23
Shpërndarja dhe Mbledhja e Izraelit
Hyrje
Zoti e shpërndau shtëpinë e Izraelit ngaqë ata e ngurtësuan zemrën e tyre ndaj Tij, por Ai premtoi se ata do të mblidheshin në ditët e fundit. Profecitë në Librin e Mormonit e bëjnë të qartë që mbledhja e premtuar prej kohësh ka filluar. Anëtarët e Kishës kanë përgjegjësinë që të bekojnë familjet e tokës nëpërmjet ndarjes së ungjillit të Jezu Krishtit.
Lexim Konteksti
Russell M. Nelson, “The Gathering of Scattered Israel”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 79–82.
C. Scott Grow, “The Book of Mormon, the Instrument to Gather Scattered Israel”, Ensign ose Liahona, nëntori 2005, f. 33–35.
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Nefi 22:3–5; 2 Nefi 25:15–17; 3 Nefi 5:24–26; 20:13, 29–31; 30:2
Shpërndarja dhe mbledhja e shtëpisë së Izraelit
Ftojeni një student/e që është një i/e kthyer në besimin në Kishë ose që ka ndihmuar dikë tjetër për t’u bashkuar me Kishën, që të tregojë për përvojën e tij ose të saj. Nxitini studentët të mendojnë rreth dikujt që e njohin, i cili mund të jetë mirëpritës ndaj dëgjimit të mesazhit të ungjillit. Vërini studentët të kërkojnë të vërteta të ungjillit gjatë gjithë mësimit të sotëm, të cilat mund t’i nxitin dhe ndihmojnë ata në përpjekjet e tyre për ta ndarë ungjillin me të tjerët.
Vëreni klasën të lexojë 1 Nefin 22:3–5 që të shohë se çfarë profetizoi Nefi rreth shtëpisë së Izraelit.
Çfarë do të thotë që shtëpia e Izraelit u “shpërnda”?
Shpjegoni se shpërndarja e shtëpisë së Izraelit ishte një temë e rëndësishme për Nefin, sepse familja e tij ishte pjesë e shpërndarjes. Ata u shpërndanë në kontinentin amerikan nga Jerusalemi për shkak të ligësisë së njerëzve në tokën e Judës.
U thoni studentëve se profecitë e Librit të Mormonit përmbajnë sigurinë ngushëlluese që në ditët e mëvonshme shtëpia e Izraelit do të mblidhet sërish. Shkruajini referencat vijuese në tabelë dhe caktojini secilit student të lexojë njërin prej fragmenteve. Sigurohuni që lexohet çdo fragment. Vërini studentët të kërkojnë atë që individët kanë nevojë të mësojnë dhe bëjnë, me qëllim që të mblidhen me shtëpinë e Izraelit.
Cilat janë disa nga gjërat që individët kanë nevojë t’i mësojnë e t’i bëjnë me qëllim që të mblidhen me shtëpinë e Izraelit? (Disa të vërteta mund të përcaktohen nga studentët, duke përfshirë sa vijon: Zoti i mbledh pjesëtarët e shtëpisë së Izraelit kur ata besojnë tek Ai, pendohen dhe vijnë tek Ai.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë të vërtetë, ju mund të doni të lexoni thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Përse u shpërnda Izraeli? Përgjigjja është e qartë, e dukshme; për të nuk ka asnjë dyshim. Paraardhësit tanë izraelitë u shpërndanë, sepse ata e mohuan ungjillin, e çnderuan priftërinë, e braktisën kishën dhe u larguan nga mbretëria. …
Atëherë, çfarë përfshihet në mbledhjen e Izraelit? Mbledhja e Izraelit përbëhet nga të besuarit, të pranuarit dhe të jetuarit në harmoni me gjithçka që Zoti i ofroi dikur popullit të tij të zgjedhur në lashtësi. … Ajo përbëhet nga të besuarit e ungjillit, të bashkuarit me Kishën dhe hyrjen në mbretëri. … Mund të përbëhet gjithashtu nga të mbledhurit në një vend ose tokë të caktuar adhurimi” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 515).
