2008
Marrja e një dëshmie për Perëndinë Atin; Birin e Tij, Jezu Krishtin; dhe Frymën e Shenjtë
Maj 2008


Marrja e një dëshmie për Perëndinë Atin; Birin e Tij, Jezu Krishtin; dhe Frymën e Shenjtë

Ajo çka më është treguar mua … mund t’ju tregohet juve nga Shpirti i Shenjtë … në përputhje me bindjen dhe dëshirat tuaja.

Elder Robert D. Hales

Unë, ashtu si ju, e vlerësova pjesëmarrjen në asamblenë solemne. Por mendova se mund të jap një pikë doktrine dhe ndihmë. Kur i ngritëm duart lart në asamblenë solemne, nuk ishte thjesht një votë, sepse ne dhamë nga vetja një angazhim privat e vetjak, madje një besëlidhje, për të mbështetur dhe përkrahur ligjet, ordinancat, urdhërimet dhe profetin e Perëndisë, Presidentin Tomas S. Monson. E vlerësova kaq shumë pjesëmarrjen me ju dhe ngritjen lart të dorës së djathtë.

Vëllezër dhe motra të mia, këta muajt e shkuar kam pasur një përvojë përulëse që më ka dhënë mundësinë të mendoj me mirënjohje për dhuratën e jetës. Gjatë kësaj përvoje, kam medituar vazhdimisht dëshminë time për Perëndinë, Atin tonë të Përjetshëm dhe për Birin e Tij më të madh, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, Jezu Krishtin, dhe se si e mora dëshminë time për Atin dhe Birin.

Njerëzit në të gjithë botën, të çdo kredoje dhe besimi, kërkojnë e përpiqen të dinë: ‘Cili është Perëndia?’, ‘Cila është marrëdhënia e Tij me Jezu Krishtin?’ dhe ‘Cila është marrëdhënia jonë me Ta?’.

E di me siguri se Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti jetojnë. Shlyerja është e vërtetë. Perëndia Ati dhe Jezu Krishti janë qenie të dalluara, të ndara, të pavdekshme. Ata na njohin si individë dhe Ata i dëgjojnë dhe u përgjigjen lutjeve tona të sinqerta. Shpëtimtari u dëshmoi banorëve të Botës së Re: “Unë dëshmoj për Atin dhe Ati dëshmon për mua, dhe Fryma e Shenjtë dëshmon për Atin dhe për mua.”1 Fryma e Shenjtë më ka dëshmuar se këto gjëra janë të vërteta.

Fillova të fitoj dëshminë time në rini kur mendova mbi 13 deklaratat profetike që quhen Nenet e Besimit, që u shkruan nga Jozef Smithi. Ne i mësonim ato përmendësh në Fillore. Ato përshkruajnë besimet bazë të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. E para nga këto deklarata thotë: “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë.”2

Jozef Smithi e dinte natyrën e tre anëtarëve të Kreut-Perëndi, me anë të përvojës vetjake. Kur ishte djalosh 14 vjeçar, ai donte të dinte se me cilën nga shumë kishat e krishtere duhej të bashkohej. Në Bibël, në librin e Jakobit të Dhjatës së Re, ai lexoi: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia.”3 I bindur, ai u gjunjëzua në lutje dhe u vizitua nga Perëndia, Ati dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Ai i përshkroi Ata si “dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi [Jozefin] në ajër. Një prej tyre [Perëndia, Ati i] foli [atij], duke [e] thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”4

Që nga djalëria ime, përvoja e Jozef Smithit ka qenë drejtuese për mua – dhe mund të jetë për të gjithë ne. Profeti i ri e mësoi të vërtetën mbi Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, sepse kërkoi të dinte nga shkrimet e shenjta vullnetin e Atit të tij Qiellor dhe pastaj u bind me besnikëri.

Ky model u dha dhe u ilustrua përsosmërisht nga Shpëtimtari, siç regjistrohet në Bibël. Kur Jezusi qe djalosh 12 vjeçar, nëna e Tij, Maria, dhe babai i Tij tokësor, Jozefi, e gjetën Atë duke dhënë mësim në tempull. Jezusi i pyeti ata: “A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”5 Por Jezusi nuk po fliste për punët e Jozefit. Ai po fliste për punën e Atit të Tij të vërtetë dhe të Përjetshëm në Qiell.

