Kujdestaria – një Mirëbesim i Shenjtë
Ne u shërbejmë njerëzve të tjerë ngaqë kjo është ajo që besojmë se dëshiron nga ne Perëndia.
Jetojmë në kohë të rrezikshme kur shumë vetë besojnë që ne nuk jemi të përgjegjshëm para Perëndisë dhe që nuk kemi përgjegjësi apo kujdestari vetjake për ne vetë ose të tjerët. Shumë vetë nga bota përqendrohen te kënaqësia vetjake, vënë së pari veten dhe janë dëfrimdashës më shumë se perëndidashës. Ata nuk besojnë që janë rojtarë të vëllait të tyre. Mirëpo, në Kishë, ne besojmë se këto kujdestari janë një mirëbesim i shenjtë.
Para pak kohe një grup mjaft i respektuar udhëheqësish dhe rabinësh izraelitë vizituan objekte të Kishës në Solt-Lejk-Siti, përfshirë dhe Sheshin e Mirëqenies, Qendrën Humanitare, Bibliotekën e Historisë Familjare dhe shtëpinë e hapur me rastin e Tempullit të Okuir Mauntinit në Juta. Në përfundim të vizitës së tyre, një nga rabinët më të famshëm të Amerikës shprehu ndjenjat e tij për ato që kishte parë dhe ndier.1
Ai citoi koncepte nga mendimtarë judenj të rrënjosura në Talmud2 dhe vuri në dukje që ka dy arsye shumë të ndryshme pse njerëzit tërhiqen në vepra mirëdashjeje dhe bujarie. Disa njerëz vizitojnë të sëmurët, ndihmojnë të varfërit dhe u shërbejnë njerëzve të tjerë, për arsye se besojnë se kjo është gjëja e drejtë që duhet të bëjnë dhe të tjerët ndërsjelltazi do të bëjnë për ta të njëjtën gjë kur ata të ndodhen nevojtarë. Ai shpjegoi se, ndërsa kjo është gjë e mirë, ngre komunitete dashamirëse dhe duhet të konsiderohet si një arsye fisnike, një motiv më i lartë është kur ne u shërbejmë njerëzve të tjerë ngaqë kjo është ajo që besojmë se dëshiron nga ne Perëndia.
Ai bëri të ditur se, si rrjedhojë e vizitës së tij, ai besonte se shenjtorët e ditëve të mëvonshme ndërmarrin veprime mirëqenieje dhe humanitare e punojnë për shpëtimin në tempujt tanë për të bërë atë gjë që ne besojmë se e dëshiron Perëndia nga ne.
Kjo ndjenjë përgjegjshmërie, e cila përfshihet në urdhërimin e parë të madh për të dashur Perëndinë, qe përshkruar nga disa njerëz si “bindje ndaj të padetyrueshmes”3. Ne përpiqemi që të bëjmë atë që është e drejtë, sepse e duam dhe dëshirojmë që t’i pëlqejmë Atit tonë Qiellor, jo ngaqë na detyron dikush të bindemi.
Lufta në Qiell u zhvillua pasi Satani tha se do të detyronte gjithkënd që t’iu bindej ideve të tij. Kjo u hodh poshtë. Si rrjedhim, ne kemi lirinë tonë morale të veprimit dhe liri për të zgjedhur udhën tonë në këtë jetë. Por ne gjithashtu jemi përgjegjës për atë liri zgjedhjeje. Zoti ka thënë që ne do të jemi “[të] përgjegjshëm për mëkatet [tona] në ditën e gjykimit”4. Parimet e përgjegjshmërisë e të kujdestarisë kanë një domethënie të madhe në doktrinën tonë.5
Në Kishë kujdestaria nuk kufizohet në një mirëbesim ose përgjegjësi të përkohshme. Presidenti Spenser W. Kimball na mësoi: “Ne jemi kujdestarë të trupit, mendjes, familjeve dhe pronave tona… . Një kujdestar besnik është një njeri që ushtron sundim të drejtë, që përkujdeset për të vetët dhe i shikon të varfërit dhe nevojtarët.”6
Megjithëse ka shumë fusha kujdestarie, kam zgjedhur për të folur për dy prej tyre. E para është kujdestaria për vetveten dhe familjen tonë. E dyta është kujdestaria për të varfrit dhe nevojtarët.
