Etër dhe Bij: Një Marrëdhënie e Jashtëzakonshme
Etërit dhe bijtë mund të luajnë një rol vendimtar për të ndihmuar njëri-tjetrin që të bëhen më e mira që mund të jenë.
Është një pamje e mrekullueshme të shohësh të gjithë ju etër të ulur krah për krah me bijtë tuaj për të dëgjuar mësimet e Zotit dhe për të marrë këshillë nga Autoritetet e Përgjithshëm të Kishës. Është gjithmonë e gëzueshme të bashkohesh me burra e të rinj të priftërisë, por ka diçka të veçantë kur sheh etërit e bijtë këtu së bashku. Është një kujtues pamor i dy prej elementëve më të fuqishëm të teologjisë sonë: priftëria dhe familja. Priftëria është fuqia hyjnore përmes së cilës familjet vulosen së bashku përgjithmonë. Gjithçka në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, përfshirë ordinancat e tempullit të shenjtë, përqendrohet tek mundësitë e familjeve për t’u bërë pjesë e familjes së përjetshme të Perëndisë.
Sonte dëshiroj t’ju flas juve etër e bij mbi mënyrën se si i flisni ju njëri-tjetrit. Nuk ka asnjë marrëdhënie tjetër krejt si ajo që mund dhe duhet të ekzistojë mes një djali e babit të tij. Ajo mund të jetë një nga marrëdhëniet më edukuese e të gëzueshme në jetë, një që mund të ketë një ndikim të thellë mbi çfarë bëhen djemtë dhe gjithashtu mbi çfarë bëhen etërit. Tani, unë e kuptoj se disa prej juve të rinj nuk keni etër me të cilët të mund të keni këto lloj bisedimesh. Dhe disa prej juve burra nuk keni bij apo i keni humbur bijtë tuaj nga aksidente apo sëmundje. Por shumë prej asaj që do të them sonte do të zbatohet për xhaxhallarë, dhe gjyshër, dhe udhëheqës priftërie, dhe këshillues të tjerë, që nganjëherë plotësojnë boshllëkun për këto marrëdhënie të rëndësishme atë-bir.
E shihni, ne të gjithë jemi në udhëtim. Etërit janë pak më tej në rrugë, por asnjë prej nesh nuk ka arritur ende në vendmbërritjen tonë përfundimtare. Të gjithë jemi në procesin e shndërrimit në atë që do të jemi një ditë. Etërit dhe bijtë mund të luajnë një rol vendimtar për të ndihmuar njëri-tjetrin që të bëhen më e mira që mund të jenë.
E di se marrëdhëniet atë-bir nuk janë kurrë të përsosura, por gjithçka që do t’ju sugjeroj sonte është e mundur nëse ju do të përpiqeni që ajo të ndodhë.
Djem të rinj, ju jeni krenaria dhe gëzimi i atit tuaj. Tek ju ata shohin një të ardhme premtuese dhe shpresën e tyre për një variant më të mirë, të përmirësuar të vetvetes. Arritjet tuaja janë gëzim për ata. Shqetësimet dhe problemet tuaja janë shqetësimet dhe problemet e tyre.
Etër, ju jeni modeli parësor i burrërisë për bijtë tuaj. Ju jeni këshilluesi i tyre më kuptimplotë dhe, e besoni apo jo, ju jeni heroi i tyre në mënyra të panumërta. Fjalët tuaja dhe shembulli juaj janë një ndikim i madh për ta.
Sonte dëshiroj t’ju jap juve të rinj tre sugjerime të thjeshta mbi mënyrën si të shfrytëzoni plotësisht marrëdhënien tuaj me babin tuaj. Dhe pastaj dëshiroj t’ju jap juve etër tre sugjerime mbi mënyrën si të krijoni lidhje e të komunikoni me bijtë tuaj.
Për ju mbajtës të Priftërisë Aarone, unë besoj se duke bërë këto tre gjëra të thjeshta ju mund ta bëni marrëdhënien tuaj me atin tuaj edhe më të mirë nga sa është tani.
