13
Besëlidhja e Pagëzimit, Shabati dhe Sakramenti
Hyrje
Nëpërmjet ordinancës së pagëzimit, pasuesit e Jezu Krishtit besëlidhin të marrin mbi vete emrin e Tij. Në këtë mësim, studentët do të mësojnë se Libri i Mormonit na mëson që anëtarët e Kishës së Krishtit mblidhen së bashku në ditën e Shabatit dhe gëzojnë privilegjin e shenjtë të marrjes së sakramentit. Kur e marrim sakramentin, ne ripërtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit dhe e ftojmë Frymën e Shenjtë të jetë me ne.
Lexim Konteksti
L. Tom Peri, “Shabati dhe Sakramenti”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 6–9.
Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 129–132.
Dallin H. Ouks, “Mbledhja e Sakramentit dhe Sakramenti”,Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 17–20.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mosia 18:8–10; 25:23–24
Marrja mbi vete e emrit të Krishtit
Kërkojuni disa studentëve të përshkruajnë diçka që ia vlen të mbahet mend rreth pagëzimit të tyre – për shembull, shërbimin e pagëzimit, vetë ordinancën apo mendimet e ndjenjat që i patën. Më pas jepuni studentëve një çast për të përsiatur se sa mirë mendojnë që i kanë mbajtur besëlidhjet e tyre të pagëzimit.
Kujtojini studentët se Alma dha mësim rreth besëlidhjes së pagëzimit tek Ujërat e Mormonit dhe më pas kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Mosian 18:8–10. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ne besëlidhim të bëjmë kur pagëzohemi.
Në tabelë, shkruani sa vijon:
Çfarë besëlidhim të bëjmë kur pagëzohemi? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë për të plotësuar thënien doktrinore: Kur pagëzohemi, ne besëlidhim që të mbajmë barrët e njëri-tjetrit, të qëndrojmë si dëshmitarë të Perëndisë, t’i shërbejmë Atij dhe të zbatojmë urdhërimet e Tij.)
Ndihmojini studentët të kuptojnë kontekstin e fragmentit tjetër të shkrimeve të shenjta duke shpjeguar se, pasi Alma dhe populli i tij u bashkuan me besimtarët në Zarahemla, Alma krijoi shumë bashkësi të besimtarëve. Ftojini disa studentë ta bëjnë me radhë duke lexuar me zë të lartë nga Mosia 25:23–24 dhe vëreni klasën të kërkojë ide shtesë për besëlidhjen tonë të pagëzimit. Pasi studentët të diskutojnë atë që përcaktuan, pyetni:
Si u bekuan njerëzit për shkak të pagëzimit dhe bashkimit me Kishën e Perëndisë? (Ndihmojini studentët të kuptojnë parimin vijues: Ndërsa marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe jetojmë në përputhje me të, Zoti do të derdhë Shpirtin e Tij mbi ne.)
Teksa keni jetuar sipas besëlidhjes suaj të pagëzimit, si është ndikuar jeta juaj nga të pasurit e Shpirtit të Zotit të derdhur mbi ju?
Ftojini studentët të përsiatin se si besëlidhjet e tyre të pagëzimit mund ta forcojnë zotimin e tyre që të jenë një pasues i Jezu Krishtit në vendimet dhe veprimet e tyre.
Eksodi 31:13, 16–17; Mosia 18:17, 23–25; Moroni 6:4–6
Adhurimi në ditën e Shabatit
Shpjegoni se Libri i Mormonit ilustron disa prej mënyrave sipas të cilave anëtarët e Kishës së Krishtit duhet ta mbajnë besëlidhjen e pagëzimit.
Caktojeni gjysmën e studentëve të studiojnë Mosian 18:17, 23–25, ndërkohë që gjysma tjetër studion Moronin 6:4–6. Sugjeroni që studentët të shenjojnë fjalë ose fraza që i përshkruajnë praktikat adhuruese të vëzhguara nga pasuesit e Krishtit. Më pas ftojini të tregojnë atë që përcaktuan.
