2009
Shoqata e Ndihmës: Një Punë e Shenjtë
Nëntor 2009


Shoqata e Ndihmës: Një Punë e Shenjtë

E jona është një punë për shpëtim, shërbim dhe për t’u bërë një popull i shenjtë.

Pamja
Julie B. Beck

Ky është një grumbullim i mrekullueshëm i grave të Shoqatës së Ndihmës. Që nga mbledhja jonë e fundit e përgjithshme, jam bekuar të vizitoj shumë prej jush. Ju falënderojmë për jetën tuaj besnike dhe shërbimin e përkushtuar.

Në mbledhjet e përgjithshme të kohëve të fundit të Shoqatës së Ndihmës, neve na është dhënë mësim se si gra të fuqishme e të papërkulura shenjtore të ditëve të mëvonshme e njohin dhe e përmbushin qëllimin e Shoqatës së Ndihmës1. Sonte shpresoj ta zgjeroj dëshminë dhe kuptueshmërinë tonë për Shoqatën e Ndihmës si një punë e bazuar tek besimi. Do të flas për qëllimin e kësaj pune dhe mënyrën si e përmbushim atë.

E dimë se qëllimi i Shoqatës së Ndihmës, siç është vendosur nga Zoti, është të përgatisë gratë për bekimet e jetës së përjetshme duke i ndihmuar ato:

  1. Të rrisin besimin dhe drejtësinë vetjake të tyre.

  2. Të forcojnë familjet dhe shtëpitë e tyre.

  3. T’i shërbejnë Zotit dhe fëmijëve të Tij.

Historia, qëllimi dhe puna e Shoqatës së Ndihmës janë unike mes gjithë organizatave të grave. Në vitin 1942, për njëqind vjetorin e Shoqatës së Ndihmës, Presidencia e Parë e Kishës tha: “Asnjë organizatë tjetër e grave në gjithë tokën nuk ka pasur një origjinë të tillë… . Anëtaret [e Shoqatës së Ndihmës] nuk duhet të lejojnë që interesa qoftë kundërshtare apo konkurruese të çfarëdo lloji t’i shmangin prej detyrave dhe detyrimeve, privilegjeve dhe nderimeve, mundësive dhe arritjeve të anëtarësisë në këtë Shoqatë të mrekullueshme.”2

Nëse anëtarësia jonë në Shoqatën e Ndihmës është kaq e rëndësishme, ne duhet ta dimë se çfarë na veçon nga çdo grup apo organizatë tjetër grash. Gjithçka bëjmë në Shoqatën e Ndihmës ka rëndësi sepse Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, e vizituan Jozef Smithin dhe përmes Tij, plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit u rivendos në tokë. Shoqata e Ndihmës është pjesë e asaj rivendosjeje. Profeti Jozef Smith përcaktoi qëllimin e Shoqatës së Ndihmës dhe i udhëzoi motrat për qëllimin e tyre, tamam siç u mësoi udhëheqësve të priftërisë në Kirtland dhe Navu qëllimin dhe punën e tyre të priftërisë. Kjo e jona është një organizatë që vazhdon të udhëhiqet sot nga profetë, shikues dhe zbulues.

Shoqata e Ndihmës është unike sepse u organizua sipas “modelit të priftërisë”3 dhe ne funksionojmë në nivel të përgjithshëm e vendor nën drejtimin e udhëheqësve të priftërisë. Ne punojmë në bashkëpjesëmarrje me udhëheqësit e priftërisë, që mbajnë çelësa të cilët u japin atyre autoritet për të kryesuar në emrin e Zotit. Ne funksionojmë sipas mënyrës së priftërisë – që do të thotë se kërkojmë, marrim dhe veprojmë sipas zbulesës; marrim vendime në këshilla; dhe shqetësohemi për t’u kujdesur për individët një e nga një. Është i yni qëllimi i priftërisë që të përgatitemi për bekimet e jetës së përjetshme duke bërë dhe mbajtur besëlidhje. Prandaj, ashtu si vëllezërit tanë që mbajnë priftërinë, kjo e jona është një punë për shpëtim, shërbim dhe për t’u bërë një popull i shenjtë.

