Seminare dhe Institute
Mësimi 6: Libri i Mormonit u Shkrua për Kohën Tonë


6

Libri i Mormonit u Shkrua për Kohën Tonë

Hyrje

Libri i Mormonit dhe ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit janë pjesë e “një vep[re] të mrekullueshme dhe një çudi[e]”, të sjella nga Perëndia në ditët e mëvonshme (2 Nefi 25:17). Ngaqë Libri i Mormonit përmban një plotësi të ungjillit, ai luan një rol kyç në mposhtjen e braktisjes dhe sjelljen e shpirtrave te Krishti. Ky mësim thekson se ky anal i shenjtë u shkrua nga shkrimtarë të frymëzuar që e panë kohën tonë.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 27:6, 29–30, 35; 3 Nefi 29:1–2; Moisiu 7:62; Joseph Smith – Historia 1:34

Roli i Librit të Mormonit në ditët e mëvonshme

Shpjegojuni studentëve që Libri i Mormonit shënon profeci se do të ketë ligësi e braktisje në tokë në ditët e mëvonshme (shih 2 Nefi 27:1, 4–5). Libri i Mormonit gjithashtu shënon zgjidhjen e Zotit për këto probleme. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 27:6, 29–30, 35, ndërkohë që klasa kërkon zgjidhjen e Zotit.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë do të bëjë Zoti në ditët e fundit për të vepruar kundër ligësisë dhe braktisjes?

  • Në çfarë mënyrash Libri i Mormonit siguron një zgjidhje ndaj ligësisë në ditët e mëvonshme?

Tregojuni studentëve se Mormoni shënoi një profeci rreth një roli shtesë që Libri i Mormonit do të luante në ditët e fundit. Jepuni studentëve pak minuta që të studiojnë 3 Nefin 29:1–2 dhe ta kërkojnë atë profeci. Ju mund të vini në dukje se fraza “këto fjalë” i drejtohet Librit të Mormonit.

  • Çfarë vepre e rëndësishme do të fillonte me daljen në dritë të Librit të Mormonit? (Mbledhja e Izraelit.)

Shpjegoni se Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) e përshkroi rolin qendror të Librit të Mormonit në Rivendosjen e ungjillit dhe fillimin e veprës së Zotit në ditët e fundit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese:

Presidenti Ezra Taft Benson

“[Libri i Mormonit] u botua vetëm pak ditë përpara se të organizohej Kisha. Shenjtorëve iu dha Libri i Mormonit që ta lexonin përpara se t’u jepeshin zbulesat që përvijonin doktrina të tilla të madhërishme si tri shkallët e lavdisë, martesa çelestiale ose puna për të vdekurit. Ai erdhi përpara kuorumeve të priftërisë dhe organizimit të Kishës. A nuk na tregon kjo diçka rreth mënyrës se si Zoti e sheh këtë vepër të shenjtë?” (“The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 4).

  • Si mendoni, përse dalja në dritë e Librit të Mormonit parapriu kaq shumë ngjarje të tjera të rëndësishme të Rivendosjes dhe është kaq thelbësore në veprën e Zotit për mbledhjen e Izraelit dhe mposhtjen e ligësisë në ditët e fundit?

Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historia 1:34. Ftojeni klasën të kërkojë atë që përmban Libri i Mormonit.

  • Çfarë përmban Libri i Mormonit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Libri i Mormonit përmban plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit.)

  • Cili është kuptimi i shpalljes së Mormonit se Libri i Mormonit përmban “plotësi[në e] Ungjillit të përjetshëm”?

Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Zoti Vetë ka thënë se Libri i Mormonit përmban ‘plotësi[në e] ungjillit të Jezu Krishtit’ (DeB 20:9). Kjo nuk do të thotë se ai përmban çdo mësim, çdo doktrinë të zbuluar ndonjëherë. Në të kundërt, do të thotë se në Librin e Mormonit ne vërtet do të gjejmë plotësinë e atyre doktrinave që kërkohen për shpëtimin tonë. Dhe ato na mësohen thjesht dhe qartë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 138).

