Mbahuni
Ati Qiellor nuk na ka lënë vetëm gjatë provës sonë në jetën e vdekshme. Ai na ka dhënë tashmë të gjitha “pajisjet e sigurisë” që do të na duhen për t’u kthyer me sukses tek Ai.
Disa vite më parë, një artikull një centimetër i shkurtër në gazetën e vendit tim tërhoqi vëmendjen time dhe që atëherë e kam kujtuar gjithmonë: “Katër njerëz u vranë dhe shtatë punëtorë u shpëtuan pasi u kapën, për më tepër se një orë, pas anës së poshtme të një ure 38 metra të lartë në Shën Katerinë, Ontario, [Kanada,] mbasi skela mbi të cilën po punonin u shemb” (“News Capsules,” Deseret News, 9 qershor 1993, A3).
Unë isha dhe vazhdoj të jem e habitur nga historia e shkurtër. Shpejt pasi lexova këtë raport, i telefonova një familjeje mike që banonte në Shën Katerinë. Ajo shpjegoi se punëtorët kishin qenë duke lyer urën ‘Rruga drejt Qiellit’ të qytetit ‘Kopsht’ për afro një vit dhe për dy javë do të përfundonin projektin, kur ndodhi aksidenti. Pas aksidentit, zyrtarë u pyetën përse këta burra nuk kishin ndonjë pajisje sigurie. Përgjigjja ishte e thjeshtë: ata i kishin pajisjet; ata thjesht zgjodhën të mos i vishnin ato. Pasi skela u shemb, të mbijetuarit u mbajtën tek parvazi 2.5 centimetra i një shufre çeliku dhe qëndruan mbi një sergjen çeliku prej 20 centimetrash për mbi një orë derisa skuadrat shpëtuese i arritën ata. Një i mbijetuar rrëfeu se, ndërsa u kap pas urës, ai mendoi shumë për familjen e tij. Ai tha: “Thjesht falënderoj Zotin që jam këtu sot… . Po ju them, qe shumë e frikshme” (në Rick Bogacz, “Skyway Horror”, Standard, 9 qershor 1993).
Ka shumë mësime për t’u marrë dhe krahasime për t’u bërë nga ky aksident. Ndërsa shumica jonë nuk do të përballen kurrë me një situatë të tillë dramatike, jetë-a-vdekje, shumë prej nesh e ndiejnë se po kalojmë përmes një kohe të frikshme në jetën tonë vetjake.
Ne mund të ndihemi sikur po mbahemi tek ajo që mund të duket një shufër çeliku prej 2.5 centimetrash. Prova jonë në jetën e vdekshme nuk është e lehtë dhe nuk është e shkurtër. Ne jemi të bekuar që erdhëm në këtë tokë dhe morëm një trup të vdekshëm. Kjo jetë është mundësia për ne që të provojmë veten dhe të ushtrojmë zgjedhjen tonë të lirë (shih Abrahami 3:25). Ne mund të zgjedhim të ndjekim planin e përjetshëm të shpëtimit (shih Jaromi 1:2; Alma 42:5; Moisiu 6:62) dhe shëlbimit të Atit Qiellor (shih Jakobi 6:8; Alma 12:25; 42:11) ose ne mund të përpiqemi të gjejmë rrugën tonë vetjake. Ne mund të jemi të bindur dhe të mbajmë urdhërimet e Tij, ose ne mund të mos i pranojmë ato dhe të përballemi me pasojat që me siguri do të vijojnë.
Për këtë shkak, ne gjithashtu kemi një lloj pune dhe detyrë të rrezikshme. Ne duhet të përballemi me sfida. Ne mund të përjetojmë vetmi, marrëdhënie të tensionuara, tradhti të besimit, tundime, varësi, kufizime të trupit tonë fizik ose humbjen e punës tepër të domosdoshme. Ne mund të sfidohemi nga ndjenja zhgënjimi sepse shpresat dhe ëndrrat tona të drejta nuk janë plotësuar në orarin tonë vetjak. Ne mund të vëmë në pikëpyetje aftësitë tona dhe të frikësohemi nga mundësia e dështimit, madje edhe në thirrjet në Kishën e familjet tona. Sfidat dhe rreziqet me të cilat jetojmë sot, përfshirë lëshimet e shoqërisë ndaj mëkatit, janë profetizuar nga profetët e lashtë dhe të gjallë. Ato janë pikërisht po aq të rrezikshme dhe të vërteta sa kërcënimi i rënies 38 metra nga një urë e lartë drejt vdekjes së sigurt.