Presidenti Bojd K. Paker ka dhënë mësim se “Shoqata e Ndihmës ka përgjegjësi shumë të gjera. Pjesëmarrja në mbledhjen e së dielës është veçse një pjesë e vogël e detyrës suaj. Disa prej jush nuk e kanë kuptuar këtë dhe kanë lënë mënjanë shumë prej domethënies së Shoqatës së Ndihmës gjatë viteve – motëria, pjesët bamirëse dhe praktike të saj.”

Ai shpjegoi:

“Shoqata e Ndihmës, na tha Profeti [Jozef], organizohet sipas modelit të priftërisë. Kur një burrë mban priftërinë, … kjo kërkon përkushtim dhe besnikëri të plotë… .

Anëtarësia në priftëri lartëson burrin dhe djalin. Kudo që të jetë ai, çfarëdo që të bëjë, pavarësisht me kë shoqërohet, prej tij pritet ta nderojë priftërinë e tij… .

Nëse ju motra e ndiqni atë model, … ju do t’i shërbeni organizatës suaj, kauzës suaj – Shoqatës së Ndihmës …

Shërbimi në Shoqatën e Ndihmës e lartëson dhe e shenjtëron secilën motër të veçantë. Anëtarësia juaj në Shoqatën e Ndihmës duhet të jetë gjithmonë me ju.” 4

Puna sipas Mënyrës së Zotit

Kur qëllimi ynë është i qartë, vijon natyrshëm që ka një mënyrë të duhur për të përmbushur përgjegjësitë tona. Le ta shohim se si duhet të administrohet puna, e bazuar tek besimi, e Shoqatës së Ndihmës. Një nga gjërat më të çmuara që kemi të gjithë është koha. Shumica e grave kanë shumë përgjegjësira dhe nuk kanë kurrë kohë të mjaftueshme për të bërë gjithçka do të dëshironin zemrat e mendjet e tyre. Ne tregojmë respekt për Zotin dhe motrat kur e përdorim kohën e Shoqatës së Ndihmës në mënyrë të frymëzuar.

Presidenti Diter F. Uhtdorf dha mësim: “Një burrë i mençur dikur bëri dallimin mes ‘artit fisnik të kryerjes së gjërave’ dhe ‘një arti më fisnik të lënies së gjërave pa bërë’. ‘Urtësia’ e vërtetë ‘në jetë’, dha mësim ai, qëndron në ‘mënjanimin e gjërave jothelbësore’.” Presidenti Uhtdorf pyeti pastaj: “Cilat janë gjërat jothelbësore që bëjnë rrëmujë ditët tuaja dhe ju vjedhin kohën tuaj? Cilat janë zakonet që mund të keni formuar dhe që nuk i shërbejnë një qëllimi të dobishëm? Cilat janë gjërat e papërfunduara apo të panisura që mund t’i shtojnë energji, kuptim dhe gëzim jetës suaj?”5 Ne mund t’i zbatojmë pyetjet e tij për të gjitha mbledhjet dhe punët e Shoqatës së Ndihmës.

