Përvojat e Veçanta
Udhëtimi ynë vetjak gjatë jetës na siguron shumë përvoja të veçanta, të cilat bëhen themelet e besimit dhe të dëshmisë.
Dëshiroj të shtoj dëshminë time në këtë ditë të veçantë, që Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Zotit mbi tokë. Jam mirënjohës që kam këtë privilegj, që të flas në konferencën e përgjithshme.
Jam mirënjohës, ashtu siç jeni ju, për përvojën që kemi në këtë konferencë historike kur ne mbështesim, sipas një mënyre të përpiktë e të modeluar, profetin tonë, Presidencinë e Parë dhe udhëheqësit e Kishës.
Kjo përvojë përforcon dëshmitë tona dhe rrit besimin tonë tek njohuria se kjo është sigurisht, Kisha e vërtetë dhe e gjallë e Zotit.
Udhëtimi ynë vetjak gjatë jetës na ofron shumë përvoja të veçanta të cilat bëhen themelet e besimit dhe të dëshmisë. Këto përvoja na vijnë në mënyra mjaft të ndryshme dhe në kohë të paparashikueshme. Mund të jenë ngjarje të fuqishme e shpirtërore ose çaste dritëdhënëse. Disa përvoja do të vijnë si sfida serioze dhe sprova të rënda që vënë në provë aftësinë tonë për t’u përballur me to. Sido që të jetë përvoja, secila na jep një rast për rritje vetjake, për urtësi më të madhe dhe, në shumë raste, për shërbim ndaj të tjerëve me më shumë ndjeshmëri e dashuri. Sikurse Zoti i bëri të ditur në një mënyrë qetësuese Profetit Jozef Smith në një nga sprovat e tij më domethënëse në Burgun e Libertisë, “të gjitha këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde” (DeB 122:7).
Ndërsa përvojat mblidhen në jetën tonë, ato shtojnë forcën dhe mbështetjen për njëri-tjetrin. Ashtu si themelet e shtëpive tona mbajnë pjesën tjetër të ngrehinës, po ashtu përvojat e jetës sonë vetjake bëhen themele për dëshmitë tona dhe shtojnë besimin tonë tek Zoti Jezu Krishti.
Vetë ky sesion konference ilustron vlerën e një jete plot me përvoja. Ndërsa ndjekim këshillat e mençura të udhëheqësve tanë dhe habitemi nga mësimet dhe shpirti i tyre, a është çudi që Zoti zgjedh Apostullin e Tij kryesor, pas vitesh përgatitjeje, për t’u bërë profeti i Tij i zgjedhur?
Bekimi im patriarkal tregon se mua do të më jepeshin përvoja të veçanta që do të më forconin vetë dëshminë time. Vëllezër e motra, mendoni për përvojat e veçanta me të cilat jeni bekuar në jetë, të cilat i kanë dhënë zemrës suaj bindje dhe gëzim. Ju kujtohet kur e kuptuat për herë të parë që Jozef Smithi ishte profeti i Perëndisë për Rivendosjen? Ju kujtohet kur e pranuat nxitjen e Moronit dhe kuptuat që Libri i Mormonit ishte me të vërtetë një dhiatë tjetër e Jezu Krishtit? Ju kujtohet kur morët një përgjigje për lutjen e zjarrtë dhe kuptuat që Ati juaj Qiellor ju njeh dhe ju do individualisht? Kur sodisni përvoja të tilla të veçanta, a nuk ju sjellin ato një ndjenjë mirënjohjeje dhe qëndrueshmërie për të ecur përpara me besim dhe vendosmëri të përtërirë?
Pak kohë më parë Motra Rasband dhe unë patëm një përvojë që nuk do ta harrojmë kurrë. Unë isha caktuar të kryesoja në dy konferenca të kunjeve në Peru. Ndërsa ndodheshim atje, shkuam në qytetin Puno lart në Malet e Andeve, në Liqenin Titikaka. Në mbi 3660 metra mbi nivelin e detit, habiteshim me këtë qytet të thjeshtë e të bukur, lart në këtë liqen të Andeve. U takuam me presidentët e kunjeve të asaj zone dhe patëm një mbledhje shpirtërore të mrekullueshme për rininë, me të rinj nga zona e Punos.
Një mëngjes na ftuan të vizitonim një grup të vogël anëtarësh të cilët jetonin jashtë në ishujt lundrues prej kallamishtesh të Liqenit Titikaka. Njerëzit që jetojnë atje, njihen si indianët uros të Bolivisë dhe të Perusë.