Sipas Plakut Mek-Konki, çfarë duhet të bëjë një njeri që të mblidhet me shtëpinë e Izraelit?
Ftojini studentët të përsiatin se si ata vetë janë mbledhur në shtëpinë e Izraelit kur kanë besuar në Shpëtimtarin, janë penduar dhe kanë ardhur tek Ai.
1 Nefi 15:12–16; 22:8–12
Në ditët e fundit, anëtarët e Kishës do t’ua sjellin ungjillin familjeve të tokës
Kujtojini studentët se Lehi përdori metaforën e një dege ulliri për t’i dhënë mësim familjes së tij rreth shpërndarjes dhe mbledhjes së Izraelit (shih 1 Nefi 10:12–14). Lamani dhe Lemueli i thanë Nefit se ata nuk mund ta kuptonin domethënien e mësimeve të atit të tyre (shih 1 Nefi 15:7).
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë 1 Nefin 15:12–16. Ftojeni klasën të kërkojë për atë që mund të mësojmë nga shpjegimi i Nefit për shtëpinë e Izraelit.
Si na ndihmon metafora e pemës së ullirit që të kuptojmë shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit?
Sipas vargut 13, kush do t’ia çojë plotësinë e ungjillit mbetjes së farës së Lehit? (Johebrenjtë që e kanë marrë plotësinë e ungjillit.)
Shpjegojuni studentëve që, në Librin e Mormonit, fjala johebrenj zakonisht u drejtohet atyre që nuk janë nga fisi i Judës ose nga vendi i Judës. Libri i Mormonit përmban profeci që në ditët e fundit disa prej këtyre johebrenjve do ta marrin plotësinë e ungjillit (shih 1 Nefi 15:13) dhe do të bëhen anëtarë të Kishës së Krishtit. Profetët e Librit të Mormonit na mësojnë se këta johebrenj do të kenë përgjegjësinë për t’ia çuar ungjillin gjithë tokës.
Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë përkufizim të fjalës johebrenj, paraqitni dhe lexoni shpjegimin vijues nga Plaku Brus R. Mek-Konki:
“Ne i kemi përcaktuar më parë judenjtë si [ata që jetojnë në] mbretërinë e Judës, ashtu edhe pasardhësit e prejardhjes të tyre. … Ne kemi thënë, brenda këtij përdorimi të termave, se të gjithë njerëzit e tjerë janë johebrenj, duke përfshirë grupet e mbetura, të humbura ose të shpërndara të mbretërisë së Izraelit. … Kështu Jozef Smithi, i fisit të Efraimit, … ishte johebreu nga dora e të cilit doli në dritë Libri i Mormonit, dhe anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme … janë johebrenjtë që ua çojnë shpëtimin lamanitëve dhe judenjve” (The Millennial Messiah [1982], f. 233).
Kërkojuni disa studentëve të lexojnë me radhë nga 1 Nefi 22:8–12, ndërkohë që klasa përcakton ata njerëz të cilët do të bekohen dhe ushqehen shpirtërisht nga johebrenjtë (anëtarët e Kishës) në ditët e fundit. Teksa studentët lexojnë, mund të jetë e dobishme të shpjegoni se fraza “të zhveshë krahun e tij në sytë e të gjitha kombeve” në vargjet 10–11, i drejtohet Zotit duke treguar fuqinë e Tij anembanë botës.
Kush do të bekohet dhe ushqehet shpirtërisht nga johebrenjtë në ditët e fundit? (Pasardhësit e Lehit, tërë shtëpia e Izraelit dhe “të gjitha kombet e tokës”.)
Sipas vargjeve 9–11, si do t’i bekojë Zoti “fiset” (familjet) e tokës në ditët e fundit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Në ditët e fundit, Zoti do të punojë nëpërmjet anëtarëve të Kishës së Tij për të bekuar familjet e tokës me ungjillin dhe besëlidhjet e Tij.)