Mbledhjet e së Dielës të Shoqatës së Ndihmës

Ne e zhvillojmë mbledhjen javore të shoqatës sonë të dielave si pjesë e bllokut tonë të rregullt tri orësh të mbledhjeve. Është mahnitëse të mendosh që çdo të diel, rreth e rrotull botës, mijëra grupe motrash mblidhen për të rritur besimin e tyre, për të forcuar familjet e tyre dhe për të bashkërenduar përpjekjet e tyre për të siguruar lehtësim. Mbledhjet tona të dielave janë vetëm 50 minuta të gjata, prandaj ne i nisim ato mbledhje duke u kujdesur për çështje thelbësore që do të na ndihmojnë të jemi më të bashkuara dhe efikase në punën tonë të Shoqatës së Ndihmës. Ne i mbajmë punët tona të shkurtra, dinjitoze, të organizuara dhe në përputhje me cilat jemi dhe çfarë duhet të bëjmë. Tamam ashtu si motrat në mbledhjet e para të Shoqatës së Ndihmës morën udhëzim nga profetë dhe apostuj, ne studiojmë fjalët e udhëheqësve të Kishës sot. Çfarë bekimi është të kemi burime përkatëse që japin mësim doktrinën dhe parimet që do të na ndihmojnë të jetojmë ungjillin në jetën dhe shtëpitë tona vetjake. Meqë kjo është një punë e bazuar tek besimi, mësimet e Shoqatës së Ndihmës janë më efikase kur zhvillohet mësimdhënie e frymëzuar dhe “[ajo] që predikon dhe [ajo] që pranon, e kuptojnë njër[a]-tjetr[ë]n dhe që të dy[ja] lartësohen e gëzohen së bashku”6.

Mbledhje të Tjera të Shoqatës së Ndihmës

Të gjitha mbledhjet dhe aktivitetet tona janë mbledhje të motrave të Shoqatës së Ndihmës. Për një numër vitesh të kaluar, ne i kemi quajtur mbledhjet e tjera të Shoqatës së Ndihmës si mbledhje për përmirësim shtëpiak, familjar dhe vetjak. Në përgjigje të shqetësimeve për ndërlikimin e atij titulli dhe komenteve të ndryshme për qëllimin e atyre mbledhjeve, është marrë një vendim që emërtimi “përmirësim shtëpiak, familjar dhe vetjak” do të ndërpritet duke hyrë në fuqi që tani. Në këshillim me Presidencinë e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, u vendos që në vend që t’u japim këtyre mbledhjeve të tjera të Shoqatës së Ndihmës një titull të ri, të gjitha këtyre mbledhjeve dhe aktiviteteve tani do t’u referohemi thjesht si mbledhje të Shoqatës së Ndihmës. Mbledhje të veçanta të Shoqatës së Ndihmës që mbahen gjatë javës mund të quhen çfarëdo që të jenë: shërbim, klasa mësimore, projekte, konferenca ose seminare praktike të Shoqatës së Ndihmës.

Këto mbledhje të tjera mund të jenë plotësime me vlerë të udhëzimit të së dielës, veçanërisht për motra që shërbejnë në Fillore ose tek Të Rejat, apo që nuk janë në gjendje të marrin pjesë në mbledhjet e së dielës. Këto mbledhje sigurojnë edhe një vend të mrekullueshëm për të sjellë shoqet tona të besimeve të tjera dhe për të përfshirë motra të Shoqatës së Ndihmës që nuk marrin pjesë aktivisht në Kishë. Të gjitha anëtaret e Shoqatës së Ndihmës dhe mikeshat e tyre ftohen dhe mirëpriten. Megjithatë, motrat nuk duhet të shtyhen që të ndihen se pjesëmarrja në këto mbledhje është e detyrueshme.

Nën drejtimin e peshkopit, presidencia e lagjes e Shoqatës së Ndihmës mund t’i përdorë këto mbledhje për të trajtuar nevoja shpirtërore dhe materiale të individëve dhe familjeve në lagje dhe për të forcuar motërinë dhe unitetin.

Kur motrat takohen për mbledhje të Shoqatës së Ndihmës gjatë javës, ato kanë mundësi të mësojnë dhe përmbushin përgjegjësitë bamirëse dhe praktike të Shoqatës së Ndihmës. Pikërisht këtu ato mësojnë e praktikojnë mjeshtëri që do t’i ndihmojnë ta rrisin besimin e tyre e drejtësinë vetjake, të forcojnë familjet e shtëpitë dhe të japin shërbim për ata në nevojë. Këto mbledhje kanë qëllim të jenë mjete për mësimdhënien e mjeshtërive dhe përgjegjësive të grarisë dhe mëmësisë në planin e Zotit. Pikërisht këtu gratë mësojnë e zbatojnë parime të jetesës me maturi si dhe të mbështetjes shpirtërisht e materialisht tek vetja, dhe gjithashtu ato rriten në motëri e unitet kur e mësojnë njëra-tjetrën dhe shërbejnë së bashku.

