I Lindur Përsëri
Rilindja shpirtërore rrjedh me besimin tek Jezu Krishti, nga hiri i të cilit ne ndryshohemi.
Pesëmbëdhjetë vite përpara, unë qëndrova për herë të parë në podiumin e Tabernakullit si anëtar i të Shtatëdhjetëve të zgjedhur rishtas. Isha 48 vjeçar. Kisha flokë të dendur, gështenjë të errët. Unë mendoja se e kuptoja ç’do të thoshte të ndihesh i papërshatshëm. Në fund të vërejtjeve të mia që zgjatën pesë minuta, këmisha ime po kullonte djersë. E gjithë kjo i ngjante një prove të rëndë. Sot, në retrospektivë, ajo duket si një përvojë relativisht e këndshme.
Kur Presidenti Diter F. Uhtdorf dhe Plaku Dejvid A. Bednar u mbështetën përpara si anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, unë pata një dëshmi mbi origjinën hyjnore të thirrjeve të tyre gjatë këtij sesioni. Unë pata në atë moment gjithashtu një kuptim të shenjtërisë së pakrahasueshme të thirrjes dhe shërbimit të një Apostulli të Zotit Jezu Krisht. Unë nuk gjej fjalë për të shprehur atë kuptim sepse ai u komunikua nga Shpirti në shpirt pa fjalë. Mendimi tani për këtë më çon mua në një thellësi përulësie që nuk e kam provuar kurrë më parë dhe unë i lutem Atit tim Qiellor të më mbështesë siç ka bërë gjithnjë, që unë të mund të arrij në diçka që është shumë përtej kapaciteteve të mia natyrore dhe të jem në gjendje të përqendrohem jashtë vetes, duke e përhumbur atë në shërbim për ju. Unë besoj tek Ai dhe unë e di se hiri i Tij është i mjaftueshëm dhe kështu unë këtu ofroj pa rezerva gjithçka që kam dhe jam për Perëndinë dhe birin e Tij të Dashur. Unë gjithashtu ofroj veten, besnikërinë time, shërbimin tim dhe dashurinë time për Presidencinë e Parë dhe Vëllezërit e mi të të Dymbëdhjetëve.
Bekimi im patriarkal, që e pata në moshën 13 vjeçare nga gjyshi im i dashur, përfshin këtë shprehje: “[Ati yt Qiellor] të veçoi ty në këtë periudhë ungjillore të fundit dhe të shkëlqyer që ti të mund të lindësh nën besëlidhjen e re dhe të përjetshme nga prindër të mirë dhe të drejtë.” Me vlerësimin më të thellë, unë e di se ky ka qenë bekimi i madh bazë i jetës time. Unë i nderoj prindërit e mi dhe me dashuri njoh detyrimin tim ndaj tyre, dhe prindërve të tyre, dhe brezave me tej. Jo shumë kohë pas thirrjes time në të Shtatëdhjetët, unë pata rastin të qëndroj tek varri i njerit nga ata paraardhës që vdiqën vite përpara se të lindesha. Ndërsa mendoja sakrificat që i ranë përsipër atij dhe familjes së tij me pranimin e ungjillit të Jezu Krishtit, një ndjenjë mirënjohjeje më mbushi zemrën dhe një vendosmëri më erdhi për të nderuar sakrificën e tij dhe atë të atyre që erdhën më pas, duke kaluar një jetë të virtytshme, besnike ndaj besëlidhjeve me Perëndinë dhe ungjillin.
Duke njohur bekimet, unë përfshij vëllezërit e mi të dashur dhe bashkëshortet e tyre që, siç është e natyrshme, janë sot të pranishëm. Bashkëshortja ime dhe unë kemi katër djem dhe një vajzë, secili i martuar me një bashkëshorte të mrekullueshme, apo në rastin djalit tonë, që është më i riu, së shpejti për t’u martuar me një të re të mrekullueshme. Ne i duam ata dhe nipërit tanë dhe vlerësojmë bekimin që i bëjnë jetës tonë me besnikërinë e tyre ndaj Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij. Në krye është bashkëshortja ime, Keti, krijuesja e shtëpisë sonë, drita e jetës time, shoqja e fortë dhe e urtë, e mbushur me intuitë shpirtërore, humor të mirë, vullnet të mirë dhe dhembshuri. Nuk gjej fjalë për të thënë sa e dua dhe shpresoj ta tregoj këtë edhe më bindshëm në ditët dhe vitet që vijnë.