Na thanë se disa familje të shenjtorëve të ditëve të mëvonëshme ishin bërë bashkë dhe kishin ndërtuar ishullin e tyre të ri lundrues. Plot emocione, morëm një barkë në drejtim të ishullit dhe këta anëtarë të mrekullueshëm na përshëndetën ngrohtësisht.
Mbajtëm në krahë foshnjat e tyre që i kishin mbështjellë me mbulesat artizanale më të mrekullueshme e plot ngjyra. Hëngrëm peshkun që ata e zunë po atë ditë në liqen, që e kishin përgatitur me mjaft kujdes dhe na e shërbyen me bujari. Pamë artikujt dhe punimet e tyre zejtare dhe shkëmbyem dhurata me njëri-tjetrin.
Ndërsa bënim vizitat, mësuam se fëmijët e tyre vozisnin çdo ditë me kanoe për 45 minuta vajtje-ardhje nga Puno për seminarin dhe shkollën. Gjithashtu u kënaqëm që këta anëtarë i njihnin mirë shkrimet e shenjta, i kuptonin dhe i donin ato. Me të shpejtë na treguan rekomandimet e tyre të vlefshme të tempullit, meqenëse kishin marrë indaumentin dhe ishin vulosur në Tempullin Koçabamba të Bolivisë.
Para se të largoheshim, njëra nga nënat pyeti nëse do të gjunjëzoheshim me ta e të bënim një lutje si familje. Më kujtohet mirë gjunjëzimi mbi shtrojen prej xunkthi të butë tok me këta shenjtorë besnikë. Kur u ulëm në gjunjë, ajo më pyeti nëse do ta thoja unë lutjen dhe, duke përdorur Priftërinë Melkizedeke, të dedikoja ishullin dhe shtëpinë e tyre të re.
Ndjeva përulësi të thellë që, atje mbi ishujt lundrues të Liqenit Titikaka, këta shenjtorë të ditëve të mëvonshme besnikë më kërkonin të lutesha për ishullin e vogël Apu Inti e t’i kërkoja Zotit të bekonte shtëpitë dhe familjet Luhano dhe Hajaui.
Kur mendoj për këtë përvojë të veçantë me të cilën na bekoi Zoti, e di se një gur i ri themeli është shtuar në shtëpinë time të besimit. Shpesh e mendoj atë përvojë në Puno si një rikujtues tjetër të përmbushjes së vetë bekimit tim patriarkal.
Nga parathënia e Doktrinës e Besëlidhjeve, shkruar më 1831, e cila parathotë zgjerimin e punës së Zotit në ditët tona, Zoti zbulonte:
“Por që çdo njeri të mund të flasë në emër të Zotit Perëndisë, madje të Shpëtimtarit të botës;
Që besimi gjithashtu të mund të rritet në tokë;
Që besëlidhja ime e përjetshme të mund të themelohet;
Që plotësia e ungjillit tim të mund t’u shpallet nga të dobtit dhe të thjeshtët fundeve të botës” (DeB 1:20–23).
Vëllezër dhe motra, anëtarët e dobët dhe të thjeshtë të Kishës, porsi ju dhe unë, po ua çojnë ungjillin skajeve të tokës, në Puno të Perusë dhe vende të tjera të largëta. Besimi po rritet mes popullit të besëlidhjes së Perëndisë dhe unë besoj se është nëpërmjet një thesari vetjak përvojash të tilla të çmuara që rritja e besimit mund të ndodhë për secilin nga ne.
Presidenti Monson tha: “[Zoti] urdhëron. Dhe atyre që i binden Atij, qofshin të diturit apo të thjeshtët, Ai do t’u zbulohet gjatë mundimeve, konflikteve, vuajtjeve nëpër të cilat ata do të kalojnë duke i shkuar pas dhe … ata do të mësojnë me përvoja vetjake se Kush është Ai” (Në “The Way of the Master,” Liahona, janar 2003, 7; duke cituar Albert Schweitzer, The Quest of the Historical Jesus [1948], 401; shtohet theksimi).
Në këto kohë të ndërhyrjeve të botës në jetën tonë, kur sprovat dhe vështirësitë mund të duken sikur na përpijnë, le të kujtojmë përvojat tona të veçanta, shpirtërore. Këto themele të besimit do të na sjellin bindje dhe siguri për një Atë të përzemërt në Qiell, për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krisht, dhe për Kishën e Tyre të vërtetë e të gjallë të rivendosur. Dëshmoj kështu në emër të Jezu Krishtit, amen.