Presidentja e lagjes e Shoqatës së Ndihmës mbikëqyr gjithë mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës. Si pjesë e kësaj përgjegjësie, ajo këshillohet rregullisht me peshkopin për mënyrën se si këto mbledhje mund të ndihmojnë për të plotësuar nevojat e individëve dhe familjeve në lagje.

Presidencia e Shoqatës së Ndihmës merr parasysh plot lutje se sa shpesh duhet të mbajnë mbledhje të Shoqatës së Ndihmës gjatë javës dhe ku duhet t’i mbajnë ato. Ato pastaj i bëjnë një rekomandim peshkopit, duke mbajtur parasysh angazhimet kohore të motrave, rrethanat familjare, largësinë dhe çmimin e udhëtimit, kostot financiare për lagjen, sigurinë dhe rrethana të tjera vendore.

Këto mbledhje zakonisht mbahen në një kohë të ndryshme nga e diela apo mbrëmja e së hënës. Përgjithësisht ato mbahen çdo muaj, por presidencia e Shoqatës së Ndihmës mund të rekomandojë që mbledhjet të mbahen më shpesh ose më rrallë. Duhet të bëhen përpjekje për t’u mbledhur të paktën një herë në tre muaj. Të paktën një anëtare e presidencisë së Shoqatës së Ndihmës të lagjes duhet të jetë e pranishme në çdo mbledhje. Nën drejtimin e presidencisë së kunjit, presidencia e Shoqatës së Ndihmës së kunjit mund të planifikojë e zhvillojë një apo dy mbledhje të Shoqatës së Ndihmës çdo vit për të gjitha motrat e Shoqatës së Ndihmës në kunj.7

Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës këshillohen së bashku plot lutje mbi temat që do të forcojnë motrat dhe familjet e tyre dhe për mënyrat më të mira për t’i dhënë mësim ato tema. Presidentja e Shoqatës së Ndihmës siguron që këto plane të miratohen nga peshkopi. Ajo siguron gjithashtu që planet të jenë në përputhje me rregullat e fundit mbi aktivitetet, përfshirë politikat mbi financat. Edhe pse presidentja e Shoqatës së Ndihmës i mbikëqyr këto mbledhje, ajo mund t’i kërkojë këshilltares së parë apo të dytë që ta ndihmojë. Ajo gjithashtu mund të rekomandojë një motër tjetër në lagje që të thirret për të shërbyer si koordinatore e mbledhjeve të Shoqatës së Ndihmës, që të ndihmojë presidencinë t’i planifikojë e kryejë ato.

Mbledhjet mund të përqendrohen tek një temë apo të ndahen në më shumë se një klasë mësimore ose aktivitet. Në përgjithësi, mësueset në këto mbledhje duhet të jenë anëtare të lagjes ose të kunjit. Çdo vit, një mbledhje mund të përkujtojë themelimin e Shoqatës së Ndihmës dhe të përqendrohet tek historia dhe qëllimet e saj.