Ishte bekimi im të shërbeja në mision me kohë të plotë si i ri në Argjentinë, nën kujdesin e dy presidentëve të jashtëzakonshëm të misionit, Ronald V. Stoun dhe Riçard G. Skot, si dhe bashkëshorteve të tyre përkatëse, Patrisia dhe Zhaninë. Unë falënderoj Perëndinë për ndikimin e tyre të përhershëm tek unë. Pas diplomimit tim për drejtësi, Keti dhe unë, me fëmijët tanë, i krijuam shtëpitë tona me radhë në shtetet e Merilendit, Tenesit, Virxhinias, Karolinës së Veriut dhe tani në Juta. Tre vite të çmuar i kaluam në Meksikë. Në të gjitha këto vende, ne kemi qenë të bekuar me miq të dashur brenda dhe jashtë Kishës, që na kanë dashur, mësuar dhe bërë shoqëri neve dhe fëmijët tanë dhe që vijojnë ta bëjnë këtë. Unë përfitoj nga rasti të shpreh publikisht mirënjohjen për të gjithë ata.
Dashuria dhe respekti im për vëllezërit e të Shtatëdhjetëve dhe të Këshillit të Peshkopit Kryesues është pa kufi. Unë gëzohem që shërbimi im në vazhdim do të më mbajë afër tyre dhe që do të ketë raste të shpeshta të shërbejmë së bashku. Zbulesat e shpalosura në kohën tonë, që i kanë vendosur të Shtatëdhjetët në vendin që kanë në Kishë, përbëjnë një nga mrekullitë më të mëdha dhe ndoshta të nënvlerësuara në historinë e punës së Zotit të ditëve të mëvonshme. Të Shtatëdhjetët janë çelës për suksesin e punës tani dhe në vitet që vijnë dhe unë ndiehem i nderuar tej mase që emri im arriti të shënohet midis emrave të tyre. Perëndia ju bekoftë, Vëllezër të mi.
Unë dëshiroj t’ju dëshmoj për Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë dhe fuqinë e sakrificës së Tij shlyese e të pafundme. Duke bërë këtë, unë kujtoj një përvojë nga vitet e mia në Tenesi. Një mbrëmje atje, unë pata një telefonatë në shtëpi nga një zotëri që nuk e njihja. Ai u paraqit si pastor i një besimi tjetër që ishte tërhequr kohët e fundit dhe kërkoi të më takonte privatisht të dielën e ardhshme. Kur u takuam, miku im deklaroi sinqerisht se ai kishte ardhur për shkak të merakut për mirëqenien e shpirtit tim. Ai nxori nga portofoli një listë vërtet të gjatë citatesh nga librat e shenjta nga Dhiata e Re dhe tha se ai donte të rishihte këto vargje me mua dhe të shihte nëse mund të më ndihmonte të shpëtohem. Unë u befasova pak nga adresimi i tij kaq direkt, por mund të dalloja që ai ishte i sinqertë dhe u preka nga interesi i tij i pastër për mua.
Ne biseduam për më se një orë dhe ai qe i hapur të më dëgjonte t’i shpjegoja diçka mbi besimin tim si dhe të lexonte bashkë me mua disa nga mësimet nga Libri i Mormonit për të cilin ai nuk kishte njohuri. Ne pamë se kishte shumë gjëra ku besonim të dy dhe në disa gjëra jo. Ne ndiem një lidhje miqësore dhe u lutëm së bashku përpara se ai të largohej. Ajo që më ka mbetur në mendje është diskutimi ynë mbi lindjen përsëri. Është rilindja shpirtërore nëpërmjet Jezu Krishtit konteksti i dëshmisë time për Të.
Ishte Jezusi që deklaroi se futja në mbretërinë e Perëndisë kërkon që njeriu të lindet përsëri – të lindet nga uji dhe nga Shpirti (shih Gjoni 3:3–5). Mësimi i tij mbi një pagëzim fizik dhe shpirtëror na ndihmon të kuptojmë se të dy veprimet tona dhe ndërhyrja e fuqisë hyjnore janë të nevojshme për këtë rilindje transformuese – për ndryshimin nga një njeri natyral në një shenjt (shih Mosia 3:19). Pali e përshkroi lindjen përsëri me këtë shprehje të thjeshtë: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re” (2 Korintasve 5.17).
