Lypni, Kërkoni, Trokisni
Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme mund të meritojë zbulesë personale.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam shumë mirënjohës për secilin prej jush. Jam gjithashtu mirënjohës për mrekullinë e komunikimit modern që mundëson që kjo konferencë të arrijë tek miliona njerëz anembanë botës.
Teknologjia e sotme na mundëson gjithashtu të përdorim telefona pa kabëll për të shkëmbyer me shpejtësi informacion. Kohët e fundit, Uendi dhe unë ishim me detyrë në një kontinent tjetër, kur mësuam se një foshnjë e re kishte ardhur në familjen tonë. Ne e morëm lajmin e mirë, pak minuta pasi kishte ndodhur lindja, gjysmë bote larg.
Edhe më e mahnitshme se teknologjia moderne është mundësia jonë për të marrë informacion drejtpërdrejt nga qielli, pa pajisje dhe programe kompjuterike apo pagesa mujore për shërbimin. Është një prej dhuratave më të mrekullueshme që Zoti u ka ofruar njerëzve të vdekshëm. Ftesa e tij bujare është: “lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet”1.
Kjo ofertë e përjetshme për të marrë zbulesë personale i drejtohet të gjithë fëmijëve të Tij. Pothuaj tingëllon tepër e bukur për të qenë e vërtetë. Por është e vërtetë! Unë kam marrë dhe i jam përgjigjur asaj ndihme hyjnore. Dhe unë kam mësuar se më duhet të jem gjithmonë gati për ta marrë atë.
Vite më parë, ndërsa isha i zhytur në detyrën e përgatitjes së një bisede për konferencën e përgjithshme, u zgjova nga një gjumë i rëndë me një ide të ngulitur fort në mendjen time. Menjëherë u zgjata për të kapur letrën e lapsin afër krevatit tim dhe shkrova aq shpejt sa munda. U ktheva përsëri për të fjetur duke e ditur që e kisha kapur atë përshtypje të mrekullueshme. Mëngjesin tjetër, e pashë atë copë letre dhe zbulova, më shumë për frikën time, që shkrimi im ishte tërësisht i palexueshëm. Akoma mbaj letër e laps në anë të krevatit tim, por shkruaj më me kujdes tani.
Për të marrë informacion nga qielli, duhet së pari të kesh një besim të palëkundur dhe një dëshirë të thellë. Duhet “të [kërkosh] me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në [Jezu] Krisht.2 “Qëllim i vërtetë” do të thotë që me të vërtetë po synon të ndjekësh drejtimin hyjnor të dhënë.
Kërkesa tjetër është që ta studioni çështjen me zell. Ky koncept iu mësua udhëheqësve të kësaj Kishe të rivendosur kur ata po mësonin për herë të parë si të merrnin zbulesë vetjake. Zoti i udhëzoi ata: “Unë të them se ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë dhe nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë”3.
Pjesë e të qenit gati është t’i dish dhe t’u bindesh mësimeve të Zotit në lidhje me këtë. Disa prej të vërtetave të Tij të përjetshme janë përgjithësisht të zbatueshme, si urdhërimet për të mos vjedhur, për të mos vrarë dhe për të mos dhënë dëshmi të rreme. Mësime apo urdhërime të tjera janë gjithashtu të përgjithshme, si ato të lidhura me Shabatin, sakramentin, pagëzimin dhe konfirmimin.
Disa zbulesa janë dhënë për rrethana të veçanta, të tilla si ndërtimi i arkës prej Noeut apo nevoja që profetë si Moisiu, Lehi dhe Brigami t’i udhëhiqnin pasuesit e tyre në udhëtime të vështira. Modeli i Perëndisë i vendosur prej kohësh për mësimin e fëmijëve të Tij nëpërmjet profetëve, na siguron se Ai do të bekojë çdo profet dhe se Ai do të bekojë ata që ia vënë veshin këshillës profetike.
Dëshira për të ndjekur profetin kërkon shumë përpjekje sepse njeriu i natyrshëm di shumë pak për Perëndinë dhe akoma më pak për profetin e Tij. Pali shkroi se “njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht”4. Ndryshimi nga një njeri natyror në një dishepull të përkushtuar është i fuqishëm.5
Një profet tjetër na mësoi se “njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe nuk bëhet si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij”6.
Kohët e fundit vura re një ndryshim të tillë të madh te një njeri të cilin e kisha takuar së pari rreth 10 vjet më parë. Ai kishte ardhur në një konferencë kunji, në të cilën biri i tij u mbështet si anëtar i presidencisë së re të kunjit. Ky atë nuk ishte anëtar i Kishës. Pasi i biri ishte veçuar, e përqafova këtë baba dhe e lavdërova që kishte një djalë aq të mrekullueshëm. Pastaj shpalla me guxim: “Do të vijë dita kur ju do të doni të vulosni këtë bir me ju dhe bashkëshorten tuaj në një tempull të shenjtë. Dhe kur ajo ditë të vijë, do të isha i nderuar të kryeja vulosjen për ju.”
Gjatë dekadës vijuese, unë nuk e pashë këtë burrë. Gjashtë javë më parë, ai dhe gruaja e tij erdhën në zyrën time. Ai më përshëndeti ngrohtësisht dhe rrëfeu se sa ishte befasuar nga ftesa ime e hershme. Ai nuk u mor edhe aq me të deri vonë, kur dëgjimi i tij filloi të binte. Atëherë ai u zgjua në të kuptuarin se trupi i tij po ndryshonte dhe se koha e tij në tokë ishte me të vërtetë e kufizuar. Pas pak, ai e humbi plotësisht dëgjimin. Në të njëjtën kohë, ai u kthye në besim dhe u bashkua me Kishën.
