14
Fuqia e Perëndisë për Çlirim
Hyrje
Libri i Mormonit përmban rrëfime të shumta të individëve dhe shoqërive që iu nënshtruan robërisë në njëfarë forme. Shumë prej këtyre rrëfimeve ilustrojnë që Jezu Krishti është Çliruesi i Madhërishëm dhe burimi i ndihmës kur çlirimi ose shpëtimi duken të pamundur. Kur afrohemi pranë Zotit nëpërmjet pendimit, përulësisë dhe lutjes, ne përgatitemi më shumë shpirtërisht që të lutemi për fuqinë e Perëndisë për çlirim dhe që ta marrim atë fuqi.
Lexim Konteksti
L. Tom Peri, “Fuqia e Çlirimit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 94–97.
Dallin H. Oaks, “He Heals the Heavy Laden”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 6–9.
Dejvid A. Bednar, “I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 87–90.
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Nefi 1:20; Alma 36:1–3, 27–29
Perëndia ka fuqi për të dhënë çlirim
Ftojini studentët të marrin parasysh kur iu ka bërë atyre përshtypje kuraja dhe forca e dikujt që është përballur me sfida ose vështirësi të mëdha. Kërkojuni të raportojnë shkurtimisht atë që kanë vëzhguar.
Vërini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefin 1:1, duke kërkuar atë që Nefi tha rreth vështirësive që i kishte përjetuar në jetën e tij.
Si i përmblodhi Nefi ndjenjat e tij pasi kishte përjetuar “shumë vuajtje”?
Si mendoni, përse një njeri mund të ndihet “jashtëzakonisht i favorizuar nga Zoti” edhe kur përjeton sfida ose vështirësi?
Thuajuni studentëve të kryqëzojnë referencën e 1 Nefit 1:1 me 1 Nefin 1:20 dhe të kërkojnë një arsye përse Nefi përshkroi se ndihej “jashtëzakonisht i favorizuar nga Zoti”.
Cili parim në këtë varg mund ta ndihmojë një njeri të ndiejë shpresë kur përjeton sfida ose vështirësi? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Teksa ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, ne mund të marrim mëshirën dhe çlirimin e Perëndisë.)
Shpjegoni se fraza “unë, Nefi, do t’ju tregoj”, sugjeron që Nefi kishte për qëllim të shënonte shembuj të fuqisë së Perëndisë për çlirim. Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë 1 Nefit kapitujt 1–8 dhe 16–18, duke kërkuar shembuj nga jeta e Nefit që ilustrojnë fuqinë e Perëndisë për çlirim. Ftojini studentët të tregojnë shkurtimisht shembujt që i përcaktuan. Nëse studentët e kanë të vështirë të gjejnë shembuj, ju mund t’i drejtoni te një ose më shumë nga fragmentet vijuese: 1 Nefi 3:23–31; 4:1–18; 7:16–19; 8:7–12; 16:10, 18–31, 36–39; 17:48–55; dhe 18:1–3, 11–21.
Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Shumë nga historitë e Librit të Mormonit janë histori çlirimi. Nisja e Lehit për në vendin e shkretë me familjen e tij ishte rreth çlirimit nga shkatërrimi i Jerusalemit. Historia e jareditëve është një histori çlirimi, sikurse është historia e mulekitëve. Alma i Riu u çlirua nga mëkati. Luftëtarët [e rinj] të Helamanit u çliruan në betejë. Nefi dhe Lehi u çliruan nga burgu. Tema e çlirimit është e dukshme gjatë gjithë Librit të Mormonit” (“Fuqia e Çlirimit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 94).
Si një shembull të çlirimit shpirtëror, shpjegoni se Alma ia përshkroi çlirimin e tij nga mëkati birit të tij, Helamanit. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Almën 36:1–3 dhe ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Almën 36:27–29 (vini në dukje se Alma 5:1–12 përmban një këshillë të ngjashme). Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar ide që mund ta ndihmojnë një njeri që po ndeshet me vuajtje ose vështirësi.
Çfarë idesh gjetët në këto fragmente që mund ta ndihmojnë dikë që po përballet me vështirësi fizike ose shpirtërore?
Me çfarë llojesh të robërisë fizike ose shpirtërore përballen njerëzit sot? (Shembujt përfshijnë shëndetin e keq, vartësitë nga drogat e pornografia, varfërinë, abuzimin, diskriminimin, mëkatin, mosbesimin dhe rebelimin.)
Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“A po ndesheni me një demon të vartësisë – duhanin ose drogën, apo bixhozin ose murtajën bashkëkohore, shkatërruese të pornografisë? A është martesa juaj në vështirësi apo fëmija juaj në rrezik? A ndiheni i hutuar lidhur me identitetin gjinor apo kërkimin për vetëvlerësim? A përballeni ju – ose dikush që doni – me sëmundje apo depresion ose vdekje? Çfarëdo hapash të tjerë mund të keni nevojë të ndërmerrni për t’i zgjidhur këto shqetësime, ejani fillimisht tek ungjilli i Jezu Krishtit. Mirëbesoni te premtimet e qiellit. Lidhur me këtë, dëshmia e Almës është dëshmia ime: ‘Unë e di’, thotë ai, ‘se kushdo që vë besimin e tij në Perëndi[në], do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij’ [Alma 36:3]” (“Broken Things to Mend”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 70).
Çfarë tha Plaku Holland do të na ndihmonte që të fillonim t’i zgjidhnim shqetësimet dhe sfidat tona?
