2009
Një Lehtësi dhe Vullnet për të Besuar
Nëntor 2009


Një Lehtësi dhe Vullnet për të Besuar

Të jetuarit e përditshëm të ungjillit sjell një butësi zemre që nevojitet për të pasur lehtësi dhe vullnet për të besuar në fjalën e Perëndisë.

Elder Michael T. Ringwood

Gjatë muajve të fundit jam tërhequr herë pas here nga një fragment shkrimi të shenjtë që ndodhet te Helamani, kapitulli 6: “Dhe kështu, ne shohim se Zoti filloi të derdhte mbi Lamanitët Shpirtin e tij, për shkak të lehtësisë dhe të vullnetit të tyre për të besuar në fjalët e tij” (vargu 36).

Ndërsa e lexoja këtë shkrim të shenjtë gjatë studimit vetjak, më preku thellë në zemër dhe më bëri të mendoj mbi të për disa javë. Fillova të pyes nëse unë e gjej të lehtë të besoj në fjalën e Perëndisë. Dhe përse qe e lehtë për këta të kthyer lamanitë të besonin? Çfarë ndodhi që e bëri një popull të mbushur me urrejtje dhe mosbesim të ketë një lehtësi dhe vullnet për të besuar në fjalën e Perëndisë (shih 4 Nefi 1:39)?

Ne mësojmë mbi shkakun e këtij ndryshimi gjatë një viti shumë të jashëzakonshëm. Gjatë vitit të 62-të të sundimit të gjykatësve, 8.000 lamanitë në Zarahemla ishin kthyer pasi Nefi dhe Lehi u mësuan mbi fuqinë dhe autoritetin dhe gjithçka që duhet t’ua mësonin ua kishin dhënë (shih Helamani 5:18–19). Treqind të tjerë ishin kthyer nëpërmjet një përvoje të mrekullueshme ku ata dëgjuan një zë që i depërtoi deri në shpirt (shih Helamani 5:30). Këta të 300 kishin dalë për të vrarë Nefin dhe Lehin, kur ata ishin në burg, por të 300-ët e gjetën veten duke iu drejtuar Perëndisë kur Amindabi, që kishte qenë nefit dhe qe shkëputur nga Kisha, u kujtua dhe e dinte se ata duhej të luteshin deri sa të arrinin besimin në Krisht (shih Helamani 5:35–41). Shumë lamanitë të tjerë ishin kthyer nëpërmjet dëshmisë së të 300-ve kur ata shërbenin në popull, duke deklaruar për çka kishin parë dhe dëgjuar (shih Halemani 5:49–50).

Rrëfimi për vitin e 62-të mbaron me këtë deklaratë: “Ndodhën të gjitha këto gjëra dhe Lamanitët, pjesa më e madhe e tyre, u bënë një popull i drejtë” (Helamani 6:1).

Cilësia e kthimit të tyre i çoi këta lamanitë të hiqnin dorë nga urrejtja e tyre për nefitët dhe nga armët e tyre të luftës (shih Helamani 5:51); ata ishin të vendosur dhe të qëndrueshëm në besimin e tyre (shih Helamani 6:1); ata mbajtën urdhërimet dhe ecën në vërtetësi dhe drejtësi (shih Helamani 6:34); dhe ata u rritën në njohurinë e tyre për Perëndinë (shih Helamani 6:34).

Dhe përsëri më mbreslënësja për mua ishte lehtësia dhe vullneti i tyre për të besuar në fjalën e Perëndisë. Kjo lehtësi dhe gatishmëri për të besuar u solli atyre shpirtin me bollëk dhe i ndihmoi të durojnë në besim deri në fund (shih Helamani 15:5–9).

Mjerisht, gjatë së njëjtës peridhë kohe, pjesa më e madhe e nefitëve u bënë “të ashpër dhe të pa penduar, dhe shumë të ligj” (Helamani 6:2; shih edhe vargjet 31–34). E kundërta e asaj që po përjetonin lamanitët po ndodhte me nefitët. Ngurtësimi i zemrave të tyre çoi në largim të Shpirtit (shih Helamani 6:35), ndërsa butësia e zemrave të lamanitëve çoi në derdhjen e Shpirtit.

Duke menduar fort për atë që shkaktoi këtë ndryshim të fuqishëm në zemrat e këtyre lamanitëve, arrita të kuptoj se kjo lehtësi dhe gatishmeri për të besuar në fjalën e Perëndisë vjen nga butësia e zemrës. Ajo vjen nga pasja e një zemre që është e ndijshme ndaj Frymës së Shenjtë. Ajo vjen nga pasja e një zemre që mund të dashurojë. Ajo vjen nga pasja e një zemre që do të bëjë dhe mbajë besëlidhje të shenjta. Ajo vjen nga një zemër e butë që mund të ndiejë fuqinë e Shlyerjes së Krishtit.

