Një Thirrje Drejtuar Brezit të Ri
Nuk ka thirrje më të madhe se mësimdhënia “e të gjithë popujve, duke i pagëzuar ata në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë.”
Pasi shërbesa tokësore e Shpëtimtarit shkoi drejt fundit, Ai iu shfaq si një qenie e ringjallur Apostujve të Tij. Porosia e Tij për ta është e njëjta thirrje që Ai ju shtron juve të brezit të ri sot: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mateu 28: 19).
Më 6 prill 1974, kisha mbështeti një profet të ri, Presidentin Spenser W. Kimball. Në po atë ditë, unë mora thirrjen për të shërbyer si misionar me kohë të plotë në Finlandë. Në atë kohë, unë nuk isha në dijeni që Presidenti Kimball sapo kishte shpërndarë atë javë një fjalim historik drejtuar Autoriteteve të Përgjithshme dhe përfaqësuesve lokalë të Kishës. Më vonë mësova se në atë fjalim Presidenti Kimball konturoi profetikisht vizionin e tij për mënyrën se si ne si Kishë duhet të përmbushim porosinë e Shpëtimtarit për të “[bërë] dishepuj nga të gjithë popujt”. Në fjalimin e tij, Presidenti Kimball i ftoi anëtarët e Kishës të rrisnin përpjekjet e tyre dhe të zgjeronin vizionin e tyre. Ai kërkoi që çdo i ri i denjë të përgatitej për të shërbyer një mision nderues me kohë të plotë. Ai nxiti anëtarët në çdo vend të përgatiten për të plotësuar nevojat e misionarëve të tyre dhe ai thirri “burra të aftë të mbështesin Dymbëdhjetë [Apostujt] për të shkuar nëpër botë dhe për të hapur derën e cilitdo komb” (“When the World Will Be Converted”, Ensign, tetor 1974, f. 10).
Presidenti Kimball tha gjithashtu në fjalën e tij të vitit 1974, se kishte 3,3 milionë anëtarë të Kishës, 18.600 misionarë me kohë të plotë dhe 633 kunje. Ai na nxiti për të vepruar më mirë dhe na kërkoi të ndryshonim vështrimin tonë dhe të lartësonim vizionin tonë (shih Ensign, tetor 1974, f. 7–8).
Në përgjigje ne, si anëtarë të Kishës, filluam të lutemi rregullisht në familjet tona, në mbledhjet tona të sakramentit dhe në konferencën tonë të kunjit që zemrat e udhëheqësve të kombeve të mund të zbuteshin dhe dyert të hapeshin për misionarët tanë. Anëtarët filluan të shohin më me qartësi përgjegjësinë e tyre për të përhapur ungjillin. Të rinjtë tanë vepruan dhe një ushtri e madhe misionarësh u mblodh. Ne dëshmuam se vizioni i Presidentit Kimball filloi të shpalosej.
Ndërsa shërbeja në Finlandë, mësova se gruaja e presidentit tim të misionit, Motra Lea Mahonej, ishte vendëse e Finlandës. Si një vajzë e vogël ajo u rrit në pjesën lindore të Finlandës në një qytet të quajtur Vipuri. Ndërsa shkatërrimet e luftës gllabëruan Finlandën dhe shtetet e tjera gjatë Luftës II Botërore, ajo dhe familja e saj lanë shtëpinë e tyre dhe Vipuri u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe u riquajt Viborg. Në konferencat tona të zonës, Motra Mahonej do të na tregonte për ata që la pas në Vipuri dhe për dëshirën e saj që ungjilli t’u dërgohej atyre. Në vazhdim të sfidës së Presidentit Kimball, ne u lutëm bashkërisht që zemrat e udhëheqësve të atij kombi të mund të zbuteshin kështu që ungjilli të mund të përhapej nga misionarët tanë në Bashkimin Sovjetik.
Ne do të shkonim në kufirin midis Finlandës dhe Bashkimit Sovjetik dhe do të shikonim kullat e rojeve dhe gardhet, dhe do të pyesnim veten se cilët do të ishin ata të rinj dhe të reja guximtarë dhe kur do ta kalonin atë kufi për të çuar ungjillin tek populli atje. Unë duhet ta pranoj, se atë kohë kjo dukej një detyrë e pamundur.
Tre vjet më parë djali ynë, Erik, mori një thirrje misioni për të shërbyer në Rusi, Misioni i Shën Petërburgut. Në letrën e parë për shtëpinë, ai shkroi diçka si kjo: “Të dashur mami dhe babi, unë u caktova në qytetin tim të parë në Rusi. Babi, ti mund të kesh dëgjuar për të më parë. Ai quhet Viborg, por më parë ishte një qytet finlandez që quhej Vipuri.”
Lot dolën në sytë e mi kur unë kuptova se Eriku ishte pikërisht në qytetin për të cilin ne ishim lutur rreth 32 vjet më parë. Eriku gjeti një kishëz atje dhe një degë me shenjtorë besnikë. Ai po jetonte dhe shërbente në një vend që për mua si djalë i ri më dukej e pamundur të hyje.
