2009
Çdo Grua Ka Nevojë për Shoqatën e Ndihmës
Nëntor 2009


Çdo Grua Ka Nevojë për Shoqatën e Ndihmës

Ne dëshirojmë që ju të bekoni jetën e shtëpinë tuaj me ndikimin dhe fuqinë e Shoqatës së Ndihmës.

Silvia H. Allred

Çfarë gëzimi është të mblidhemi së bashku nëpër botë si motra në Sion. Jam mirënjohëse për këtë mundësi që të ndaj me ju dëshminë time për Shpëtimtarin dhe t’ju shpreh dashurinë time për ju.

Do të flas sonte se përse çdo grua ka nevojë për Shoqatën e Ndihmës në jetën e saj.

Pak pasi Profeti Jozef Smith organizoi e krijoi Kishën, ai organizoi gjithashtu Shoqatën e Ndihmës së grave. Ai tha: “Kisha nuk qe kurrë e organizuar përsosmërisht derisa gratë të organizoheshin kështu.”1 Shoqata e Ndihmës është një pjesë thelbësore e Kishës dhe, si presidenci, ne shpresojmë se mund t’ju ndihmojmë ta kuptoni se përse ajo është thelbësore në jetën tuaj.

Dëshira më e thellë e presidencisë sonë është që ta ndihmojë çdo grua në Kishë që të përgatitet për të marrë bekimet e tempullit, për të nderuar besëlidhjet që bën dhe për t’u përfshirë në kauzën e Sionit. Shoqata e Ndihmës i frymëzon dhe u jep mësim grave për t’i ndihmuar që ta rrisin besimin e tyre e drejtësinë vetjake, të forcojnë familjet dhe të kërkojnë e ndihmojnë ata që janë në nevojë.

Duke folur për kohën tonë, Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Shumica e rritjes më të madhe që po i vjen Kishës në kohët e fundit, do të vijë sepse shumë prej grave të mira të botës … do të tërhiqen në Kishë në numër të madh. Kjo do të ndodhë në atë shkallë që gratë e Kishës pasqyrojnë drejtësi dhe qartësi në jetën e tyre dhe në atë shkallë që gratë e Kishës të konsiderohen si të dalluara e të ndryshme – në mënyra të mira – nga gratë e botës.

Mes heroinave të vërteta në botë, që do të vijnë në Kishë, janë gratë që janë më të interesuara për të qenë të drejta sesa për të qenë egoiste. Këto heroina të vërteta kanë përulësi të vërtetë, që i jep vlerë më të madhe ndershmërisë sesa dukjes… .

Kështu do të ndodhë që shembujt femërorë të Kishës do të jenë një forcë domethënëse si në rritjen numerike ashtu dhe në atë shpirtërore të Kishës në ditët e fundit.”2

Unë besoj se këto fjalë profetike po përmbushen. Gratë e mira të botës po e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit në numër të madh nëpër kombe. Ju jeni heroinat e vërteta për të cilat po fliste ai. Ju kemi takuar me mijëra kur udhëtojmë nëpër botë. Kemi parë veprat tuaja të mira, kemi dëgjuar dëshmitë tuaja të çiltra, kemi ndier shpirtin tuaj. Ne kemi parë dritën e ungjillit të pasqyrohet në fytyrat tuaja. Shembulli dhe ndikimi juaj për mirë janë si të jashtëzakonshëm ashtu dhe të mrekullueshëm.

Por ne jemi gjithashtu të vetëdijshme për shumë gra në Kishë që nuk po i gëzojnë plotësisht bekimet e aktivitetit në Kishë dhe në Shoqatën e Ndihmës. Atyre prej jush që marrin pjesë tashmë në Shoqatën e Ndihmës, ne u drejtojmë një thirrje. Ne ju kërkojmë që të shkoni tek gratë, që nuk janë të përfshira në punën e Shoqatës së Ndihmës në lagjet e degët tuaja, për t’u mësuar me dashuri se çfarë do të bëjë për ato Shoqata e Ndihmës. Dëshmojuni atyre se Shoqata e Ndihmës do të pasurojë shtëpitë e tyre dhe jetën vetjake. Ofrojuni miqësinë dhe lidhjen tuaj prej motrash. Vëzhgojini dhe forcojini ato. Na ndihmoni ta kthejmë mbrapsht prirjen e shpërbërjes së familjeve. Ndihmojini motrat tuaja të kthehen tek Zoti dhe plani i Tij i lumturisë për fëmijët e Tij. Ato do të gjejnë udhëheqje, ngushëllim, paqe, mirëkuptim dhe frymëzim. Ato do ta dinë se Ati Qiellor i do dhe kujdeset për to në mënyra përtej mase.

Çfarë bën Shoqata e Ndihmës për gratë që pranojnë dhuratën e aktivitetit në organizatë? Si i bekon Shoqata e Ndihmës familjet dhe shtëpitë?

