2009
Të Ndihmojmë të Tjerët të Njohin Pëshpëritjet e Shpirtit
Nëntor 2009


Të Ndihmojmë të Tjerët të Njohin Pëshpëritjet e Shpirtit

Ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të familjarizohen më shumë me nxitjet e Shpirtit kur ndajmë dëshminë e ndikimit të Frymës së Shenjtë në jetën tonë.

Vicki F. Matsumori

Në fund të ditës, një çift misionarësh nisin të kthehen në shtëpi, kur njëri kthehet befas nga tjetri dhe thotë: “E ndiej se duhet të ndalojmë vetëm tek ky vend i fundit.” Një mësues shtëpie nxitet t’i telefonojë një prej familjeve që ka vizituar pak ditë më parë. Një e re planifikon të shkojë në festën e një shoqeje shkolle, por ka përshtypjen të qëndrojë në shtëpi kësaj here.

Si e dinin misionarët se duhet të trokisnin tek dera e dikujt që po lutej për ta? Apo mësuesi i shtëpisë që t’i telefononte familjes që kishte nevojë të skajshme? Apo e reja që t’i rrinte larg një situate ku mund të rrezikoheshin vlerat e saj? Në secilën prej këtyre situatave ata u udhëhoqën nga ndikimi i Frymës së Shenjtë.

Përvoja të ngjashme u ndodhin vazhdimisht e rregullisht anëtarëve në mbarë botën, dhe ka nga ata që dëshirojnë të ndiejnë Shpirtin t’i udhëheqë çdo ditë në jetën e tyre. Ndërkohë që çdo person mund të mësojë të njohë pëshpëritjet e Shpirtit, ai proces mësimi mund të lehtësohet kur të tjerët na ndihmojnë të kuptojmë për Frymën e Shenjtë, ndajnë dëshmitë e tyre vetjake dhe sigurojnë një mjedis ku Shpirti të mund të ndihet.

Kuptimi i Doktrinës

Rëndësia e ndihmës që të tjerët të kuptojnë përshkruhet në Doktrina e Besëlidhje. Prindërve “në Sion ose në ndonjë nga kunjat e tij që organizohen” u është thënë të ndihmojnë fëmijët e tyre “të kuptojnë doktrinën”1.

Qoftë në se jemi në një klasë, në një diskutim misionar, apo në një mbrëmje familjare në shtëpi, mësimdhënia e doktrinës në lidhje me Frymën e Shenjtë mund të ndihmojë të tjerët ta kuptojnë këtë dhuratë të rëndësishme. Ne mësojmë se, ndërkohë që “Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja”2, e drejta për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë vjen kur anëtarëve u jepet ajo dhuratë me anë të vendosjes së duarve prej atyre që kanë autoritetin e duhur3.

Ky shoqërim mund të vazhdojë të jetë i yni nëse jemi të denjë. Neve na thuhet se: “Shpirti i Zotit nuk banon në tempuj jo të shenjtë”4 dhe se kur ne e lëmë “[virtytin] … t’i stolisë mendimet [tona] pa pushim; atëherë … Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi [ynë] i vazhdueshëm”5.

Shkrimet e shenjta dhe profetët na mësojnë se si e ndiejmë këtë shoqërim të vazhdueshëm. Zoti na thotë: “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde.”6 Enosi shpalli: “Ndërsa unë isha duke u përleshur kështu në shpirt, vini re, zëri i Zotit erdhi në mendjen time.”7 Jozef Smithi tha: “Kur ju ndieni inteligjencën e kulluar të rrjedhë brenda jush, ajo mund t’ju sjellë shkëndi të befta idesh.”8 Presidenti Henri B. Ajring e përshkroi ndikimin e Frymës së Shenjtë si “paqe, shpresë dhe gëzim”. Ai shtoi: “Thuajse gjithmonë kam ndier gjithashtu një ndjesi drite.”9

Gjithsesi, përshkrimi im i parapëlqyer, vjen nga një djalë tetëvjeçar, që sapo e kishte marrë Frymën e Shenjtë. Ai tha: “Ndieja si dritë dielli.”

