Seminare dhe Institute
Mësimi 22: ‘Madje si Jam Unë’


22

“Madje si Jam Unë”

Hyrje

Jezu Krishti i ringjallur i ftoi dishepujt e Tij ta ndjekin shembullin e Tij. Nëpërmjet studimit të parimeve që Ai ua dha mësim nefitëve tek tempulli në Begatisë, ne mund të mësojmë se si të bëhemi si Ai. Shpëtimtari u lut që të gjithë ata të cilët besojnë tek Ai, të mund të përjetojnë unitet me Të dhe Atin tonë Qiellor. Ky mësim hartohet për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë atë që mund të bëjnë për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 27:21–22, 27

Bërja si Jezu Krishti

Fillojeni orën mësimore duke paraqitur thënien vijuese nga Plaku Lin G. Robins, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Plaku Lin G. Robins

“Shumë prej nesh krijojnë lista për të bërë që të na kujtojnë gjërat që duam t’i plotësojmë. Por njerëzit rrallë kanë lista për të qenë. Përse? Gjërat për t’u bërë janë veprimtari ose ngjarje që mund të fshihen nga lista kur janë bërë. Gjërat për të qenë, megjithatë, nuk bëhen kurrë. Ju nuk mund të fitoni shenja të kryerjes me gjërat për të qenë. Unë mund ta çoj bashkëshorten time për një mbrëmje të këndshme këtë të premte, që është një gjë për t’u bërë. Por të qenit një bashkëshort i mirë nuk është një ngjarje; kjo duhet të jetë pjesë e natyrës sime – karakterit tim apo se kush jam unë” (“Çfarë Lloj Burrash dhe Grash Duhet të Jeni?” Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 104).

  • Si mendoni, çfarë do Zoti që ne të bëhemi si anëtarë të Kishës së Tij?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 27:21–22, 27 dhe të kërkojnë udhëzimet që Jezu Krishti ua dha dishepujve të Tij nefitë.

  • Çfarë i urdhëroi Shpëtimtari dishepujt të bënin dhe të bëheshin? (Shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti kërkon që dishepujt e Tij të bëjnë veprat e Tij dhe të bëhen siç është Ai.)

  • Si mendoni se mund të bëhemi më të ngjashëm me Shpëtimtarin?

  • Cilat janë disa nga veprat e Tij që ju keni qenë në gjendje t’i bëni?

Ftojini studentët të diskutojnë se si mësimet e Librit të Mormonit mund të na ndihmojnë të bëhemi si Jezu Krishti. Merrni parasysh të shkruani në tabelë përgjigjet e studentëve. Jepni dëshminë tuaj që studimi i Librit të Mormonit dhe zbatimi i mësimeve të tij do të na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Shpëtimtari.

3 Nefi 12:1–16, 43–45; 13:1, 5–7, 16–18, 22–24, 33; 14:1–5, 21–27

Predikimi i Krishtit tek tempulli në Begati na mëson se si të bëhemi si Ai

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Më i madhërishmi, më i bekuari dhe më i gëzuari është ai njeri jeta e të cilit i përshtatet sa më pranë modelit të Krishtit. Kjo s’ka të bëjë aspak me pasurinë, pushtetin ose prestigjin tokësor. E vetmja provë e vërtetë e madhështisë, bekueshmërisë, gëzueshmërisë është se sa mund të vijë një jetë pranë të qenit si Mësuesi, Jezu Krishti. Ai është udha e drejtë, e vërteta e plotë dhe jeta e begatshme” (“Jesus Christ—Gifts and Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 2).

  • Sipas Presidentit Benson, çfarë ndodh kur ne zgjedhim ta bëjmë Jezu Krishtin modelin për jetën tonë?

Kujtojini studentët se, kur Shpëtimtari i ringjallur iu shfaq popullit të Tij tek tempulli në Begati, Ai dha një predikim që ishte i ngjashëm me Predikimin e Tij biblik në Mal. Parimet e shenjta që Shpëtimtari i dha mësim në Predikimin në Mal dhe tek tempulli në Begati, hartohen që të na ndihmojnë të bëhemi si Ai.

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Harold B. Li (1899–1973). Nëse nevojitet, shpjegoni se fjala projekt u drejtohet planeve të përdorura për të ndërtuar një godinë.

Presidenti Harold B. Li

“Në Predikimin e Tij në Mal, Mësuesi na ka dhënë njëfarë zbulese të vetë karakterit të tij, që ishte i përsosur, … dhe duke e bërë këtë gjë, na ka dhënë një projekt për vetë jetën tonë” (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 200).