Shikoni dy shembuj nga Libri i Mormonit. Rreth një shekull përpara lindjes së Krishtit, mbreti Beniamin e mësoi popullin e tij për ardhjen dhe Shlyerjen e Shpëtimtarit. Shpirti i Zotit kishte bërë një ndryshim të tillë të fortë tek njerëzit që ata “nuk [kishin] më prirje të [bënin] keq, por të bënin mirë vazhdimisht” (Mosia 5:2). Për shkak të besimit të tyre në Krisht, ata thanë: “Ne jemi të gatshëm të hyjmë në një besëlidhje me Perëndinë tonë, që të bëjmë vullnetin e tij dhe të jemi të bindur ndaj urdhërimeve të tij, … për të gjithë pjesën tjetër të ditëve tona” (Mosia 5:5). Mbreti u përgjigj: “Për shkak të besëlidhjes që keni bërë, ju do të quheni fëmijët e Krishtit, bijtë e tij dhe bijat e tij; pasi vini re, në këtë ditë ai ju ka lindur juve shpirtërisht; meqë ju thoni se zemrat tuaja janë ndryshuar nëpërmjet besimit në emrin e tij” (Mosia 5:7; shih gjithashtu DeB 76:24).
Rasti i Almës është gjithashtu instruktiv. Ndërsa ai dhe shokët e tij përpiqeshin të shkatërronin Kishën e Krishtit, ata u qortuan nga një engjëll. Për Almën vijuan tre ditë dhe netë të cilat ai i përshkroi duke thënë: “u torturova nga një mundim i përjetshëm… . Po, m’u kujtuan të gjitha mëkatet dhe paudhësitë e mia për të cilat unë po mundohesha me dhimbjet e ferrit” (Alma 36:12–13). Më në fund, pasi “u [pendua], pothuaj deri në vdekje” (Mosia 27:28), siç e thotë ai, i erdhi në mendje mesazhi i ëmbël i Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Alma u lut: “O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua që jam në vrerin e hidhësirës” (Alma 36:18). Falja erdhi mbi të dhe ai qëndroi dhe pranoi publikisht:
“Unë jam penduar për mëkatet e mia dhe jam shëlbuar nga Zoti; shikoni, unë kam lindur nga Shpirti.
Dhe Zoti më tha: Mos u mrekullo, se i gjithë njerëzimi, po, burra dhe gra, të gjitha kombet, fiset, gjuhët dhe popujt duhet të lindin rishtas; po, të lindin nga Perëndia, të ndryshuar nga gjendja e tyre e mishit dhe e rënë në një gjendje drejtësie, duke qenë të shëlbuar nga Perëndia, duke u bërë bijtë dhe bijat e tij.
Dhe kështu ata bëhen krijesa të reja” (Mosia 27:24–26).
Ndërsa mendojmë mbi këto shembuj dhe shkrime të tjera të shenjta, bëhet e qartë se rilindja shpirtërore vjen nga besimi në Jezu Krisht, nga hiri i të cilit ne jemi ndryshuar. Më konkretisht, është besimi te Krishti si Shlyesi, Shëlbuesi, i cili mund të të pastrojë nga mëkati dhe të të bëjë të shenjtë (shih Mosia 4:2–3).
Kur ky besim i vërtetë hedh rrënjë tek një person, ai pashmangshmërisht çon në pendim. Amuleku mësonte se sakrifica e Shpëtimtarit “do t’u sjellë shpëtim të gjthë atyre që do të besojnë në emrin e tij; pasi ky është qëllimi i këtij flijimi të fundit, për të sjellë zemrën e mëshirës, e cila e mund drejtësinë dhe u sjell njerëzve mjete që ata të mund të kenë besim deri në pendim” (Alma 34:15; korsivi i shtuar).
Sidoqoftë, për të qenë e plotë, pendesa kërkon një besëlidhje bindjeje. Kjo është besëlidhja e shprehur nga njerëzit e Beniaminit: “të bëjmë vullnetin [e Perëndisë] dhe të jemi të bindur ndaj urdhërimeve të tij” (Mosia 5:5). Kjo është besëlidhja e dëshmuar me pagëzimin në ujë (Mosia 18:10) që disa herë përmendet në shkrimet e shenjta si “pagëzim i pendimit” ose “pagëzim në pendim”, duke qenë se ai është hapi kulmor, arritja kryesore e pendimit tonë (shih p.sh., Veprat e Apostujve 19:4; Alma 7:14; 9:27; DeB 107:20).
