2009
Të Përpiqesh për të Pamundurën
Nëntor 2009


Të Përpiqesh për të Pamundurën

Jeta e përjetshme është të jetojmë me Atin tonë dhe me familjet tona përgjithmonë. A nuk duhet të jetë ky premtim nxitësi më i madh për të bërë më të mirën që mundemi?

Elder Jorge F. Zeballos

Kur dymbëdhjetë dishepujt u thirrën në kontinentet e Amerikës, Zoti Jezu Krisht i urdhëroi ata: “Prandaj, unë do të doja që ju të jeni të përkryer, madje, sikurse jam unë, ose të përkryer si Ati juaj që është në qiell”1. Shpëtimtari sapo kishte përfunduar misionin e Tij të suksesshëm, vetëmohues dhe të jashtëzakonshëm mbi tokë. Kjo i mundësoi Atij që të shpallte me autoritet se Ai dhe Ati i Tij, Ati ynë, janë modelet që duhen ndjekur nga secili prej nesh.

Fillimisht nga një pikëpamje krejtësisht njerëzore, kjo duket sikur është një detyrë e pamundur. Gjithsesi, fillon të duket e mundshme kur kupton se, në mënyrë që ta arrijmë atë, ne nuk jemi vetëm. Ndihmat më të mrekullueshme dhe më të fuqishme që një qenie njerëzore mund të kërkojë, janë gjithmonë të gatshme. Së pari është dora bujare dhe e dashur e Atit të Përjetshëm, i cili dëshiron që ne të kthehemi në praninë e Tij përgjithmonë. Duke qenë Ati ynë, Ai është gjithmonë i gatshëm dhe plot dëshirë që të na falë gabimet e dobësitë tona dhe mëkatet që bëjmë, vetëm nën kushtet e pendimit të plotë e të sinqertë. Dhe si plotësim ndaj kësaj – dhe si shfaqje maksimale të dashurisë së Tij të pafund për secilin prej fëmijëve të Tij – Ai na siguron me rezultatet e punës së pazakonshme të bërë nga Shpëtimtari, pikërisht me Shlyerjen, të mundësuar nga një Bir i bindur, gjithmonë i gatshëm të bëjë vullnetin e Atit në përfitim të çdonjërit prej nesh.

Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith sa vijon: “Dhe, nëse i zbaton urdhërimet e mia e duron deri në fund, ti do të kesh jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”2. Ky premtim hyjnor është i mundur të arrihet. Jeta e përjetshme është të jetojmë me Atin tonë dhe me familjet tona përgjithmonë.3 A nuk duhet të jetë ky premtim nxitësi më i madh për të bërë më të mirën që mundemi dhe që të japim më të mirën nga vetja jonë në kërkim të asaj që na është premtuar?

Në agimin e Rivendosjes, kur kjo vepër e mrekullueshme ishte gati të shfaqej mes fëmijëve të njerëzve, Zoti tha, “Prandaj, O ju që hyni në shërbim të Perëndisë, kujdesuni që t’i shërbeni atij me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, që ju të qëndroni të pafaj përpara Perëndisë në ditën e fundit”4. Me gjithë zemrën tonë, me gjithë fuqinë tonë, me gjithë mendjen tonë dhe me gjithë forcën tonë – kjo do të thotë me gjithë qenien tonë.

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei tha se shpërblimet e çmuara u vijnë vetëm luftëtarëve më të zellshëm.5 Këto shpërblime do të jenë për ata që ushqejnë besim në Jezu Krisht dhe i binden vullnetit të Tij që të punojnë, të sakrifikojnë dhe të japin gjithçka që kanë marrë, për të forcuar dhe ndërtuar mbretërinë e Perëndisë.

Plotësimi i premtimit hyjnor për të pasur jetë të përjetshme, për të arritur përsosmërinë dhe për të qenë përgjithmonë të lumtur në njësinë familjare, është në varësi të shfaqjes së sinqertë të besimit tonë në Jezu Krisht, të bindjes ndaj urdhërimeve, të këmbënguljes dhe zellit gjatë gjithë jetës sonë.

Zoti nuk pret që ne të bëjmë atë që nuk mund të arrijmë. Urdhri për t’u bërë të përsosur siç është Ai, na nxit të arrijmë më të mirën tek vetja jonë, të zbulojmë dhe zhvillojmë talentet dhe cilësitë me të cilat jemi bekuar nga një Atë i Përjetshëm i dashur, që na fton të kuptojmë potencialin tonë si fëmijë të Perëndisë. Ai na njeh; Ai i di aftësitë dhe të metat tona. Ftesa dhe sfida për t’u bërë të përsosur, për të arritur jetën e përjetshme është për të gjithë njerëzimin.

