2009
Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes
Nëntor 2009


Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes

Nëpërmjet Jozef Smithit janë rivendosur gjithë fuqitë, çelësat, mësimet dhe ordinancat e domosdoshme për shpëtim dhe ekzaltim.

Elder Tad R. Callister

Mendoni për një çast se dikush do t’ju tregonte këto tri fakte për një figurë të Dhiatës së Re dhe asgjë më shumë: së pari, Shpëtimtari tha për këtë burrë: “O njeri besimpak” (Mateu 14:31); së dyti, ky burrë, në një çast zemërimi, i preu një vesh shërbëtorit të priftit të lartë; dhe së treti, ky burrë e mohoi se e dinte se cili ishte Shpëtimtari në tri raste, edhe pse ai kishte qenë me Të përditë. Nëse kjo do të ishte gjithçka do të dinit apo ku do të përqendroheshit, mund të kishit menduar se ky burrë ishte një faqezi, apo i padobishëm, por në këtë proces nuk do të kishit arritur të njihnit një nga burrat më të shkëlqyer që ka jetuar ndonjëherë në tokë: Pjetër Apostullin.

Në mënyrë të ngjashme, janë bërë përpjekje nga disa vetë për t’u përqendruar tek disa dobësi të vogla të Profetit Jozef Smith apo për t’i zmadhuar ato, por në atë proces edhe ata nuk kanë kuptuar thelbin, burrin dhe misionin e tij. Jozef Smithi qe i vajosuri i Zotit për të rivendosur Kishën e Krishtit në tokë. Kur doli nga korija me pemë, ai përfundimisht mësoi katër të vërteta themelore që në atë kohë nuk mësoheshin nga shumica e botës bashkëkohore të krishterë.

Së pari, ai mësoi se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, janë dy qenie të veçanta, të dallueshme. Bibla e pohon zbulimin e Jozef Smithit. Ajo na tregon se Biri ia nënshtroi vullnetin e Tij të Atit (shih Mateu 26:42). Ne mallëngjehemi nga nënshtrimi i Shpëtimtarit dhe gjejmë forcë në shembullin e Tij për të vepruar po ashtu, por çfarë do të kishin qenë thellësia dhe pasioni i nënshtrimit të Krishtit apo fuqia motivuese e atij shembulli, nëse Ati dhe Biri do të ishin e njëjta qenie dhe, në të vërtetë, Biri thjesht do të ndiqte vullnetin e Tij, por me një emër tjetër?

Shkrimet e shenjta japin provë më tej për këtë të vërtetë të madhe: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16). Një atë që ofron birin e tij të vetëm është shfaqja më e lartë e dashurisë që mund të konceptojë e ndiejë mendja dhe zemra njerëzore. Ajo simbolizohet nga ndodhia prekëse e Abrahamit dhe Isakut (shih Zanafilla 22). Por nëse Ati është e njëjta qenie si Biri, atëherë kjo sakrificë e gjithë sakrificave humbet dhe Abrahami nuk po e ofron më Isakun – Abrahami tani po ofron Abrahamin.

E vërteta e dytë e madhe që zbuloi Jozef Smithi ishte se Ati dhe Biri kanë trupa të përlëvduar prej mishi dhe kockash. Në vijim të Ringjalljes së Shpëtimtarit, Ai iu shfaq dishepujve të Tij dhe tha: “Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam” (Lluka 24:39). Disa kanë sugjeruar se kjo qe një paraqitje e përkohshme fizike dhe se, kur u ngjit në qiell, Ai u zhvesh nga trupi i Tij dhe u kthye në formën e Tij si shpirt. Por shkrimet e shenjta na tregojnë se kjo nuk qe e mundur. Pali na mësoi: “Duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s’ka më pushtet mbi të” (Romakëve 6:9). Me fjalë të tjera, pasi Krishti u ringjall një herë, trupi i Tij nuk mund të ndahej më kurrë nga shpirti i Tij; përndryshe Ai do të vuante vdekje, vetë pasojën që Pali tha se nuk ishte më e mundur pas Ringjalljes së Tij.

