2009
Virtyti Duhet t’i Stolisë Mendimet e Tua
Nëntor 2009


Virtyti Duhet t’i Stolisë Mendimet e Tua

Ne duhet të mbrojmë çka besojmë dhe të qëndrojmë vendosmërisht për t’i ruajtur virtytet si të Krishtit.

Bishop H. David Burton

Faleminderit, Plaku Pejs, për atë lutje të bukur të hapjes, veçanërisht për dëgjuesit dhe folësit.

“Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetëbesimi yt në prani të Perëndisë” (DeB 121:45).

Ndërsa po i afrohesha ditëlindjes sime të 12-të, kishte disa kërkesa që duhet t’i plotësoja përpara se të mund të mbaroja Filloren. Njëra ishte t’i recitoja të trembëdhjetë Nenet e Besimit sipas radhës. Dymbëdhjetë nenet e para qenë relativisht të lehtë, por i trembëdhjeti qe shumë më i vështirë. Ishte të kujtuarit e renditjes së virtyteve që përbënte sfidë. Në saje të një mësueseje të Fillores që qe e duruar dhe ngulmuese, së fundi unë e plotësova mësimin përmendësh.

Vite më vonë, bashkëshortja ime, fëmijët dhe unë u transferuam në shtëpinë tonë të parë. U befasuam kur mësuam se ish-mësuesja ime e Fillores do të ishte fqinja jonë. Për 40 vitet që kishim jetuar në të njëjtën mëhallë, ajo e kishte ruajtur sekretin tonë të vogël në lidhje me paaftësinë time për të mësuar.

“Ne besojmë në qenien të ndershëm, të vërtetë, të dëlirë, mirëdashës, të virtytshëm dhe në bërjen mirë të gjithë njerëzve; në të vërtetë, ne mund të themi se ndjekim këshillën e Palit—Ne besojmë të gjitha gjërat, ne shpresojmë të gjitha gjërat, ne i kemi duruar të gjitha gjërat dhe shpresojmë të jemi në gjendje t’i durojmë të gjitha gjërat. Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar, ne i kërkojmë këto gjëra” (Nenet e Besimit 1:13).

Sot dëshiroj të flas për tiparet vetjake që i quajmë virtyte. Tiparet e virtytshme formojnë themelin e një jete të krishterë dhe janë shfaqja së jashtmi e njeriut të brendshëm. Emri i shumë prej këtyre virtyteve të veçanta mbaron me germën i të theksuar: tërësi morale, përulësi, bamirësi, shpirtshmëri, përgjegjshmëri, njerëzi, besnikëri dhe lista vazhdon tej e më tej. Duke marrë autorizim letrar, u referohem virtyteve që mbarojnë me i të theksuar si virtytet “ì”.

Na duhet që vetëm të shohim përreth dhe të vështrojmë se ç’po ndodh në komunitetet tona, për të kuptuar se tiparet vetjake të virtytit, po keqësohen me shpejtësi. Mendoni për sjelljen e shoferëve në rrugët kryesore të mbushura me trafik; shpërthimet inatçore në rrugë ndodhin tepër shpesh. Sjellja e njerëzishme rrallë vërehet në diskutimet tona politike. Ndërkohë që vende nëpër botë përballen me sfida financiare dhe ekonomike, besnikëria dhe ndershmëria duket se janë zëvendësuar nga lakmia dhe mitmarrja. Një vizitë në një shkollë të mesme shpesh do t’ju ekspozojë ndaj një të foluri të vrazhdë dhe veshje të pacipë. Disa atletë paraqesin sportivitet të ulët dhe rrallë shfaqin përulësi, po të mos nxirren në dukje publikisht për pabesira ligjore apo morale. Një segment i madh i popullsisë sonë ndien pak përgjegjësi vetjake për vetë mirëqenien e vet materiale. Disa njerëz në vështirësi financiare ua venë fajin bankave dhe kreditorëve që u dhanë hua shuma për të kënaqur dëshira të pangopura, në vend të nevojave që mund t’i plotësonin nga ana financiare. Me raste, venitet bujaria jonë në mbështetje të kauzave të mira, ndërkohë që mbizotëron dëshira për të siguruar më shumë nga sa na duhet.