Kjo lehtësi për të besuar vjen nga shembulli i të tjerëve që kanë zemra të buta dhe që e arrijnë këtë lehtësi për të besuar, të tillë si Nefi dhe Lehi. Ati i tyre, Helamani, i quajti ata Nefi dhe Lehi për t’u kujtuar atyre besimin e baballarëve të tyre (shih Helamani 5:6). Po kështu, shumë nga ne kanë futur në emrat e veta një trashëgim besimi nga të parët që patën zemra të buta dhe e e gjetën të lehtë të besonin në fjalën e Perëndisë. Disa nga këta ishin si stër-stër-gjyshi im Efraim K. Henks që, kur pa se vëllai i tij më i madh ishte “bashkuar me mormonët”, ishte i vendosur ta kthente përsëri në shtëpi. Nuk ishte befasi, që Efraimi shkoi për në Navu dhe u pagëzua shpejt pasi dëgjoi vëllanë e tij të jepte dëshmi për Jozef Smithin dhe ungjillin e rivendosur (shih Richard K. Hanks, “Eph Hanks, Pioneer Scout” [temë për master, Brigham Young University, 1973], f. 18–21).

Ne jemi të bekuar me të tjerët në shkrimet e shenjta që na mësojnë se si mund të fitojmë lehtësinë dhe vullnetin për të besuar. Nefi, bir i Lehit, është një shembull. Akti i parë i tij kur dëgjoi babanë e tij ta mësonte mbi shkatërrimin e Jeruzalemit ishte të qante në Zot gjersa zemra e tij u zbut dhe ai besoi të gjitha fjalët që kishte thënë babai i tij (shih 1 Nefi 2:16). Zoti i foli drejtpërdrejt Nefit, duke thënë: “I bekuar je ti, Nefi, për shkak të besimit tënd, sepse më ke kërkuar me zell dhe me përulësinë e zemrës” (1 Nefi 2:19). Nefi na mëson rëndësinë e dëshirës dhe të zellit në mbajtjen e urdhërimeve dhe drejtimin te Perëndia në mënyrë që të kemi aftësi për të thënë me lehtësi: “Unë do të shkoj dhe do të bëj” (1 Nefi 3:7).

Nga Enosi mësojmë rëndësinë e lejimit të fjalëve të Perëndisë që të hyjnë thellë në zemrat tona deri atje sa ne të kemi uri për të vërtetën (shih Enosi 1:3–4). Një lehtësi për të besuar do ta arrijmë kur fjala e Perëndisë të gdhëndet në zemrën tonë (shih Jeremia 31:33; 2 Korintasve 3:3).

Nga shembulli i babait të Lamonit ne mësojmë për rëndësinë e zemrës së butë që dëshiron të ndryshojë. Babai i Lamonit donte t’i jepte gjysmën e mbretërisë së tij Amonit në këmbim të jetës së tij (shih Alma 20:21–23). Pasi Amoni kërkoi thjesht që mbreti ta lejonte Lamonin të adhuronte siç dëshironte në mbretërinë e tij, zemërgjerësia dhe madhështia e fjalëve të Amonit bëri që mbreti të shqetësohej në mendje dhe në zemër (shih Alma 20:24; 22:3). Kur Aaroni arriti që t’i mësonte mbretit, zemra e tij kishte ndryshuar dhe ai pati një lehtësi për të besuar, saqë i tha Aaronit: “Unë do të besoj” (Alma 22:7). Ai pastaj shprehu vullnet për të hequr dorë nga gjithçka zotëronte, madje edhe nga mbretëria e tij, për të patur gëzimin e Zotit (shih Alma 22:15). Kur u lut për herë të parë, ai ofroi atë çka Ati Qiellor donte kur tha: “Unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur” (Alma 22:18). Një lehtësi dhe vullnet për të besuar fjalën e Perëndisë do të vijë nga pendimi dhe bindja.

