2009
Jini Gati
Nëntor 2009


Jini Gati

Përgatitja që ka rëndësi do të bëhet nga të rinjtë, të cilët bëjnë zgjedhje që të lartësohen deri në fatin e tyre të shkëlqyer si shërbëtorë priftërie për Perëndinë.

Pamja
President Henry B. Eyring

Kudo që të jem, qoftë ditë apo natë, aty pranë ka një shishkë të vogël me vaj ulliri. Kjo është ajo që mbaj në sirtarin e mesit të tavolinës ku punoj. Ka një në xhepin tim kur punoj jashtë zyre apo kur udhëtoj. Ka gjithashtu një në bufenë e kuzhinës në shtëpinë time.

Ajo që po mbaj tani ka një datë [të shkruar] mbi të. Është dita kur dikush ushtroi fuqinë e priftërisë për të shenjtëruar vajin e pastër për shërimin e të sëmurit. Të rinjtë e Priftërisë Aarone dhe madje etërit e tyre mund të mendojnë se jam paksa i skajshëm në përgatitjen time.

Por telefonata gjatë ditës apo trokitja në derë natën gjithmonë vjen befasisht. Dikush do të thotë: “Të lutem, a mund të vish shpejt?” Një herë, vite më parë, qe një atë që po telefononte nga një spital. Bijën e tij trevjeçare e kishte hedhur tej 15 metra një makinë e shpejtë kur ajo po kapërcente rrugën për të shkuar tek e ëma. Kur arrita në spital, babai u përgjërua që fuqia e priftërisë t’i shpëtonte jetën. Mjekët dhe infermierët krejt pa dëshirë na lejuan të zgjateshim përmes një pengese plastike për t’i hedhur një pikë vaj në një vend të lirë nga fashat e shumta që i mbështillnin kokën. Një mjek më tha mua, me pezm në zë: “Nxito për çfarëdo që po bën. Ajo po vdes.”

Ai u gabua. Ajo jetoi dhe ndryshe nga sa kishte thënë doktori, ajo jo vetëm jetoi, por edhe mësoi të ecte përsëri.

Kur erdhi telefonata, unë isha gati. Përgatitja ishte shumë më tepër se të kisha pranë vaj të përkushtuar. Ajo duhet të fillojë shumë përpara krizës që kërkon fuqinë e priftërisë. Ata që janë përgatitur do të jenë gati për t’u përgjigjur.

Përgatitja fillon në familje, në kuorumet e Priftërisë Aarone dhe më e shumta, në jetën private të të rinjve. Kuorumet dhe familjet duhet të ndihmojnë, por përgatitja që ka rëndësi do të bëhet nga të rinjtë, të cilët bëjnë zgjedhje që të lartësohen deri në fatin e tyre të shkëlqyer si shërbëtorë priftërie për Perëndinë.

Fati i brezit të ri të mbajtësve të priftërisë është shumë më tepër se të jenë gati për të zbritur fuqinë e Perëndisë për të shëruar të sëmurët. Përgatitja është të jesh gati për të shkuar dhe për të bërë çfarëdo që Zoti do që të bëhet, ndërkohë që bota po përgatitet për ardhjen e Tij. Asnjë prej nesh nuk e di me saktësi se çfarë do të jenë ato porosi. Por ne e dimë se do të duhet [kohë] për të qenë gati, kështu që secili prej nesh mund të përgatitet.

Ajo çka do t’ju duhet në çastin dramatik do të ndërtohet në përmbushjen e vazhdueshme të shërbimit të bindur. Do t’ju tregoj dy nga gjërat që do t’ju duhen dhe përgatitjen e nevojshme që të jeni gati.

E para është të keni besim. Priftëria është autoriteti për të vepruar në emrin e Perëndisë. Është e drejta për të thirrur fuqitë e qiellit. Pra ju duhet të keni besim se Perëndia jeton dhe se ju keni fituar besimin e Tij që t’ju lejojë të përdorni fuqinë e Tij për qëllimet e Tij.

Një shembull nga Libri i Mormonit do t’ju ndihmojë të kuptoni se si një burrë e kreu atë përgatitje. Ishte një mbajtës priftërie që quhej Nefi, i cili mori një detyrë të vështirë nga Zoti. Ai u dërgua nga Perëndia që t’u bënte thirrje njerëzve të ligj për t’u penduar përpara se të ishte tepër vonë për ta. Në ligësinë dhe urrejtjen e tyre, ata po vrisnin njëri-tjetrin. Madje dhe hidhërimi i tyre nuk i përuli mjaftueshëm sa të pendoheshin e t’i bindeshin Perëndisë.