Vëllezër e motra, ne nuk duhet të jemi pjesë e sëmundjes ndaj virtytit që po depërton dhe po infekton shoqërinë. Nëse ndjekim botën në braktisjen e virtyteve të përqendruara tek Krishti, pasojat mund të jenë shkatërrimtare. Besimi dhe besnikëria vetjake që kanë pasoja të përjetshme, do të zvogëlohen. Solidariteti familjar dhe shpirtshmëria do të ndikohen për keq. Ndikimi fetar në shoqëri do të pakësohet dhe rregulli i ligjit do të sfidohet e ndoshta madje do të lihet mënjanë. Farishtja për gjithçka që shqetëson njeriun e natyrshëm do të jetë mbjellë, për kënaqësinë e dukshme të Satanit.

Ne duhet të mbrojmë çka besojmë dhe të qëndrojmë vendosmërisht për t’i ruajtur virtytet si të Krishtit, madje virtytet me germë “i” të theksuar, në jetën tonë të përditshme. Mësimdhënia e tipareve të virtytshme fillon në shtëpi me prindërit që kujdesen dhe japin shembullin. Një shembull i mirë prindëror nxit emulacionin; një shembull i dobët u jep leje fëmijëve për të mospërfillur mësimet e prindërve dhe madje për ta çuar më tej shembullin e dobët. Një shembull hipokrit e shkatërron besueshmërinë.

Meganit tetëvjeçare i pëlqen të luajë në piano. Kohët e fundit, mësuesja e saj e pianos i ofroi si shpërblim një ëmbëlsirë në këmbim të të ushtruarit rregullisht çdo ditë. Mësuesja tha se ajo do t’i “porosiste ëmbëlsirat” dhe do t’i telefononte Meganit dikur gjatë javës. Nëse do të ishte ushtruar atë ditë, ajo do ta fitonte shpërblimin. Kur e mori në telefon Meganin, ajo nuk ishte në shtëpi që t’i jepte raport. Në mësimin e saj javor mësuesja e pyeti Meganin nëse ishte ushtruar, së cilës Megani iu përgjigj se mendonte se e kishte bërë dhe e mori shpërblimin. Kur nëna e Meganit e pa ëmbëlsirën, ajo e pyeti Meganin dhe e ndihmoi të kuptonte se ajo duhej të ishte e ndershme. U bë një telefonatë për të kërkuar falje, për mësuesen e saj, me nxitjen e mamit të vet. Kur mësuesja dhe nxënësja biseduan, doli në shesh se Megani e kishte plotësuar vërtet detyrën e saj me shkrim në teorinë e muzikës; kështu që i takonte plotësisht stimuli. Në saje të prindërve të mençur, të interesuar, mësime të vlefshme do të kujtohen për një kohë të gjatë.

Nipi ynë 15-vjeçar, Beni, është një skiator entuziast, që ka konkurruar në disa takime dhe ka dalë shumë mirë. Përpara një konkurrimi të tillë në Ajdaho, prindërit i kujtuan atij se notat në shkollë do të përcaktonin nëse ai do të mund të konkurronte apo jo. U prenotua një banesë në San Vallei, në Ajdaho, gjyshërit e tij po planifikonin të merrnin pjesë dhe Beni po përpiqej ethshëm për të arritur synimet e larta shkollore që prisnin si ai edhe prindërit e tij. Megjithatë, në fund të ditës, ai nuk ia doli t’i arrinte synimet. Beni mungoi në takimin e skiatorëve dhe humbi pikë drejt kualifikimit për Olimpiadën e të Rinjve, por Beni mori një kuptim të vlefshëm për përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë. Duke qëndruar të palëkundur, prindërit kaq shpesh vuajnë dhe mundohen më shumë se fëmijët të cilëve po përpiqen t’u japin mësim.