Një shqyrtim i jetës sonë do të zbulojë periudha kur ne e kemi gjetur më të lehtë të besojmë fjalën e Perëndisë. Periudha ndryshimi të rëndësishëm, të tilla si martesa apo lindja e një fëmije; periudha shërbimi të ngjeshur nga një thirrje e re apo nga një mision; periudha në rininë tonë me një peshkop, udhëheqës të rinjsh dhe mësues seminari të mrekullueshëm; periudha provash; dhe periudha rritjeje nga mësimi për herë të parë i ungjillit, janë të gjitha periudha të një lehtësie për të besuar. Ndoshta periudha më e rëndësishme është fëmijëria. Si fëmijë unë e gjeja të lehtë të besoja në fjalën e Perëndisë që më mësohej nga prindër dhe gjyshër trima. Asnjë çudi që ne jemi paralajmëruar të bëhemi si fëmijë të vegjël për të trashëguar jetë të përjetshme (shih 3 Nefi 11:38). Asnjë çudi që ne na është mësuar t’i “[rrisim] fëmijët tanë në dritë e të vërtetë” (DeB 93:40).

Nëse ju jeni si unë, ju do ta gjeni se ajo çka me të vërtetë pruri një lehtësi dhe vullnet për të besuar nuk ishin rrethanat por premtimi për të jetuar ungjillin gjatë këtyre periudhave të jetës. Ju jeni gjendur më shpesh të gjunjëzuar dhe të zhytur në shkrimet e shenjta gjatë këtyre periudhave. Ju e gjetët të lehtë të mblidheni për mbrëmjen familjare në shtëpi dhe lutjen familjare. Ju e gjetët më të lehtë të jeni në kishë dhe të adhuroni në tempull. Ju e gjenit të lehtë të paguanit të dhjetat dhe ofertat e agjërimit. Vërtet, të jetuarit e përditshëm të ungjillit sjell një butësi zemre që nevojitet për të patur lehtësi dhe vullnet për të besuar në fjalën e Perëndisë.

Dëshmia ime është që mësimet nga profeti dhe apostujt tanë në këtë konferencë, nëse ndiqen, do të na çojnë në një lehtësi dhe vullnet për të besuar në fjalën e Perëndisë. Ne kemi qenë këshilluar të adhurojmë në tempull; të forcojmë familjet nëpërmjet lutjeve familjare konsekuente, studimit të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmjeve familjare në shtëpi; të shërbejmë me zell në priftëri dhe në thirrjet e Kishës; të paguajmë të dhjetat dhe ofertat e agjërimit; të kemi besim e të lutemi për drejtim dhe të jetojmë të denjë për shoqërimin e Frymës së Shenjtë.

Shpesh ne jemi si Naamani, lebrozi sirian që u dërgua te profeti në Izrael për t’u pastruar. Kur Eliseu thjesht dërgoi një lajmëtar me udhëzime që të zhytej shtatë herë në lumin Jordan, Naamani u largua i inatosur. Fatmirësisht ai pati një shërbëtor që tha: “Ati ynë, në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: ‘Lahu dhe do të pastrohesh?’” (2 Mbretërve 5:13).

Unë dëshmoj se kjo lehtësi dhe ky vullnet për të besuar do të vijë nga bërja e atyre gjërave dukshëm të rëndësishme që na janë mësuar vazhdimisht qysh nga koha jonë e rinisë. Bindja do të sjellë zemra të buta dhe një lehtësi për të besuar në fjalën e Perëndisë. Unë sjell dëshmi se një lehtësi për të besuar do të sjellë derdhje të Shpirtit.

Një test për të matur lehtësinë dhe vullnetin tonë për të besuar mund të ndodhë në çdo javë kur marrim pjesë në mbledhjen e sakramentit. Në këtë mbledhje ne rinovojmë besëlidhjet duke shprehur vullnetin tonë për të marrë përsipër emrin e Krishtit, që gjithmonë ta kujtojmë atë e të zbatojmë urdhërimet (shih DeB 20:77). Ndërsa qëndrojmë ulur në mbledhjen e sakramentit, duhet ta gjejmë të lehtë të bëjmë këto besëlidhje dhe lehtësisht të dëgjojmë dhe mësojmë nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Unë kam dëshirë të madhe të kem Shpirtin e Zotit derdhur mbi mua falë “lehtësisë dhe vullnetit tim për të besuar në fjalët e tij”. Unë kam ndier se ky shkrim i shenjtë më ka zgjuar ndaj një ndjesie për “[detyrën time] ndaj Perëndisë” – që duhet të jem “[i] nënshtruar dhe [i] butë; [i] lehtë për t’u mësuar plot durim … [i] zellshëm në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë në të gjitha kohët; … duke i dhënë falënderime gjithmonë Perëndisë për çdo gjë që [unë marr]” (Alma 7:22–23).

E paçim gjithnjë të lehtë të besojmë në fjalën e Tij. Deklarofshi me lehtësi, siç bëj unë, që Jezusi është Biri i Perëndisë. Ai është Bariu ynë dhe ata me një lehtësi dhe vullnet për të besuar do të njohin zërin e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.