Anëtarët u Bekuan për Besim në Përballje me Katastrofa
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Ishujt Samoas, që përjetuan shkatërrim të konsiderueshëm të shkaktuar nga një tërmet dhe cunami si rrjedhojë e tij, përkohësisht i lanë mënjanë shqetësimet vetjake apo familjare të një natyre materiale për të plotësuar nevoja shpirtërore gjatë konferencës së përgjithshme.
Lëkundjet me magnitudë 8,0 ballë goditën rreth 120 milje (190 km) në juglindje të Apias, në Samoa më 29 shtator 2009 – vetëm disa ditë para konferencës së përgjithshme. Tërmeti dhe cunami vijues – me katër dallgë rreth 15 këmbë (5 m) të larta – vranë më shumë se 180 vetë në Paqësor, të gjithë përveç 9-ve prej tyre në Ishujt Samoas.
Me gjithë katastrofën, që la të vdekur të paktën 26 anëtarë të Kishës, dhe përpjekjet e ndihmës që vijuan, shenjtorët e ditëve të mëvonshme u shpërblyen me bollëk për gjetjen e kohës për të marrë pjesë në konferencën e përgjithshme me anë të radios, televizionit apo satelitit.
Eni F. H. Faleomavaega, një anëtar i Kishës që shërben si delegat në Kongresin e Shteteve të Bashkuara nga territori i SHBA-së i Samoas Amerikane, tha se shenjtorët marrin forcë nga pjesëmarrja në konferencë gjatë krizës. “Krijonte një ndjesi sigurimi të dëgjoje nga profeti … gjatë një kohe për jetë apo vdekje”, tha ai.
Aftësia e anëtarëve për të marrë atë sigurim, në gjuhën e tyre amëtare, nga profetët e ditëve moderne, i detyrohej në masë të madhe një grupi përkthyesish që pësuan vetë humbjet e tyre gjatë katastrofës.
Pasi iu ngarkua detyra të siguronte përkthim të drejtpërdrejtë, për herë të parë nga ishujt në vend se nga Solt Lejk Siti, grupit të përkthimit iu desh të bënte një zgjedhje pasi goditi katastrofa. Pjesëtarët e grupit mund t’ia kalonin përkthimin Solt Lejk Sitit, duke e njoftuar në afat të shkurtër, që të mund të merreshin me nevojat e miqve dhe familjarëve të prekur nga tërmeti, ose ata mund ta përmbushnin detyrën.
Alitasi Talataina, mbikëqyrësja e përkthimit dhe bashkërenduesja e përkthimit gojor, tha se ajo pati një mbresë se kishte shumë vetë që mund të kujdeseshin për nevojat fizike të njerëzve apo të varrosnin të vdekurit por se “kjo është çfarë Zoti do të donte të bënim [për] të gjallët dhe brezat që do të vijnë.”
Meqë qendrën e shërbimit ku ishte montuar pajisja e përkthimit gojor e zuri një grup i administrimit për katastrofën, grupit iu desh të gjente një mjedis që kishte linja dixhitale telefonike dhe kërkesa të tjera teknike të nevojshme për të siguruar përkthim të njëkohshëm në largësi.
Motra Talataina thotë se besimi i grupit ishte si i Nefit në atë që ata thanë: “Edhe sikur të na [duhej] ta bënim këtë poshtë një peme, ne [do të] shkonim e do ta bënim” (shih 1 Nefi 3:7).
Me ndihmën e Zotit ata gjetën një vend dhe pajisjet e nevojshme u zhvendosën, u montuan dhe u provuan në pak ditët para konferencës.
“Ne ndjemë dorën e Zotit në përmbushjen e asaj për të cilën ishim urdhëruar”, tha Motra Talataina.
Për shkak të përpjekjeve të grupit kur filloi konferenca, anëtarët, që gjetën kohë mes përpjekjeve masive të pastrimit për të marrë pjesë në punime, qenë në gjendje të dëgjonin e kuptonin mesazhin e Zotit për ta.