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Ne kemi përgjegjësi për t’i ndihmuar që të plotësojnë besëlidhjen Abrahamike. Pasardhësit tanë janë të parashuguruar dhe të përgatitur që të bekojnë të gjithë popujt e botës. … Pas rreth 4.000 vjetësh parashikimi dhe përgatitjeje, kjo është koha e caktuar kur ungjilli duhet të çohet tek farefiset e tokës. Kjo është koha e mbledhjes së premtuar të Izraelit. Dhe ne kemi për të marrë pjesë! A nuk është kjo emocionuese? Zoti po mbështetet te ne dhe te bijtë tanë – dhe Ai është thellësisht mirënjohës për bijat tona – që denjësisht shërbejnë si misionarë në këtë kohë të madhe të mbledhjes së Izraelit” (“Besëlidhjet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 88).
Si mendoni se ndihen ata që mblidhen (të kthyerit në besim), rreth atyre që i mbledhin ata (atyre që e kanë ndarë ungjillin me ta)?
Cilat janë disa mënyra sipas të cilave ne mund të marrim pjesë në punën e Perëndisë duke e ndarë ungjillin me familjet e tokës?
3 Nefi 16:4–5; 21:1–7
Roli i Librit të Mormonit në mbledhjet e Izraelit
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 21:1–7 dhe të kërkojnë shenjën që shënon fillimin e mbledhjes së ditëve të mëvonshme të Izraelit.
Shpëtimtari foli për “këto gjëra që po ju njoftoj” (vargu 2). Ku do të shënoheshin fjalët e Tij drejtuar nefitëve? (Në Librin e Mormonit.)
Cila është shenja që shënon fillimin e mbledhjes së Izraelit në ditët e mëvonshme? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Dalja në dritë e Librit të Mormonit është një shenjë që Perëndia po e plotëson besëlidhjen e Tij për ta mbledhur Izraelin në ditët e mëvonshme.)
Vëreni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 16:4–5 dhe ftojeni klasën të kërkojë efektet e Librit të Mormonit dhe të mesazhit të ungjillit në ditët e fundit.
Si ndihmon Libri i Mormonit që të bëjë të ndodhë mbledhja e njerëzve të Perëndisë në ditët e mëvonshme? (Një nga të vërtetat që mund të përcaktohet nga studentët, është sa vijon: Libri i Mormonit ndihmon që t’i sjellë njerëzit te njohuria për Shëlbuesin, që ata të mund të mblidhen tek Ai.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për rolin e Librit të Mormonit në mbledhjen e Izraelit.
“Dalja në dritë e Librit të Mormonit është një shenjë për të gjithë botën që Zoti ka filluar ta mbledhë Izraelin dhe t’i përmbushë besëlidhjet që Ai i bëri me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin. Ne jo vetëm që e japim mësim këtë doktrinë, por ne marrim pjesë në të. Ne e bëjmë këtë ndërkohë që ndihmojmë për t’i mbledhur të zgjedhurit e Zotit në të dyja anët e velit.
Libri i Mormonit është thelbësor për këtë punë. Ai shpall doktrinën e mbledhjes. I bën njerëzit të mësojnë rreth Jezu Krishtit, ta besojnë ungjillin e Tij dhe të bashkohen me Kishën e Tij. Në fakt, nëse nuk do të kishte Libër të Mormonit, mbledhja e premtuar e Izraelit nuk do të ndodhte” (“The Gathering of Scattered Israel”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 80).
Kërkojuni studentëve të tregojnë ndonjë përvojë që e kanë pasur, ku e panë që Libri i Mormonit i ndihmoi njerëz të tjerë të mësojnë rreth Jezu Krishtit dhe të mblidhen me Kishën e Tij.
Drejtojuni një sfidë studentëve që të ndihmojnë në procesin e mbledhjes së Izraelit duke e ndarë Librin e Mormonit me dikë që nuk është i besimit tonë.
Materiale Leximi për Studentin
1 Nefi 15:12–16; 22:3–5, 8–12; 2 Nefi 25:15–17; 3 Nefi 5:24–26; 16:4–5; 20:13, 29–31; 21:1–7; 30:2.
Russell M. Nelson, “The Gathering of Scattered Israel”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 79–82.