Ndani Dëshmi Vetjake

Megjithatë, nuk është gjithmonë e lehtë të dallojmë ato çaste “drite dielli” menjëherë. Libri i Mormonit na tregon për disa lamanitë besnikë që “u pagëzuan me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë dhe ata nuk e dinin”10.

Ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të familjarizohen më shumë me nxitjet e Shpirtit kur ndajmë dëshminë e ndikimit të Frymës së Shenjtë në jetën tonë. Kujtoni se disa përvoja janë tepër të shenjta për t’u treguar. Megjithatë, duke ndarë dëshminë e Shpirtit në jetën tonë, ata që nuk i njohin këto nxitje ka më shumë gjasa t’i njohin kur të kenë ndjenja të ngjashme.

Unë isha pjesëtarja e parë e familjes sime që u bashkova me Kishën. Si një vajzë tetë vjeçe, prita të ndihesha disi ndryshe për shkak të pagëzimit tim. Që të jem e ndershme, e vetmja gjë që ndjeva kur më nxorën nga uji ishte … epo, kulloja e tëra. Mendova se diçka më e thellë do të ndodhte kur të konfirmohesha. Megjithatë, pasi mora Frymën e Shenjtë, përsëri u ndjeva e lumtur por sigurisht jo ndryshe nga vetëm pak minuta më parë.

Vetëm ditën vijuese, në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive, unë ndjeva atë që tani e njoh si ndikimi i Frymës së Shenjtë. Një vëlla u ngrit për të dhënë dëshminë e vet dhe për të treguar rreth bekimeve të anëtarësisë së tij në Kishë. Ndjeva të më pushtonte një vërshim ngrohtësie. Edhe pse një vajzë tetë vjeçe, e kuptova se kjo qe diçka ndryshe. Ndjeva një paqe të zbriste mbi mua dhe pata ndjenjën e dallueshme se Ati Qiellor ishte i kënaqur me mua.

Siguroni një Mjedis Ku Shpirti të Mund të Ndihet

Ka vende ku është më e lehtë të ndihet Shpirti. Mbledhjet e dëshmive dhe konferenca e përgjithshme janë disa nga këto vende. Sigurisht tempujt janë vende të tjera. Sfida për secilin prej nesh është që të sigurojmë një mjedis ku Shpirti të mund të ndihet çdo ditë në shtëpitë tona dhe çdo javë në kishë.

Një arsye pse nxitemi të lutemi dhe të lexojmë shkrimet e shenjta për çdo ditë të vetme është se të dy këto aktivitete ftojnë Shpirtin në shtëpitë tona dhe në jetën e pjesëtarëve të familjes sonë.

Meqenëse Shpirti përshkruhet shpesh si zë i vogël e i qetë11 është gjithashtu e rëndësishme të kemi një kohë qetësie edhe në jetën tonë. Zoti na ka këshilluar: “Rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi”12. Nëse sigurojmë një kohë qetësie e heshtjeje çdo ditë kur nuk na bombardojnë televizori, kompjuteri, videogejmët, apo pajisjet vetjake elektronike, ne i japim atij zëri të vogël e të qetë një mundësi që të na japë zbulesë vetjake dhe të na pëshpërisë udhëheqje, sigurim e ngushëllim të ëmbël.

Po ashtu, ne mund të sigurojmë në kishë një mjedis që i lejon Shpirtit të japë pohim hyjnor për atë që po jepet mësim. Mësuesit dhe udhëheqësit bëjnë më shumë se të japin mësime apo të drejtojnë mbledhje. Ata i ndihmojnë pëshpëritjet e Shpirtit drejtuar secilit anëtar. Plaku Riçard G. Skot ka thënë: “Nëse ju nuk përmbushni asgjë tjetër në marrëdhënien me studentët tuaj përveç që t’i ndihmoni ata të njohin e ndjekin nxitjet e Shpirtit, ju do t’i bekoni jetët e tyre pafundësisht e përjetësisht.”13

Një mësuese e klasës së Rrezeve të Diellit i mbështolli me një kuvertë gjithë pjesëtarët e klasës së saj, një e nga një, që t’u mësonte si ngjan Shpirti me rehatinë dhe sigurinë e asaj mbështjelljeje. Një nënë e pranishme e dëgjoi gjithashtu mësimin.