1 Nefi 6:4; Mosia 21:2–5, 14–16; 23:23–24; 24:13–15, 21; Alma 34:9; Helamani 5:9
Jezu Krishti është burimi i çlirimit
Ftojini studentët të përshkruajnë arsye të ndryshme përse një autor mund të nxitet për të shkruar një libër. (Për shembull, një autor mund të dëshirojë të tregojë një histori, të japë një ekspertizë për një temë ose të fitojë të ardhura për jetesën.) Pasi disa studentë t’ia kenë dhënë idetë e tyre klasës, ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefin 6:4, duke kërkuar një nga arsyet përse Nefi u nxit të shkruante.
Cili tha profeti Nefi ishte qëllimi i tij në shkrimin e këtij anali? (Ai dëshironte t’i bindte njerëzit të vinin te Perëndia dhe të shpëtoheshin.)
Dëshmojuni studentëve se fuqia e Perëndisë për të shpëtuar është fuqia për të çliruar.
Kopjoni sa vijon në tabelë dhe u shpjegoni studentëve se këto fragmente përshkruajnë njerëz që kishin nevojë për çlirim:
Populli i Limhit | Populli i Almës | Gjithë njerëzit |
---|---|---|
Vërini studentët të lexojnë në heshtje fragmentet në tabelë, duke kërkuar atë që japin mësim secili fragment rreth burimit të çlirimit nga sfidat dhe vështirësitë.
Çfarë mësoni nga këto fragmente rreth burimit të çlirimit? (Ndërsa studentët përgjigjen, theksoni doktrinën vijuese: Jezu Krishti ka fuqinë për të na çliruar nga gjendja jonë e humbur dhe e rënë dhe nga sfida të tjera në vdekshmëri.)
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:
“Dëshiroj të jap dëshmi për fuqinë e Perëndisë për çlirim. Në njëfarë kohe në jetën tonë ne të gjithëve do të na duhet ajo fuqi. Çdo njeri i gjallë është në mes të një prove. … Dy gjëra do të jenë të njëjta për ne të gjithë. Ato janë pjesë e planit për jetën në vdekshmëri.
Së pari, herë pas here provat do të na zgjasin aq sa të ndiejmë nevojën për ndihmë përtej vetes sonë. Dhe së dyti, Perëndia, në mirësinë dhe urtësinë e Tij, ka vënë në dispozicion për ne fuqinë e çlirimit” (“The Power of Deliverance” [takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 15 janar 2008], f. 1; speeches.byu.edu).
Kur keni marrë “ndihmë përtej vetes [suaj]” gjatë vështirësive?
Nëse e lejon koha, ju mund t’i drejtoheni rrëfimit të popullit të Almës te Mosia 24:13–15 për të ilustruar idenë se çlirimi nga Perëndia nuk do të thotë gjithmonë që barrët tona do të hiqen; përkundrazi, Perëndia shpesh na çliron nëpërmjet forcimit të aftësisë sonë për t’i duruar barrët tona. Durimi dhe durueshmëria kërkohen në këto situata, të tilla si rastet kur problemet shëndetësore vazhdojnë gjatë gjithë jetës së një njeriu. Çlirimi vjen sipas vetë mënyrës së Perëndisë dhe në përputhje me afatin e Tij kohor.
Mosia 7:33; 29:20; Alma 58:10–11; 3 Nefi 4:33
Përdorimi i fuqisë së çlirimit
Dëshmoni se ka shpresë për secilin prej nesh kur ne e gjejmë veten tonë në rrethana nga të cilat çlirimi ose shpëtimi duket i pamundur. Kujtojini studentët që shkrimet e shenjta përmbajnë udhëzime rreth mënyrës se si e përdorim fuqinë e Shpëtimtarit për çlirim.
Renditini referencat vijuese në tabelë. (Mos e përfshini materialin në kllapa që jepet vetëm për përdorimin nga mësuesi.) Ftojini studentët të lexojnë secilin fragment, duke kërkuar veprime që na ndihmojnë ta përdorim fuqinë e Shpëtimtarit për çlirim.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë e të diskutojnë ndonjë veprim që e përcaktuan dhe shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë. Theksoni parimin vijues: Kur kthehemi te Perëndia me qëllim të plotë të zemrës dhe lutemi për ndihmën e Tij, duke pasur një shpirt pendimi dhe përulësie, ne mund ta përdorim fuqinë e Tij për çlirim.
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring:
“Zoti gjithmonë dëshiron të na çojë drejt çlirimit nëpërmjet bërjes sonë më të drejtë. Kjo kërkon pendim. Dhe kjo kërkon përulësi. Kështu, udha drejt çlirimit gjithmonë kërkon përulësi me qëllim që Zoti të jetë i aftë për të na udhëhequr përdore atje ku Ai dëshiron të na çojë përmes shqetësimeve tona dhe drejt shenjtërimit” (“The Power of Deliverance” [takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 15 janar 2008], f. 4; speeches.byu.edu).
Si na ndihmojnë pendimi, përulësia dhe lutja që ta përdorim fuqinë e Zotit për çlirim?
Kur jeni kthyer ju ose dikush që njihni, te Zoti për çlirim dhe e keni marrë atë? Si e ka rritur kjo përvojë mirëbesimin tuaj në Jezu Krishtin?
Nxitini studentët që të përsiatin për një kohë kur e përjetuan në jetën e tyre fuqinë e Zotit për çlirim. Nxitini të shënojnë përvojat e tyre për t’i kujtuar në të ardhmen. Merrni parasysh të ftoni studentë për të treguar për përvojat e tyre që nuk janë tepër të shenjta ose vetjake.
Materiale Leximi për Studentin
1 Nefi 1:20; 6:4; Mosia 7:33; 21:2–5, 14–16; 23:23–24; 24:13–15, 21; 29:20; Alma 34:9; 36:1–3, 27–29; 58:10–11; Helamani 5:9; 3 Nefi 4:33.
L. Tom Peri, “Fuqia e Çlirimit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 94–97.