17
Fuqia e Fjalës
Hyrje
Profetët e Librit të Mormonit bënë shumë përpjekje për ta krijuar dhe ruajtur shkrimin e shenjtë që do të na bekonte në kohën tonë. Në këtë mësim, studentët do të kujtohen se, kur i studiojnë fjalët e profetëve dhe iu binden atyre, ata mund të marrin fuqi për ta mposhtur Satanin, për ta gjetur udhën e tyre përmes vdekshmërisë dhe më së fundi për të fituar jetë të përjetshme.
Lexim Konteksti
Riçard G. Skot, “Fuqia e Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 6–8.
D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 32–35.
“Fuqia e Fjalës”, kapitulli 8 në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 121–131.
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Nefi 3:19–20; 5:21–22; Omni 1:14–17; Mosia 1:3–5; Alma 37:3–4, 8
Rëndësia e shkrimit të shenjtë
Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojuni studentëve se si do t’i përgjigjeshin pyetjes që shtron ai:
“Ne u kemi një borxh [të madh] atyre që me besnikëri e shënuan dhe e ruajtën fjalën përgjatë epokave, shpesh me punë tepër të kujdesshme dhe sakrificë – Moisiut, Isakut, Abrahamit, Gjonit, Palit, Nefit, Mormonit, Jozef Smithit dhe shumë të tjerëve. Çfarë dinin ata rreth rëndësisë së shkrimeve të shenjta që edhe ne duhet ta dimë?” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 32).
Si mendoni, çfarë dinin këta shkrues rreth rëndësisë së shkrimeve të shenjta që edhe ne duhet ta dimë?
Kujtojini studentët se Nefi dhe vëllezërit e tij u urdhëruan të ktheheshin në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga 1 Nefi 3:19–20 dhe 5:21–22, ndërkohë që klasa kërkon arsyet përse fletët prej tunxhi ishin kaq të rëndësishme për Lehin dhe familjen e tij.
Sipas këtyre vargjeve, përse janë shkrimet e shenjta kaq të rëndësishme? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shkrimet e shenjta i ruajnë fjalët dhe urdhërimet e Perëndisë, siç u komunikuan nëpërmjet profetëve të Tij.)
Që të ndihmoni për ta përforcuar këtë të vërtetë, kujtojuni studentëve se, qindra vjet pasi familja e Lehit mbërriti në tokën e premtuar, pasardhësit e tyre takuan popullin e Zarahemlës (mulekitët), që kishin udhëtuar prej Jerusalemit pak kohë pasi kishte ikur familja e Lehit.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Omnin 1:14–17 e Mosian 1:3–5 dhe vini në dukje dallimin midis atyre që i kishin shkrimet e shenjta (nefitëve) dhe atyre që nuk i kishin (mulekitëve). (Shënim: Për të mësuar rreth aftësisë së studimit të shkrimeve të shenjta të “krahasimit dhe dallimit”, shih Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 22.)
Çfarë pasojash përjetuan mulekitët ngaqë nuk i kishin shkrimet e shenjta? (Shih edhe 1 Nefi 4:13.)
Çfarë bekimesh u erdhën nefitëve ngaqë i kishin shkrimet e shenjta?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 37:3–4, 8, ndërkohë që klasa kërkon bekimet që nefitët i morën nga fletët prej tunxhi.
Sipas vargut 8, cilët ishin disa nga bekimet që nefitët i morën nga fletët prej tunxhi?
Çfarë mendoni se donte të thoshte Alma kur tha se shkrimet e shenjta e “kanë zgjeruar kujtesën e këtij populli”?