Mënyra si e paraqiti Perëndia, Ati, Birin e Tij në disa raste është kuptimplote: “Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; … dhe ja një zë nga qielli që tha: ‘Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.’”6 Dhe përsëri në Malin e Shpërfytyrimit: “Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: ‘Ky është Biri im i dashur, dëgjojeni.’”7

Kur Jezusi u shfaq në kontinentin amerikan, Ai u paraqit në të njëjtën mënyrë nga Ati i Tij: “Vini re Birin tim të Dashur, në të cilin unë jam shumë i kënaqur, në të cilin unë kam lartësuar emrin tim – dëgjojeni atë.”8 Dhe pastaj, gati dy mijë vjet më vonë, të njëjtat fjalë iu thanë të riut Jozef Smith: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!9

Ka kuptim të veçantë që kurdoherë që Ati Qiellor dëshiron të na e paraqesë ne Birin e Tij, Ai na urdhëron t’ia vëmë veshin – t’i “dëgjojmë” fjalët e Jezusit.

Kush është ky Jezus? Ai mori pjesë bashkë me Atin e Tij në Krijimin e botës dhe qe përgjegjës, nën drejtimin e Atit të Tij, për krijimin e gjithë gjërave në faqen e tokës. “Dhe botë pa numër kam krijuar; dhe unë gjithashtu i krijova ato për qëllimin tim; dhe me anë të Birit i krijova ato, që është i Vetëmlinduri im.”10 Jezu Krishti është i Vetëmlinduri i Atit në mish. Ai është Ndërmjetësi ynë me Atin. Ai është Shpëtimtari që dha jetën e Tij për ne dhe e mbron çështjen tonë para Atit. Prandaj, ne i lutemi Atit Qiellor në emrin e Birit të Tij, Jezu Krishtit. Jezusi, Biri, nuk është e njëjta qenie si Ati i Tij, por Ai është i ngjashëm me Atin e Tij. Ai gjithashtu është një qenie e përlëvduar pushteti dhe autoriteti.

Është shumë ndriçuese dhe prekëse për mua kur mendoj se si Jezusi i flet Atit të Tij. Në lutjen e Tij të madhe Ndërmjetësuese, që gjendet në Bibël në librin e Gjonit, është e qartë në mënyrë të pagabueshme se Jezusi e njeh se Ai është Biri. Dëgjoni fjalët e Tij, kur Ai i raporton përfundimin e bindur të misionit të Tij tokësor, Atit të Tij në Qiell:

“Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj… .

Sepse ua kam dhënë [dishepujve] fjalët që ti më ke dhënë mua; … dhe kanë besuar se ti më ke dërguar… .

Sikurse ti më ke dërguar mua në botë, po ashtu unë i kam dërguar ata në botë… .

Dhe unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një.”11

Gjatë kursit të shërbesës së Shpëtimtarit, dishepujt vërtet u bënë një, por jo në trupat e tyre fizikë. Ata u bënë një në unitetin e qëllimit dhe dashurisë. Kjo është qenia një e Perëndisë Atë dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, për të cilën flitet në shkrimet e shenjta. Edhe ata janë qenie të veçanta, por Ata janë të bashkuar në qëllim, në dashurinë e Tyre për ne dhe në punën që Ata po bëjnë për ne.

Shpëtimtari u lut gjithashtu:

“Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, … me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota.

… Që bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua.

… Sepse ti më ke dashur para themelimit të botës.”12

Oh, sa shumë donte Jezusi që ne ta njohim Atin ashtu si e njihte Ai. Ai u lut:

“O atë i drejtë, bota nuk të ka njohur, por unë të kam njohur; dhe këta [dishepujt] e kanë njohur se ti më ke dërguar.

Dhe unë i kam bërë të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta.”13

Jezusi tregoi dashurinë e Tij të madhe për ata që zgjodhën ta ndiqnin Atë, kur u lut për mbrojtjen e tyre: “Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu.”14 Ai po lutej për ne, vëllezër e motra.

