2008
Një Dhjak 12-Vjeçar
Maj 2008


Një Dhjak 12-Vjeçar

Secili nga ne, si bij të Perëndisë, mund të përmbushim misionin dhe fatin tonë.

Elder John M. Madsen

Të dashur vëllezër të mi të priftërisë, ndërsa filloj, dua t’i drejtoj fjalët e mia tek çdo dhjak 12- vjeçar i cili po merr pjesë në këtë sesion të përgjithshëm të priftërisë. Kudo që të ndodheni, dua të vë në dukje praninë tuaj dhe t’ju tregoj ose t’ju kujtoj për një përvojë që Presidenti Gordon B. Hinkli pati kur ai ishte, siç jeni ju, një dhjak 12-vjeçar.

Nga biografia e tij lexojmë: “Jo shumë kohë pasi ai ishte shuguruar si dhjak, ai mori pjesë në mbledhjen e parë të priftërisë së kunjit, bashkë me babain e tij. Ai u ndie pak si i huaj ndërsa gjeti një karrige në një nga rreshtat e pasëm të kishës të Lagjes së Dhjetë ndërsa [babai i tij,] (i cili shërbente në presidencinë e kunjit) u ul në podium. Për të hapur mbledhjen, treqind apo katërqind burrat e pranishëm qëndruan në këmbë dhe kënduan himnin triumfues të Uilliam W. Felpsit … : ‘Lavdi atij që me Jehovën foli! / Profet Jezusi atë shuguroi. / Bekuar të hapë k’të kohë të fundit. / Mbretërit dhe kombet do flasin për të.’”

Duke reflektuar për atë përvojë, Presidenti Hinkli tha: “Diçka ndodhi brenda meje ndërsa dëgjova ata njerëz të besimit që këndonin. Ajo preku zemrën time. Më dha një ndjenjë që ishte e vështirë për t’u përshkruar. Ndjeva një fuqi të madhe prekëse si emocionalisht, ashtu edhe shpirtërisht. Nuk e kisha patur kurrë në lidhje me çdo përvojë tjetër në Kishë. Brenda zemrës sime erdhi një bindje që njeriu për të cilin ata kënduan ishte me të vërtetë një profet i Perëndisë. E dija atëherë, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, se Jozef Smithi ishte me të vërtetë një profet i Perëndisë.”1

Ashtu si ajo përvojë që pati Presidenti Hinkli si një dhjak 12-vjeçar ishte “një përvojë të cilën ai do ta kujtonte gjatë gjithë jetës së tij”2, unë lutem që përvoja që ju po përjetoni do të jetë e tillë që do ta kujtoni për të gjithë jetën tuaj.

Tani, ju ftoj të gjithëve të shikojmë tek kjo skulpturë të bukur bronzi të derdhur që titullohet “Stoli i Dhjakëve!” Për ata nga ju të cilët nuk mund ta shohin, “Stoli i Dhjakëve” përfaqëson pesë dhjakë, të kapur në një çast spontan, ndërsa qëndrojnë ulur në një stol në kishë.

Ndërsa shikoni këta pesë dhjakë, çfarë vini re? Tani, ndërsa lexoj thënie nga dy Presidentë të mëparshëm të Kishës, do ta bëj pyetjen pak më ndryshe: çfarë mund të vini re?

Presidenti Jozef Filding Smith deklaroi: “Të rinjtë tanë … janë fisnikëria e qiellit, një brez i shkëlqyer dhe i zgjedhur të cilët kanë një fat hyjnor. Shpirti i tyre është ruajtur për të ardhur në këtë ditë kur ungjilli është mbi tokë dhe kur Zoti ka nevojë për shërbëtorë të guximshëm për ta çuar para punën e tij të madhe të ditëve të mëvonshme.”3

Presidenti Spenser W. Kimball deklaroi: “Ne po rrisim një brez mbretëror … të cilët kanë gjëra të veçanta për të bërë.”4

Në dritën e këtyre deklaratave profetike, nëse e shtrijmë vegimin tonë përtej pesë dhjakëve në stol, për të përfshirë të gjithë të rinjtë e Priftërisë Aarone, atëherë çfarë mund të shihni?

Besoj dhe lutem se të gjithë mund të shohim potencialin e tyre hyjnor; se mund t’i shohim të shkojnë përpara si mbajtës të priftërisë së shenjtë dhe si misionarë duke u predikuar “ungjillin e përjetshëm”5 me anë të Shpirtit6 “kombeve të tokës”;7 që të mund t’i shohim si bashkëshortë dhe baballarë besnikë dhe si shërbëtorë guximtarë dhe udhëheqës të Kishës dhe mbretërisë së Perëndisë në këto ditë të mëvonshme.

