28
Ejani te Krishti
Hyrje
Një nga qëllimet thelbësore të Librit të Mormonit është që t’i ftojë të gjithë njerëzit të vijnë “te Krishti dhe [të] përsos[en] në të” (Moroni 10:32). Teksa ushtrojmë besim dhe “mbështet[emi] në çdo gjë të mirë”, ne mund të bëhemi fëmijët e Krishtit (shih Moroni 7:19). Në fund të këtij mësimi, studentët do të kenë mundësi për të dhënë dëshmi se si Libri i Mormonit i ka ndihmuar të vijnë te Krishti.
Lexim Konteksti
Xhefri R. Holland, “Siguri për Shpirtin Njerëzor”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 88–90.
“Një Jetë e Përqendruar te Krishti”, kapitulli 24 te Mësimet e Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 313-324.
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Nefi 6:4; Jakobi [LiM] 1:7; Omni 1:26; 3 Nefi 9:13–14; Moroni 10:30, 32–33
Libri i Mormonit na fton të vijmë te Jezu Krishti
Ftojini studentët të mendojnë rreth një rasti kur e ftuan dikë të lexonte Librin e Mormonit.
Përse e ftuat këtë njeri që ta lexonte Librin e Mormonit?
Ftojini studentët të mendojnë përse e studiojnë Librin e Mormonit. Shpjegoni se teksa ka shumë arsye të mira për ta lexuar e studiuar Librin e Mormonit, libri vetë përmban një mesazh të përsëritur rreth njërit prej qëllimeve të tij më të rëndësishme.
Shkruani në tabelë referencat vijuese nga shkrimet e shenjta:
Ftojini studentët t’i lexojnë fragmentet në heshtje, duke kërkuar një temë të përsëritur në Librin e Mormonit. (Ju mund t’i nxitni studentët që t’i kryqëzojnë si referenca këto fragmente në shkrimet e tyre të shenjta.)
Cila është një temë e përsëritur e Librit të Mormonit që gjendet në këto vargje?
Çfarë do të thotë për ju të “[vini] te Krishti”?
Çfarë na mësojnë të bëjmë këto vargje që të vijmë te Krishti? (Përgjigjet duhet të përfshijnë sa vijojnë: “dhuroni tërë shpirtrat tuaj si një dhuratë ndaj tij”, agjëroni, lutuni, duroni deri në fund, pendohuni, kthehuni në besim dhe “merrni çdo dhuratë të mirë”.)
Çfarë do të thotë për ju fraza “dhuroni tërë shpirtrat tuaj si një dhuratë ndaj Tij”?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej se çfarë do të thotë të vini te Krishti, paraqitni dhe diskutoni thëniet vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Plaku Denis B. Nojenshvander, i Të Shtatëdhjetëve:
“Kur ne lutemi vazhdimisht në mëngjes dhe natën, kur i studiojmë shkrimet tona të shenjta çdo ditë, kemi mbrëmje familjare të përjavshme dhe e frekuentojmë tempullin rregullisht, ne po i përgjigjemi në mënyrë aktive ftesës së Tij për të ‘ardhur tek Ai’” (Riçard G. Skot, “Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 94).
“Jap dëshminë time se ne mund të vijmë te Krishti dhe të përsosemi në Të me anë të pjesëmarrjes sonë të denjë në ordinancat e shenjta, të caktuara nga Perëndia dhe të themeluara që përpara krijimit të botës” (Dennis B. Neuenschwander, “Ordinances and Covenants”, Ensign, gusht 2001, f. 26).
Shpjegoni se kapitulli përfundimtar i Librit të Mormonit shënon këshillën nga profeti Moroni rreth mënyrës se si të vijmë te Krishti. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 10:32–33 teksa klasa kërkon mënyrën se si përdoren fjalët “në qoftë se” dhe “atëherë”. Kërkojuni anëtarëve të klasës të përsiatin se çfarë na mësojnë këto thënie të llojit “në qoftë se–atëherë” rreth mënyrës se si bekohemi nëpërmjet hirit të Krishtit. (Shënim: Të kërkuarit për thëniet “në qoftë se–atëherë” do t’i ndihmojë studentët të përcaktojnë parime të dhëna mësim në shkrimet e shenjta.)
Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si bekohemi nëpërmjet hirit të Krishtit kur vijmë tek Ai? (Studentët mund të përdorin fjalë të tjera, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Në qoftë se vijmë te Jezu Krishti dhe ia mohojmë vetes sonë çdo ligësi, atëherë ne mund të përsosemi, shenjtërohemi dhe bëhemi të shenjtë nëpërmjet hirit të Tij. Shih edhe Alma 5:33–35.)
Për ta thelluar kuptueshmërinë e studentëve për këtë parim, lexoni thënien vijuese nga Plaku Brus C. Heifën, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mënyrën se si hiri i Zotit mund të na bekojë ne.
“Hiri i Zotit, i çelur nga Shlyerja, mund t’i përsosë papërsosmëritë tona. ‘Me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht[in].’ (Moroni 10:32.) Ndërkohë që shumica e procesit të përsosjes përfshin një pastrim nga ndotja prej mëkatit dhe hidhësisë, gjendet një përmasë shtesë, pohuese nëpërmjet së cilës ne fitojmë një natyrë të ngjashme me të Krishtit, duke u bërë të përsosur sikurse janë të përsosur Ati dhe Biri. …
Fitorja e Shpëtimtarit mund të shpërblejë jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për papërshtatshmëritë tona; jo vetëm për gabimet tona të qëllimshme, por edhe për mëkatet tona të kryera në padituri, gabimet tona të gjykimit dhe papërsosmëritë tona të pashmangshme. Aspirata jonë përfundimtare është më shumë sesa të falemi për mëkatin – ne kërkojmë të bëhemi të shenjtë, të dhuruar në mënyrë pohuese me tipare të ngjashme me Krishtin, të bërë një me Të, si Ai. Hiri hyjnor është burimi i vetëm që mund ta përmbushë më së fundi atë aspiratë, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (The Broken Heart [1989], f. 16, 20).
Sipas Plakut Heifën, në çfarë mënyrash mund të na bekojë hiri i Zotit?
Ftojini studentët të mendojnë për një kohë kur ata ndien se po bënin përpjekje për të ardhur te Jezu Krishti. Kërkojuni atyre t’u përgjigjen pyetjeve vijuese nëse përvojat e tyre nuk janë shumë vetjake:
Në atë kohë, çfarë po bënit për të ardhur te Krishti?
Çfarë bekimesh erdhën në jetën tuaj kur kërkuat të vinit te Jezu Krishti?
Ftojini studentët të përsiatin atë që mund të bëjnë për të ardhur më plotësisht te Krishti, që ata të mund të bëhen të përsosur dhe të shenjtëruar nëpërmjet hirit të Tij. Jepuni atyre kurajë të ndjekin cilatdo nxitje shpirtërore që mund t’i marrin.
Moroni 7:18–26
Mbështetuni në çdo gjë të mirë me qëllim që të bëheni fëmijë të Krishtit
Kujtojini studentët se te Moroni 7 profeti Moroni shënoi një predikim që ati i tij, Mormoni, e kishte dhënë disa vite më parë. Në këtë predikim, Mormoni na mësoi se ne mund ta dimë që diçka frymëzohet nga Perëndia, në qoftë se ajo i fton njerëzit të bëjnë mirë, të besojnë në Jezu Krishtin dhe ta duan Perëndinë e t’i shërbejnë Atij.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 7:18–19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke parë për atë që Mormoni na kërkon të bëjmë.
Sipas vargut 19, çfarë do të na ndodhë nëse e përdorim Dritën e Krishtit që të dallojmë të mirën nga e liga dhe më pas të “mbështet[emi] në çdo gjë të mirë”? (Ne do të jemi fëmijët e Krishtit.)
Çfarë do të thotë të jemi fëmijët e Krishtit? (Vini në dukje që ne jemi fëmijë shpirtërorë të Atit Qiellor dhe gjithashtu fëmijë të prindërve tanë tokësorë. Por, sikurse dha mësim Presidenti Jozef Filding Smith [1876–1972], Jezu Krishti gjithashtu “bëhet Ati ynë, në kuptimin në të cilin ky term përdoret në shkrimet e shenjta, sepse ai na ofron jetë, jetë të përjetshme, nëpërmjet shlyerjes që bëri për ne. [Shih Mosia 5:7.] … Ne bëhemi fëmijët, bijtë dhe bijat e Jezu Krishtit, nëpërmjet besëlidhjeve tona për t’iu bindur Atij” [Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 1:29].)
Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Moronin 7:20 dhe të përcaktojnë pyetjen e bërë nga Mormoni. Më pas ndajini studentët në dyshe dhe ftojini të studiojnë Moronin 7:21–26, duke kërkuar atë që Zoti na ka dhënë për të na ndihmuar që të “mbështet[emi] në çdo gjë të mirë”. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve që të japin mendimet e tyre dhe t’i shkruajnë mendimet e tyre në tabelë. Përgjigjet mund të përfshijnë shërbesën e engjëjve (vargu 22), profetët (vargu 23), shkrimet e shenjta (vargu 25), ushtrimin e besimit (vargu 25) dhe lutjen (vargu 26).
Çfarë na mësojnë këto vargje rreth kuptimit të frazës të “mbështet[emi] në çdo gjë të mirë”? (Ne duhet të kërkojmë gjithçka që është e mirë, veçanërisht ato gjëra që çojnë drejt besimit në Krishtin dhe shpëtimit nëpërmjet emrit të Tij.)
Çfarë gjërash të mira kanë ardhur në jetën tuaj për shkak të njërës prej gjërave të renditura në tabelë?
Ftojini studentët të zgjedhin një gjë të mirë që mund të fillonin ta bënin, ose që mund të bëheshin më të mirë për ta bërë, me qëllim që të vijnë te Krishti. Nxitini të caktojnë një synim për të vepruar drejt mbështetjes së asaj gjëje të mirë në jetën e tyre.
Moroni 10:3–5
Premtimi i Moronit
Ngrini një kopje të Librit të Mormonit dhe kërkojuni studentëve të përsiatin se si Libri i Mormonit i ka ndihmuar të vijnë te Krishti. Shpjegoni se Moroni u drejtoi një ftesë dhe një premtim të gjithë atyre që e lexojnë dhe e studiojnë Librin e Mormonit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 10:3–5.
Siç shënohet në vargun 3, çfarë na këshilloi Moroni të bënim?
Ftojini studentët të përsiatin shembuj nga Libri i Mormonit dhe nga vetë jeta e tyre që të ilustrojnë “sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve”. Kërkojuni disa studentëve t’i ndajnë mendimet e tyre me klasën.
Cilin parim mund të mësojmë nga ftesa dhe premtimi i Moronit në këto vargje? (Kur i kërkojmë Perëndisë me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në Krishtin, nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, ne vërtet do të marrim dëshmi për vërtetësinë e tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)
Çfarë do të thotë t’i kërkojmë Perëndisë “me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në Krisht[in]”? (Do të thotë që ne kemi besim se Perëndia do t’iu përgjigjet lutjeve tona dhe që kemi për qëllim të veprojmë sipas përgjigjeve që Ai na jep.)
Si na ndihmon të vijmë te Krishti studimi dhe lutja rreth Librit të Mormonit në këtë mënyrë?
Kërkojuni studentëve të përsiatin përvoja që i kanë pasur me leximin e Librit të Mormonit dhe lutjen për ta ditur vërtetësinë e tij. Pyetini studentët nëse ndonjëri prej tyre do të donte t’i jepte klasës dëshminë e vet për Librin e Mormonit, veçanërisht mënyrën se si Libri i Mormonit i ka ndihmuar të vijnë te Krishti. Nxitini studentët të vazhdojnë t’i vënë në jetë fjalët e Moronit për të fituar dëshmi për Librin e Mormonit ose për ta forcuar dëshminë që e kanë tashmë.
Materiale Leximi për Studentin
1 Nefi 6:4; Jakobi [LiM] 1:7; Omni 1:26; 3 Nefi 9:13–14; Moroni 7:18–26; 10:3–5, 30, 32–33.
“Një Jetë e Përqendruar te Krishti”, kapitulli 24 te Mësimet e Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 313–324.