4
Rënia e Adamit dhe Dhurata e Lirisë së Zgjedhjes
Hyrje
Rënia e Adamit ishte një pjesë e rëndësishme e planit të Perëndisë. Ajo solli kushtet në të cilat ne mund të vinim në tokë dhe të provoheshim. Plani i Perëndisë gjithashtu përfshin dhënien e lirisë së zgjedhjes fëmijëve të tij (shih 2 Nefi 2:27). Në këtë mësim, studentët do të mësojnë se kyçi i ushtrimit të lirisë sonë të zgjedhjes siç duhet, është të përpiqemi të bëjmë vullnetin e Perëndisë, duke ndjekur kështu shembullin e dhënë nga Jezu Krishti.
Lexim Konteksti
Robert D. Hejls, “Liria e Zgjedhjes: Thelbësore për Planin e Jetës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 24–27.
Xhefri R. Holland, “Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 104–106.
Sugjerime për Mësimdhënien
2 Nefi 2:19–26, 28; Alma 42:6–10, 14; Moisiu 5:5–9
Rënia e Adamit
Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Brus C. Heifën, i Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:
“Që nga shekulli i pestë, krishtërimi dha mësim se Rënia e Adamit dhe Evës ishte një gabim tragjik. … Kjo pikëpamje është e gabuar. … Rënia nuk ishte një fatkeqësi. Ajo nuk ishte një gabim ose një aksident. Ishte një pjesë e qëllimshme e planit të shpëtimit” (“The Atonement: All for All”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 97).
Si mendoni, përse është e rëndësishme të kuptojmë se Rënia nuk ishte një gabim apo një aksident, por përkundrazi një pjesë e qëllimshme e planit të shpëtimit?
Ftojini studentët të studiojnë 2 Nefin 2:19–25 dhe bëni një listë të pasojave të Rënies – gjërat që u ndodhën Adamit dhe Evës pasi morën frutën e ndaluar. Më pas ftojini studentët të shkruajnë në tabelë artikuj nga listat e tyre. (Shënim: Të kërkuarit e listave brenda një fragmenti të shkrimeve të shenjta është një aftësi e studimit të shkrimeve të shenjta që mund ta jepni mësim me këtë fragment; shih Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit [2012], f. 23.) Lista duhet të përfshijë sa vijon: Adami dhe Eva u dëbuan nga Kopshti i Edenit; ata lindën fëmijë; ata hynë në një gjendje prove; ata u bënë të humbur dhe kishin nevojë për pendim; dhe ata përjetuan kundërshtim, që i lejoi të përjetonin të mirën e të ligën dhe ta përdornin lirinë e tyre të zgjedhjes me urtësi.
Si na ndihmon lista në tabelë që të shpjegojmë përse Rënia e Adamit ishte një pjesë e domosdoshme e planit të Atit Qiellor? (Studentët ka mundësi që do të japin një larmi përgjigjesh që mund të përmblidheshin me këtë parim: Rënia e Adamit bëri të mundur për ne që të hyjmë në vdekshmëri dhe të përparojmë drejt jetës së përjetshme.)
Çfarë do të thotë që “të gjithë njerëz[it] … ishin të humbur” për shkak të Rënies? (2 Nefi 2:21).
Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë Almën 42:6–10, 14, ndërkohë që klasa kërkon pasojat shtesë të Rënies. Ndërsa studentët tregojnë atë që gjetën, ju mund t’ia shtoni përgjigjet e tyre listës në tabelë.
Çfarë do të thotë të “përjasht[ohen] nga prania e Zotit”?
Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:
“[Adami dhe Eva] shkelën një urdhërim të Perëndisë, urdhërim i cili kërkoi që ata të largoheshin nga vendosja e tyre në kopsht, por i cili i lejoi të kishin fëmijë përpara se të përballeshin me vdekjen fizike. Për t’iu shtuar më tej hidhërim dhe ndërlikim rrethanave të tyre, shkelja e tyre pati gjithashtu pasoja shpirtërore, duke i shkëputur ata nga prania e Perëndisë përgjithmonë. Ngaqë ne u lindëm më pas në atë botë të rënë dhe ngaqë ne gjithashtu do t’i shkelnim ligjet e Perëndisë, edhe ne u ndëshkuam me po të njëjtat dënime që u përballën Adami dhe Eva. …
… Që nga çasti kur ata prindër fillestarë i hodhën hapat jashtë Kopshtit të Edenit, Perëndia dhe Ati i ne të gjithëve, duke e parapritur vendimin e Adamit dhe të Evës, dërgoi pikërisht engjëjt e qiellit që t’u shpallin atyre – dhe me kalimin e kohës edhe neve – që e gjithë kjo renditje u projektua për lumturinë tonë të përjetshme. Ishte pjesë e planit të Tij hyjnor, që të siguronte një Shpëtimtar, pikërisht Birin e Perëndisë Vetë – një tjetër ‘Adam’ do ta quante Atë Apostulli Pal [shih 1 Korintasve 15:45] – i cili do të vinte në meridianin e kohës që të shlyente për shkeljen fillestare të Adamit. Ajo Shlyerje do të arrinte fitoren tërësore mbi vdekjen fizike. … Mëshirshëm ajo do të siguronte gjithashtu falje për mëkatet vetjake të të gjithëve, që nga Adami deri në fundin e botës, falje e kushtëzuar nga pendimi dhe bindja ndaj urdhërimeve hyjnore” (“Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 105–106).