Shkruani në tabelë referencat vijuese nga shkrimet e shenjta:

3 Nefi 12:1–12

3 Nefi 12:13–16, 43–45

3 Nefi 13:1, 5–7, 16–18

3 Nefi 13:22–24, 33

3 Nefi 14:1–5

3 Nefi 14:21–27

Caktoni studentë që secili të lexojë njërën prej këtyre fragmenteve dhe të përcaktojë një parim që mund t’i ndihmojë ata të bëhen më shumë si Jezu Krishti. Ju mund t’i nxitni studentët t’i shenjojnë ose vënë në dukje këto parime në shkrimet e tyre të shenjta. Ftojini ata të marrin parasysh nëse e njohin dikë që është shembull i parimeve që i përcaktojnë.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë çfarë gjetën. Nëse nevojitet dhe nëse nxiteni nga Shpirti, ju mund të bëni pyetje shtesë si ato që vijojnë:

  • Si mund t’ju ndihmojë të jetuarit vazhdimisht të këtij parimi që të bëheni më shumë si Krishti?

  • Çfarë përvojash keni pasur që e ilustrojnë rëndësinë e parimit që përcaktuat?

Ftojini studentët të caktojnë një synim për të qenë më shumë si Shpëtimtari duke përfshirë një ose më shumë nga këto parime në jetën e tyre.

Gjoni 17:9–11, 20–23; 3 Nefi 19:19–23, 28–29

Bërja një me Atin dhe Birin

Shpjegoni se, gjatë vizitës së Tij te nefitët, Jezu Krishti u lut për dymbëdhjetë dishepujt që Ai i kishte zgjedhur, dhe për të gjithë ata që do të besonin në fjalët e tyre. Ftojini disa studentë të lexojnë me zë të lartë 3 Nefin 19:19–23, 28–29. Vërini studentët të kërkojnë bekimet që Jezusi u lut se do të dhuroheshin mbi ata që besojnë tek Ai.

  • Cili është një parim që mund ta mësojmë nga lutja e Shpëtimtarit për ne që të bëhemi një me Atin dhe Birin? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëpërmjet besimit, ne mund të pastrohemi dhe bëhemi një me Jezu Krishtin, sikurse Ai është një me Atin.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej këtë parim, shpjegoni se një lutje e ngjashme me atë që ofroi Krishti në tempullin e Begatisë, shënohet në Dhiatën e Re. Kërkojuni studentëve t’i kryqëzojnë si referencë këto vargje me Gjonin 17:9–11, 20–23. Ftojini ata t’i lexojnë vargjet në heshtje dhe të marrin parasysh se si ato gjejnë zbatim për ne.

  • Si ndikon tek ju të dini që Jezu Krishti iu lut Atit për ju?

  • Në çfarë mënyrash mund të përjetojmë unitetin që ekziston midis Atit dhe Birit?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini studentët të kërkojnë atë që duhet të bëjmë që të bëhemi një me Jezu Krishtin dhe Atin Qiellor.

Plaku D. Tod Kristoferson

“Jezusi arriti unitet të përsosur me Atin duke ia nënshtruar veten e Tij, si mishin dhe shpirtin, vullnetit të Atit. Shërbesa e Tij gjithmonë ishte e përqendruar në mënyrë të qartë, sepse nuk kishte asnjë mëdyshje dobësuese apo hutuese brenda Tij. Duke iu drejtuar Atit të Tij, Jezusi tha: ‘Bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë [Atij]’ (Gjoni 8:29). …

Sigurisht ne nuk do të jemi një me Perëndinë dhe Krishtin derisa t’i bëjmë vullnetin dhe interesin e Tyre dëshirën tonë më të madhe. Një nënshtrim i tillë nuk arrihet brenda një dite por, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, Zoti do të na mësojë nëse jemi të gatshëm derisa, me kalimin e kohës, mund të thuhet me saktësi se Ai është në ne sikurse Ati është në Të” (“That They May Be One in Us”, Ensign, nëntor 2002, f. 72–73).

  • Sipas Plakut Kristoferson, çfarë duhet të bëjmë që të bëhemi një me Atin dhe Birin?

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë dhe ftojini studentët të harxhojnë pak minuta për të shkruar përgjigjet e tyre:

Në çfarë mënyrash tregoi Jezusi se Ai ishte përsosmërisht i nënshtruar ndaj vullnetit të Atit Qiellor?

Cilat janë disa mënyra që ju mund të bëheni më të nënshtruar ndaj vullnetit të Atit Qiellor?

Mbylleni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj se bërja të nënshtruar ndaj vullnetit të Atit bën të mundur për ne që të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.

Materiale Leximi për Studentin