Zoti shpeshherë përdori shëmbëlltyrat e tokës për mësimin e përgjegjshmërisë e të kujdestarisë. Kur isha djalë i vogël, gjatë verës vizitoja gjyshërit e mi në fermën e tyre. Atje nuk kishte energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo sistem të brendshëm hidraulik. Kishte, sidoqoftë, një burim uji ngjitur me shtëpinë e tyre të vogël të fermës. Burimi formonte një pellg të vogël me ujë të qartë e të pastër, ku disa herë në ditë unë ndihmoja gjyshen time të çonte ujë në shtëpi për të pirë, për gatim, për t’u larë dhe për larje rrobash. Gjyshërit e mi e donin këtë burim jetëdhënës dhe morën masa paraprake për ta mbrojtur atë.
Shumë vite më vonë gjyshi im ishte në fillim të të 90-ve të tij dhe nuk jetonte në atë pronë; nuk ishte në gjendje ta mirëmbante apo mbikëqyrte. Unë e çova me makinë që të shihte fermën që ai e donte. Pritjet e tij të mëdha për të parë fermën u kthyen në zhgënjim kur pa se gardhi mbrojtës i burimit ishte bërë për t’u riparuar dhe lopët e kishin dëmtuar burimin, dhe uji i pastër e i çmuar ishte ndotur së tepërmi. Ai u mërzit nga dëmi dhe ndotja. Për të kjo ishte shkelje e mirëbesimit ndaj të cilit kishte qenë besnik gjithë jetës së tij të punës. Ai u ndie disi sikur nuk e kishte mbrojtur atë burim jetëdhënës që kishte pasur aq shumë kuptim për të.
Sikurse uji i pastër u ndot kur nuk u mbrojt, ashtu ne jetojmë në një kohë kur virtyti dhe dëlirësia nuk janë nën mbrojtje.7 Domethënia e përjetshme e vlerave morale vetjake nuk respektohet. Një Atë Qiellor plot dashuri, na ka siguruar mjetet për të sjellë në këtë botë fëmijët e Tij shpirtërorë për të përmbushur qëllimin e plotë të krijimit të tyre. Ai na ka udhëzuar që burimet e krijimit të jetës duhet të mbahen të pastra, tamam ashtu si burimi i bukur tek ferma kërkonte mbrojtje që të mund të siguronte jetesë. Kjo është një nga arsyet përse virtyti dhe dëlirësia janë aq të rëndësishme në planin e Atit tonë Qiellor.
Për shkak të reagimit të gjyshit tim për burimin e ndotur, u ndërmorën masa përmirësuese dhe mbrojtëse, të cilat e kthyen burimin tek bukuria dhe pastërtia e tij fillestare.
Si shërbëtorë të Zotit Jezu Krishti, është përgjegjësia jonë e shenjtë për të dhënë mësime për standardet e Tij të vlerave morale, që janë të njëjta për të gjithë fëmijët e Tij. Kur mendimet ose veprimet tona janë të papastra, ne e shkelim standardin e Tij. Zoti ka thënë: “Unë … nuk mund ta shoh mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit”8. Disa përpiqen ta përligjin sjelljen e tyre.
Në një poemë nga Xhon Holms, të titulluar “Bisedë”, një ndërtues anijesh i vjetër e i shurdhër nga Nju-Inglandi, mëson një të ri lidhur me mendimin përligjës. Duke përshkruar një prej mësimeve që ka marrë, i riu shpjegon: “Unë duhej të dija që, edhe pse ti e ndërton, anija duhet të lundrojë; oqeani nuk pranon justifikime”9.
Thuhet për një këshillë se, çfarë ndodh brenda një qyteti, të qëndrojë brenda atij qyteti. Më pëlqen tabela e vënë në Kontenë Sevier të Jutës, e cila thotë: “Çfarë ndodh në Kontenë Sevier … mund t’ua thoni miqve!!!” Kur ndërgjegjësohemi që jemi të përgjegjshëm para Perëndisë, ne shohin se sa të marra mund të jenë mendimet përligjëse. Ata që përligjin na kujtojnë fëmijët e vegjël të cilët i mbulojnë sytë, të bindur që, nëse ata nuk na shohin neve, edhe ne nuk arrijmë t’i shohim. Unë do të këshilloja që, nëse mendojmë se do t’i japim llogari për veprimet tona Shpëtimtarit, mendimet tona përligjëse do të shiheshin në dritën e tyre të vërtetë.