Përse jemi ne të “ndëshkua[r] me po të njëjtat dënime që u përballën Adami dhe Eva”? (Ne lindim në një botë të rënë dhe i shkelim ligjet e Perëndisë.)
Ftojini disa studentë ta bëjnë me radhë duke lexuar me zë të lartë 2 Nefin 2:26, 28 dhe Moisiun 5:5–9, ndërkohë që klasa kërkon mënyrën se si pasojat e Rënies mund të mposhten në jetën tonë.
Sipas këtyre fragmenteve, si mund të shëlbohemi nga pasojat shpirtërore të Rënies? (Përgjigjet duhet të përfshijnë parimin vijues: Nëse pendohemi dhe i lutemi Perëndisë për falje, ne mund të shëlbohemi nga mëkatet tona nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.)
Ftojini studentët të përsiatin rolin e Rënies në planin e shpëtimit dhe mënyrën se si ajo u “projektua për lumturinë tonë të përjetshme”. Ftojini një ose dy studentë që t’i japin klasës mendimet e tyre.
2 Nefi 2:14, 16, 26–29; Helamani 14:30–31; 3 Nefi 27:13
Dhurata e lirisë së zgjedhjes
Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Adami dhe Eva [nëpërmjet Rënies] u bënë të vdekshëm. Fatmirësisht për ne, ata gjithashtu mundën të kishin fëmijë dhe t’i përmbushnin qëllimet për të cilat bota u krijua. … Bekime të tjera na erdhën me anë të Rënies. Ajo bëri vepruese dy dhurata shtesë nga Perëndia, të lidhura ngushtësisht, pothuajse po aq të çmuara sa jeta vetë – lirinë e zgjedhjes dhe përgjegjshmërinë” (“Constancy amid Change”, Ensign, nëntor 1993, f. 34, shkrimi kursiv i shtuar).
Në çfarë mënyrash janë liria e zgjedhjes dhe përgjegjshmëria “pothuajse po aq të çmuara sa jeta vetë”?
Vërini studentët të studiojnë 2 Nefin 2:14, 16 dhe 26, duke kërkuar çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si fëmijët e Perëndisë ndryshojnë nga krijimet e Tij të tjera.
Çfarë ndryshimesh vënë në dukje këto vargje midis fëmijëve të Perëndisë dhe krijimeve të Tij të tjera? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Fëmijët e Perëndisë krijohen që të veprojnë për veten e tyre në vend që të detyrohen të veprojnë.)
Çfarë do të thotë që Perëndia na krijoi që të veprojmë në vend që të detyrohemi të veprojmë?
Përse është e rëndësishme të dimë se fëmijët e Perëndisë u krijuan që të veprojnë për veten e tyre dhe të mos detyrohen të veprojnë?
Për t’i ndihmuar në përgjigjen e kësaj pyetjeje, ju mund të diskutoni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Thënia e lashtë: ‘Zoti voton për mua dhe Luciferi voton kundër meje, por rëndësi ka vota ime’, përshkruan një siguri doktrinore që liria jonë e zgjedhjes është më e fuqishme sesa vullneti i kundërshtarit. Liria e zgjedhjes është e çmuar. Ne, pa mend e verbërisht, mund ta japim atë, por ajo nuk mund të na merret me forcë.
Ka dhe një justifikim tepër të vjetër: ‘Djalli më bëri ta bëja’. Nuk është kështu! Ai mund t’ju mashtrojë dhe udhëheqë në udhë të gabuar, por nuk ka fuqi që t’ju detyrojë ju ose dikë tjetër që të bëni shkelje” (“Pastrimi i Brendësisë së Enës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 74).