Jeta ime nuk është e përsosur. Unë përballem me shumë prej sfidave të ngjashme. Të gjithëve na ndodh. Unë e di se tundimet e kundërshtarit dhe vështirësitë në jetën e vdekshme janë përherë të pranishme dhe e mësyjnë secilin prej nesh. Unë jam e një mendjeje me shprehjen e punonjësit të shpëtuar për përvojën e tij të rrezikshme të mbajtjes tek ajo shufër çeliku, “Po ju them, [është] shumë e frikshme”.
Gjithsesi është e rëndësishme të vëmë në dukje se në shkrimet e shenjta ka shumë pak histori individësh që jetuan në lumturi të hareshme dhe nuk përjetuan asnjë kundërshtim. Ne mësojmë e rritemi nga kapërcimi i sfidave me besim, këmbëngulje dhe drejtësi vetjake. Unë jam forcuar nga mirëbesimi i pafundmë i Presidentit Monson tek Ati ynë Qiellor dhe tek ne. Ai ka thënë: “Kujtoni që ju keni të drejtën për bekimet e Atit tonë [Qiellor] në këtë punë. Ai nuk ju thirri në situatën tuaj të privilegjuar për të ecur vetëm, pa udhëheqje, me besim tek fati. Përkundrazi, Ai e njeh aftësinë tuaj, Ai e kupton përkushtimin tuaj dhe Ai do t’i kthejë pamjaftueshmëritë tuaja të supozuara në fortësi të dallueshme. Ai ka premtuar: ‘Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart’” (“Sugar Beets and the Worth of a Soul”, Liahona, korrik 2009, f. 3–4).
Ati Qiellor nuk na ka lënë vetëm gjatë provës sonë në jetën e vdekshme. Ai na ka dhënë tashmë të gjitha “pajisjet e sigurisë” që do të na duhen për t’u kthyer me sukses tek Ai. Ai na ka dhënë lutjen vetjake, shkrimet e shenjta, profetët e gjallë dhe Frymën e Shenjtë për të na udhëhequr. Nganjëherë, përdorimi i këtyre pajisjeve mund të duket i rëndë, i vështirë dhe tmerrësisht jashtë mode. Përdorimi si duhet i tyre kërkon zellin, bindjen dhe këmbënguljen tonë. Por unë, zgjedh t’i përdor ato, vetëm për veten time. Ne të gjithë duhet të zgjedhim që t’i përdorim ato.
Në shkrimet e shenjta, ne mësojmë rreth një tjetër pjese kyçe të pajisjes së sigurisë – një “shufër hekuri”. Dishepujt e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, janë ftuar që të mbahen tek kjo shufër në mënyrë që ta gjejnë me siguri rrugën e tyre për tek jeta e përjetshme. Po flas për vegimin e Lehit të pemës së jetës që gjendet tek Libri i Mormonit.
Përmes zbulesës vetjake hyjnore, profetit të Librit të Mormonit, Lehit, dhe birit të tij, Nefit, secilit iu shfaq një vegim i gjendjes sonë të provës në jetën e vdekshme dhe rreziqeve të saj shoqëruese. Lehi tha: “Dhe ndodhi që atje u ngrit një mjegull errësire; po, madje një mjegull errësire jashtëzakonisht e madhe, aq e madhe, saqë ata që kishin filluar të ecnin nëpër shteg, e humbën rrugën e tyre, sa ata nuk dinin se ku ishin dhe humbën” (1 Nefi 8:23). Akoma “ai pa [gjithashtu] turma të tjera, duke u shtyrë përpara; dhe ato erdhën dhe u kapën fort pas fundit të shufrës prej hekuri dhe u shtynë gjithnjë e më përpara, duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurt, derisa arritën dhe ranë dhe hëngrën nga fruti i pemës” që domethënë i pemës së jetës (1 Nefi 8:30).
Nga vegimi i Lehit, ne mësojmë se ne duhet të mbahemi fort tek këto kangjella të sigurta – kjo shufër hekuri, që gjendet gjatë shtegut tonë vetjak të ngushtë e të ngushtuar – dhe të mbahemi fort derisa të arrijmë qëllimin tonë përfundimtar të jetës së përjetshme me Atin tonë Qiellor. Nefi premton se ata që mbahen fort tek shufra e hekurt “nuk do të [mbarojnë] kurrë; as tundimet dhe shigjetat e flakta të kundërshtarit nuk do të mund t’i [mposhtin] ata në verbëri, t’i çojnë ata në shkatërrim” (1 Nefi 15:24).