Së pari, mirëbesojini babait tuaj. Ai nuk është i përsosur, por ai ju do dhe nuk do të bënte kurrë ndonjë gjë që nuk e mendon se do të ishte në interesin tuaj më të mirë. Prandaj flisni me të. Ndani mendimet dhe ndjenjat tuaja, ëndrrat tuaja dhe druajtjet tuaja. Sa më shumë të dijë ai për jetën tuaj, aq më shumë shanse ka të kuptojë shqetësimet tuaja dhe t’ju japë këshillë të mirë. Kur ju i mirëbesoni babit tuaj, ai do ta ndiejë përgjegjësinë e atij mirëbesimi dhe do të përpiqet më fort se kurrë për të kuptuar e për të ndihmuar. Si ati juaj, ai ka të drejtën e frymëzimit në emrin tuaj. Këshilla e tij për ju do të jetë shprehja e përzemërt e dikujt që ju njeh e ju do. Babi juaj dëshiron më fort se çdo gjë për ju që të jeni të lumtur e të suksesshëm, kështu që pse nuk do të donit t’i mirëbesoni një njeriu të tillë? Djem, mirëbesojini babit tuaj.
Së dyti, interesohuni për jetën e babait tuaj. Pyesni për punën e tij, interesat e tij, objektivat e tij. Si vendosi të bënte punën që bën? Si ishte kur qe në moshën tuaj? Si u takua me nënën tuaj? Dhe ndërkohë që mësoni më shumë për të, mund të gjeni se përvojat e tij ju ndihmojnë të kuptoni më mirë se përse përgjigjet në mënyrën si e bën. Vështrojeni babin tuaj. Vështrojeni si e trajton nënën tuaj. Vështroni si i përmbush thirrjet e tij në Kishë. Vështroni si ndërvepron me njerëz të tjerë. Do të habiteni se çfarë mësoni për të thjesht duke e vështruar e duke e dëgjuar atë. Mendoni për atë që nuk dini për të dhe zbulojeni. Dashuria, admirimi dhe mirëkuptimi juaj do të rriten nga ajo që mësoni. Djem, interesohuni për jetën e babit tuaj.
Dhe së treti, kërkojini këshillë atit tuaj. Le të jemi të ndershëm: Ai ndoshta do t’jua japë këshillën e tij qoftë nëse e kërkoni atë apo jo, por funksionon shumë më mirë kur ju e kërkoni! Kërkoni këshillën e tij për aktivitetin në Kishë, mësimet, miqtë, shkollën, takimet, sportet dhe argëtime të tjera. Kërkojeni këshillën e tij për detyrat tuaja në Kishë, për përgatitjen për misionin tuaj, për vendimet apo zgjedhjet që duhet të bëni. Asgjë nuk tregon më shumë respekt për një person tjetër sesa të kërkoni këshillën e tij, sepse ajo që po thoni vërtet kur kërkoni këshillë është: “Unë e vlerësoj atë që di ti e përvojat që ke pasur dhe unë i vlerësoj idetë e sugjerimet e tua.” Këto janë gjëra të këndshme për një atë që t’i dëgjojë nga biri i tij.
Nga përvoja ime, etërit, të cilëve u është kërkuar këshillë, përpiqen më fort për të dhënë këshillë të mirë, të shëndoshë e të dobishme. Duke i kërkuar babait tuaj këshillë, juve jo vetëm që merrni përfitim prej informacionit të tij, por ju gjithashtu i jepni atij pak motivim shtesë që të përpiqet të jetë një atë më i mirë dhe një burrë më i mirë. Ai do të mendojë më me kujdes për atë që jep këshillë dhe do të punojë më fort që të veprojë në përputhje me fjalët e tij. Djem të rinj, kërkojini këshillë babit tuaj!
Mirë, pra, etër, tani është radha juaj. Le të flasim për disa gjëra që mund të bëni për ta fuqizuar marrëdhënien tuaj me bijtë tuaj. Do të vini re se ka një farë lidhjeje mes tre sugjerimeve që do t’ju jap juve dhe sugjerimeve që sapo u dhashë bijve tuaj. Kjo nuk është e rastësishme.
