Shembulli Ynë i Përkryer
Mesazhi i ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit është që ne mundemi dhe duhet të presim të bëhemi më të mirë gjatë të gjithë jetës.
Ndihem i bekuar që kam mundësinë të flas me ju në këtë ditë Shabati. Sado të ndryshëm që jemi nga rrethanat dhe përvojat, ne ndajmë një dëshirë për t’u bërë më të mirë se jemi. Mund të ketë disa që gabimisht ndiejnë se janë mjaft të mirë dhe disa që kanë hequr dorë nga përpjekja për të qenë më të mirë. Por, për të gjithë, mesazhi i ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit është që ne mundemi dhe duhet të presim të bëhemi më të mirë gjatë të gjithë jetës.
Pjesë e asaj pritshmërie jepet për ne në një zbulesë nga Perëndia dhënë Profetit Jozef Smith. Ajo përshkruan ditën kur ne do të takojmë Shpëtimtarin, siç do ta bëjmë të gjithë. Ajo na tregon se çfarë të bëjmë që të përgatitemi dhe çfarë të presim.
Ajo gjendet në librin e Moronit: “Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë; që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër. Amen.”1
Ajo duhet t’ju ndihmojë të kuptoni përse cilido shenjtor besimtar i ditëve të mëvonshme është optimist për atë që ndodhet para tij, sado e vështirë mund të jetë e tashmja. Ne besojmë se duke jetuar ungjillin e Jezu Krishtit mund të bëhemi si Shpëtimtari, që është i përsosur. Mbajtja parasysh e tipareve të Jezu Krishtit duhet të shuaj krenarinë e personit të kënaqur me veten, që mendon se ai apo ajo nuk ka nevojë të përmirësohet. Dhe madje personi më i përulur mund të marrë shpresë në ftesën për t’u bërë si Shpëtimtari.
Se si do të ndodhë ai shndërrim i mrekullueshëm shprehet, për mendimin tim, në një këngë të shkruar për fëmijët. Më kujtohet tek shihja fytyrat në një dhomë plot me fëmijë që e këndonin atë një të diel. Secili prej fëmijëve qëndronte i përkulur përpara, gati në buzë të karriges. Mund të shihja dritë në sytë e tyre dhe vendosmëri në fytyrat e tyre ndërsa këndonin me kënaqësi. Edhe ju mund ta keni dëgjuar atë këngë. Shpresoj që ajo të tingëllojë për gjithmonë në kujtimet tona. Shpresoj vetëm të mund t’i jap atë ndjenjë siç ia dhanë ata fëmijë.
“Po përpiqem të jem si Jezusi; Rrugën e tij po e ndjek.
Po përpiqem të dua si ai, Në gjithçka që bëj dhe them.
Nganjëherë t’bëj zgjedhje t’gabuara tundohem,
Por përpiqem të dëgjoj kur pëshpërit zëri i vogël e i qet’,
Dojeni njëri-tjetrin siç ju do Jezusi.
Në çdo gjë që bëni, të tregoni mirësi.
Jini të butë e të dashur në veprim e mendim,
Se këto janë gjërat që na mësoi Jezusi.”2
Mua më dukej se ata jo thjesht po këndonin; ata po shpallnin vendosmërinë e tyre. Jezu Krishti qe shembulli i tyre. Të ishin si Ai qe synimi i tyre i fiksuar. Dhe vështrimet e tyre të etura dhe sytë e shkëlqyer më bindën se ata nuk kishin dyshime. Ata prisnin të kishin sukses. Ata besonin se udhëzimi i Shpëtimtarit për të qenë të përsosur nuk ishte një shpresë, por një urdhërim. Dhe ata qenë të sigurt se Ai kishte përgatitur udhën.
Ajo vendosmëri e ai besim mund dhe duhet të jenë në zemrën e çdo shenjtori të ditëve të mëvonshme. Shpëtimtari ka përgatitur udhën përmes Shlyerjes së Tij dhe shembullit të Tij. Madje dhe fëmijët që kënduan atë këngë e dinin se si.
