12
Nevoja Jonë për Rilindje Shpirtërore
Hyrje
Nga Libri i Mormonit ne mësojmë se “njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë” (Mosia 3:19). Në këtë mësim, studentët udhëzohen se, nëpërmjet pendimit dhe ushtrimit të besimit në Jezu Krishtin, ne mund ta mposhtim njeriun e natyrshëm, të “linde[mi] rishtas” dhe të përjetojmë një ndryshim të madh të zemrës. Ky ndryshim është i nevojshëm për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë.
Lexim Konteksti
Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 12–19.
D. Todd Christofferson, “Born Again”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 76–79.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mosia 3:19; 16:2–5; Alma 41:10–11
Zhveshja e njeriut të natyrshëm
Në tabelë, shkruani thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994), të cituar nga “To ‘the Rising Generation’”, New Era, qershor 1986, f. 5:
Përse është e pamundur që të jemi të lumtur kur bëjmë zgjedhje të gabuara?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Almën 41:10–11, ndërsa klasa kërkon pasojat e ligësisë. (Theksoni të vërtetën vijuese: Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi.)
Cilat janë disa mashtrime që Satani i përdor për të na bindur se thyerja e urdhërimeve çon drejt lumturisë?
Sipas vargut 11, çfarë do të thotë të jesh në një “gjendje të natyrshme”? (Të jesh “në një gjendje të mishit”, “në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë” dhe “pa Perëndi në botë”.)
Si ndihmon Alma 41:10–11 që të shpjegojë përse të qenit mëkatar nuk mund të çojë drejt lumturisë? (Është në kundërshtim me natyrën e Perëndisë dhe “natyr[a] e Perëndisë” është “natyra e lumturisë”.)
Kujtojini studentët se ne të gjithë i kemi trashëguar pasojat e Rënies së Adamit. Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Mosian 16:2–5 teksa klasa përcakton fjalë dhe fraza që përshkruajnë gjendjen e rënë të njerëzimit.
Çfarë fjalësh dhe frazash përdori Abinadi për ta përshkruar gjendjen e rënë të njerëzimit?
Cila është domethënia e fjalës “qëndron” në vargun 5? (Shënim: Përcaktimi i fjalëve kyç është një aftësi e rëndësishme studimi për shkrimet e shenjta që ju mund të zgjidhni ta theksoni këtu.)
Çfarë e bën të mundur për ne që të shëlbohemi nga gjendja jonë mëkatare dhe e rënë?
Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mosian 3:19 dhe të përcaktojnë se si ne mund ta mposhtim gjendjen tonë të rënë.
Çfarë do të thotë të “dëgjo[sh] thirrjet e Frymës së Shenjtë”?
Çfarë duhet të bëjmë që ta “zhvesh[im] njeriun e natyrshëm”? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Teksa i ndjekim nxitjet e Shpirtit të Shenjtë dhe marrim nga fuqia e Shlyerjes, ne mund ta zhveshim njeriun e natyrshëm.)
Ftojini studentët të marrin parasysh prova që i kanë parë, që Shpëtimtari është në gjendje të na ndryshojë në njerëz më të mirë sesa mund të bëheshim vetë. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë idetë e tyre.
Ftojini studentët t’u përgjigjen në heshtje pyetjeve vijuese:
Çfarë mund të bëni për t’i dëgjuar më plotësisht “thirrjet e Frymës së Shenjtë”?
Cilat tipare të një fëmije, të renditura te Mosia 3:19, keni nevojë t’i zhvilloni më tepër?
Mosia 5:1–5, 7–8; 27:24–26
Të qenit të lindur rishtas
Kërkojuni studentëve të renditin emrat e njerëzve në Librin e Mormonit, të cilët përjetuan një ndryshim në natyrën e tyre për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Kujtojini studentët se Alma i Riu dhe bijtë e Mosias ishin, për ca kohë, mes mosbesuesve në Zarahemla, të cilët i përndoqën anëtarët e Kishës (shih Mosia 27:8). Pas vizitës së një engjëlli, Alma u la pa forcë dhe nuk ishte në gjendje të fliste. Pas tri ditësh, forca e Almës u rivendos dhe ai dëshmoi për një ndryshim të mrekullueshëm që kishte ndodhur brenda tij (shih Mosia 27:11–24).
Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Mosian 27:24–26, ndërsa klasa kërkon mënyrën se si Alma e përshkroi këtë ndryshim të mrekullueshëm.