Kur planifikojnë mbledhje të Shoqatës së Ndihmës që mbahen gjatë javës, udhëheqëset u japin përparësi temave që do të përmbushin qëllimet e Shoqatës së Ndihmës, të tilla si martesa e familja, administrimi i shtëpisë, jetesa me maturi dhe mbështetje tek vetja, shërbimi i dhembshur, tempulli dhe historia familjare, ndarja e ungjillit dhe tema të tjera që kërkohen nga peshkopi.8

Kur planifikojmë, ne pyesim se çfarë do Zoti që ta mësojmë dhe çfarë të bëhemi që të përgatitemi për jetë të përjetshme. Në urtësinë e Zotit, çdo lagje ka karakteristikat e veta unike, që nuk i ka asnjë lagje tjetër. Kjo mund të krahasohet me ADN-në që e dallon çdo qenie njerëzore si unike. Çdo peshkop ka përgjegjësinë për lagjen e tij të veçantë. Çdo presidente e Shoqatës së Ndihmës të lagjes ka thirrje që të ndihmojë një peshkop. Çdo peshkopi dhe presidencie të Shoqatës së Ndihmës iu janë vendosur duart mbi kokë për të marrë frymëzim për përgjegjësitë e tyre të veçanta dhe jo për ndonjë lagje ose grup tjetër të motrave të Shoqatës së Ndihmës.

Nëse punojmë me këtë dijeni, do të kërkojmë zbulesë e do të punojmë në shoqërim me një peshkop për të përmbushur qëllimet e Shoqatës së Ndihmës në vetë lagjet tona. Si rezultat i funksionimit në këtë mënyrë, nëse motrat dhe familjet kanë nevojë të përgatiten për urgjenca, Shoqata e Ndihmës mund të organizojë, japë mësim dhe frymëzojë atë përgatitje. Nëse motrat dhe familjet kanë nevojë të përgatiten për tempullin, Shoqata e Ndihmës mund të organizojë, japë mësim dhe frymëzojë motrat ta bëjnë atë. Nëse një peshkop ka nevojë që gra të reja beqare në moshë madhore të ndajnë ungjillin dhe të kthejnë shoqet e tyre që të jenë aktive, Shoqata e Ndihmës mund të organizojë, japë mësim dhe frymëzojë atë punë. Nëse nënat kanë nevojë të mësojnë si t’i rrisin dhe si të kujdesen për fëmijët e tyre, Shoqata e Ndihmës mund të organizojë, japë mësim dhe frymëzojë atë punë. Nëse motrat kanë nevojë të mësojnë dhe përmirësojnë aftësi për administrimin familjar, që do të ndihmojnë shtëpitë e tyre të bëhen një qendër force shpirtërore, atëherë Shoqata e Ndihmës mund të organizojë, japë mësim dhe frymëzojë atë punë. Siç ka ndodhur gjatë gjithë historisë, nëse udhëheqësit e priftërisë duhet të kryejnë diçka domethënëse, ata mund të mbështeten tek Shoqata e Ndihmës që t’i ndihmojë ata.

Përdorimi siç duhet i mbledhjeve të Shoqatës së Ndihmës do ta rrisë aftësinë e Shoqatës së Ndihmës që të punojë në mënyra të fuqishme me udhëheqësit e priftërisë në çdo lagje. Ashtu si tha Jozef Smithi në Doktrina e Besëlidhje:

“Askush të mos i numërojë ato si gjëra të vogla; sepse ka shumë që shtrihet në të ardhmen, lidhur me shenjtorët, që varet nga këto gjëra. Ju e dini, [motra], që një anije shumë e madhe ka shumë përfitim nga një timon shumë i vogël në kohën e një stuhie, duke u mbajtur në mënyrë të sigurtë ndaj erës dhe valëve.”9

Udhëheqës të Shoqatës së Ndihmës e të priftërisë, ky mesazh do të shërbejë si politika juaj zyrtare aktuale në lidhje me mbledhjet e tjera të Shoqatës së Ndihmës. Nëse do të keni pyetje në lidhje me çfarëdo gjëje që ju kemi mësuar këtu pasi ta studioni këtë mesazh, ju lutem këshillohuni së bashku në vetë lagjet dhe kunjet tuaja për të zbuluar zgjidhjet që ju duhen.

