9:1–5, 12–14; 10:12

Shenja jepen për të na ndihmuar që të besojmë dhe të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Zotit

Ftojini studentët të japin shembuj të ngjarjeve ose veprimtarive në jetën e tyre që kanë kërkuar përgatitje (për shembull, një mision). Më pas, pyetini:

  • Çfarë ndryshimi solli përgatitja juaj në përvojën tuaj të përgjithshme?

  • Si mendoni se përvoja do të kishte qenë e ndryshme, në qoftë se nuk do të ishin përgatitur?

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë. Vëreni klasën të dëgjojë për atë që Presidenti Benson dha mësim se Libri i Mormonit mund të na ndihmojë të përgatitemi:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Në Librin e Mormonit ne gjejmë një model për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë. Një pjesë e madhe e librit përqendrohet në pak dhjetëvjeçarë pikërisht përpara ardhjes së Krishtit në kontinentin amerikan. Me anë të studimit të kujdesshëm të asaj periudhe kohore, ne mund të përcaktojmë përse disa njerëz u shkatërruan në gjykimet e tmerrshme që e paraprinë ardhjen e Tij, dhe çfarë i bëri të tjerët të qëndronin tek tempulli në tokën e Begatisë dhe t’i preknin me duart e tyre plagët në duart dhe këmbët e Tij” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 147).

  • Sipas Presidentit Benson, përse duhet të studiojmë me kujdes rrëfimin në Librin e Mormonit për vizitën e Jezu Krishtit te populli i tij në kontinentin amerikan? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se, duke studiuar rrëfimin e Librit të Mormonit për ngjarjet që rrethojnë vizitën e Jezu Krishtit në kontinentin amerikan, ne mund të mësojmë për një model të përgatitjes për Ardhjen e Dytë.)

Ftojini studentët të kërkojnë parime dhe doktrina teksa studiojnë rrëfimin e vizitës së Shpëtimtarit në kontinentin amerikan, i cili do t’i ndihmojë që të përgatiten për Ardhjen e Dytë.

Kujtojini studentët se, përpara lindjes së Shpëtimtarit, Samuel Lamaniti paratha shenjat që do ta shoqëronin lindjen dhe vdekjen e Shpëtimtarit. Kërkojuni studentëve t’i hedhin një sy të shpejtë Helamanit 14:20–27 dhe të përcaktojnë shenjat e vdekjes së Krishtit.

  • Cilat janë disa nga shenjat që Samueli u tregoi nefitëve se do ta shoqëronin vdekjen e Jezu Krishtit?

Caktojeni gjysmën e studentëve të lexojnë Helamanin 14:28–30 teksa gjysma tjetër lexon Helamanin 16:4–5. Vërini ata të kërkojnë arsye përse këto shenja do t’u jepeshin nefitëve. Ju mund t’i nxitni studentët t’i kushtojnë vëmendje të veçantë shfaqjeve të frazës “me qëllim që të …”.

  • Sipas këtyre vargjeve, përse jep Zoti shenja? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë doktrinën vijuese: Zoti jep shenja dhe mrekulli që ne të mund të besojmë tek Ai dhe të shpëtohemi. Merreni parasysh ta shkruani këtë doktrinë në tabelë.)

  • Çfarë vë në dukje Helamani 14:29 se do t’u ndodhë atyre që nuk besojnë në shenjat dhe mrekullitë? (Një gjykim i drejtë do të vijë mbi ta.)

Shpjegoni se, në rrëfimin që gjendet në 3 Nefin, shenjat dhe mrekullitë e premtuara – përfshirë shkatërrimin që paratregonte vdekjen e Shpëtimtarit – filluan të përmbushen. Vërini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga 3 Nefi 9:1–5, 12–14; 10:12, ndërkohë që klasa kërkon çfarë u ndodhi atyre që e besuan mesazhin e Samuelit dhe të Nefit, si edhe çfarë u ndodhi atyre që nuk e besuan.

  • Sipas këtyre vargjeve, përse u shkatërruan disa nga njerëzit? Përse u kursyen disa?

Vini në dukje që pasuesve të Jezu Krishtit sot u është dhënë mësim që të vëzhgojnë për shenjat që do ta paraprijnë Ardhjen e Tij të Dytë. Kërkojuni studentëve të diskutojnë se si kuptueshmëria dhe dallimi i shenjave të Ardhjes së Dytë, të cilat i kanë parathënë profetët, mund t’i ndihmojnë anëtarët e Kishës sot që të përgatiten më mirë për ardhjen e Tij.

3 Nefi 11:1–17

Përgatitja për të takuar Shpëtimtarin

Paraqitni një figurë të shfaqjes së Jezu Krishtit te nefitët. Teksa studentët shqyrtojnë rrëfimin e vizitës së Shpëtimtarit te nefitët, nxitini ata të kërkojnë bekimet e marra nga ata që besuan në shenjat e vdekjes së Zotit dhe u përgatitën për ardhjen e Tij.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga 3 Nefi 11:1–12.

  • Si i përgatiti njerëzit për këtë përvojë besimi në shenjat e premtuara për ardhjen e Zotit?

  • Në çfarë mënyre mund të na kujtojnë këto vargje për vetë nevojën tonë për t’u përgatitur?

Ftojini studentët të lexojnë me radhë, me zë të lartë 3 Nefin 11:13–17 dhe të përfytyrojnë se si mund të ishin ndier po të kishin qenë të pranishëm në atë rast.

  • Si mund të përfaqësojë kjo përvojë atë që Zoti Jezu Krisht dëshiron për secilin prej nesh? (Përgjigjet duhet të pasqyrojnë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti i fton të gjithë të vijnë tek Ai dhe të marrin dëshmi se Ai është Perëndia i të gjithë tokës.)

  • Në çfarë mënyrash mund të jenë këto ngjarje të ngjashme me atë që do të ndodhë në Ardhjen e Dytë të Jezusit?

  • Çfarë mund të bëni për ta ndjekur ftesën e Shpëtimtarit, me qëllim që ju të përgatiteni për të qëndruar përpara Tij një ditë?

Mbylleni mësimin duke paraqitur thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Dallin H. Ouks

“Po sikur dita e ardhjes së Tij të ishte nesër? Sikur ta dinim që do ta takonim Zotin nesër – nëpërmjet vdekjes sonë të parakohshme ose nëpërmjet ardhjes së papritur të Tij – çfarë do të bënim ne sot? Çfarë rrëfimesh do të bënim? Çfarë praktikash do të ndërpritnim? Cilat llogari do të shlyenim? Çfarë faljesh do të jepnim? Çfarë dëshmish do të jepnim?

Nëse do t’i bënim ato gjëra atëherë, përse jo tani? Përse të mos kërkojmë paqe, ndërkohë që paqja mund të fitohet?” (“Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 9).

  • Përse është e rëndësishme ta përgatitim vetveten sikur ardhja e Zotit të ishte nesër?

Ftojini studentët të kërkojnë dhe t’u përgjigjen nxitjeve të Shpirtit teksa përgatiten për t’u takuar me Zotin.

Materiale Leximi për Studentin