Cilat ishin disa arsye përse anëtarët u mblodhën shpesh së bashku? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetat vijuese: Kur bëhemi anëtarë të Kishës së Krishtit, ne urdhërohemi ta zbatojmë ditën e Shabatit dhe ta mbajmë atë të shenjtë. Si anëtarë të Kishës, ne duhet të mblidhemi së bashku shpesh që të ushqehemi shpirtërisht me anë të fjalës së mirë të Perëndisë, që të agjërojmë, të lutemi, të forcojmë njëri-tjetrin dhe të marrim sakramentin.)
Lexoni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Shumica e njerëzve nuk vijnë në kishë thjesht për të kërkuar disa fakte të reja të ungjillit ose për të takuar miq të vjetër, edhe pse e gjithë kjo është e rëndësishme. Ata vijnë në kërkim të një përvoje shpirtërore. Ata duan paqe. Ata duan që besimi i tyre të përforcohet dhe shpresa e tyre të përtërihet. Ata duan, shkurt, të ushqehen nga fjala e mirë e Perëndisë, të forcohen nga fuqitë e qiellit” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 26).
Si ju ndihmon të ndiheni “të forc[uar] nga fuqitë e qiellit” mbledhja së bashku me anëtarë të tjerë të Kishës në Shabat?
Çfarë bëni në Kishë për t’u afruar më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe për t’i adhuruar Ata siç duhet?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej përse anëtarët e Kishës urdhërohen që ta zbatojnë ditën e Shabatit dhe ta mbajnë atë të shenjtë, ftojini të lexojnë Eksodin 31:13, 16–17 dhe ta kryqëzojnë si referencë me Mosian 18:23.
Çfarë do të thotë që Shabati është një “shenjë” midis nesh dhe Zotit?
Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Si e shenjtërojmë ne ditën e Shabatit? Në vitet e mia më të hershme, unë studiova veprën e njerëzve të tjerë, të cilët kishin hartuar lista lidhur me gjërat që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë në Shabat. Kohë më vonë mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim Qiellor. Me atë kuptueshmëri, unë nuk kisha më nevojë për lista të gjërave që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë. Kur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: ‘Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?’ Ajo pyetje i bënte zgjedhjet e mia për ditën e Shabatit tepër të qarta” (“Shabati Është një Kënaqësi”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 130).
Si mund të na ndihmojë të pyeturit e vetvetes “Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?” për të bërë zgjedhje më të mira rreth asaj që bëjmë në Shabat?
Si mendoni se ndikojnë te ditët e tjera të javës përpjekjet tuaja për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit?
Ftojini studentët t’i vlerësojnë vetë përpjekjet e tyre për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit. Kërkojuni atyre të marrin parasysh nëse mendimet dhe veprimet e tyre tregojnë adhurim të sinqertë të Atit në atë ditë. Ftojini studentët të caktojnë një synim të veçantë për ta përmirësuar adhurimin e tyre në ditën e Shabatit.
3 Nefi 18:1–11; 20:3–9; Moroni 4:3; 5:2
Marrja e Sakramentit
Në tabelë, shkruani thënien vijuese nga Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (nga “As Now We Take the Sacrament”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 39):
Si mund t’i ndikojë mendimet dhe veprimet tona kjo ide e “një çast[i] të shenjtë” dhe “një vend[i] të shenjtëruar” teksa marrim sakramentin?
Kujtojini studentët se Jezu Krishti i ringjallur e filloi sakramentin kur Ai vizitoi nefitët në qytetin Begati. Ftoni disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga 3 Nefi 18:1–11, ndërkohë që klasa kërkon atë që Shpëtimtari dha mësim rreth qëllimit të sakramentit.