Për shkak të përgatitjes së Nefit, Perëndia e bekoi atë me fuqi për ta përmbushur detyrën e tij. Në fjalët e Tij të dashura e autorizuese drejtuar Nefit, ka një udhërrëfim për ne:

“I bekuar je ti, Nefi, për ato gjëra që ke bërë; pasi të kam parë sesi i ke shpallur këtij populli, pa u lodhur, fjalën që unë të dhashë. Dhe ti nuk pate frikë prej tyre dhe nuk ke kërkuar të shpëtosh jetën tënde, por ke kërkuar vullnetin tim dhe të zbatosh urdhërimet e mia.

Dhe tani, sepse ti e ke bërë këtë gjë me kaq ngulm, vër re, unë do të të bekoj përgjithmonë; dhe unë do të të bëj të fuqishëm në fjalë dhe në vepra, në besim dhe në punë; po, madje që të gjitha gjërat do të bëhen sipas fjalës tënde, pasi ti nuk do të kërkosh atë që është në kundërshtim me vullnetin tim.

Vër re, ti je Nefi dhe unë jam Perëndia. Vër re, unë po të shpall në prani të engjëjve të mi se ti do të kesh fuqi mbi këtë popull dhe do ta godasësh tokën me zi buke dhe me epidemi dhe me shkatërrim, sipas ligësisë së këtij populli.

Vër re, unë të jap fuqi, që çdo gjë që ti do të vulosësh në tokë, do të vuloset edhe në qiell; dhe çdo gjë që ti do të zgjidhësh në tokë, do të zgjidhet në qiell; dhe kështu do të kesh pushtet mes këtij populli.”1

Siç na tregon rrëfimi nga Libri i Mormonit, njerëzit nuk u penduan. Kështu, Nefi i kërkoi Perëndisë të ndryshonte stinët. Ai kërkoi një mrekulli që t’i ndihmonte njerëzit të zgjidhnin të pendoheshin për shkak të zisë së bukës. Zija e bukës erdhi. Njerëzit u penduan dhe pastaj i kërkuan Nefit që Perëndia të dërgonte shi. Ai i kërkoi Perëndisë dhe Perëndia e nderoi besimin e tij të patundur.

Besimi nuk u shfaq në çastin kur Nefit i duhej dhe as mirëbesimi i Perëndisë tek Nefi. Ai e fitoi atë besim të madh dhe mirëbesimin e Perëndisë me punë guximtare dhe të pandërprerë në shërbimin e Zotit. Ju të rinj po e ndërtoni atë besim tani për ditët që do të vijnë, kur ai do t’ju duhet.

Mund të jetë një gjë kaq e vogël si të mbash protokoll të kujdesshëm në kuorumin e dhjakëve apo të mësuesve. Vite më parë qenë disa të rinj që mbajtën shënime të përpikta për çfarë ishte vendosur dhe çfarë ishte bërë nga djem vetëm disa muaj më të mëdhenj se ç’ishin ata. Për ta bërë këtë duhej besim që Perëndia thirri madje djem 12-vjeçarë në shërbim të Tij, që po udhëhiqeshin nga zbulesa. Disa nga ata sekretarë kuorumesh të shumë kohëve më parë, tani qëndrojnë në këshilla kryesuese të Kishës. Ata tani lexojnë protokollet që përgatisin të tjerë. Dhe zbulesë rrjedh tek ata tani ashtu si u rridhte udhëheqësve që u shërbyen ata kur qenë djem si ju. Ata qenë përgatitur të mirëbesonin se Perëndia e zbulon vullnetin e Tij, edhe në çështje në dukje të vogla, në mbretërinë e Tij.

Pra, Zoti tha se Nefit mund t’i mirëbesohej sepse ai nuk do të kërkonte asgjë në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Për ta pasur atë mirëbesim tek Nefi, Zoti duhej të ishte i sigurt se Nefi besoi tek zbulesa, e kërkoi atë dhe e ndoqi atë. Përvoja e gjatë në ndjekje të frymëzimit nga Perëndia ishte një pjesë e përgatitjes së Nefit për priftërinë. Ajo duhet të jetë pjesë e juaja.