Mësimi i Vizitave

Shumë nga puna thelbësore e Shoqatës së Ndihmës që bëjmë, nuk ndodh nëpër mbledhje. Le të përqendrohemi tani tek mësimi për mësimin e vizitave. Meqenëse ne ndjekim shembullin dhe mësimet e Jezu Krishtit, ne e vlerësojmë këtë detyrë të shenjtë për të dashur, ditur, shërbyer, kuptuar, dhënë mësim dhe për të bërë shërbesë në emrin e Tij. Kjo është një detyrë që e kemi në Kishë ku jemi të sigurta se do ta kemi ndihmën e Zotit nëse e kërkojmë atë. Kjo është një përgjegjësi që sigurisht do t’i rrisë besimin dhe drejtësinë tonë vetjake dhe do të forcojë vetë shtëpitë e familjet tona, ndërkohë që bëhemi bashkëpunëtore me Zotin. Një motër në këtë Kishë nuk ka ndonjë përgjegjësi tjetër, jashtë familjes së saj, që ka potencial të bëjë aq shumë të mira sa mësimi i vizitave.

Meqenëse ky është programi i Zotit për përkujdes vëzhgues vetjak për bijat e Tij, politikat në lidhje me mësimin e vizitave miratohen nga Presidencia e Parë, siç përvijohet tek Church Handbook of Instructions [Libri Udhëzues i Kishës]. Meqenëse mësimi i vizitave përqendrohet tek motrat e veçanta, udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës nuk i organizojnë gratë në grupe për qëllimin e mësimit të vizitave.

Peshkopi, që është bariu i shuguruar i lagjes, nuk ka mundësi të përkujdeset për gjithë delet e Zotit në të njëjtën kohë. Ai varet nga mësuese të frymëzuara të vizitave që ta ndihmojnë. Ne e dimë se, të gjitha ne, duhet të zgjedhim të jemi shoqe për gjithkënd në lagjen tonë, por peshkopi dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës kanë përgjegjësinë për të marrë zbulesë se cilës duhet t’i caktohet të vëzhgojë dhe forcojë çdo motër të veçantë. Në mënyrë ideale, çdo motër duhet të vëzhgojë e forcojë të paktën një motër tjetër në lagjen e saj. Është bekimi ynë të lutemi për një motër tjetër dhe për të marrë frymëzim se si do të donte Zoti që ne të kujdeseshim për një nga bijat e Tij.

Mësimi i vizitave bëhet puna e Zotit kur përqendrimi ynë është tek njerëzit dhe jo tek përqindjet raportuese. Në të vërtetë, mësimi i vizitave nuk mbaron kurrë. Është më tepër një mënyrë jetese se një detyrë. Shërbimi me besnikëri si një mësuese vizitash është tregues i qenies sonë dishepuj. Ne e paraqesim besimin tonë dhe ndjekim një model të krijuar nga Zoti kur raportojmë për detyrën tonë çdo muaj. Nëse kujdesi ynë vëzhgues do të ishte kryesisht për raportimin që çdo motër në lagje e ka dëgjuar Mesazhin e Mësimit të Vizitave, që shtypet çdo muaj në Ensign dhe Liahona, do të ishte shumë më efikase t’ia lexonim atë gjithkujt me zë të lartë në një mbledhje sakramenti. Raportet tona japin përfitimin më të madh për peshkopin dhe presidenten e Shoqatës së Ndihmës kur i informojmë ata për mirëqenien shpirtërore dhe materiale të motrave dhe se si kemi qenë në gjendje t’u shërbejmë e t’i duam ato.

Sa mirënjohëse jam për të gjitha mësueset e mia të vizitave, që gjatë viteve kanë paraqitur besimin e tyre ndërkohë që më kanë shërbyer, mësuar, forcuar dhe dashur mua në mënyra të frymëzuara.