Së pari, etër, dëgjojini bijtë tuaj – dëgjojini vërtet ata. Bëni llojin e drejtë të pyetjeve dhe dëgjoni atë çfarë kanë për të thënë bijtë tuaj çdo herë që keni pak minuta kohë së bashku. Juve duhet ta dini – jo të merrni me mend por ta dini – se çfarë po ndodh në jetën e birit tuaj. Mos pretendoni se e dini se si ndihet ai, thjesht sepse ju keni qenë i ri dikur. Bijtë tuaj jetojnë në një botë shumë të ndryshme prej asaj ku u rritët ju. Kur ata ndajnë me ju se çfarë po ndodh, juve duhet të dëgjoni me shumë kujdes dhe pa qenë gjykues, që të kuptoni se çfarë po mendojnë e po përjetojnë ata.
Gjeni mënyrën më të mirë për të krijuar lidhje. Disa etërve u pëlqen t’i çojnë bijtë e tyre për peshkim apo në një aktivitet sportiv. Të tjerëve u pëlqen të shkojnë në një ecje të qetë me makinë apo të punojnë krah për krah në oborr. Disa gjejnë se bijve të tyre u pëlqejnë bisedimet mbrëmjeve tamam para se të shkojnë në shtrat. Bëni çfarëdo që funksionon më mirë për ju. Një marrëdhënie tek për tek duhet të jetë një pjesë e zakonshme e kujdestarisë suaj për bijtë tuaj. Çdo ati i duhet të paktën një bisedë e përqendruar e cilësore me bijtë e tij për çdo muaj, gjatë së cilës ata flasin për gjëra të veçanta si shkolla, miqtë, ndjenjat, vidoegejmët, mesazhet me celular, denjësia, besimi dhe dëshmia. Ku apo kur ndodh kjo nuk ka aq rëndësi sa fakti që kjo ndodh.
Dhe oh, sa shumë kanë nevojë të dëgjojnë etërit. Kujtoni, bashkëbisedimi kur ju flisni 90 përqind të kohës nuk është bashkëbisedim. Përdoreni fjalën “ndiej” sa më shpesh që mundeni ta bëni rehatshëm në diskutimet tuaj me bijtë tuaj. Pyesni: “Si ndihesh për ato që po mëson në atë klasë?” “Si ndihesh për ato që tha shoku yt?” “Si ndihesh për priftërinë tënde dhe Kishën?” Mos mendoni se juve duhet të përpiqeni të rregulloni apo të zgjidhni gjithçka gjatë këtyre bisedave. Shumicën e kohës, gjëja më e mirë që mund të bëni është thjesht të dëgjoni. Etërit që dëgjojnë më shumë sesa flasin gjejnë se bijtë e tyre ndajnë më shumë për atë çka po ndodh realisht në jetën e tyre. Etër, dëgjojini bijtë tuaj.
Së dyti, lutuni me bijtë tuaj dhe për ta. Jepuni atyre bekime priftërie. Një bir që është i shqetësuar për një provim të madh apo një ngjarje të veçantë, sigurisht që do të përfitojë nga një bekim priftërie i të atit. Raste të tilla si fillimi i një viti të ri shkollor, një ditëlindje, apo kur ai fillon të dalë në takime mund të jenë çaste të përshtatshme për t’i thirrur Zotit që të bekojë birin tuaj. Lutja dhe ndarja e dëshmive tek për tek mund t’ju afrojë pranë njëri-tjetrit si dhe më pranë Zotit.
Jam i ndërgjegjshëm se shumë prej jush etër vuani pikëllim për bij që kanë gabuar rrugë dhe janë rrëmbyer nga bota, tamam si Alma dhe Mosia u shqetësuan për bijtë e tyre. Vazhdoni të bëni gjithçka mundeni për të mbajtur marrëdhënie të forta familjare. Mos u dorëzoni kurrë edhe kur lutja e zjarrtë në emër të tyre është gjithçka mund të bëni. Ata bij të çmuar janë bijtë tuaj për gjithmonë! Etër, lutuni me bijtë tuaj dhe bekojini ata.
Së treti, guxoni të bëni “biseda të sikletshme” me bijtë tuaj. E dini se çfarë dua të them: flisni për drogat dhe pijet, për rreziqet e mjeteve të sotme të informimit – internetit, teknologjive kibernetike dhe pornografisë – dhe për denjësinë e priftërisë, respektin për vajzat e pastërtinë morale. Ndërkohë që këto nuk duhet të jenë të vetmet tema për të cilat flisni me bijtë tuaj, ju lutem mos i shmangni ato për shkak të ndrojtjes. Bijtë tuaj kanë nevojë për këshillën, udhëheqjen dhe informacionin tuaj për këto tema. Kur të flisni për këto çështje shumë të rëndësishme, do të gjeni se do të lulëzojë mirëbesimi mes jush.
