Plaku Lorenc E. Korbrixh
Nga të Shtatëdhjetët
Plaku Lorenc Eduard Korbrixh pohon se mbështetet tek Zoti.
“Krishti është shpresa jonë e vetme dhe çdo shpresë e jona; dhe rruga e vetme që ne mund të bëjmë gjithçka që Ai na ka kërkuar”, thotë ai. “Ne mund të kemi bindje të plotë në vetvete që ai do të na ndihmojë t’ia dalim mbanë.”
Plaku Korbrixh e ka fituar këtë dëshmi përmes vitesh shërbese në Kishë, duke përfshirë shërbesën si peshkop, këshilltar i lartë, president kunji dhe president i Misionit të Kilit, Santiago Verior, nga viti 2002 deri në 2005.
I lindur më 6 prill 1949, nga Ivan Korbrixh dhe Einxh Hau Korbrixh, Plaku Korbrixh u rrit në Provo të Jutas, SHBA. Nga viti 1968 në 1970, shërbeu me kohë të plotë në Misionin e Argjentinës Veriore.
Ai mori një diplomë shkencore në menaxhim biznesi dhe diplomën e masterit për drejtësi nga Universiteti “Brigam Jang”. Pas diplomimit, filloi karrierën juridike dhe në kohën kur u thirr në Kuorumin e Parë të të Shtatëdhjetëve, ishte aksionar dhe përfaqësuesi ligjor më i lartë në një kompani ligjore në Solt Lejk Siti.
Ai u martua me Zhaklin Shamo në Tempullin e Provos, Juta, më 21 dhjetor 1974. Kur ishte djalë i ri, Plaku Korbrixh i kalonte verat duke punuar në ferma blegtorale në Ajdaho dhe Juta, ku ai mësoi të donte veprimtaritë e qeta jashtë shtëpisë, një dashuri që ai e ndan me gruan dhe pesë bijtë e tij përmes aktivitetesh të ndryshme, përfshirë alpinizmin, udhëtimet me trap në lumë, rrëshqitjet me ski, udhëtimet në dëborë.
“Dija, karakteri dhe marrëdhëniet, veçanërisht ato familjare, janë ndër gjërat e pakta në jetë që kanë me të vërtetë rëndësi”, thotë ai. Një tjetër është “të kujtosh gjithmonë Krishtin”.
Plaku Korbrixh vijon: “Ne, çdo javë, besëlidhim të bëjmë pikërisht këtë, kur marrim sakramentin. Ne ndonjëherë dështojmë. Prapëseprapë, Zoti thotë t’i drejtohemi Atij në çdo mendim. Kështu edhe në qoftë se po punojmë për të mbajtur familjen, duke qenë nënë dhe shtëpiake, apo jemi shtrirë në një krevat spitali me gjashtë muaj jetë të mbetura, ajo akoma është sfida jonë themelore – të kujtojmë Atë dhe të bëjmë atë që do bënte Ai.”