Nëna ime qe e sapokthyer në besim në Kishë kur e thirrën të bëhej presidente e Shoqatës së Ndihmës në degën tonë të vogël në San Salvador. Ajo i tha presidentit të degës se ishte e papërvojë, e papërgatitur dhe e papërshtatshme. Ajo qe tek të tridhjetat, kishte fare pak arsimim zyrtar dhe të gjithë jetën ia kishte kushtuar kujdesit për bashkëshortin e saj dhe për shtatë fëmijët. Por presidenti i degës e thirri gjithsesi.

E pashë nënën time të ngrihej në lartësinë e thirrjes. Ndërsa shërbente, ajo mësoi aftësi udhëheqëse dhe zhvilloi dhunti të reja si mësimdhënia, fjalimi në publik dhe planifikimi e organizimi i mbledhjeve, aktiviteteve e projekteve të shërbimit. Ajo ndikoi tek gratë në degë. Ajo u shërbeu atyre dhe u mësoi t’i shërbenin njëra-tjetrës. Motrat e donin dhe e respektonin atë. Ajo ndihmoi gra të tjera të zbulonin, përdornin dhe zhvillonin dhurata e talente; ajo i ndihmoi ato të bëheshin ndërtuese të mbretërisë dhe të familjeve të forta e shpirtërore. Ajo u qëndroi besnike besëlidhjeve të tempullit që bëri. Kur ndërroi jetë, ajo qe në paqe me Krijuesin e saj.

Një motër, që shërbeu bashkë me të si këshilltare në Shoqatën e Ndihmës, më shkroi një letër vite më vonë: “Nëna jote qe personi që më mësoi mënyrën për t’u bërë ç’ka jam tani. Prej saj, unë mësova dashuri hyjnore, mirësi, ndershmëri dhe përgjegjësi në thirrjet tona. Ajo qe këshilluesja dhe shembulli im. Tani jam 80 vjeçe, por i kam qëndruar besnike Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij. Kam shërbyer në një mision dhe Zoti më ka bekuar gjerësisht.”3 Kam dëshmuar të njëjtën mrekulli në jetën e shumë grave në pjesë të ndryshme të botës. Ato përqafojnë ungjillin dhe Shoqata e Ndihmës i ndihmon të forcojnë besimin e tyre e të rriten shpirtërisht duke u dhënë atyre mundësi për udhëheqje e mësimdhënie. Në shërbimin e tyre, një përmasë e re i është shtuar jetës së tyre. Ndërsa përparojnë shpirtërisht, rriten ndjesia e tyre e përkatësisë, identiteti dhe vetëvlerësimi. Ato e kuptojnë se i gjithë qëllimi i planit të ungjillit është të na japë një mundësi që të mbërrijmë potencialin tonë më të plotë.

Me punën e motrave të Shoqatës së Ndihmës, ne ndihmojmë për ndërtimin e mbretërisë dhe forcojmë shtëpitë e Sionit. Asnjë organizatë tjetër në Kishë nuk mund të kryej shërbimin që bën Shoqata e Ndihmës. Mijëra familje janë përfituese të shërbimit që sigurohet nga mësuese të dashura të vizitave, të cilat zgjasin një dorë ngushëlluese, një vesh dëgjues, një fjalë nxitëse.

Bija ime Norma thotë sa vijon për mënyrën si ka qenë një bekim në jetën e saj Shoqata e Ndihmës: “Kur Dareni dhe unë qemë të sapomartuar dhe po prisnim foshnjën tonë të parë, po jetonim në një qytezë të vogël universitare. Që të dy qemë studentë kohëplotë me të ardhura fare të pakta. Lagjja jonë më e afërt qe në një qytet rreth 48 kilometra larg dhe mjeti ynë i vetëm i transportit ishte një makinë e vjetër që nuk funksiononte shumicën e kohës. Kur motrat në lagje i zbuluan rrethanat tona, ato menjëherë u bashkuan për t’u organizuar që njëra prej tyre gjithmonë të na transportonte për në kishë e prej saj të dielave dhe për aktivitete të tjera të kishës. Disa prej motrave jetonin në qytete të tjera dhe udhëtonin 32 apo 48 kilometra më shumë se rruga e tyre vetëm për të na marrë neve. Përveç kësaj, shumë prej motrave do të na ftonin në shtëpitë e tyre për dreka të këndshme familjare pas kishës. Asnjëherë, asnjëra nuk na bëri të ndiheshim një barrë për to. Nuk do ta harroj kurrë dashurinë dhe bamirësinë e vërtetë që na dhuruan motrat e Shoqatës së Ndihmës gjatë asaj kohe të shkurtër por sfiduese në jetën tonë.”4

Bashkëshorti im është peshkop dhe ai thotë se nuk do të mund ta kryente kurrë punën e tij pa ndihmën e presidentes së Shoqatës së Ndihmës. Presidentet e Shoqatës së Ndihmës në mbarë botën punojnë krah për krah me peshkopët dhe presidentët e degëve të veta për t’i organizuar motrat në përgjegjësinë e shenjtë për të kërkuar e ndihmuar ata në nevojë. Ato presidente të përkushtuara të Shoqatës së Ndihmës kanë nevojë për mbështetjen dhe dorën tuaj të gjindshme. Prania juaj në mbledhjet e së dielës të Shoqatës së Ndihmës do t’ju bekojë, por pjesëmarrja në punën e Shoqatës së Ndihmës do të bekojë të gjithë Kishën.