Mirëqenia dhe Shërbimi i Dhembshur

Shërbimi ynë i dhembshur dhe ndihma për nevojat e mirëqenies të individëve dhe familjeve janë rezultat i mësimit të vizitave. Një presidente e Shoqatës së Ndihmës mëson për nevojat e njerëzve në lagjen e saj përmes mësueseve të vizitave dhe vizitave të veta tek anëtarët e lagjes. Nganjëherë ajo na organizon për të ndihmuar të tjerët dhe herë të tjera ne shërbejmë “sipas natyrës [sonë]”10, duke ndjekur nxitjet e Frymës së Shenjtë. Shumë vite më parë unë mësova nga Motra Kamila Kimball, bashkëshortja e Presidentit Spenser W. Kimball, që të “mos ndrydh kurrë një mendim bujar”. Duke ndjekur këshillën e saj, ne mund të dimë me siguri se Ati ynë në Qiell na njeh personalisht sepse Ai na dërgon neve që të jemi duart dhe zemra e Tij për ata në nevojë. Kur e bëjmë këtë, besimi ynë tek Ai forcohet.

Përfundim

Ne jetojmë në një kohë të lumtur e ngazëlluese rritjeje në historinë e Kishës dhe Shoqata e Ndihmës është pjesë e krijimit të asaj historie. Jozef Smithi tha: “Çdo burrë, grua dhe fëmijë le të kuptojë rëndësinë e punës dhe të veprojë sikur suksesi të varet vetëm nga përpjekja e vet individuale; të gjithë le të ndihen të interesuar për të, dhe pastaj të mbajnë parasysh se jetojnë në një ditë, mendimi për të cilën gjallëroi kraharorin e mbretërve, Profetëve dhe njerëzve të drejtë mijëra vite më parë – shpresa për të cilën frymëzoi notat e tyre më të ëmbla, dhe këngët më madhështore, dhe i bëri të shpërthejnë në fjalime kaq të gëzueshme, siç janë regjistruar tek Shkrimet e Shenjta.”11

Unë gëzoj nga dija se Zoti na do mjaft sa të na udhëheqë në këtë punë me anë të profetëve, shikuesve dhe zbuluesve dhe ne i përkasim një Kishe që funksionon me zbulesë të vazhdueshme. Unë ndiej një siguri që, kur secila motër bën pjesën e vet për të siguruar që të përmbushen qëllimet e Shoqatës së Ndihmës, engjëjt do të jenë shoqëruesit tanë dhe ne do të jemi pjesëmarrës në mrekulli të habitshme. Ne festojmë dhe japim falënderime për punën thelbësore e të shenjtë që na është dhënë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Shih Julie B. Beck, “Fulfilling the Purpose of Relief Society,” Liahona, nëntor 2008, f. 108–111; “What Latter-day Saint Women Do Best: Stand Strong and Immovable”, Liahona, nëntor 2007, f. 109-112.

  2. First Presidency, “To the Presidency, Officers, and Members of the Relief Society”, në A Centenary of Relief Society, 1842–1942 (1942), f. 7.

  3. Joseph Smith, cituar në Sarah M. Kimball, “Auto-biography”, Woman’s Exponent, 1 shtator 1883, f. 51.

  4. Boyd K. Packer, “The Circle of Sisters,” Ensign, nëntor 1980, f. 109–110.

  5. Dieter F. Uchtdorf, “As You Embark upon This New Era”, në Brigham Young University Speeches, 2008–2009 Speeches (2009), f. 2; shih edhe Lin Yutang, The Importance of Living (1937), 162, f. 10.

  6. DeB 50:22.

  7. Këto mbledhje mund të përfshijnë shërbim, mësime në klasë, projekte, konferenca dhe seminare praktike. Një prej tyre mund të mbahet e ndërthurur me mbledhjen e Shoqatës së Ndihmës. Presidencia e Shoqatës së Ndihmës të Kunjit mund të formojë komitete për të ndihmuar sipas nevojës.

  8. Shih reliefsociety.lds.org për udhëzim të mëtejshëm në lidhje me këto tema.

  9. DeB 123:15–16.

  10. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 451.

  11. Teachings: Joseph Smith, f. 144.