Presidenti Xhejms E. Faust sugjeroi se tërësia morale është nëna e shumë virtyteve. Ai vërejti se tërësia morale mund të përcaktohet “si një besnikëri e qëndrueshme ndaj një kodi vlerash morale”. Ai gjithashtu sugjeroi se “tërësia morale është drita që ndriçon nga një ndërgjegje e disiplinuar. Ajo është forca e detyrës brenda nesh” (“Integrity, the Mother of Many Virtues”, në Speaking Out on Moral Issues [1998], f. 61, 62). Është e vështirë për një njeri të paraqesë tipare të virtytshme nëse atij apo asaj i mungon tërësia morale. Pa tërësi morale, ndershmëria shpesh harrohet. Nëse tërësia morale mungon, mirësjellja njerëzore dëmtohet. Nëse tërësia morale nuk është e rëndësishme, shpirtshmëria është e vështirë të mbahet. Në kohët e Dhiatës së Vjetër, Moisiu i këshilloi fëmijët e Izraelit që, “kur dikush lidh një kusht me Zotin ose lidh një detyrim duke u betuar, nuk do ta shkelë fjalën e tij, por do të bëjë gjithçka ka dalë nga goja e tij” (Numrat 30:2).

Presidenti Tomas S. Monson na kujtoi disa vite më parë se “shumica e njerëzve nuk do të bëjnë veprime të paarsyeshme nëse u është mësuar se dinjiteti, ndershmëria dhe tërësia morale janë më të rëndësishme se shpagimi apo xhindosja; nëse ata e kuptojnë se respekti dhe mirësia përfundimisht i japin dikujt një shans më të mirë për sukses” (“Family Values in a Violent Society,” Deseret News, 16 janar 1994, A12, siç citohet në “Finding Peace,” Liahona, mars 2004, f. 4).

Ju mund të keni dëgjuar për Batalionin e Humbur të Luftës I Botërore, për dhjetë fiset e humbura të Izraelit, apo ndoshta “djemtë e humbur” nga novela Piter Pan e J. M. Berrit. Mbase e njihni dhe albumin muzikor të Majkëll MekLinit me titull Këngë Krishtlindjesh të Humbura. Tiparet e virtytshme, veçanërisht virtytet e “i-së” së theksuar, nuk duhen harruar kurrë, apo lënë mënjanë. Nëse harrohen apo lihen mënjanë, ato pashmangshmërisht bëhen “virtytet e humbura”. Nëse virtytet humben, familjet do të dobësohen pamasë, besimi vetjak te Zoti Jezu Krisht do të zbutet dhe marrëdhënie të përjetshme të rëndësishme mund të rrezikohen.

Tiparet e virtytshme kur praktikohen gjerësisht mund ta lirojnë mbërthimin e fortë të Satanit ndaj shoqërisë dhe të përmbysin planin e tij tinëzar për të zënë rob zemrat, mendjet dhe shpirtrat e njerëzve të vdekshëm.

Tani është koha që ne të bashkohemi në shpëtimin dhe ruajtjen e asaj që është “e virtytshme, e dashur, ose me famë të mirë, apo e denjë për t’u lavdëruar”. Kur ne e lejojmë virtytin të stolisë mendimet tona pa pushim dhe kultivojmë tipare të virtytshme në jetën tonë vetjake, komunitetet dhe institucionet tona do të përmirësohen, fëmijët dhe familjet tona do të forcohen dhe besimi e tërësia morale do të bekojnë jetë të veçanta.

Unë dëshmoj dhe deklaroj se Ati ynë Qiellor pret që fëmijët e Tij të ushtrojnë tërësi morale, qytetari, besnikëri, bamirësi, bujari, moralitet dhe gjithë virtytet me “i” të theksuar. Paçim përulësinë, që të përdorim mundësinë për të vepruar sipas përgjegjësisë sonë, për të shfaqur aftësinë tonë që të veprojmë kështu, lutem unë në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.