  • Cilat janë disa prej “doktrinave që kërkohen për shpëtimin tonë”, të cilat përmbahen në Librin e Mormonit? (Këto doktrina përfshijnë Shlyerjen, besimin në Jezu Krishtin, pendimin, pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë.)

Shpjegoni se Zoti i dha mësim profetit Enok rreth rëndësisë së Librit të Mormonit në ditët e fundit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moisiun 7:62. (Ju mund të shkruani në tabelë që “drejtësi[a e] dërg[uar] nga qiejt” u drejtohet zbulesave që e bënë të mundur Rivendosjen dhe e “vërtet[a e] dërg[uar] nga toka” i drejtohet Librit të Mormonit. Nxitini studentët t’i shkruajnë këto përkufizime në anën e faqes së shkrimeve të shenjta ose të krijojnë një shënim në shkrimet e tyre të shenjta elektronike.)

  • Sipas këtij vargu, në ç’mënyrë do të përdoret Libri i Mormonit në ditët e mëvonshme? (Që të ndihmojë për të mbledhur të zgjedhurit e Perëndisë në Kishë nga të katër anët e tokës.)

  • Kur e keni parë Librin e Mormonit ta ndihmojë dikë të bëhet i kthyer në ungjill dhe të bashkohet me Kishën e Zotit?

  • Cilat janë disa mënyra që ne mund të “derdhe[mi] mbi tokë” me drejtësinë dhe mesazhin e Librit të Mormonit “si në një përmbytje”?

Ftojini studentët të zotohen që të bëjnë diçka për t’i “përmbyt[ur]” zemrat e tyre, shtëpitë e tyre dhe tokën me mesazhin e Librit të Mormonit gjatë javës së ardhshme.

3 Nefi 21:9–11

E vërteta e Librit të Mormonit i bën ballë kundërshtimit

Ftojini studentët të marrin parasysh një kohë kur ata e mbrojtën Librin e Mormonit ose mesazhin e Rivendosjes së ungjillit kundrejt kundërshtimit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 21:9–11. Përpara se studenti të fillojë të lexojë, shpjegoni se Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përcaktoi “shërbëtori[n]” në këto vargje si Profetin Jozef Smith (shih Christ and the New Covenant [1997], f. 287–288).

  • Si i përshtatet Profeti Jozef Smith përshkrimit që gjendet në këto vargje?

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë do t’iu tregojë Shpëtimtari njerëzve që e kundërshtojnë Jozef Smithin dhe Librin e Mormonit në ditët e mëvonshme? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë doktrinën vijuese: Urtësia e Perëndisë është më e madhe se dinakëria e djallit.)

  • Si ndihmon Libri i Mormonit për të treguar se “urtësia [e Perëndisë] është më e madhe se dinakëria e djallit”?

Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Xhefri R. Holland

“Për [më shumë se 180] vjet, ky libër është shqyrtuar e përfolur, mohuar e zbërthyer, vënë nën shënjestër e grisur copë-copë, ndoshta si asnjë libër tjetër në historinë fetare moderne – ndoshta si asnjë libër tjetër në ndonjë histori fetare. Dhe ai ende qëndron. Teori të dështuara rreth origjinës së tij kanë lindur, janë përsëritur e janë shuar. … Asnjë prej këtyre përgjigjeve, sinqerisht për t’u mëshiruar, lidhur me këtë libër, nuk i ka bërë ballë shqyrtimit, sepse nuk ka asnjë përgjigje tjetër përveç asaj që dha Jozefi si përkthyesi i tij në moshë të re dhe i pashkolluar. Në këtë unë bashkohem me vetë stërgjyshin tim, i cili thjesht tha: ‘Asnjë njeri i lig nuk mund ta shkruante dot një libër si ky; dhe asnjë njeri i mirë nuk do ta shkruante atë, po të mos ishte i vërtetë dhe po të mos urdhërohej nga Perëndia për këtë’” (“Siguri për Shpirtin Njerëzor”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 89).

