2008
Miliona Anëtarë Mbështesin Udhëheqësit e Rinj të Kishës në Asamble Solemne
Maj 2008


Miliona Anëtarë Mbështesin Udhëheqësit e Rinj të Kishës në Asamble Solemne

Anëtarët e Kishës përreth botës u mblodhën tek ndërtesat e mbledhjeve dhe nëpër shtëpi, nëpërmjet satelitit, televizionit, radios apo internetit, për të mbështetur Presidentin e ri dhe Presidencinë e Parë të re të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, më 5 prill 2008.

Presidenti Tomas S. Monson dhe këshilltarët e tij në Presidencinë e Parë, Presidenti Henri B. Ajring dhe Presidenti Diter F. Uhtdorf, ishin njoftuar paraprakisht më 4 shkurt 2008, pasi Presidenti Gordon B. Hinkli ndërroi jetë më 27 janar. Megjithatë, Konferenca e Përgjithshme Vjetore e 178-të e Kishës, e mbajtur më 5 dhe 6 prill 2008, ishte mundësia e parë që patën anëtarët e Kishës si një e tërë të mbështesnin udhëheqësit e tyre të rinj.

Anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve u mbështetën gjithashtu gjatë asamblesë solemne me fillesë tek Qendra e Konferencave në Salt Lejk Siti. Plaku D. Tod Kristoferson u mbështet si anëtari më i ri i atij kuorumi. Anëtarët mbështetën edhe Autoritete të Përgjithshme dhe udhëheqës të tjerë të organizatave ndihmëse të Kishës.

Plaku L. Uitni Klejton i Kuorumit të Parë të të Shtatëdhjetëve u thirr të plotësonte mungesën e krijuar në Presidencinë e të Shtatëdhjetëve me thirrjen e Plakut Kristoferson.

Pesëmbëdhjetë burra u mbështetën si anëtarë të rinj të Kuorumeve të Parë dhe të Dytë të të Shtatëdhjetëve, së bashku me mbështetjen e një presidencie të përgjithshme të re për Të Rejat. (Shih informacionin biografik shoqërues.) Dy anëtarë të Kuorumit të Dytë të të Shtatëdhjetëve, Pleqtë Krejg C. Kristensen dhe Uilliam R. Uolker, u mbështetën për Kuorumin e Parë të të Shtatëdhjetëve. Më tej, 38 të Shtatëdhjetë të Zonave të tjerë u thirrën të shërbejnë në zonat e tyre përkatëse të Kishës. (Shih faqet 4–7 për listën e plotë të atyre që u thirrën dhe u liruan gjatë konferencës së përgjithshme.)

Presidenti Monson është Presidenti i Parë i Kishës i mbështetur në një asamble solemne të mbajtur në Qendrën e Konferencave. Sipas Plakut Marlin K. Xhensen të të Shtatëdhjetëve, historiani dhe dokumentuesi i Kishës, Profeti Jozef Smith dhe presidencia e tij u mbështetën në një asamble solemne të mbajtur në Tempullin e Kirtlandit më 27 mars 1836. Brigam Jangu dhe presidencia e tij së pari u mbështetën më 27 dhjetor 1847, në Tabernakullin e Kanesvilit në Konsil Bllafs të Ajovës. Duke filluar nga Presidenti Xhon Tejlor më 10 tetor 1880, çdo President deri para Presidentit Monson është mbështetur në një asamble solemne të mbajtur në Tabernakullin e Salt Lejkut.

“Ndërsa anëtarët e Kishës në asambletë solemne të hershme mund të merrnin pjesë vetëm duke i ndjekur në Tabernakull”, thotë Plaku Xhensen, “vitet e fundit bashkësitë e anëtarëve përreth botës kanë marrë pjesë nëpërmjet transmetimit satelitor dhe votimi i bashkësive është vëzhguar nga presidencitë e kunjeve. Duke filluar nga 1945-a, anëtarëve të Kishës që i dëgjojnë punimet e konferencës në vendet e tyre, u është kërkuar të mbështesin Presidentin e ri kudo që të jenë.”

Dhiata e Vjetër fillimisht dokumenton që Zoti i udhëzon izraelitët të mbajnë asamble solemne në Festën e Pashkës (shih Eksodi 23:14–17; Ligji i Përtërirë 16:8, 16) dhe Festën e Tabernakujve, të quajtur gjithashtu Festa e Kasolleve, Festa e të Vjelave ose Sukkot (shih Levitiku 23:33–36; Nehemia 8:18).

“Për anëtarët e Kishës, mbështetja e funksionarëve të Kishës nuk është veprim pasiv i dhënies së një vote”, thotë Plaku Xhensen. “Mbështetja në një asamble solemne tregon gatishmëri për të ofruar besim, lutje dhe mbështetje të vazhdueshme për Presidentin e ri të Kishës.”

Plaku Xhensen vë në dukje që një asamble solemne nuk është hera e vetme që anëtarëve u kërkohet të mbështesin udhëheqësit e Kishës. Një votim mbështetës merret si pjesë e konferencave të përgjithshme, konferencave të kunjeve dhe konferencave të lagjeve apo të degëve.

“Kur anëtarët mbështesin rregullisht udhëheqjen e Kishës, do të kenë një mundësi të përtërijnë zotimet që bënë në këtë asamble solemne”, thotë Plaku Xhensen.

Më shumë se 100.000 njerëz i ndoqën sesionet tek Qendra e Konferencave, me miliona më shumë që i shihnin ose i dëgjonin nëpërmjet transmetimeve televizive, radiofonike, satelitore dhe të internetit.

Sesionet e konferencës së përgjithshme të prillit u përkthyen dhe u transmetuan në 92 gjuhë, më tepër se në çdo konferencë të përgjithshme paraardhëse.

Variante të shkruara, zanore dhe pamore të konferencës gjenden në internet në adresën LDS.org.