Ne jemi të vetëdijshëm se ka nga ata të cilët janë përfshirë në sjelljen e papajtueshme me këtë standard të shenjtë të moralit. Ju lutemi të kuptoni se nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit, të gjithë mund të pendohen e të kthehen sërish, ashtu si burimi i ujit, në një gjendje të pastër e të dëlirë. Është e vështirë të pendohesh; kërkohet një zemër e thyer dhe shpirt i penduar.10 Por, kur hapat e pendimit janë ndjekur drejt, fjalët e thëna nga profeti Alma për birin e tij, Koriantonin, i cili ishte përfshirë në shkelje morale, gjejnë zbatim: “Dhe tani, biri im, dëshiroj që këto gjëra të mos të të shqetësojnë ty më dhe vetëm mëkatet e tua të të shqetësojnë me atë shqetësim që do të të sjellë në pendim”11. Shpëtimtari ka thënë: “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato”12.
Në lidhje me kujdestarinë tonë për familjet tona, disa na kanë mësuar se, kur ne t’i raportojmë Shpëtimtarit dhe Ai të na kërkojë t’i japim një llogari të përgjegjësive tona tokësore, dy pyetje të rëndësishme do të kenë të bëjnë me familjet tona. E para do të jetë marrëdhënia jonë me bashkëshortin tjetër dhe e dyta do të lidhet me secilin fëmijë.13
Është i lehtë ngatërrimi i përparësive. Ne kemi detyrë të realizojmë sigurinë fizike dhe mirëqenien e fëmijëve tanë. Megjithatë, disa prindër vënë përparësi të tepruar mbi zotërimet tokësore e materiale. Disa janë tepër pak të zellshëm në përpjekjet e tyre për t’i ngopur fëmijët me ungjillin e Jezu Krishtit.14 Mbani mend se zbatimi i besimit fetar në shtëpi është po aq i rëndësishëm sa sigurimi i ushqimit, veshjes dhe strehimit. Prindërit gjithashtu mund t’i ndihmojnë fëmijët për zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të tyre. Ne jemi përgjegjës për talentet që kemi marrë. Fëmijëve që nuk u është mësuar se kanë përgjegjësi për kohën dhe talentet e tyre, janë gjithnjë e më shumë subjekte për marrëzinë dhe padrejtësinë që janë aq të përhapura në botë.15 Proklamata për familjen paralajmëron se individët “që nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre familjare, do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë”16.
Përgjegjësia e dytë e kujdestarisë është përkujdesja për të varfrit dhe nevojtarët, e cila praktikisht zbatohet ndaj të gjithëve ne, në një kohë apo tjetër. Paralajmërimi i Zotit që ne jemi kujdestarë për ata që ndodhen nevojtarë, përmban një gjuhë nga më të fortat në të gjitha shkrimet e shenjta: “Në qoftë se dikush do të marrë nga bollëku që kam krijuar dhe nuk do t’u japë nga pjesa e tij … të varfërve dhe nevojtarëve, ai, me të ligjtë, do t’i hapë sytë e tij në ferr, duke qenë i munduar.”17 Ne kemi përgjegjësi si kujdestarë mbi bekimet tokësore, të cilat i ka siguruar Zoti.
Udhëheqësve izraelitë që përmenda më herët, iu la veçanërisht mbresa parimi i agjërimit dhe, për më tepër, pagimi i një oferte agjërimi bujare. Ata menduan se ishte gjë e jashtëzakonshme që anëtarët e Kishës anembanë botës të agjëronin çdo muaj dhe pastaj të bënin dhurime vullnetare për bekimin e atyre që ndodhen nevojtarë.
Kur rabinët vizituan Sheshin e Tempullit, u prekën kur mësuan se edhe në kohëra të vështirësive ekonomike anëtarët tanë, të merakosur për sfidat që përjetojnë shumë njerëz, vazhdojnë të dhurojnë bujarisht për të ndihmuar të varfërit dhe nevojtarët.
Mund të kujtoj se kur u thirra për peshkop, pararendësi im, Peshkopi Rasëll Xhonson, më paralajmëroi se do të duhej të isha i kujdesshëm për ato që u kërkoja anëtarëve për të bërë. Ai tha: “Disa do t’i përgjigjen çdo ideje që do të sugjerosh, madje deri me sakrificë të madhe”. Ai përmendi një vejushë në moshën e të 80-ve, e cila qe kujdesur për një kohe të gjatë qoftë për bashkëshortin, qoftë për të birin, para se ata të ndërronin jetë. Peshkopi Xhonson tha që, pavarësisht se kishte burime të pakta, ajo gjithnjë përpiqej t’i përgjigjej çdo sugjerimi. Zbulova se kjo ishte e vërtetë. Sa herë që unë përmendja nevojën për kontribute ose shërbim për të bekuar të tjerët, Sara shpeshherë ishte e para që i përgjigjej.