Qoftë nëse jeni të reja a të moshuara, beqare a të martuara, të veja apo nëse jetoni në një familje, ne dëshirojmë që ju të bekoni jetën e shtëpinë tuaj me ndikimin dhe fuqinë e Shoqatës së Ndihmës. Ka një nevojë të madhe për të mbledhur e nxitur gratë e Kishës që ta çojnë punën përpara. Ne ju ftojmë të shërbeni me ndikimin tuaj të fuqishëm për mirë në forcimin e familjeve tona, kishës sonë dhe komuniteteve tona. Ju jeni një forcë shumë e nevojshme për dashuri, të vërtetë dhe drejtësi në këtë botë. Ne kemi nevojë që ju të edukoni familje, miq e fqinjë. Pikërisht përmes jush shfaqet dashuria e përkryer e Perëndisë për secilin dhe të gjithë fëmijët e Tij.

Presidencia jonë merr shpesh letra nga motra jeta e të cilave është bekuar përmes Shoqatës së Ndihmës. Shumë prej tyre rendisin se çfarë ka bërë Shoqata e Ndihmës për ato dhe familjet e tyre. Lista mund të tingëllojë disi kështu:

  • Shoqata e Ndihmës më siguron se Ati Qiellor më do mua sepse unë jam bija e Tij.

  • Ajo më kujton se Ati Qiellor më ka bekuar me talente dhe dhurata.

  • Unë mësoj se besëlidhjet e tempullit janë thelbësore për mua dhe familjen time.

  • Unë mësoj të gjej gëzim në të qenurit nënë.

  • Mësimet dhe aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës më ndihmojnë të mësoj aftësitë që të jem një nënë e mirë.

  • Unë e njoh përgjegjësinë time për ta ndikuar për mirë brezin e ri.

  • Shoqata e Ndihmës më ndihmon të jem një bashkëshorte më e mirë, të nderoj e ta respektoj bashkëshortin tim.

  • Unë nxitem të kërkoj mësim dhe rritje vetjake.

  • Unë mësoj dhe praktikoj parimet bazë të mbështetjes tek vetja në mbledhje dhe aktivitete.

  • Unë provoj gëzim në shërbim përmes mësimit të vizitave dhe shërbimit të dhembshur.

  • Unë zbuloj dhurata që nuk e dija se i kisha.

  • Shoqata e Ndihmës më siguron mundësi për të përdorur talentet e mia.

  • Unë mësoj se mund të ngre moralisht dhe të nxis të tjerë.

  • Unë mësoj se të gjithë kemi diçka për të ndarë: dashuri, mirësi, buzëqeshje, simpati e më shumë.

  • Unë krijoj shqetësim të çiltër për të tjerë.

  • Unë mësoj të jem një fqinjë më e mirë dhe t’i trajtoj të tjerët me mirësi.

  • Unë mësoj shkathtësi dhe vendosmëri qëllimi.

  • Unë e di se të gjitha bekimet e Atit tim do të jenë të miat nëse u qëndroj besnike dhe e vërtetë besëlidhjeve të mia.

Lista vazhdon e vazhdon dhe jam e sigurt se shumica prej jush kanë diçka që do të dëshironin t’ia shtonin kësaj liste. Shoqata e Ndihmës është jetësore për mirëqenien e çdo shtëpie e familjeje. Çdo bashkëshort dhe baba duhet të nxisë aktivitetin në Shoqatën e Ndihmës. Çdo grua duhet të vijë e të mësojë mundësitë që ka për të ofruar Shoqata e Ndihmës. Çdo grua e drejtë ka për të luajtur një rol domethënës në planin e Perëndisë dhe ndërtimin e mbretërisë së Tij. Shoqata e Ndihmës ka nevojë për ju dhe ju keni nevojë për Shoqatën e Ndihmës.

Unë ju dëshmoj se Shoqata e Ndihmës u organizua hyjnisht për të ndihmuar priftërinë në punën e shpëtimit. Unë e di se Ati Qiellor jeton. Ai na njeh e na do, juve dhe mua. Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Joseph Smith, cituar në Sarah M. Kimball, “Auto-biography”, Woman’s Exponent, 1 shtator 1883, f. 51.

  2. Spencer W. Kimball, “The Role of Righteous Women,” Ensign, nëntor 1979, f. 103–104.

  3. Letërkëmbim vetjak.

  4. Letërkëmbim vetjak.