Dashuria është parimi motivues me anë të të cilit Zoti na udhëheq gjatë udhës drejt bërjes si Ai, shembulli ynë i përsosur. Mënyra jonë e jetesës, orë për orë, duhet të mbushet me dashurinë e Perëndisë dhe dashurinë për të tjerët. Nuk ka çudi në këtë, qëkurse Zoti i shpalli ato si urdhërimet e para dhe të mëdhatë. Është dashuria e Perëndisë që do të na udhëheqë të mbajmë urdhërimet e Tij. Dhe dashuria e të tjerëve është në thelb të aftësisë sonë për t’iu bindur Atij.
Ashtu si Jezusi përdori një fëmijë në shërbesën e Tij në vdekshmëri si një shembull, për njerëzit, të dashurisë së dëlirë që ata duhet dhe mund të kenë për të qenë si Ai, Ai na ka ofruar familjen si një shembull i një mjedisi ideal në të cilin mund të mësojmë se si të duam ashtu si Ai do.
Kjo është sepse gëzimet më të mëdha dhe hidhërimet më të mëdha që përjetojmë janë brenda marrëdhënieve familjare. Gëzimet vijnë nga vendosja e mirëqenies së të tjerëve mbi atë tonën. Pikërisht për këtë është dashuria. Dhe hidhërimi vjen kryesisht nga egoizmi, që është mungesa e dashurisë. Ideali që dëshiron Perëndia për ne është të formojmë familje gjatë udhës, që me më shumë gjasa të na udhëheqin drejt lumturisë e të na largojnë nga hidhërimi. Një burrë e një grua duhet të bëjnë besëlidhje të shenjta se ata do të vendosin mirëqenien dhe lumturinë e njëri-tjetrit në qendër të jetës së tyre. Fëmijët duhet të linden në një familje ku prindërit i vlerësojnë nevojat e fëmijëve baras me të tyret nga rëndësia. Dhe fëmijët duhet t’i duan prindërit dhe njëri-tjetrin.
Ky është ideali i një familjeje të dashur. Në shumë prej shtëpive tona janë fjalët: “Familja Jonë Mund të Jetë së Bashku Përgjithmonë.” Është një gur varri pranë shtëpisë sime i një gruaje që qe nënë dhe gjyshe. Ajo dhe bashkëshorti i saj u vulosën në tempullin e Perëndisë me njëri-tjetrin dhe me pasardhësit e tyre për kohën dhe gjithë përjetësinë. Mbishkrimi tek guri i varrit thotë: “Ju lutem, mos lini karrige bosh.” Ajo kërkoi atë mbishkrim sepse e dinte që varet nga zgjedhjet që bën secili pjesëtar i familjes nëse familja do të jetë e gjitha së bashku. Fjala “ju lutem” është atje sepse as Perëndia e as ajo nuk mund të detyrojnë një tjetër të zgjedhë lumturinë. Dhe atje është Satani, që dëshiron mjerim, jo lumturi, në familjet në këtë jetë dhe në tjetrën.
Shpresa ime sot është të sugjeroj disa zgjedhje, që mund të duken të vështira por të cilat do t’ju sigurojnë juve se jeni kualifikuar që të mos ketë karrige bosh në familjen tuaj në botën që do të vijë.
Së pari, u jap këshillë bashkëshortëve dhe bashkëshorteve. Lutuni për dashurinë që ju lejon të shihni të mirën tek shoku/shoqja juaj. Lutuni për dashurinë që i bën dobësitë e gabimet të duken të vogla. Lutuni për dashurinë që ta bëni tuajin gëzimin e shokut/shoqes tuaj. Lutuni për dashurinë që të dëshironi ta pakësoni ngarkesën dhe ta zbusni hidhërimin e shokut/ shoqes tuaj.
E pashë këtë në martesën e prindërve të mi. Në sëmundjen që i mori jetën nënës time, sa më shumë i mungonte rehatia asaj, aq më shumë sigurimi i rehatisë për të bëhej qëllimi mbizotërues i jetës së babait tim. Ai kërkoi që në spital të përgatisnin një shtrat për të në dhomën e saj. Ai qe i vendosur të ishte atje, që të sigurohej se asaj nuk i mungonte asgjë. Ai ecte në këmbë për kilometra, çdo mëngjes për të shkuar në punë dhe për t’u kthyer në mbrëmje pranë saj nëpër ato kohë të vështira për mamanë. Besoj se qe një dhuratë nga Perëndia për të që fuqia e tij për të dashur u shtua kur ishte kaq e rëndësishme për mamanë. Mendoj se ai po bënte atë që do të kishte bërë Jezusi prej dashurisë.