Menjëherë pas mësimit se “nuk është e nevojshme që një njeri duhet të vrapojë më shpejt sesa ai ka fuqi”, Mbreti Beniamin tregon se “është e domosdoshme që ai duhet të jetë i zellshëm, që kështu të mund të fitojë çmimin”6. Perëndia nuk do të kërkojë më shumë se sa më e mira që mund të japim, sepse kjo nuk do të ishte e drejtë, por Ai as nuk mund të pranojë më pak se aq, sepse kjo nuk do të ishte e drejtë gjithashtu. Prandaj, le të japim gjithmonë më të mirën që mundemi në shërbim të Perëndisë dhe të bashkëqenieve tona. Le të shërbejmë në familjet tona dhe në thirrjet tona në Kishë në mënyrën më të mirë të mundshme. Le të bëjmë më të mirën që mundemi dhe çdo ditë të jemi pak më të mirë.

Shpëtimi dhe jeta e përjetshme nuk do të ishin të mundura pa Shlyerjen që plotësoi Shpëtimtari ynë, të cilit i detyrohemi për gjithçka. Por në mënyrë që këto bekime supreme të kenë efekt në jetën tonë, ne duhet, së pari, të bëjmë pjesën tonë, “pasi ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”7. Le të bëjmë gjithçka brenda mundësive tona me besim, entuziazëm, përkushtim, përgjegjësi dhe dashuri dhe [kështu] ne do të jemi duke bërë gjithçka që është e mundshme për të arritur të pamundurën – kjo është, të arrish atë që për mendjen njerëzore është e pamundur, por që me ndërhyrjen hyjnore të Atit tonë të dashur dhe sakrificën e pafundme të bërë nga Shpëtimtari ynë, bëhet dhurata më e madhe, realiteti më i lavdishëm, jetesa përgjithmonë me Perëndinë dhe me familjet tona.

Unë lutem që secili prej nesh të kujtojë dhe përherë të përtërijë, duke marrë denjësisht sakramentin, zotimin që kemi bërë me Atin tonë Qiellor në çastin që hymë në ujërat e pagëzimit dhe kur morëm secilën prej ordinancave të ungjillit të rivendosur. Unë lutem që ne do të bëjmë më të mirën e mundshme në rolet tona si bashkëshortë apo bashkëshorte, prindër, fëmijë, vëllezër e motra, në thirrjet tona, në shpërndarjen e ungjillit, në shpëtimin e atyre që po enden jashtë rruge, në punën për shpëtimin e paraardhësve tanë, në punën tonë dhe në jetën tonë të përditshme.

Unë lutem që jeta jonë do të na e lejojë të shpallim, si Apostulli Pal: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin”8.

Ndërsa e bëjmë këtë, ne do të plotësojmë kërkesat e përcaktuara nga Ati ynë në Qiell për të na bekuar më tepër se asnjëherë më parë, në këtë jetë po aq sa në jetën në përjetësitë. Ai është plot dëshirë për të na dhënë gjithçka që ka, madje të na bëjë pjesëmarrës të dhuratës së Tij më të madhe që është jeta e përjetshme.

Edhe kur nga pikëpamja krejtësisht njerëzore përsosmëria mund të duket një sfidë e pamundur që të arrihet, Ati ynë dhe Shpëtimtari ynë na kanë bërë të ditur se është e mundur të arrihet e pamundura. Po, është e mundur të arrihet jeta e përjetshme. Po, është e mundur të jesh i lumtur tani dhe përgjithmonë.

Autori i planit të përsosur që përmban këto premtime të lavdishme, është Ati ynë në Qiell dhe Ai jeton. Biri i Tij, Jezu Krishti mori mbi vete peshën e mëkateve tona dhe të padrejtësive që bëhen në botë, në mënyrë që të jemi të lirë nga pasojat e tyre. E di se Zoti ynë Jezu Krisht jeton. Ungjilli dhe priftëria janë rivendosur në tokë për herë të fundit nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Sot ne kemi bekimin e pamasë të apostujve dhe profetëve të thirrur nga Perëndia për të na drejtuar ne në rrugën e kthimit për tek Ati ynë. Presidenti Tomas S. Monson është thirrur për të udhëhequr këtë vepër të madhe në këto ditë. Ai është një profet i Perëndisë. Për këtë dëshmoj në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. 3 Nefi 12:48.

  2. DeB 14:7.

  3. Shih Guide to the Scriptures, “Eternal Life”, scriptures.lds.org

  4. DeB 4:2.

  5. Shih The Teachings of David O. McKay, përmbledhje, Mary Jane Woodger (2004), f. 300.

  6. Mosia 4:27.

  7. 2 Nefi 25:23.

  8. 2 Timoteut 4:7.