Cilat fjalë dhe fraza në këto vargje ndihmojnë për të përcaktuar se çfarë do të thotë të lindesh rishtas?
Si ndihmon vargu 26 për të shpjeguar përse ne kemi nevojë të lindemi rishtas? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë këtë të vërtetë: Vetëm duke u bërë krijesa të reja në Krishtin, ne mund të trashëgojmë mbretërinë e Perëndisë.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë ndodh kur rilindemi shpirtërisht, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Mosian 5:1–5, 8. Vëreni klasën të kërkojnë fjalë apo fraza që tregojnë se njerëzit e mbretit Beniamin kishin përjetuar një rilindje shpirtërore.
Çfarë provash gjetët që njerëzit e mbretit Beniamin kishin përjetuar një ndryshim shpirtëror? (Përgjigjet duhet të përfshijnë sa vijojnë: ata nuk kishin më prirje të bënin keq, ata dëshironin të bënin mirë vazhdimisht, mendjet e tyre u ndriçuan dhe ata u mbushën me gëzim e gatishmëri për të bërë besëlidhje me Zotin.)
Sipas vargjeve 2 dhe 4, çfarë kërkohet me qëllim që të marrim një “ndryshim të madh të zemrës”? (Studentët duhet të përcaktojnë këtë parim: Kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin dhe e marrim Shpirtin e Shenjtë, ne mund të përjetojmë një ndryshim të madh të zemrës.)
Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni një student ta lexojë me zë të lartë teksa klasa kërkon mënyrën se si e përshkruan Plaku Bednar ndryshimin e madh të zemrës.
“Ju lutem vini re që kthimi në besim, i përshkruar te [Mosia 5], është i madh, jo i vogël – një rilindje shpirtërore dhe një ndryshim themelor i asaj që ndiejmë e dëshirojmë, i asaj që mendojmë e bëjmë dhe i asaj që jemi. Në të vërtetë, thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit shkakton një ndryshim themelor dhe të përhershëm në vetë natyrën tonë, të mundësuar nga mbështetja jonë te ‘merita[t] dhe mëshir[a] dhe hiri [i] Mesias së Shenjtë’ (2 Nefi 2:8)” (“Ye Must Be Born Again”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 20).
Çfarë ju ra në sy në përshkrimin e Plakut Bednar për ndryshimin e madh të zemrës?
Ftojini studentët të diskutojnë atë që ne mund të bëjmë, me qëllim që të vazhdojmë të përjetojmë një ndryshim të madh të zemrës.
Vërini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 5:7 dhe të kërkojnë se si marrëdhënia jonë me Jezu Krishtin ndryshon kur ne lindemi rishtas.
Në çfarë mënyre bëhemi ne fëmijët e Jezu Krishtit?
Ftojini studentët të mendojnë rreth domethënies së bërjes “fëmijët e Krishtit” dhe ftojini ata të tregojnë se si kjo duhet të na nxitë kur përpiqemi për t’u bërë të lindur rishtas.
Alma 5:14, 26–27; Ethëri 12:27
Rilindja shpirtërore kërkon kohë dhe përpjekje
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ndërkohë që klasa dëgjon për mënyrën se si ai e përshkruan procesin e marrjes së një ndryshimi të zemrës:
“Ju mund të pyesni: ‘Përse ky ndryshim i madh nuk më ndodh mua më shpejt?’ Ju duhet të mbani mend që shembujt mbresëlënës të popullit të mbretit Beniamin, Almës dhe disa të tjerëve në shkrimet e shenjta, janë thjesht kështu – mbresëlënës dhe jo tipikë. Për shumicën prej nesh, ndryshimet janë më të ngadalshme dhe ndodhin me kalimin e kohës. Të qenit i lindur rishtas, në ndryshim nga lindja jonë fizike, është më shumë një proces sesa një ngjarje. Dhe përfshirja në atë proces është qëllimi thelbësor i vdekshmërisë.
Në të njëjtën kohë, le të mos e shfajësojmë veten për një përpjekje rastësore. Le të mos kënaqemi që të ruajmë disa prirje për të bërë ligësi. Le ta marrim sakramentin me denjësi çdo javë dhe të vazhdojmë të tërhiqemi drejt Shpirtit të Shenjtë që t’i çrrënjosë gjurmët përfundimtare të papastërtisë brenda nesh. Unë dëshmoj se, teksa vazhdoni në shtegun e rilindjes shpirtërore, hiri shlyes i Jezu Krishtit do t’i largojë mëkatet tuaja dhe njollën e atyre mëkateve te ju, tundimet do ta humbasin tërheqjen e tyre dhe nëpërmjet Krishtit, ju do të bëheni të shenjtë, sikurse Ai dhe Ati ynë janë të shenjtë” (“Born Again”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 78).