Tani u jap këshillë prindërve të një fëmije që po endet. Shpëtimtari është shembulli i përkryer i ngulmimit në dashuri. Juve ju kujtohen fjalët e Tij të ngushëllimit për njerëzit mes nefitëve që nuk e kishin pranuar ftesën e Tij të mëparshme për të ardhur tek Ai. Ai u foli të mbijetuarve nga shkatërrimi që erdhi pas Kryqëzimit të Tij: “O ti shtëpi e Izraelit, që të kam kursyer, sa herë do të të mbledh si një pulë mbledh zogjtë e saj nën krahët e saj, në qoftë se do të pendohesh dhe kthehesh tek unë, me qëllim të plotë të zemrës.”3
Ndodhia e birit plangprishës na jep të gjithëve shpresë. Plangprishësi e kujtoi shtëpinë, si do ta kujtojnë fëmijët tuaj. Ata do ta ndiejnë dashurinë tuaj që i tërheq të kthehen tek ju. Plaku Orson F. Uitni, në një konferencë të përgjithshme të 1929-ës, dha një premtim të shquar, që unë e di se është i vërtetë, për prindin besnik që nderon vulosjen e tempullit me fëmijët e tij: “Megjithëse disa nga delet mund të enden, syri i Bariut qëndron mbi to dhe herët a vonë ato do të ndiejnë forcat tërheqëse të Providencës Hyjnore t’u afrohen dhe t’i tërheqin sërish në tufë.”
Pastaj ai vazhdon duke thënë: “Lutuni për fëmijët tuaj të pakujdesshëm dhe të pabindur; qëndrojuni pranë me besimin tuaj. Vazhdoni të shpresoni, të besoni deri sa të shikoni shpëtimin e Perëndisë.”4 Ju mund të luteni për fëmijët tuaj, t’i doni ata dhe t’i ndihmoni ata me sigurinë se Jezusi i ndihmon bashkë me ju. Kur ju vazhdoni të përpiqeni, po bëni atë që bën Jezusi.
Tani, këtu është këshilla ime për fëmijët. Zoti ju dha juve një urdhërim me një premtim: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde, që ditët e tua të mund të zgjaten mbi tokën, të cilën Zoti, Perëndia yt, ta dha ty.”5 Ai është i vetmi nga të Dhjetë Urdhërimet me një premtim. Ju mund të mos i keni prindërit të gjallë. Në disa raste, mund të mos e ndieni se prindërit tuaj janë të denjë për nderin dhe respektin e fëmijëve të tyre. Ju mund edhe të mos i keni njohur ndonjëherë ata. Por ju u keni borxh jetën atyre. Dhe në çdo rast, edhe nëse jeta juaj nuk zgjatet, cilësia e saj do të përmirësohet thjesht duke i kujtuar prindërit tuaj me nderim.
Tani për ata që kanë pranuar familje të njerëzve të tjerë sikur t’i kishin të vetat: Kam miq që i kujtojnë ditëlindjet e fëmijëve të mi më mirë se unë. Gruaja ime dhe unë kemi pasur miq që rrallë harruan të na vizitonin apo ta kujtonin një ditë feste me ne. Shpesh prekem kur dikush e fillon një bisedë me pyetjen: “Si është familja jote?” dhe pastaj pret të dëgjojë përgjigjen me dashuri që i shfaqet në fytyrë. Ata duken të vëmendshëm kur unë bëj përshkrimin e jetës së secilit prej fëmijëve të mi. Dashuria e tyre më ndihmon ta ndiej më të gjallë dashurinë e Shpëtimtarit për fëmijët tanë. Në pyetjen e tyre, unë mund të perceptoj se ata po ndiejnë atë që ndien Jezusi dhe po pyesin atë që do të pyeste Ai.