Pastaj siç është premtuar, Zoti na pagëzon “me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë” (3 Nefi 9:20). Nefi e formuloi atë kështu: “Pasi porta nëpër të cilën ju duhet të hyni është pendimi dhe pagëzimi me anë të ujit; dhe pastaj vjen një heqje e mëkateve tuaja me anë të zjarrit dhe me anë të Frymës së Shenjtë” (shih 2 Nefi 31:17) 1. Duke u mbështetur kështu “në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë” (2 Nefi 31:19), ne “[gjallërohemi] në njeriun e brendshëm” (Moisiu 6:65) dhe, nëse akoma jo të rilindur plotësisht, atëherë të paktën të futur mirë në rrugën e rilindjes shpirtërore.
Tani Zoti na tërheq vëmendjen të kemi parasysh se “ka mundësi që njeriu të humbasë hirin” (DeB 20:32), madje edhe ata që janë shenjtëruar (shih vargjet 32–34). Siç këshillonte Nefi: “Ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetë të përjetshme” (2 Nefi 31:20).
Ju mund të pyesni: “Përse nuk ndodh më shpejt ky ndryshim i fuqishëm me mua?” Ju duhet të kujtoni se shembujt e mrekullueshëm të njerëzve të Mbretit Beniamin, të Almës dhe të disa të tjerëve në librat e shenjta janë pikërisht të tillë – të mrekullueshëm dhe jo tipikë2. Për shumë prej nesh ndryshimet janë më graduale dhe ndodhin me kohë. Të lindurit rishtas, ndryshe nga lindja fizike, është më shumë një proces se sa një ngjarje. Dhe angazhimi në këtë proces është qëllimi kryesor i jetës së vdekshme.
Në të njëjtën kohë, le të mos justifikojmë veten me një përpjekje të rastit. Të mos kënaqemi duke ruajtur disa prirje për të vepruar keq. Le të marrim pjesë denjësisht në sakrament çdo javë dhe të vijojmë së përftuari Frymën e Shenjtë për të çrrënjosur edhe mbetjet e fundit të papastërtisë brenda nesh. Unë dëshmoj se, ndërsa do të vijoni në rrugën e rilindjes shpirtërore, hiri shlyerës i Jezu Krishtit do të heqë mëkatet dhe njollat e atyre mëkateve nga ju, tundimet do të humbasin forcën dhe nëpërmjet Krishtit ju do të bëheni të shenjtë, ashtu si Ai dhe Ati ynë janë të shenjtë.
Unë e njoh Jezu Krishtin si Birin e gjallë, të rilindur të Perëndisë.
“Dhe [unë] e [di] se shfajësimi përmes hirit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht është i drejtë dhe i vërtetë;
Dhe [unë] e [di] gjithashtu se shenjtërimi përmes hirit të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht është i drejtë dhe i vërtetë; për të gjithë ata që e duan dhe i shërbejnë Perëndisë me gjithë fuqitë, mendjet dhe forcën e tyre” (DeB 20:30–31; shih gjithashtu Moroni 10:32–33).
Unë gëzohem që, për ekuilibrin e jetës time, do të jem në gjendje që vazhdimisht të ofroj Krishtin, të ofroj lajmin e mirë të Krishtit në të gjithë botën. Unë dëshmoj për realitetin dhe dashurinë e Perëndisë, Atit tonë Qiellor, të cilit Jezusi i dha gjithë lavdinë. Unë e dua dhe dëshmoj për Profetin Jozef Smith. Nëpërmjet shoqërimit të tij vetiak me Zotin, përkthimit të tij e botimit të Librit të Mormonit, si dhe vulosjes së dëshmisë së tij me gjakun e tij si dëshmor, Jozefi u bë një zbulues i shquar i Jezu Krishtit në natyrën e Tij të vërtetë si Shëlbues i shenjtë. Për Jezusin nuk ka patur dëshmi më të madhe dhe as mik më të mirë se Jozef Smithi. Unë dëshmoj për thirrjen e Presidentit Tomas S. Monson si Profet dhe President i Kishës së Jezu Krishtit në këtë kohë dhe zotohem për besnikërinë time ndaj tij dhe këshilltarëve të tij në rolet e tyre të shenjtë. Unë lutem për bekimet e Perëndisë mbi ne të gjithë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.