Cili është një parim i dhënë mësim nga Shpëtimtari rreth qëllimit të sakramentit? (Teksa studentët përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Ndërsa e marrim sakramentin dhe gjithmonë e kujtojmë Jezu Krishtin, ne vërtet do të kemi Shpirtin e Tij të jetë me ne.)
Çfarë bëni për ta kujtuar Shpëtimtarin ndërkohë që merrni sakramentin dhe gjatë pjesës së mbetur të javës?
Kujtojini studentët se Moroni shënoi fjalët që i përdorën pasuesit e Jezu Krishtit kur bekonin sakramentin. Merrni parasysh t’i ftoni studentët t’u hedhin një sy të shpejtë lutjeve të sakramentit te Moroni 4:3 e 5:2 dhe t’i nënvijëzojnë frazat që lidhen me parimin e shkruar në tabelë.
Cili do të jetë përfundimi nëse nuk ia dalim mbanë që “gjithmonë ta kujtoj[më] atë”? (Moroni 4:3; 5:2).
Kujtojini studentët se, kur Jezusi i vizitoi nefitët në ditën pasi Ai e filloi sakramentin, Ai sërish ua administroi atyre ordinancën. Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga 3 Nefi 20:3–9. Vëreni klasën të kërkojë bekime shtesë që vijnë nga marrja e sakramentit.
Çfarë do të thotë që shpirtrat tanë “nuk do të ke[në] kurrë uri ose etje, por do të je[në të] ngopur”?
Në ç’mënyra marrja e sakramentit e ka kënaqur urinë dhe etjen tuaj shpirtërore?
Si mund të na ndihmojë marrja e sakramentit me përulësi e mirënjohje për ta kujtuar më mirë Shpëtimtarin gjatë pjesës tjetër të javës?
Ftojini studentët të marrin parasysh sjelljen e tyre gjatë shërbimit të sakramentit, ndërkohë që një student lexon me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks:
“Gjatë mbledhjes së sakramentit – dhe veçanërisht gjatë shërbimit të sakramentit – ne duhet të përqendrohemi tek adhurimi dhe të shmangemi nga të gjitha aktivitetet e tjera, veçanërisht nga sjellja që mund të pengojë adhurimin e të tjerëve. … Mbledhja e sakramentit nuk është kohë për të lexuar libra ose revista. Të rinj, ajo nuk është kohë për biseda me pëshpërima në celular apo për t’iu bërë mesazhe personave në vende të tjera. Kur marrim sakramentin ne bëjmë një besëlidhje të shenjtë që do ta kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin. Sa e trishtueshme është të shohësh persona që e shkelin dukshëm atë besëlidhje në po atë mbledhje ku po e bëjnë atë” (“Mbledhja e Sakramentit dhe Sakramenti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 18–19).
Teksa merrni parasysh nevojat e studentëve tuaj dhe nxitjet e Shpirtit, ju mund të lexoni Markun 14:37 me ta dhe të vini në dukje që një zbatim i këtij vargu është për ne që t’i lëmë mënjanë të gjitha shpërqendrimet dhe t’i japim Zotit vëmendjen tonë të plotë çdo javë teksa adhurojmë në mbledhjen e sakramentit.
Ftojini studentët të marrin parasysh atë që mund të bëjnë për të pasur një përvojë më të shenjtë kur e marrin sakramentin. Pyesni nëse ndonjë prej tyre do të dëshironte të jepte dëshmi për rëndësinë e ditës së Shabatit dhe të sakramentit. Jepni dëshminë tuaj se Zoti do të na bekojë me Shpirtin e Tij kur i nderojmë besëlidhjet tona të pagëzimit dhe përpiqemi ta kujtojmë atë gjithmonë.
Materiale Leximi për Studentin
Eksodi 31:13, 16–17; Mosia 18:8–10, 23; 25:23–24; 3 Nefi 18:1–11; 20:3–9; Moroni 4:3; 5:2; 6:4–6.
Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 129–132.