Dhe pastaj butësisht, Shpëtimtari ynë kërkon që ata, duke nënkuptuar ne, të mund të jenë me Të përsëri: “O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë.”15

Në përgatitje për sakrificën shlyese, Jezusi iu lut Atit të Tij në Kopshtin e Gjetsemanit, kur Ai mori mbi Vete mëkatet, brengat dhe vuajtjet e të gjithë njerëzve. Në ato orë i vetëm, Ai përsëri e bëri të qartë se nuk po kryente punën e Tij vetjake. Ai u lut: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.”16 Në çastin më kritik për Atë dhe për të gjithë ne, Ai nuk po fliste për Veten, apo të mbështetej në fuqinë e vet. Ai po thërriste Atin e Tij, Perëndinë e Plotfuqishëm, që ta mbështeste Atë dhe ta lejonte të bënte vullnetin e Atit të Tij; dhe Ati i Tij dërgoi një engjëll “nga qielli për t’i dhënë forcë”17. E dua kaq shumë dashurinë që Ati ka për Birin e Tij dhe për të gjithë ne.

Që më përpara themelimit të botës deri tek çastet përfundimtare në kryq, Shpëtimtari ishte marrë me punët e Atit të Tij. Ai përfundoi punën që ishte dërguar ta kryente. Prandaj, ne nuk vrasim mendjen se kujt po i fliste Ai kur, në kryq, “tha: ‘U krye!’” 18 dhe “bërtiti me zë të lartë … ‘O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën time!’ dhe, si tha këto, dha frymë”19. Ne e dimë se Ai po i lutej Atit të Tij në Qiell.

Unë dëshmoj se Shpëtimtari ynë jeton. Ai është i Vetëmlinduri i Atit dhe Ai do të vijë përsëri në këtë tokë që të mbretërojë. Ai është Jezu Krishti, i Shenjti i Izraelit, “plot hir dhe mëshirë dhe vërtetësi… . Është ai që vjen për të marrë mëkatet e botës, po, mëkatet e çdo njeriu që beson vendosmërisht në emrin e tij”20. Ai është vërtet Biri i Perëndisë, që u ngrit nga vdekja në ditën e tretë, duke i sjellë realitetin e ringjalljes të gjithëve që do të vijnë në tokë. Unë dëshmoj gjithashtu se Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm jeton dhe e do secilin prej nesh, sepse ne jemi fëmijët e Tij. Dashuria e Tij ishte kaq e madhe saqë Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur, në botë, “që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”21.

Si një Apostull i Zotit Jezu Krisht, unë dëshmoj për të vërtetën që është në shkrimet e shenjta dhe që më është treguar mua dhe mund t’ju tregohet juve nga Shpirti i Shenjtë. Ajo do të zbulohet sipas bindjes dhe dëshirave tuaja. Shpëtimtari na mësoi, gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, këtë të vërtetë të madhe që zbatohet për të gjithë ne: “Dhe çdo gjë që ju do t’i kërkoni Atit në emrin tim, që është e drejtë, duke besuar se do ta merrni, vini re, ajo do t’ju jepet.”22 Unë dëshmoj se i di këto gjëra dhe e di me siguri që këto gjëra që kam thënë janë të vërteta. Lutja ime është që ju të mund të kërkoni për të njëjtën siguri, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. 3 Nefi 11:32.

  2. Nenet e Besimit 1:1.

  3. Jakobi [Bibël] 1:5.

  4. Joseph Smith—Historia 1:17.

  5. Lluka 2:49.

  6. Mateu 3:16–17.

  7. Lluka 9:35.

  8. 3 Nefi 11:7.

  9. Joseph Smith—Historia 1:17.

  10. Moisiu 1:33.

  11. Gjoni 17:4, 8, 18, 22.

  12. Gjoni 17:5, 23–24.

  13. Gjoni 17:25–26.

  14. Gjoni 17:15.

  15. Gjoni 17:24.

  16. /Mateu 26:39.

  17. Lluka 22:43.

  18. Gjoni 19:30.

  19. Lluka 23:46.

  20. Alma 5:48.

  21. Gjoni 3:16.

  22. 3 Nefi 18:20.