Unë nuk e dija ato shumë vite më parë, kur ne luteshim që kufijtë të hapeshin dhe misionarët të shkonin, atë që unë po lutesha për djalin tonë. Më e rëndësishmja për juve të brezit të ri, djali ynë Erik nuk e kuptoi se ai dhe shokët e tij ishin përgjigjja e lutjeve që ishin ofruar nga mijëra Shenjtorë besnik kaq shumë vite më parë. Ju të brezit të ri jeni përmbushja e profecisë që në ditët tona, “e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur, deri sa të ketë përshkruar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të ketë përfshirë çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, deri sa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye”(Joseph Smith, në History of the Church, 4:540).
Që nga udhëzimi profetik i Presidentit Kimball 35 vjet më parë, anëtarësia e Kishës është rritur me 13,5 milionë anëtarë. Tani ka 52.000 misionarë dhe mbi 2.800 kunje të Sionit. Kush janë punëtorët në vresht të cilët ndihmuan që të ndodhte kjo vepër e mrekullueshme dhe një çudi? Ata janë sigurisht profetët dhe apostujt të ulur para nesh sot. Ata janë gjithashtu presidentët e mrekullueshëm të kunjeve dhe peshkopët që kanë shërbyer kaq besnikërisht. Por gjithashtu ata janë prindërit tuaj – nënat dhe baballarët – hallat dhe xhaxhallarët dhe vëllezërit dhe motrat që qëndrojnë prapa jush, brezit të ri sot. Megjithatë, më e rëndësishmja, është fakti se ndërsa përpiqemi për të çuar ungjillin tek të gjitha kombet, ne thjesht sapo kemi filluar ta përmbushim këtë detyrë.
Dhe kështu përgjegjësia i ka kaluar një brezi të ri. Shpëtimtari, përmes profetit të Tij sot, Presidentit Tomas S. Monson ka rinovuar thirrjen, siç ai shpalli:
“Parimi ynë kryesor u shpreh nga Zoti ynë dhe Shpëtuesi ynë, që qëndron në krye të ushtrisë së madhe të misionarëve në mbarë botën. Pas Ringjalljes së Tij, Ai iu shfaq 11 dishepujve të Tij. Ai mund t’u kishte dhënë atyre çfarëdo këshille, çfarëdo shprehje, çfarëdo paralajmërimi që Ai të zgjidhte t’u jepte. Por çfarë tha Ai? Kjo është shënuar në Mateu 28:18–20. Ai tha si vijon: ‘Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë:
“‘dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.’”
Presidenti Monson vazhdoi:
“Çfarë premtimi! Nëse ne i përgjigjemi pozitivisht asaj thirrjeje të shenjtë, atij autoriteti besëlidhës, Ai na premton; ‘Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.’ Unë nuk mund të mendoj një premtim më të madh” (“The Five M’s of Missionary Work”, New Era, mars 2007, f. 42).
Në Librin e Mormonit, Jakobi, duke cituar Zenosin, foli për detyrën tonë sot në alegorinë e pemëve të ullirit të butë dhe të egër:
“Kështu që, shko dhe thirr shërbëtorë, që ne të mund të punojmë zellshmërisht me fuqinë tonë në vresht, që të mund të përgatitim udhën që unë të mund të sjell përsëri frutin natyral, frut natyral i cili është i mirë dhe më i çmueshmi mbi çdo frut tjetër.
Kështu që, le të shkojmë dhe të punojmë me fuqinë tonë këtë herë të fundit, pasi vini re, fundi afrohet dhe kjo është për herë të fundit që unë do të krasit vreshtin tim“ (Jakobi 5:61–62).
Thirrja e Shpëtimtarit ju drejtohet juve të brezit të ri. Ai po kërkon denjësi, përgatitje, të rinj dhe të reja besnikë që do t’ia vënë veshin zërit të profetit, që do të pranojnë sfidën dhe të thonë, ashtu si tha Vetë Shpëtimtari: “Ja ku jam, dërgomë mua” (Abrahami 3:27). Nevoja kurrë nuk ka qenë më e madhe. Fusha kurrë nuk ka qenë më e bardhë. Ju jeni thirrur të shkoni këtë “herë të fundit“ (Jakobi 5:62) Nuk ka punë më të madhe; nuk ka thirrje më të madhe se të bësh ”dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mateu 28:19).
Unë solemnisht shpall dhe dëshmoj se qiejt janë hapur, se jo vetëm që Perëndia ka folur, por se Ai flet sot. Biri i Tij, Jezu Krishti, jeton dhe po ju fton, ashtu si Ai ftoi Apostujt e Tij të lashtë Pjetrin dhe Andrean: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19). Uroj t’i përgjigjeni siç bënë ata, duke lënë menjëherë rrjetat tuaja dhe duke ndjekur Atë.
Unë lutem që ju të këtij brezi të ri do të qëndroni për të vërtetën e drejtësinë dhe të kuptoni thirrjen tuaj të shenjtë për të shkuar e mësuar të gjithë popujt, në emrin e Jezu Krishtit, amen.