Një të shtunë më telefonoi një motër tjetër dhe më tha: “Peshkop, eja shpejt! Shpëtoje Sarën!” Kjo motër më tregoi se Sara 80-vjeçare ishte në majë të një shkalle duke pastruar ulluqet e shiut të një fqinje. Kjo motër ishte llahtarisur se mos Sara binte poshtë dhe dëshironte që peshkopi të ndërhynte.
Nuk po sugjeroj që çdokush mundet ose duhet të kopjojë Sarën. Disa ndihen fajtorë ngaqë nuk mund t’i përgjigjen menjëherë çdo nevoje. Më pëlqen mjaft citimi që Plaku Nil A. Maksuell e përdori shpesh, marrë nga An Moro Lindberg: “Jeta ime nuk mund t’i zbatojë në të vepruar kërkesat e të gjithë njerëzve për të cilët reagon zemra ime”18. Mbreti Beniamin mësoi: “Shikoni, që të gjitha këto gjëra të jenë bërë në urtësi dhe rregull; pasi nuk është e nevojshme që një njeri duhet të vrapojë më shpejt sesa ai ka fuqi”19. Por ai shtoi se ne duhet të jemi të zellshëm.
Zemra ime gëzohet kur vështroj shenjtorët gjithkund në Kishë duke bërë çdo gjë që munden për të dhënë shërbim krishtëror kudo që ka një nevojë. Për shkak të kontributeve të anëtarëve, Kisha mundet që me qetësi e shpejtësi, pa u rënë borive, të reagojë ndaj nevojave anembanë botës.20 Kisha tashmë po u përgjigjet katastrofave natyrore në Filipine, Ishujt e Paqësorit dhe Indonezi.
Vitin e kaluar anëtarët tanë reaguan ndaj uraganit Gustav. Kisha punoi ngushtësisht me organizatën humanitare të udhëhequr nga Martin Luter King III. Zoti King më pas vizitoi Solt-Lejk-Sitin dhe tha: “Fillimisht unë erdha që t’i shpreh Kishës vlerësimin tim për mbështetjen e saj humanitare, por shpejt mësova që thelbi i asaj që ju jeni është shumë më i thellë e depërtues. Në mes të Qendrës Humanitare, Sheshit të Mirëqenies dhe shtëpisë së hapur për tempullin, unë tani kam një vlerësim më të madh për arsyen e gjërave që ju bëni.”
Në të gjitha përpjekjet tona të kujdestarisë ne ndjekim Jezu Krishtin. Ne përpiqemi të arrijmë atë që Ai na ka kërkuar të bëjmë, qoftë nëpërmjet mësimeve të Tij, qoftë shembullit të Tij. Me të gjithë zemrën tonë ne i shprehim vlerësimin tonë anëtarësisë së Kishës për kontributet e tyre bujare dhe shërbimin krishtëror.
Isaia, duke folur për agjërimin, ushqyerjen e të uriturve dhe veshjen e të zhveshurve, me një gjuhë prekëse premtoi: “Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet”21. Isaia vazhdon: “Në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, … Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, … ti do të jesh si … një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë… . [Dhe] ti do të ngresh përsëri themelet e shumë brezave.”22
Shpresa ime është që secili nga ne do t’i shqyrtojë vetë dhe familjarisht kujdestaritë për të cilat ne kemi përgjegjësi dhe përgjegjshmëri. Lutem që ne të bëjmë kështu duke ditur se në fund jemi përgjegjës para Perëndisë dhe që në këtë jetë ne do t’i përmbahemi të padetyrueshmes.
Jam mirënjohës për këshillën e një profeti plot dashuri dhe besnik, për t’iu shërbyer e për t’i shpëtuar ata që ndodhen nevojtarë. Kur ndjekim këshillën e tij, unë e di se do të cilësohemi për premtimin e Zotit: “Dhe kushdo që gjendet kujdestar besnik, i drejtë e i mençur, do të hyjë në gëzimin e Zotit të tij dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme”23.
Jap dëshminë time për këtë të vërtetë të shenjtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.