Gjatë vizitës sonë, ai e përmblodhi ndryshimin e tij të plotë: “M’u desh të humbja dëgjimin tim, para se të mund t’ia vija veshin rëndësisë së madhe të mesazhit tuaj. Atëherë e kuptova se sa shumë doja që të dashurit e mi të vuloseshin me mua. Tani jam i denjë dhe i përgatitur. Ju lutem, a do ta kryeni ju atë vulosje?”7 Këtë e bëra me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për Perëndinë.
Pasi ndodh një kthim i tillë në besim, mund të vijë edhe më tepër përmirësim shpirtëror. Zbulesa personale mund të zhvillohet e të bëhet një aftësi shpirtërore dallimi. Të dallosh do të thotë të shoshitësh, të ndash ose të shquash.8 Dhurata e dallimit shpirtëror është një dhuratë hyjnore.9 Ajo u mundëson anëtarëve të Kishës të shikojnë gjëra të padukshme dhe të ndiejnë gjëra që s’preken.
Peshkopët kanë të drejtën e asaj dhurate kur përballen me detyrën e kërkimit të të varfërve dhe të kujdesjes për nevojtarët. Me atë dhuratë motrat mund të shikojnë tendencat në botë dhe të zbulojnë ato që, sado të famshme, janë të cekëta ose madje të rrezikshme. Anëtarët mund të bëjnë dallimin midis skemave që janë vetëtitëse e të rrufeshme dhe atyre gjërave të pastruara që janë lartësuese e që zgjasin.
Dallimi ishte i padyshimtë në udhëzime të rëndësishme që Presidentit Xhon Tejlor dha shumë kohë më parë.10 Ai u mësonte presidentëve të kunjit, peshkopëve e të tjerëve: “Është e drejta e atyre që mbajnë [këto pozita] që të marrin fjalën e Perëndisë në lidhje me detyrat e presidencive të tyre, që ata të mund të realizojnë më efektivisht qëllimet e Tij të shenjta. Asnjëra prej thirrjeve ose pozitave në priftëri nuk është caktuar për përfitime vetjake, për pagesë e famë të atyre që i mbajnë ato, por janë dhënë qartësisht për të plotësuar qëllimet e Atit tonë Qiellor dhe për të ndërtuar Mbretërinë e Perëndisë mbi tokë… . Ne … synojmë të kuptojmë vullnetin e Perëndisë dhe atëherë ta kryejmë atë; dhe të kujdesemi që po kryhet nga ata të cilët i kemi në ngarkim.”11
Në mënyrë që secili prej jush të marrë zbulesë unike për vetë nevojat e përgjegjësitë tuaja, ekzistojnë disa udhëzime kryesore. Zoti ju kërkon që të zhvilloheni për nga “besimi, shpresa, dashuria hyjnore dhe dashuria, me syrin drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë”. Atëherë me “besimin, virtytin, diturinë, maturinë, durimin, mirësinë vëllazërore, perëndishmërinë, dashurinë hyjnore, përulësinë, zellin” e fortë, ju mund të kërkoni, dhe do të merrni; ju mund të trokisni dhe do t’ju hapet.12
Zbulesa nga Perëndia është gjithmonë në përputhje me ligjin e Tij të përjetshëm. Kurrë nuk bie në kundërshtim me doktrinën e Tij. Lehtësohet nga nderimi i përshtatshëm për Hyjninë. Mjeshtri dha këtë udhëzim: “Unë, Zoti jam i mëshirshëm dhe i hirshëm për ata që më kanë frikë dhe gëzohem t’i nderoj ata që më shërbejnë në drejtësi dhe në të vërtetë deri në fund.
I madh do të jetë shpërblimi i tyre dhe e përjetshme do të jetë lavdia e tyre.
… Atyre unë do t’ua zbuloj gjithë misteret [dhe] … [vullnetin] tim për të gjitha gjërat që lidhen me mbretërinë time.”13
Zbulesa nuk ka pse të vijë e gjitha përnjëherë. Ajo mund të jetë në rritje. “Thotë Zoti Perëndi: Unë do t’u jap fëmijëve të njerëzve rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje; dhe të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia dhe që i vënë veshin këshillës sime, pasi ata do të mësojnë urtësi; pasi atij që merr, unë do t’i jap më shumë.”14 Durimi dhe këmbëngulja janë pjesë e përparimit tonë të përjetshëm.
Profetët e kanë përshkruar atë që kanë ndier kur kanë qenë duke marrë zbulesë. Jozef Smithi dhe Oliver Kaudri raportuan që “veli u hoq nga mendjet tona dhe sytë e të kuptuarit tonë u hapën”15. Presidenti Jozef F. Smith shkroi: “Ndërsa përsiatja për këto gjëra që janë shkruar, sytë e të kuptuarit tim u hapën dhe Shpirti i Zotit pushoi në mua”16.
Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme mund të meritojë zbulesë personale. Ftesa për të lypur, kërkuar e trokitur për udhëheqje hyjnore qëndron ngaqë Perëndia jeton dhe Jezusi është Krishti i gjallë. Ekziston sepse kjo është Kisha e Tij e gjallë.17 Edhe ne jemi bekuar sot, sepse Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Tij i gjallë. Lutja ime është që ne të mund ta dëgjojmë dhe t’ia vëmë veshin këshillës së tij profetike, në emrin e Jezu Krishtit, amen.