2009
Mirësevini në Konferencë
Nëntor 2009


Mirësevini në Konferencë

Ne dëshirojmë që sa më shumë anëtarë që të jetë e mundur të kenë një mundësi për të shkuar në tempull, pa iu dashur të kryejnë distanca tepër të gjata.

President Thomas S. Monson

Të dashur Vëllezërit dhe Motrat e mia, ju shpreh përshëndetjet e mia të gjithëve ju ndërsa fillojmë këtë, Konferencën e Përgjithshme të 179-të Gjysmëvjetore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Sa mirënjohës jam për kohën kur jetojmë – një kohë me një teknologji kaq të përparuar saqë jemi në gjendje t’ju drejtohemi juve nëpër botë. Ndërkohë që Autoritetet e Përgjithshëm dhe udhëheqësit e organizatave ndihmëse qëndrojnë këtu në Qendrën e Konferencave në Solt Lejk Siti, zërat tanë do t’ju arrijnë me mjete të ndryshme, përfshirë radion, televizionin, transmetimin satelitor dhe internetin. Edhe pse ne do t’ju flasim në anglisht, ju do të na dëgjoni në rreth 92 gjuhë.

Që kur u takuam së fundi në prill të këtij viti, ne kemi përkushtuar Tempullin e mrekullueshëm në Okuir Mauntin të Jutës në Sauth Xhordan, Juta. Mes përkushtimit të Tempullit në Drejpër të Jutas në mars dhe këtij përkushtimi më të fundit të Tempullit të Okuir Mauntinit në Juta në gusht, u zhvillua një aktivitet kulturor madhështor prej dy netësh, ku u paraqitën të rinj nga të dy distriktet e tempujve. Shfaqja ripërshkoi trashëgiminë e pasur të Jutas përmes këngës dhe vallëzimit. Gjithsej, morën pjesë afërsisht 14.000 të rinj në të dy netët.

Ne vazhdojmë të ndërtojmë tempuj. Ne dëshirojmë që sa më shumë anëtarë që të jetë e mundur të kenë një mundësi për të shkuar në tempull, pa iu dashur të kryejnë distanca tepër të gjata. Në mbarë botën, 83 për qind e anëtarëve tanë jetojnë më afër se 320 km nga një tempull. Ajo përqindje do të vazhdojë të rritet ndërkohë që ne ndërtojmë tempuj të rinj rreth botës. Aktualisht janë 130 tempuj në funksionim, me 16 të njoftuar ose në ndërtim e sipër. Këtë mëngjes, kam kënaqësinë të njoftoj 5 tempuj të tjerë për të cilët janë siguruar vendet e ndërtimit dhe të cilët, në muajt e vitet e ardhshëm, do të ndërtohen në vendet në vijim: Brigam Siti, në Juta; Konsepsion, në Kili; Fortaleca, në Brazil; Fort Loderdejl, në Florida; dhe Saporo në Japoni.

Miliona ordinanca kryhen në tempuj çdo vit në emër të njerëzve tanë të dashur që kanë vdekur. Vazhdofshim të jemi besnikë në kryerjen e ordinancave të tilla për ata që nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë për veten. Unë i dua fjalët e Presidentit Jozef F. Smith, kur ai foli për shërbimin në tempull dhe botën e shpirtrave përtej vdekshmërisë. Tha ai: “Nëpërmjet përpjekjeve tona në emër të tyre zinxhirët e robërimit do të bien nga ata dhe errësira që i rrethon do të hiqet, që drita të mund të ndriçojë mbi ta dhe ata të dëgjojnë në botën e shpirtrave për punën që është bërë për ta nga [njerëzit] e tyre këtu, dhe ata do të gëzohen bashkë me ju për kryerjen prej jush të këtyre detyrave.”1

Vëllezër e Motra, Kisha vazhdon të rritet, siç ka ndodhur që nga organizimi i saj mbi 179 vite më parë. Ajo po ndryshon jetën e gjithmonë e më shumë njerëzve çdo vit dhe po përhapet gjerë e gjatë mbi tokë, ndërkohë që forca jonë misionare përpiqet të gjejë ata që po kërkojnë të vërtetat që gjenden në ungjillin e Jezu Krishtit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kishës që të bëhen shokë me të kthyerit e rinj, t’i ndihmojnë ata, t’i rrethojnë ata me dashuri dhe t’i bëjnë të ndjehen si në shtëpi.

Do t’ju kërkoja që besimi dhe lutjet tuaja të vazhdojnë të ofrohen në emër të atyre zonave ku ndikimi ynë është i kufizuar dhe ku ne nuk lejohemi ta ndajmë ungjillin lirisht në këtë kohë. Mrekulli mund të ndodhin kur veprojmë kështu.

Tani, Vëllezërit dhe Motrat e mia, ne mezi po presim të dëgjojmë mesazhet që do të na paraqiten gjatë dy ditëve të ardhshme. Ata që do të na flasin neve, kanë kërkuar ndihmën dhe drejtimin nga qielli, kur kanë përgatitur mesazhet e tyre. Kanë marrë mbresa në lidhje me atë që do të ndajnë me ne. Që ne të mund të mbushemi me Shpirtin e Zotit, ndërsa dëgjojmë e mësojmë, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Joseph F. Smith, në Conference Report, tetor 1916, f. 6.