Për të ndihmuar që të qartësohet kuptimi i kësaj fraze, vëreni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, ndërkohë që klasa kërkon ide shtesë për mënyrën se si shkrimet e shenjta e zgjerojnë kujtesën tonë:
“Shkrimet e shenjta e zgjerojnë kujtesën tonë duke na ndihmuar gjithmonë ta kujtojmë Zotin dhe marrëdhënien tonë me Të dhe Atin. Ato na kujtojnë për atë që e dinim në jetën tonë para lindjes. Dhe ato e zgjerojnë kujtesën tonë në një kuptim tjetër duke na mësuar rreth epokave, njerëzve dhe ngjarjeve që nuk i përjetuam vetë. …
Shkrimet e shenjta gjithashtu e zgjerojnë kujtesën tonë duke na ndihmuar të mos harrojmë atë që ne dhe brezat e mëparshëm e kemi mësuar. Ata që ose nuk e kanë ose e kanë lënë pas dore fjalën e regjistruar të Perëndisë, më së fundi do të ndalojnë së besuari tek Ai dhe do të harrojnë qëllimin e ekzistencës së tyre” (“Bekimi prej Shkrimeve të shenjta”, f. 33).
Cilat janë disa mënyra në të cilat shkrimet e shenjta e zgjerojnë kujtesën tonë?
Çfarë doktrinash, parimesh ose historish në shkrimet e shenjta e kanë zgjeruar ose shtuar kujtesën tuaj për Zotin dhe marrëdhënien tuaj me Të?
1 Nefi 8:21–24, 29–30; 15:23–24; 2 Nefi 3:12; 32:3; 33:4–5; Jakobi [LiM] 2:8; 7:10–11; Alma 5:10–13; 31:5; 37:2, 8–10; Helamani 3:29–30; 15:7–8
Fjala e Perëndisë sjell bekime
Ftojeni një student të përmbledhë shkurtimisht vegimin e Lehit për pemën e jetës (shih 1 Nefi 8). Më pas pyeteni klasën se çfarë përfaqësonte shufra e hekurt dhe përse ajo ishte një pjesë e rëndësishme e vegimit. Nëse nevojitet, ftojini studentët të lexojnë 1 Nefin 8:21–24, 29–30.
Vërini studentët të hetojnë 1 Nefin 15:23–24 dhe të kërkojnë bekimet që u vijnë atyre që mbahen fort te fjala e Perëndisë. Ju mund t’i nxitni studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.
Çfarë mendoni se do të thotë të “mbahesh fort” te fjala e Perëndisë?
Sipas këtyre vargjeve, çfarë bekimesh mund të marrim duke u mbajtur fort te fjala e Perëndisë? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse mbahemi fort te fjala e Perëndisë, ne kurrë nuk do të mbarojmë shpirtërisht dhe kundërshtari nuk do të jetë në gjendje të na mposhtë.)
Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Më lini t’ju sugjeroj se mbajtja me vendosmëri pas shufrës së hekurit sjell, në masë të gjerë, përdorimin plot lutje, të qëndrueshëm dhe të sinqertë të shkrimeve të shenjta si një burim i sigurt i të vërtetës së zbuluar dhe si një udhërrëfyes i besueshëm për udhëtimin në shtegun e ngushtë e të ngushtuar për te pema e jetës – madje për te Zoti Jezu Krisht” (“Ëndrra e Lehit: Duke u Mbajtur me Vendosmëri te Shufra”, Ensign, tetor 2011, f. 36).
Shpjegoni se disa profetë të Librit të Mormonit na mësuan bekimet shtesë që iu vijnë atyre të cilët mbahen fort te fjala e Perëndisë. Shkruani referencat vijuese në tabelë. Ftojeni secilin student të studiojë një ose dy referenca, duke kërkuar të zbulojë bekimet që vijnë nga studimi i fjalës së Perëndisë. Më pas kërkojuni studentëve të shkruajnë në tabelë bekimet që i përcaktojnë pranë referencës përkatëse:
Kur e keni përjetuar njërin prej këtyre bekimeve?
Ftojini studentët të përshkruajnë se çfarë mund të bëjë në jetën e përditshme një i ri ose një e re beqare në moshë madhore për t’u mbajtur fort te shufra e hekurt.
Kërkojuni studentëve të marrin parasysh nëse përdorimi i shkrimeve të shenjta nga ana e tyre mund të përshkruhej si mbajtje fort te shufra e hekurt.