Në mënyrë që të përfytyrojmë më qartë fatin hyjnor të këtij brezi mbretëror dhe të zgjedhur, ne vetëm duhet të reflektojmë mbi 12-vjeçarin Jezus, i cili shkoi në Jeruzalem bashkë me prindërit e Tij për të festuar “Festën e Pashkës”8.

Kush ishte ky djalë 12-vjeçar? Cili ishte misioni dhe fati i Tij? Dhe si arriti Ai ta përmbushte atë?

Ne shpallim dhe shkrimet e shenjta e konfirmojnë se Ai ishte dhe është Jezu Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë,9 se Ai “erdhi në botë … që të kryqëzohej për botën dhe të merrte mëkatet e botës, dhe ta shenjtëronte botën, dhe ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia;”10 “që shpëtimi të mund të vijë te fëmijët e njerëzve, madje nëpërmjet besimit në emrin e tij;”11 se si një i ri Ai “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”;12 se Ai “u rrit me vëllezërit dhe motrat e tij, dhe u bë i fortë, dhe priti nga Zoti që koha e shërbesës së tij të vinte”;13 dhe se Ai “u tundua në të gjitha ashtu si ne.”14 Në të vërtetë, Ai u përball me “tundime të çdo lloji;”15 “por nuk ua vuri veshin atyre.”16 Dhe kur u ballafaqua me Luciferin, “atin e gjithë gënjeshtrave”,17 “autori i të gjitha mëkateve”18, Jezusi jo vetëm u mbrojt nga njohuria e Tij për shkrimet e shenjta, por gjithashtu nga bindja e tij absolute ndaj fjalës dhe vullnetit të Atit të Tij19 dhe Ai urdhëroi duke thënë: “Shporru Satan, sepse është shkruar: Adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij”20.

Tani, në lidhje me aftësinë e Tij për të përmbushur misionin dhe fatin e Tij, merrni në konsideratë fjalët e Jezusit, i cili tha:

“Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, dhe se nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar.

Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s’më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë.”21

Që secili nga ne, si bij të Perëndisë22, mund të përmbushë misionin dhe fatin tonë, bëhet e qartë nga këto fjalë të Zotit drejtuar Profetit Jozef Smith: “Në të vërtetë, kështu thotë Zoti: Do të ndodhë që çdo shpirt, i cili i braktis mëkatet e tij dhe vjen tek unë, dhe lutet në emrin tim, dhe i bindet zërit tim, dhe i mban urdhërimet e mia … mund të [vijë] tek Ati në emrin tim dhe në kohën e përshtatshme [për të marrë] plotësinë e tij.”23

Unë kështu dëshmoj dhe gjithashtu jap dëshminë time, që Presidenti Tomas S. Monson është me të vërtetë një profet i Perëndisë dhe se ai dhe këshilltarët e tij në Presidencinë e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve janë profetë, shikues dhe zbulues, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Në Sheri Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), fq. 35–36.

  2. Në “President Gordon B. Hinckley”, In Memoriam: President Gordon B. Hinckley, 1910–2008 (shtojcë e revistës Liahona, prill 2008), fq. 3.

  3. Në Conference Report, prill 1970, fq. 6.

  4. “Boys Need Heroes Close By”, Ensign, maj 1976, fq. 45.

  5. Zbulesa 14:6; DeB 68:1; shih gjithashtu DeB 133:7–8.

  6. Shih Mateu 10:19–20; Lluka 24:32; DeB 42:14; 43:15; 50:13–22; 84:85.

  7. DeB 134:12; shih gjithashtu Zbulesa 14:6; DeB 68:8; 133:7–8..

  8. Shih Lluka 2:41–42.

  9. Shih Mateu 16:16; 2 Nefi 25:19–20; Mosia 3:8; 4:2; Alma 5:48; Helamani 5:9; 3 Nefi 5:13; 11:10–11; 20:31; DeB 14:9; 68:6.

  10. DeB 76:41.

  11. Mosia 3:9; shih gjithashtu Mosia 3:12; DeB 18:17–19, 21–25.

  12. Lluka 2:52.

  13. Përkthimi i Jozef Smithit, Mateu 3:24.

  14. Hebrenjve 4:15.

  15. Alma 7:11.

  16. DeB 20:22.

  17. 2 Nefi 2:18; Ethëri 8:25; Moisiu 4:4.

  18. Helamani 6:30; shih gjithashtu Mosia 4:14.

  19. Shih Mateu 4:1–10.

  20. Mateu 4:10.

  21. Gjoni 8:28–29.

  22. Psalmi 82:6; Hosea 1:10; Romakëve 8:16–17; Hebrenjve 12:9; DeB 11:30; 35:2; Moisiu 6:68.

  23. DeB 93:1, 19; shih gjithashtu Gjoni 4:6; DeB 76:92–95; 2 Nefi 31:7–16; 3 Nefi 12:48; 27:27; Moroni 10:32–33.