E vërteta e tretë që mësoi Jozef Smithi ishte se Perëndia ende i flet njeriut sot – se qiejt nuk janë mbyllur. Mjafton që dikush të bëjë vetëm tri pyetje, të propozuara dikur nga Presidenti Hug B. Braun, për të arritur në atë përfundim (shih “The Profile of a Prophet”, Liahona, qershor 2006, f. 13). Së pari, Perëndia a na do neve sot po aq shumë sa deshi njerëzit të cilëve u foli në kohët e Dhiatës së Re? Së dyti, a ka Perëndia sot të njëjtën fuqi që kishte atëherë? Dhe së treti, a kemi neve nevojë sot për Të po aq shumë sa kishin nevojë ata në lashtësi? Nëse përgjigjet për këto pyetje janë po dhe nëse Perëndia është i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë, siç deklarojnë shkrimet e shenjta (shih Mormoni 9:9), atëherë kjo nuk lë dyshim: Perëndia i flet njeriut sot tamam si dëshmoi Jozef Smithi.

E vërteta e katërt që mësoi Jozef Smithi ishte se Kisha e tërë dhe e plotë e Jezu Krishtit nuk qe atëherë në tokë. Sigurisht ishin disa njerëz të mirë dhe disa përbërës të së vërtetës, por Apostulli Pal kishte profetizuar së lashti se Ardhja e Dytë e Krishtit nuk do të ndodhte “pa ardhur më parë rënia” (2 Thesalonikasve 2:3).

Në vijim të Vegimit të Parë të Jozef Smithit, Rivendosja e Kishës së Krishtit filloi “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (DeB 98:12).

Përmes Jozef Smithit u rivendos doktrina e ungjillit që po u predikohej të vdekurve në botën e shpirtrave, atyre që nuk patën një shans të qartë në tokë për ta dëgjuar (shih DeB 128:5–22; shih edhe DeB 138:30–34). Kjo nuk qe shpikja e një mendjeje krijuese; ishte rivendosja e një të vërtete biblike. Pjetri kishte dhënë mësim kohë më parë: “Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve, që ata të gjykohen në mish sipas njerëzve, por të jetojnë në frymë sipas Perëndisë” (1 Pjetrit 4:6). Frederik W. Farrar, autor dhe teolog i mirënjohur i Kishës së Anglisë, bëri vërejtjen vijuese për këtë mësim të Pjetrit: “Është bërë çdo përpjekje për ta shpjeguar kuptimin e hapur të këtij fragmenti. Ai është një nga fragmentet më të çmuara të Shkrimit të Shenjtë dhe nuk përmban dykuptimësi… . Sepse, nëse gjuha ka ndonjë kuptim, kjo gjuhë do të thotë se Krishti, kur Shpirti i Tij zbriti në botën më të ulët, u shpalli mesazhin e shpëtimit të vdekurve dikur të papenduar” (The Early Days of Christianity [1883], f. 78).

Shumë japin mësim se ka një qiell dhe një ferr. Jozef Smithi rivendosi të vërtetën se ka qiej të shumëfishtë. Pali foli për një njeri që u rrëmbye gjer në të tretin qiell (shih 2 Korintasve 12:2). A do të kishte një qiell të tretë po të mos kishte qiell të dytë apo qiell të parë?

Në shumë mënyra ungjilli i Jezu Krishtit është si një pazëll formimi prej 1.000 copash. Kur doli në skenë Jozef Smithi, ndoshta 100 pjesë qenë në vendin e tyre. Pastaj erdhi Jozef Smithi dhe i vuri në vend shumë prej 900 të tjerave, kështu që njerëzit të mund të thoshin: “Oh, tani e kuptoj se nga vij, përse jam këtu dhe ku po shkoj.” Ndërsa për rolin e Jozef Smithit në Rivendosje, Zoti e përcaktoi qartë: “Ky brez do ta ketë fjalën time nëpërmjet teje” (DeB 5:10).

Megjithë këtë vërshim të vërtetash biblike të rivendosura, disa kërkues të ndershëm kanë komentuar: “Unë mund t’i pranoj këto doktrina, por po për gjithë ata engjëj e vegime që deklaroi se i pati Jozef Smithi? Duket kaq e vështirë të besohen në kohë moderne.”

