Ndihmë për Katastrofë
Cunami Godet Ishujt e Paqësorit Jugor
Anëtarë të Kishës po ndihmojnë fqinjët e tyre dhe njëri-tjetrin për të pastruar pasi një lëkundje me magnitudë 8,0 ballë shkaktoi një cunam në Paqësorin Jugor më 29 shtator 2009.
Lëkundja dhe dallgët e cunamit vranë më shumë se 180 vetë, duke lënë qindra të humbur apo të plagosur dhe duke shkatërruar shumë ndërtesa. Rreth 140 vetë u vërtetuan si të vdekur në Samoa, me më shumë se 30 në Samoan Amerikane dhe 9 në Tonga. Të vdekurit përfshinë të paktën 26 anëtarë të Kishës – 22 në Samoa dhe 4 në Samoan Amerikane fqinjë.
Udhëheqësit vendorë të priftërisë ndihmuan për nevoja të menjëhershme, përfshirë shpërndarjen e ushqimeve, ujit dhe artikujve higjienikë. Udhëheqësit e priftërisë kanë punuar gjithashtu me zyrtarë qeverisës dhe organizata ndihme për të organizuar një përgjigje afatgjatë. Kisha ndihmoi për të siguruar një ngarkesë aeroplani me pajisje ndihme të dërguara nga Solt Lejk Siti më 6 tetor.
Filipinet, Vietnami u Goditën nga Tajfune
Kisha dhe anëtarët e Kishës u mobilizuan për të siguruar ndihmë pasi tajfuni Kecana goditi Filipinet dhe Azinë Juglindore, duke vrarë më shumë se 300 vetë në shtator dhe tetor 2009.
Stuhia së pari zbarkoi në Filipine, duke shpërngulur gjysmë milioni njerëz. Më shumë se 560.000 vetë u zhvendosën në më shumë se 600 kampe. Mes më shumë se 275 vdekjeve të vërtetuara ishin 12 anëtarë të Kishës. 14 të tjerë janë të humbur. Përmbytja shkatërroi 44 shtëpi anëtarësh dhe dëmtoi 223 të tjera. Të paktën 25 shtëpi mbledhjesh pësuan dëmtim nga përmbytja dhe 25 të tjera u përdorën si strehime të përkohshme.
Në Vietnam, tajfuni vrau më shumë se 40 vetë në përmbytje dhe shkarje toke. Rreth 200.000 vetë u shpërngulën nga provincat qendrore përpara se të godiste stuhia. Të gjithë anëtarët e Kishës dhe misionarët në Vietnam janë të sigurt dhe ka njoftim për ta.
Javën vijuese, tajfuni Parma mbërriti në provincat veriore të Filipineve, duke vrarë të paktën 160 vetë të tjerë.
Tërmete të Shumëfishta Shkretojnë Indonezinë
Një tërmet me magnitudë prej 7,6 ballësh goditi 30 milje (50 km) larg bregut të ishullit indonezian të Sumatrës më 30 shtator 2009. Një lëkundje e dytë, kjo me magnitudë 6,8 ballë, goditi aty pranë ditën tjetër.
Të paktën 1.100 vetë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën, shumë të zënë në grackë poshtë rrënojave dhe dheut të zhvendosur. Lëkundja shkatërroi spitale, shkolla, qendra tregëtare, ura dhe rrugë. Ajo ndërpreu linja elektrike dhe shkaktoi shkarje toke.
Të gjithë anëtarët e Kishës janë të sigurt dhe nuk është raportuar për dëmtim në prona të Kishës; epiqendra e lëkundjes ishte 500 milje (800 km) larg ndonjë anëtari.