E shoh këtë të ndodhë sot. Në muajt e fundit kam dëgjuar dhjakë, mësues dhe priftërinj që japin biseda të cilat qartësisht janë po aq të frymëzuara e të fuqishme sa do të dëgjoni në këtë konferencë të përgjithshme. Kur kam ndier fuqinë që iu jepet mbajtësve të rinj të priftërisë, kam menduar se brezi i ri po ngrihet rreth nesh, si në një mënyrë të pandalshme. Lutja ime është që ata prej nesh në brezat që kanë ardhur përpara do të ngrihen bashkë me ta. Përgatitja e Priftërisë Aarone është një bekim për të gjithë ne si dhe për ata të cilëve ata do t’u shërbejnë në brezin e tyre dhe në brezat që do të vijojnë.

Por në Sion nuk është gjithçka e përsosur. Jo e gjithë rinia zgjedh të përgatitet. Zgjedhja duhet të jetë vetë e tyrja. Ata janë përgjegjës për veten. Kjo është mënyra e Zotit në planin e Tij të dashur. Por shumë të rinj kanë pak ose aspak mbështetje nga ata që mund të ndihmonin kur ata përgatiten. Ata prej nesh, që mund të ndihmojnë, do të mbahen të përgjegjshëm nga Zoti. Një atë që lë pas dore apo pengon zhvillimin e besimit të një biri apo aftësinë e tij për të ndjekur frymëzimin, një ditë do të njohë hidhërim. Kjo do të jetë e vërtetë për cilindo që ndodhet në një pozicion për t’i ndihmuar ata të rinj të zgjedhur mirë dhe me urtësi në ditët e tyre në priftërinë përgatitore.

Tani, gjëja e dytë që do t’u duhet është besimi tek vetja se ata mund të ngrihen në lartësinë e bekimeve dhe mirëbesimit që u ka ofruar atyre Perëndia. Shumica e ndikimeve rreth tyre i tërheqin poshtë për të dyshuar për ekzistencën e Perëndisë, dashurinë e Tij për ta dhe për realitetin e mesazheve të qeta nganjëherë që ata i marrin përmes Frymës së Shenjtë dhe Shpirtit të Krishtit. Shokët e tyre mund t’i shtyjnë që të zgjedhin mëkatin. Nëse të rinjtë zgjedhin mëkatin, ato mesazhe nga Perëndia do të zbehen më shumë.

Ne mund t’i ndihmojmë ata të zgjedhin të përgatiten duke i dashur, duke i paralajmëruar dhe duke u shfaqur atyre besim. Por ne mund t’i ndihmojmë ata edhe më shumë me shembullin tonë të një shërbëtori besnik e të frymëzuar. Në familjet tona, në kuorume, në klasa dhe kur shoqërohemi me ta në çfarëdo mjedisi, ne mund të veprojmë si mbajtës të vërtetë të priftërisë që e përdorin fuqinë e saj ashtu si na ka mësuar Perëndia.

Për mua, ai udhëzim është më i qarti në seksionin e 121-të të Doktrina e Besëlidhjeve. Zoti na paralajmëron në atë seksion që shkaqet tona t’i kemi të pastra: “Asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur.”2 Kur i udhëheqim dhe ndikojmë tek të rinjtë, ne kurrë nuk duhet ta bëjmë për të kënaqur krenarinë apo ambicien tonë. Ne kurrë nuk duhet të përdorim detyrim në asnjë shkallë padrejtësie. Ai është një standard i lartë shembulli që duhet ta japim për rininë tonë.

E kam parë të bëhet këtë kur qeshë mësues dhe prift. Peshkopi im dhe ata që shërbenin nën të qenë të vendosur që të mos humbnin as edhe një prej nesh. Për aq sa mund të shihja, vendosmëria e tyre nxitej nga dashuria për Zotin dhe për ne, jo për ndonjë qëllim egoist.

Peshkopi kishte një sistem. Çdo këshilltar i secilit kuorum duhej të kontaktonte çdo të ri të cilit nuk i kishte folur atë të diel. Ata nuk duhej të shkonin në shtrat derisa të mos kishin folur me djalin që kishte munguar, ose me prindërit e tij, ose me një shok të ngushtë. Peshkopi u premtoi atyre se nuk do ta fikte dritën e tij derisa të mos kishte dëgjuar një raport për secilin djalë. Nuk mendoj se ai u dha atyre një urdhër. Ai thjesht ua bëri të qartë se ai nuk priste që ata ta fiknin dritën derisa ta kishin dhënë atë raport.

Peshkopi im dhe ata që shërbenin nën të qenë të vendosur që të mos humbnin as edhe një prej nesh. Ata po na e tregonin me anë të shembullit se çfarë do të thotë të kujdesesh për delet e Zotit. Asnjë përpjekje nuk qe e tepërt për atë apo për ata që na shërbyen në kuorumet tona. Me shembullin e tyre, ata na mësuan se çfarë do të thotë të jesh i palodhur në shërbimin e Zotit. Zoti po na përgatiste me anë të shembullit.