Sipas Plakut Kristoferson, përse të qenit i lindur rishtas është më shumë një proces sesa një ngjarje?
Si na ndihmon procesi i rilindjes shpirtërore që të bëhemi të shenjtë si Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë këtë të vërtetë: Nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit, ne mund të falemi dhe të marrim ndihmë për të vazhduar në shtegun e rilindjes shpirtërore.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë domethënien e fjalës hir, merrni parasysh të lexoni këtë thënie nga Bible Dictionary [Fjalori Biblik]:
“Është … me anë të hirit të Zotit që individët, nëpërmjet besimit në Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe pendimit për mëkatet e tyre, marrin forcë dhe ndihmë për të bërë vepra të mira, që përndryshe nuk do ishin në gjendje t’i arrinin nëse liheshin vetëm në mjetet e tyre. Ky hir është një fuqi aftësuese që i lejon burrat dhe gratë të kapen te jeta e përjetshme dhe ekzaltimi, pasi të kenë harxhuar vetë përpjekjet e tyre më të mira” (Bible Dictionary, “Grace” [“Hir”]).
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 5:14, 26–27 dhe të kërkojnë atë që Alma u dha mësim atyre që tashmë e kishin filluar procesin e rilindjes shpirtërore dhe kishin përjetuar një ndryshim të zemrës. Ftojini studentët të përsiatin se si do t’u përgjigjeshin pyetjeve të Almës.
Sipas vargut 27, çfarë duhet të bëjmë pasi të marrim një ndryshim të zemrës? (Ne duhet të vazhdojmë të ecim të panjollë përpara Perëndisë, të jemi të përulur dhe të kërkojmë falje për mëkatet tona.)
Si mendoni, përse Alma dha mësim se përulësia është një pjesë kaq e rëndësishme e ruajtjes së ndryshimit tonë të zemrës?
Tregojuni studentëve se Zoti i mësoi Ethërit përse fuqia e përulësisë është kaq e rëndësishme kur ne përpiqemi të kemi një ndryshim të zemrës. Kujtojini studentët se parimet e shkrimeve të shenjta shpesh i përdorin fjalët në qoftë se dhe atëherë dhe më pas ftojini të shqyrtojnë në heshtje Ethërin 12:27, duke kërkuar parimet “në qoftë se–atëherë”. Diskutoni parimet vijuese teksa studentët i përcaktojnë ato: Në qoftë se vijmë te Jezu Krishti, atëherë Ai do të na tregojë dobësitë tona. Në qoftë se jemi të përulur dhe ushtrojmë besim te Zoti, atëherë Ai do të bëjë që gjërat e dobëta të bëhen të forta tek ne.
Si mendoni, përse është e rëndësishme për ne që të njohim dobësinë tonë?
Çfarë mendoni se nënkuptohet me frazën “hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë … që përulen para meje”?
Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Brus C. Heifën, i Të Shtatëdhjetëve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Në qoftë se keni probleme në jetën tuaj, mos mendoni se ka diçka që s’shkon me ju. Ndeshja me ato probleme është në qendër të qëllimit të jetës. Ndërsa i afrohemi Perëndisë, Ai do të na tregojë dobësitë tona dhe nëpërmjet tyre do të na bëjë më të urtë, më të fortë. Nëse po shihni më shumë nga dobësitë tuaja, kjo thjesht mund të tregojë se po shkoni më afër Perëndisë, jo më larg” (“The Atonement: All for All”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 97).
Çfarë mund të bëjmë për të shmangur humbjen e kurajës kur i dallojmë dobësitë tona?
Jepni dëshminë tuaj se hiri i Jezu Krishtit do të na ndihmojë t’i mposhtim dobësitë tona kur përpiqemi të rilindemi shpirtërisht.
Materiale Leximi për Studentin
Mosia 3:19; 5:1–5, 7–8; 16:2–5; 27:24–26; Alma 5:14, 26–27; 41:10–11; Ethëri 12:27.
Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 40–47.
D. Todd Christofferson, “Born Again”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 76–79.