Për të gjithë ne mund të jetë e vështirë të shohim në jetën tonë një forcë në rritje për të dashur dhe për ta parë veten që të bëhemi më shumë si Shpëtimtari, shembulli ynë i përkryer. Unë dëshiroj t’ju nxis. Ju keni pasur prova se po ecni përgjatë rrugës për t’u bërë më shumë si Jezusi. Do t’ju ndihmojë po të kujtoni se si jeni ndier, nganjëherë, si një fëmijë i vogël, madje në mes të shqetësimeve dhe sprovave. Mendoni për ata fëmijë që këndonin këngën. Mendoni për kohët kur u ndiet, ndoshta kohët e fundit, siç u ndien ata fëmijë të vegjël, duke kënduar: “Po përpiqem të jem si Jezusi; Rrugën e tij po e ndjek.” Juve do t’ju kujtohet që Jezusi u kërkoi dishepujve të Tij që t’i sillnin fëmijët tek Ai dhe tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë … sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.”6 Ju keni ndier paqen e një fëmije të vogël e të dëlirë nganjëherë, kur jeni përpjekur të jeni si Jezusi.
Mund të ketë ardhur kur u pagëzuat. Ai nuk kishte nevojë për pagëzim, sepse Ai ishte i dëlirë. Por kur u pagëzuat, ju patët ndjenjën e të qenit i pastër, si një fëmijë i vogël. Kur Ai u pagëzua, qiejt u hapën dhe Ai dëgjoi zërin e Atit të Tij Qiellor: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”7 Juve nuk dëgjuat zë, por ju ndiet miratimin e Atit Qiellor sepse bëtë atë që bëri Jezusi.
Ju e keni ndier atë në familjen tuaj kur i kërkuat falje bashkëshortit/es tuaj apo falët një fëmijë për ndonjë gabim apo mosbindje. Këto çaste do të vijnë më shpesh kur përpiqeni të bëni gjërat që e dini se do t’i bënte Jezusi. Për shkak të Shlyerjes së Tij për juve, bindja juaj si e një fëmije do të sjellë një ndjenjë të dashurisë së Shpëtimtarit për ju dhe dashurinë tuaj për Atë. Ajo është një nga dhuratat që i është premtuar dishepujve të Tij besnikë. Dhe kjo dhuratë mund t’ju vijë jo vetëm juve por gjithashtu pjesëtarëve të dashur të familjes suaj. Premtimi u dha tek 3 Nefi: “Dhe të gjithë fëmijët e tu do të mësohen nga Zoti; dhe e madhe do të jetë paqja e fëmijëve të tu.”8
Unë shpresoj se ju do të dilni sot duke kërkuar mundësi për të bërë ashtu si bëri Ai dhe për të dashur ashtu si do Ai. Unë mund t’ju premtoj se paqja që ndiet si fëmijë do të vijë tek ju shpesh dhe do të mbetet me ju. Është i vërtetë premtimi që Ai u bëri dishepujve të Tij: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota.”9
Asnjë prej nesh nuk është ende i përsosur. Por mund të kemi sigurinë e shpeshtë se po vijojmë në atë rrugë. Ai na udhëheq dhe na bën shenjë që ta ndjekim.
Unë dëshmoj se udha shtrihet në besimin tek Jezu Krishti, në pagëzim, në marrjen e Frymës së Shenjtë dhe në durimin me dashuri për të mbajtur urdhërimet e Tij. Unë dëshmoj se Ati jeton dhe na do. Ai e do Birin e Tij të Dashur, Zotin Jezu Krisht, që është shembulli ynë i përsosur. Jozef Smithi ishte profeti i Rivendosjes. Ai pa Atin dhe Birin. Unë e di që kjo është e vërtetë. Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ndodhet fuqia e priftërisë për të ofruar ordinancat që na lejojnë të bëhemi gjithnjë e më të mirë dhe më shumë si Shpëtimtari dhe Ati ynë Qiellor. Unë ju lë bekimin tim që ju të mund të ndieni sigurimin dhe miratimin që ndiet kur qetë fëmijë i vogël. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.