Shumë muaj më vonë nëna e falënderoi mësuesen. Ajo tregoi si kishte qenë më pak aktive kur shoqëronte bijën e saj të vogël në Fillore. Disa javë pas mësimit, nënës i ndodhi një abort. Atë e kishte pushtuar hidhërimi kur befas ndjeu një ngrohtësi e paqe të madhe. Ndiente sikur dikush e kishte mbuluar me një kuvertë të ngrohtë. Ajo njohu sigurimin e Shpirtit dhe e dinte se Ati Qiellor kishte dijeni për të dhe se e donte.

Kur arrijmë të kuptojmë pëshpëritjet e Shpirtit, do të jemi në gjendje ta dëgjojmë të na mësojë “gjërat paqësore të mbretërisë”14 dhe “të gjitha gjërat që duhet të [bëjmë]”15. Ne do të njohim përgjigjet për lutjet tona dhe do ta dimë si ta jetojmë më plotësisht çdo ditë ungjillin. Ne do të marrim udhëheqje dhe mbrojtje. Dhe ne mund ta forcojmë këtë dhuratë në jetën tonë kur ndjekim ato nxitje shpirtërore. Më e rëndësishmja, ne do ta ndiejmë Atë të na dëshmojë për Atin dhe për Birin16.

Kur isha e re dhe mora pjesë në konferencë rinie, unë ndjeva Shpirtin të më jepte dëshmi për vërtetësinë e ungjillit të rivendosur. Në përgatitje për një mbledhje dëshmie, ne kënduam “Shpirti i Perëndisë”. Tani, unë e kisha kënduar atë himn shumë herë përpara në mbledhje sakramenti. Por në këtë rast, thuajse që nga nota e parë, unë ndjeva Shpirtin. Në kohën kur ne kënduam “lavdia e shenjtor’ve fillon të agoj’ ”17, e dija se këto ishin më tepër se vargje të këndshme; ato ishin të vërteta të mrekullueshme.

Fryma e Shenjtë ma ka pohuar mua se Perëndia, Ati jeton. Ai e do secilën prej nesh. Ai na njeh ne veçan dhe për vete. Ai i dëgjon përgjërimet e zemrave tona dhe Ai u përgjigjet atyre lutjeve të sinqerta.

Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai erdhi në tokë në meridianin e kohës për të shlyer për mëkatet tona. Dhe Ai do të vijë përsëri. Këto dhe anë të tjera të ungjillit, që përbëjnë dëshminë time, janë të patundura në zemrën time për shkak të ndikimit të Frymës së Shenjtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. DeB 68:25.

  2. Moroni 7:16.

  3. Shih True to the Faith (2004), f. 83.

  4. Helamani 4:24.

  5. DeB 121:45–46.

  6. DeB 8:2.

  7. Enosi 1:10.

  8. Joseph Smith, në History of the Church, 3:381.

  9. Henry B. Eyring, “Gifts of the Spirit for Hard Times,” Ensign, qershor 2007, f. 18.

  10. 3 Nefi 9:20.

  11. Shih 1 Mbretërve 19:12; 1 Nefi 17:45; DeB 85:6.

  12. Psalmeve 46:10; shih edhe DeB 101:16.

  13. Richard G. Scott, “Helping Others to Be Spiritually Led” (fjalim drejtuar edukuesve fetarë, 11 gusht 1998), f. 3; në Teaching, No Greater Call (1999), f. 48.

  14. DeB 36:2.

  15. Shih 2 Nefi 32:1–5.

  16. Shih 2 Nefi 31:18.

  17. “Shpirti i Perëndisë”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 28.