Atyre kërkuesve të ndershëm, ne u përgjigjemi përzemërsisht: “A nuk kishte engjëj e vegime në Kishën e Krishtit në kohët e Dhiatës së Re? A nuk iu shfaq një engjëll Maries dhe Jozefit? A nuk iu shfaqën engjëj Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në malin e Shpërfytyrimit? A nuk i shpëtoi nga burgu një engjëll Pjetrin dhe Gjonin? A nuk iu shfaq një engjëll Kornelit, pastaj Palit përpara se t’i mbytej anija dhe Gjonit në ishullin Patmos? A nuk pati Pjetri një vegim të ungjillit që çohej tek johebrenjtë, Pali, një vegim të qiellit të tretë, Gjoni një vegim të ditëve të mëvonshme dhe Stefani një vegim të Atit dhe Birit?”

Po, Jozef Smithi pa engjëj dhe vegime – sepse ai qe një mjet në duart e Perëndisë për të rivendosur të njëjtën Kishë të Jezu Krishtit siç ekzistonte në kohët fillestare – të gjitha fuqitë e saj si dhe të gjitha doktrinat e saj.

Përsëri me dhimbje, nganjëherë, disa janë të gatshëm të lënë mënjanë të vërtetat e çmuara të ungjillit të rivendosura nga Jozef Smithi sepse shmangen në ndonjë çështje historike apo ndonjë hipotezë shkencore, jo kryesore për ekzaltimin e tyre dhe, duke e bërë këtë, ata shpërfillin trashëgiminë e tyre shpirtërore për një supë me thjerrëza. Ata shkëmbejnë sigurinë absolute të Rivendosjes për një dyshim dhe, në atë proces, bien në grackën e humbjes së besimit tek shumë gjëra të cilat i dinë, për shkak të pak gjërave që nuk i dinë. Gjithmonë do të ketë siç duket ndonjë krizë intelektuale që shfaqet në horizont për sa kohë kërkohet besim dhe mendjet tona janë të kufizuara, por po ashtu do të jenë gjithmonë doktrinat e sigurta dhe të forta të Rivendosjes ku të kapemi, të cilat do të sigurojnë themelin shkëmbor mbi të cilin të mund të ndërtohen dëshmitë tona.

Kur shumë prej pasuesve të Krishtit u larguan prej Tij, Ai pyeti Apostujt e Tij: “A doni edhe ju të largoheni?”

Pjetri atëherë u përgjigj me një përgjigje që duhet të gdhendet në çdo zemër: “Te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:66–68).

Nëse dikush largohet nga këto doktrina të rivendosura, ku do të shkojë ta mësojë natyrën e vërtetë të Perëndisë siç u dha mësim në korijen me pemë? Ku do të shkojë të gjejë doktrinat e ekzistencës paratokësore, pagëzimit për të vdekurit dhe martesës së përjetshme? Dhe ku do të shkojë të gjejë fuqitë vulosëse që mund të lidhin bashkëshortët, dhe bashkëshortet, dhe fëmijët përtej varrit?

Nëpërmjet Jozef Smithit janë rivendosur gjithë fuqitë, çelësat, mësimet dhe ordinancat e domosdoshme për shpëtim dhe ekzaltim. Nuk mund të shkoni askund tjetër në botë dhe t’i merrni ato. Nuk gjenden në asnjë kishë tjetër. Nuk gjenden në asnjë filozofi të njeriut, apo përmbledhje shkencore, apo pelegrinazh vetjak, sado intelektuale të duken. Shpëtimi gjendet në një vend të vetëm, ashtu siç u krijua nga Vetë Zoti kur tha se kjo është “[e vetmja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tokës” (DeB 1:30).

Unë jap dëshminë time se Jozef Smithi ishte profeti i Rivendosjes, tamam siç deklaroi se ishte. Unë i bëj jehonë vargjeve të atij himni entuziast “Lavdi atij që me Jehovën foli!” (“Lavdi Njeriut”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 50). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.