Unë ju ftoj që të lexoni përsëri raportimet e plota të këtij vegimi të frymëzuar. Studiojini ato, meditojini ato dhe zbatojini ato në jetën tuaj të përditshme. Me terma modernë, ne mund të themi se jemi ftuar që “të arrijmë t’i rrokim”. Ne duhet të mbahemi fort tek shufra e hekurt dhe të mos e lëshojmë kurrë.
Presidenti Harold B. Li, profeti kur unë isha adoleshente, na mësoi: “Nëse ka ndonjë gjë më të nevojshme në këtë kohë turbullimi dhe zhgënjimi, kur burrat, e gratë, e të rinjtë, e të rejat e maturuara po kërkojnë dëshpërimisht përgjigjet e problemeve që hidhërojnë njerëzimin, është një ‘shufër hekuri’ si një udhëheqëse e sigurt gjatë shtegut të drejtë në rrugën për tek jeta e përjetshme, në mes rrugëve të çuditshme e devijuese që përfundimisht çojnë drejt shkatërrimit dhe rrënimit të gjithçkaje që është e ‘virtytshme, [e] dashur ose me famë të mirë’” (“The Iron Rod”, Ensign, qershor 1971, f. 7).
Ky citat ishte i përshtatshëm kur unë isha adoleshente dhe është ndoshta akoma më i përshtatshëm sot. Fjalët e Profetëve paralajmërojnë, mësojnë dhe inkurajojnë të vërtetën, pavarësisht nëse janë thënë në vitin 600 p. K., 1971 apo 2009. Unë ju nxis t’i dëgjoni, t’i besoni dhe të veproni sipas fjalëve të frymëzuara të atyre që i mbështesim si profetë, shikues dhe zbulues.
Të mbahesh tek shufra e hekurt nuk është gjithmonë e lehtë. Ne mund ta lëshojmë për shkak të presionit të bashkëmoshatarëve ose krenarisë, nga mendimi se ne mund ta gjejmë vetë rrugën për t’u kthyer – më vonë. Kur veprojmë kështu, ne lëmë pas pajisjen tonë të sigurisë. Në vegimin e Lehit, ai pa shumë që e lëshuan shufrën e hekurit. Nefi thotë: “Dhe shumë u zhdukën nga sytë e tij, duke u endur nëpër udhë të panjohura” (1 Nefi 8:32). Në periudha të vështira në vetë jetën tonë, ne mund të zbulojmë që edhe ne “[jemi] duke u endur nëpër udhë të panjohura”. Më lejoni t’ju siguroj se është gjithmonë e mundur për ne të gjejmë rrugën tonë të kthimit. Nëpërmjet pendimit, të mundësuar nga sakrifica shlyese e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krisht, ne mund të arrijmë përsëri dhe të ripërkushtohemi që ta mbërthejmë fort shufrën e hekurt dhe të ndiejmë udhëheqjen e dashur të Atit tonë Qiellor edhe një herë. Shpëtimtari na ka shprehur një ftesë të përhershme: Pendohuni, mbahuni dhe mos e lëshoni.
Unë, ashtu si Nefi, ju këshilloj me gjithë energjitë e shpirtit tim që ju “t’ia [vini] veshin fjalës së Perëndisë dhe të [kujtoni t’i mbani] urdhërimet e tij gjithmonë në të gjitha gjërat” (1 Nefi 15:25). Përdorni pajisjen e sigurisë që ju ka dhënë Ai. Mbahuni fort dhe besoni se Ati Qiellor do t’ju bekojë për zellin tuaj.
Unë e di se ungjilli i rivendosur është i vërtetë dhe unë e di se ne udhëhiqemi nga një profet i gjallë i Perëndisë, Presidenti Tomas S. Monson. Është privilegji e bekimi im i madh të jem bija e tij. Unë i dua shumë prindërit e mi.
Një mbrëmje po ndihesha pak e shkurajuar dhe thashë: “Oh, Baba, bekimet që përjetojmë si anëtarë të Kishës dhe bekimet e premtuara të tempullit janë kaq të mira, sikur ne vetëm t’i arrinim dhe të zgjidhnim t’i pranonim ato”. Ai u përgjigj pa ngurrim: “En, ato janë gjithçka.”
U mbajtshim tek të vërtetat e përjetshme të ungjillit të Jezu Krishtit sepse ato janë me të vërtetë gjithçka, kjo është lutja ime e sinqertë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.