Kërkojuni disa studentëve të lexojnë 2 Nefin 2:26–29 dhe të tjerëve të lexojnë Helamanin 14:30–31. Ftojini studentët të vënë në dukje fjalë dhe fraza që tregojnë pasoja të ardhshme të zgjedhjeve që bëjmë tani. Ftojini studentët të tregojnë disa nga fjalët dhe frazat që i vunë në dukje.
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto fragmente rreth pasojave të zgjedhjeve tona? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Mënyra se si e përdorim lirinë tonë të zgjedhjes, përcakton përparimin tonë shpirtëror dhe bekimet tona të përjetshme.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë të vërtetë, kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Kur zgjedhim të bëjmë vullnetin e Atit tonë Qiellor, liria jonë e zgjedhjes ruhet, mundësitë tona shtohen dhe ne përparojmë. … E kundërta është gjithashtu e vërtetë: kur nuk i zbatojmë urdhërimet ose nuk i ndjekim nxitjet e Frymës së Shenjtë, mundësitë tona zvogëlohen, aftësitë tona për të vepruar dhe përparuar, pakësohen. … Bindja ndaj urdhërimeve në fund të fundit, e mbron lirinë tonë të zgjedhjes” (“Liria e Zgjedhjes: Thelbësore për Planin e Jetës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 25–26).
Cilat janë disa pasoja që vijnë nga keqpërdorimi i lirisë së zgjedhjes?
Si e mbron bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë lirinë tonë të zgjedhjes?
Përse është përdorimi i lirisë sonë të zgjedhjes që “të bëjmë vullnetin e Atit tonë Qiellor”, kyçi për përparimin tonë shpirtëror?
Vërini studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 27:13 dhe të marrin parasysh shembullin e Jezu Krishtit për përdorimin e drejtë të dhuratës së lirisë së zgjedhjes.
Në çfarë mënyrash mund të na ndihmojnë fjalët e Shpëtimtarit “unë erdha … për të bërë vullnetin e Atit tim”, që ta përdorim dhuratën e lirisë së zgjedhjes me urtësi?
Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë bekimet e mëdha që vijnë nga përdorimi i lirisë së zgjedhjes me drejtësi:
“Zoti është i përqendruar te rritja dhe zhvillimi juaj vetjak. Ai përparim përshpejtohet kur ju me dëshirë e lejoni Atë që t’ju udhëheqë përgjatë çdo përvoje rritjeje që hasni, qoftë nëse në fillim është në parapëlqimin tuaj vetjak apo jo. Kur keni besim te Zoti, kur jeni të gatshëm ta lini zemrën tuaj dhe mendjen tuaj të përqendrohen te vullneti i Tij, kur i kërkoni që t’ju udhëheqë përmes Shpirtit për të bërë vullnetin e Tij, juve ju sigurohet lumturia më e madhe përgjatë udhës dhe arritja më përmbushëse nga kjo përvojë e vdekshme. Nëse vini në dyshim çdo gjë që ju kërkohet të bëni ose i kundërviheni me forcë çdo sfide të pakëndshme, ju e bëni më të vështirë për Zotin që t’ju bekojë. [Shih 1 Nefi 3:7.]
Liria juaj e zgjedhjes, e drejta për të bërë zgjedhje, nuk jepet që ju të mund të merrni atë që dëshironi. Kjo dhuratë hyjnore sigurohet që ju të zgjidhni atë që Ati juaj në Qiell dëshiron për ju. Në këtë mënyrë Ai mund t’ju udhëheqë që të bëheni gjithçka që Ai ka si qëllim që ju të bëheni. [Shih DeB 58:26-32.]” (“Finding Joy in Life”, Ensign, maj 1996, f. 25).
Kërkojuni studentëve të mendojnë për raste kur ata kanë marrë vendime që të veprojnë me drejtësi. Ftojini disa studentë të tregojnë se si pasojat e atyre vendimeve sollën bekime për ta.
Nxitini studentët të përsiatin se si mund ta ndjekin më mirë shembullin e Jezu Krishtit në bërjen e vullnetit të Atit Qiellor. Jepni dëshminë tuaj se përdorimi i duhur i lirisë sonë të zgjedhjes mund të na çojë drejt jetës së përjetshme.
Materiale Leximi për Studentin
2 Nefi 2:14, 16, 19–29; Alma 42:6–10, 14; Helamani 14:30–31; 3 Nefi 27:13; Moisiu 5:5–9.
Robert D. Hejls, “Liria e Zgjedhjes: Thelbësore për Planin e Jetës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 24–27.
Xhefri R. Holland, “Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 104–106.