Ftojini studentët të marrin parasysh dhe të shkruajnë gjëra të veçanta që mund të bëjnë për t’u mbajtur më fort te shufra e hekurt dhe për t’i marrë më plotësisht këto bekime.
Alma 37:38–46
Fjala e Perëndisë çon drejt jetës së përjetshme
Kujtojini studentët se profeti Lehi mori një mjet nga Zoti të quajtur Liahona. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 37:38–42, ndërkohë që klasa kërkon se si Liahona e bekoi familjen e Lehit.
Si e bekoi Liahona familjen e Lehit?
Çfarë iu kërkua familjes së Lehit për ta bërë Liahonën që të vepronte siç duhej? (Busulla vepronte vetëm kur ata ua vinin veshin udhëzimeve të saj dhe ushtronin besim e zell. Shih edhe 1 Nefi 16:28.)
Shpjegoni se Alma dha mësim që përdorimi i Liahonës ishte një “simbol” dhe një “hije” – domethënë një model – i mënyrës se si duhet ta përdorim fjalën e Perëndisë. Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Almën 37:43–46, ndërkohë që klasa përcakton ngjashmëritë që paraqiti Alma midis Liahonës dhe fjalëve të Krishtit.
Çfarë parimi lidhur me fjalët e Krishtit dha mësim Alma në këto vargje? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse ua vëmë veshin fjalëve të Krishtit, ne vërtet do të udhëhiqemi në një kurs të drejtë drejt jetës së përjetshme. Ju mund t’i nxitni studentët të shenjojnë shfaqjet e togfjalëshit në qoftë se te vargjet 45–46. U thoni studentëve se të mësuarit për të përcaktuar marrëdhëniet shkak-dhe-pasojë është një aftësi e rëndësishme që mund ta zgjerojë studimin e tyre të shkrimeve të shenjta.)
Çfarë mendoni se do të thotë të udhëhiqesh në një “kurs të drejtë” drejt jetës së përjetshme?
Cilat janë disa gjëra që mund t’i bëjmë për të shkuar përtej thjesht të lexuarit të fjalëve të Krishtit dhe për të filluar që t’ua “vëmë veshin” atyre?
Mbylleni mësimin duke paraqitur thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar dhe ftojini studentët ta lexojnë atë dhe të përsiatin pyetjet e Plakut Bednar.
“Një rrjedhje e vazhdueshme e ujit të gjallë është tepër më e lartë sesa të pirët me gllënjka në mënyrë rastësore.
A po i lexojmë, studiojmë dhe kërkojmë ju dhe unë shkrimet e shenjta çdo ditë, në një mënyrë që na aftëson për t’u mbajtur fort te shufra e hekurt … ? A po shtyhemi ju dhe unë përpara drejt burimit të ujërave të gjalla – duke u mbështetur te fjala e Perëndisë? Këto janë pyetje të rëndësishme për secilin prej nesh që t’i përsiatim plot lutje” (“A Reservoir of Living Water” [bisedë në mbledhjen rreth vatrës të Sistemit Arsimor të Kishës, 4 shkurt 2007], f. 7, lds.org/broadcasts).
Pyetni nëse ndonjë student do të dojë ta japë dëshminë e vet për mënyrën se si studimi i fjalës së Perëndisë i ka bekuar ata. Nxitini studentët të vazhdojnë të përsiatin pyetjet e bëra nga Plaku Bednar dhe ftojini ata të ndjekin ecurinë me mendimet e mbresat që i morën gjatë mësimit, për ta bërë më frytdhënës dhe më domethënës studimin e tyre të fjalës së Perëndisë.
Materiale Leximi për Studentin
1 Nefi 3:19–20; 5:21–22; 8:21–24, 29–30; 15:23–24; 2 Nefi 3:12; 32:3; 33:4–5; Jakobi [LiM] 2:8; 7:10–11; Omni 1:14–17; Mosia 1:3–5; Alma 5:10–13; 31:5; 37:2–4, 8–10, 38–46; Helamani 3:29–30; 15:7–8.
Riçard G. Skot, “Fuqia e Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 6–8.