  • Si mendoni, përse ka kaq shumë kundërshtim ndaj Librit të Mormonit?

  • Çfarë përvojash ju kanë mësuar se Libri i Mormonit mund t’i bëjë ballë kundërshtimit të sjellë kundër tij?

  • Çfarë keni ndier ose çfarë keni mësuar vetë, teksa i keni mësuar të tjerët rreth Librit të Mormonit ose e keni mbrojtur vërtetësinë e tij?

Mormoni 8:1–5, 26–35

Libri i Mormonit u shkrua për kohën tonë

Kujtojuni studentëve se Moroni dëshmoi shkatërrimin e qytetërimit të tij. Kërkojuni studentëve të lexojnë Mormonin 8:1–5 dhe merrni parasysh se çfarë mund t’i ishte kërkuar Moronit të bënte për t’i mbrojtur fletët e arta.

  • Përfytyroni se ju ishit Moroni. Cilat janë disa arsye përse ju do të donit që të tjerët ta lexonin analin tuaj?

Vërini studentët të lexojnë Mormonin 8:26–35, duke kërkuar atë që Moroni profetizoi rreth kushteve në kohën kur Libri i Mormonit do të sillej në dritë. Ju mund t’i nxitni studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.

  • Si e përshkroi Moroni kohën kur Libri i Mormonit do të sillej në dritë? (Ajo do të ishte një ditë braktisjeje dhe ligësie.)

  • Çfarë përfundimesh mund të nxirrni duke u nisur nga vargu 35? (Ju mund të vini në dukje se përveç Moronit, profetë të tjerë duke përfshirë Nefin, Jakobin dhe Mormonin, shpallën se po shkruanin për brezat e ardhshëm. Merrni parasysh t’i bëni studentët ta kryqëzojnë vargun 35 si referencë me 2 Nefin 25:21–22 dhe Mormonin 7:1.)

  • Përse është e rëndësishme të dimë se Moroni dhe shkrimtarë të tjerë të Librit të Mormonit ishin të vetëdijshëm për problemet me të cilat përballemi ne sot? (Ndërkohë që diskutoni këtë pyetje, theksoni të vërtetën vijuese: Mësimet në Librin e Mormonit janë të një vlere të madhe për ne sot, sepse shkrimtarët ishin të vetëdijshëm për problemet me të cilat do të përballeshim ne.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë të vërtetë, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Libri i Mormonit … u shkrua për kohën tonë. Nefitët nuk e patën kurrë librin; as lamanitët e kohëve të lashta. Ai ishte paracaktuar për ne. Mormoni shkroi afër fundit të qytetërimit nefit. Nën frymëzimin e Perëndisë, i cili i sheh të gjitha gjërat që nga fillimi, ai përmblodhi anale qindravjeçare, duke zgjedhur histori, fjalime dhe ngjarje që do të ishin më të dobishmet për ne.

Secili prej shkrimtarëve kryesorë të Librit të Mormonit dëshmoi se ai shkroi për brezat e ardhshëm. … Nëse ata e panë kohën tonë dhe zgjodhën ato gjëra që do të ishin me vlerë më të madhe për ne, a nuk është ajo mënyra se si duhet ta studiojmë ne Librin e Mormonit? Ne duhet ta pyesin veten tonë vazhdimisht: ‘Përse Zoti e frymëzoi Mormonin (ose Moronin apo Almën) që ta përfshijë atë në analin e tij? Çfarë mësimi mund të mësoj nga kjo që të më ndihmojë të jetoj në këtë kohë dhe në këtë epokë?’” (Mësimet: Ezra Taft Benson, f. 147).

  • Si mund ta ndryshojë mënyrën se si e lexojmë Librin e Mormonit të kujtuarit se ai libër u shkrua për kohën tonë?

Ftojini studentët të japin shembuj për mënyrën se si Libri i Mormonit u ka dhënë atyre drejtim, forcë, përgjigje ndaj pyetjeve ose zgjidhje për problemet.

Materiale Leximi për Studentin