Jam veçanërisht i shqetësuar që të komunikojmë hapur dhe qartë me bijtë tanë për çështjet seksuale. Bijtë tuaj po rriten në një botë që përqafon dhe valëvit hapur marrëdhënie seksuale të hershme, rastësore dhe të shkujdesura. Bijtë tuaj thjesht nuk mund t’i shmangin shëmbëlltyrat, mesazhet dhe joshjet zhurmëmëdha seksuale që janë kudo rreth tyre. Etërit dhe udhëheqësit e Kishës duhet të kenë diskutime të hapura e të shpeshta që japin mësim dhe sqarojnë se si e trajtojnë këtë çështje të rinjtë e priftërisë. Jini pozitivë për atë se sa i mrekullueshëm e i këndshëm mund të jetë intimiteti fizik kur ndodh brenda kufijve që ka vendosur Zoti, përfshirë besëlidhjet e tempullit dhe zotimet e martesës së përjetshme. Studimet tregojnë se frenuesi më i madh për aktivitet rastësor seksual është një qëndrim i dobishëm që i lidh marrëdhënie të tilla vetjake me zotim të sinqertë dhe dashuri të pjekur. Etër, nëse nuk keni bërë këtë “bisedë të sikletshme” me bijtë tuaj, ju lutem bëjeni dhe bëjeni shpejt.
Tani, në mbyllje, dëshiroj t’ju flas të gjithëve ju misionarë të kthyer. Gjithçka që thashë sonte zbatohet edhe për ju. Mirëbesojini babait tuaj. Ju mund të jeni më pranë tij tani se kurrë më parë pavarësisht se si ka qenë marrëdhënia juaj përpara misionit tuaj. Gjatë pak viteve të ardhshme ju do të merrni vendimet më të rëndësishme të jetës suaj. Bashkë me lutjen për Atin tuaj Qiellor, këshilla nga ati juaj tokësor mund t’ju ndihmojë të merrni ato vendime në lidhje me arsimin, zgjedhjen e karrierës dhe martesën tuaj. Vendimi më i rëndësishëm që do të merrni në këtë jetë është vendimi që të martoheni me vajzën e duhur në tempull! Ndërkohë që askush nuk duhet ta nxitojë këtë vendim të rëndësishëm, të gjithë misionarët e kthyer duhet të jenë duke punuar për të. Qëndroni aty ku mund të takoni llojin e duhur të miqve. Dhe shkoni në takime. Aktivitetet në shoqëri nuk është mënyra e duhur, as nuk është mjaftueshëm! Kortet duket se janë një art i humbur. Rizbulojeni atë. Vërtet që funksionon! Pyesni etërit tuaj – ata e dinë! Mos u endni në udhët e botës. Përkundrazi, mbani dinjitetin dhe Shpirtin që gëzuat në misionin tuaj. Kishës do t’i duhet udhëheqja juaj në të ardhmen.
Dhe etër, të tre sugjerimet që ju bëra juve disa çaste më parë absolutisht që zbatohen për marrëdhëniet tuaja me bijtë tuaj misionarë të kthyer. Dëgjojini ata dhe krijoni lidhje me ta në bisedë të rregullt e të përqendruar. Flisni thellësisht me ta për ndjenjat dhe dëshirat e tyre. Lutuni me ta dhe jepuni bekime kur ata përballen me vendimet e rëndësishme në të ardhmen e tyre.
Jam mirënjohës për bijtë e mi dhe dhëndurët e mi, që më kanë mësuar kaq shumë dhe lutem tani që Ati ynë Qiellor të na bekojë të gjithëve si etër dhe bij që ta nderojmë priftërinë tonë dhe që ta duam njëri-tjetrin duke e bërë marrëdhënien me njëri-tjetrin një nga përparësitë e mëdha e të përjetshme të jetës sonë. Kështu lutem unë në emrin e Jezu Krishtit, amen.