Nuk e kisha idenë nëse ata mendonin se ndonjë prej nesh do të ishte diçka e veçantë. Por na trajtuan sikur ta mendonin atë, duke qenë të gatshëm të paguanin çfarëdo çmimi vetjak që të mos na linin ta humbnim besimin.

Nuk e di si e arriti peshkopi që kaq shumë njerëz të kishin pritshmëri kaq të larta. Me aq sa mund ta kuptoja, kjo u bë “nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur”. Mënyra “e dritave të pafikura” që përdori peshkopi, nuk do të funksiononte në disa vende. Por shembulli i kujdesit të palodhur për çdo të ri dhe ndihma e shpejtë sollën fuqinë e qiellit në jetën tonë. Gjithmonë do ta sjellin. Ajo ndihmoi të rinj që të përgatiteshin për ditët kur Perëndisë t’i duheshin ata në familje dhe në mbretërinë e Tij.

Babai im qe një shembull për mua për atë çfarë na mëson Zoti në seksionin e 121-të për marrjen e ndihmës së qiellit në përgatitjen e të rinjve. Në vitet e mia të hershme, nganjëherë ai qe i zhgënjyer nga sjellja ime. Ai ma bëri të ditur këtë. Kur dëgjoja zërin e tij mund ta ndieja se ai mendonte që unë isha më i mirë se aq. Por ai e bëri atë në mënyrën e Zotit: “Duke qortuar në kohën e duhur me mprehtësi, kur u nxite nga Fryma e Shenjtë; dhe atëherë duke treguar më pas rritje të dashurisë ndaj atij që e ke qortuar, që ai të mos të të vlerësojë si armikun e tij.”3

E dija, edhe pas korrigjimit më të hapur, se qortimi i Babit jepej me dashuri. Në fakt, dashuria e tij dukej sikur shtohej kur përdori edhe korrigjimin e tij më të fuqishëm, që ishte një vështrim jomiratues dhe i zhgënjyer. Ai qe udhëheqësi dhe trajneri im, pa përdorur kurrë mjete shtrënguese dhe jam i sigurt se premtimi i dhënë në Doktrina e Besëlidhje do të përmbushej për atë. Ndikimi i tij mbi mua do të rrjedhë ndaj tij “përherë e përgjithmonë”4.

Shumë etër dhe udhëheqës, kur dëgjojnë fjalët e seksionit 121 të Doktrina e Besëlidhjeve, do të ndiejnë se duhet të ngrihen më lart për të arritur tek ai standard. Unë po. A mund t’ju kujtohet një çast kur qortuat një fëmijë apo të ri me ashpërsi dhe kur u nxitët nga diçka tjetër përveç frymëzimit? A mund të kujtoni një kohë kur i thatë një biri të bënte diçka apo një sakrificë që nuk ishit i gatshëm ta bënit vetë? Ato ndjenja keqardhjeje mund të na shtyjnë tek pendimi për t’iu afruar më shumë shembujve ashtu si kemi bërë besëlidhje të jemi.

Kur i plotësojmë detyrat tona si etër dhe udhëheqës do ta ndihmojmë brezin e ardhshëm të ngrihet në lartësinë e të ardhmes së tij të ndritshme. Ata do të jenë më të mirë se ne, tamam ashtu si ju jeni përpjekur të jeni prindër më të mirë se prindërit tuaj dhe udhëheqës më të mirë se ata [njerëz] të shkëlqyer që ju ndihmuan juve.

Është lutja ime që ne të jemi të vendosur të veprojmë më mirë çdo ditë për të përgatitur brezin e ri. Çdo herë që do shoh një shishe me vaj të përkushtuar, do ta kujtoj këtë natë dhe ndjenjën që kam tani të dëshirës për të bërë më tepër për të ndihmuar të rinjtë të përgatiten për ditët e tyre të shërbimit dhe mundësisë. Unë lutem për një bekim që ata të përgatiten. Unë kam besim se, me ndihmën e Zotit dhe tonën, ata do të jenë gati.

Unë ju jap dëshminë time se Perëndia, Ati jeton dhe se Jezu Krishti jeton dhe udhëheq këtë Kishë. Ai është shembulli i përsosur i priftërisë. Presidenti Tomas S. Monson mban dhe ushtron të gjithë çelësat e priftërisë në tokë. Kjo është e vërtetë. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Helamani 10:4–7.

  2. DeB 121:41.

  3. DeB 121:43.

  4. DeB 121:46.