2008
Një Libër me Premtim
Maj 2008


Një Libër me Premtim

Unë lutem që ne të vazhdojmë ta përdorim Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, për të ndarë mesazhin e ungjillit me familjen dhe miqtë.

Elder Craig C. Christensen

Të dashur vëllezër e motra, ishte një privilegj i shenjtë të bashkohesha me ju në mbështetjen e Presidentit Tomas S. Monson, këshilltarëve të tij në Presidencinë e Parë dhe të Dymbëdhjetë Apostujve, si profetë, shikues e zbulues. Unë dëshmoj se profetët “flasin ashtu siç nxiten nga Fryma e Shenjtë.

Dhe çfarëdo që ata do të flasin kur nxiten nga Fryma e Shenjtë, do të jetë shkrim i shenjtë, do të jetë vullneti i Zotit, … dhe fuqia e Perëndisë për shpëtim” (DeB 68:3–4).

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne kemi përfitimin dhe bekimin e shkrimit të shenjtë të gjallë siç deklarohet nga ata profetë të mbështetur, si dhe shkrimet e shenjta të kanonizuara që gjenden në Bibël, Librin e Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe. Profeti Nefi shkroi: “Shpirti im kënaqet pa masë në shkrimet e shenjta dhe zemra ime i mediton ato dhe i shkruan ato për mësimin dhe përfitimin e fëmijëve të mi” (2 Nefi 4:15). Shkrimi i shenjtë i shkruar, veçanërisht Libri i Mormonit, na sjell të besojmë tek Perëndia dhe në Krisht dhe të “pajtohe[mi] me të, nëpërmjet shlyerjes së Krishtit, Birit të tij të Vetëmlindur” (Jakobi [LiM] 4:11).

Disa muaj më parë një mik dhe unë patëm mundësinë t’i paraqesim një komplet shkrimesh të shenjta një kolegu që nuk është anëtar i Kishës. Duke e ditur se kjo mund të ishte për të një ngjarje që të ndryshon jetën – si edhe për ne – shpenzuam kohë për ta shkruar emrin e tij tek secili vëllim. Ndërsa i paraqitëm atij dokumentet e shenjta, mund ta kuptonim se ai u prek thellë nga kuptimi dhe sinqeriteti i dhuratës sonë. Për disa minuta ai shqyrtoi secilin libër pa folur, duke i fërkuar kapakët me dorë dhe duke kthyer disa faqe.

Duke e kuptuar rëndësinë e atij çasti, ne e ndihmuam të drejtohej tek faqja e titullit të Librit të Mormonit dhe filluam t’i shpjegojmë se Libri i Mormonit ishe një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Më pas ai bëri pyetjen që mezi presin ta dëgjojnë gjithë anëtarët me mendje misionari: “Përse na duhen dëshmi të tjera për Jezu Krishtin, përveç Biblës?” Në vend që t’i përgjigjeshim shpejt, ne e pyetëm si mendonte ai, se përse kjo mund të ishte e rëndësishme. Përgjigja e tij dukej edhe më e frymëzuar se pyetja. Ai sugjeroi se përderisa dukej të ishin shumë variante të Biblës dhe mësimeve të saj, ne na duhej një lloj zëri sqarues, diçka që do të na ndihmonte ta kuptonim Biblën më mirë. Vërejtja e tij na dha mundësinë të ndanim ndjenjat dhe dëshmitë tona në lidhje me të dy, Biblën dhe Librin e Mormonit.

Ne filluam duke shprehur përkushtimin dhe bindjen tonë të thellë ndaj doktrinave dhe mësimeve të Biblës, veçanërisht Dhjatës së Re. Mundësia për të lexuar shumë nga fjalët e Shpëtimtarit ashtu si na e mësoi Ai ungjillin gjatë shërbesës së Tij tokësore na forcon, na ndihmon ta njohim Atë dhe na mëson se ne mund të bëhemi më tepër si Ai. Pastaj ne deklaruam se, ashtu si Bibla, Libri i Mormonit është një provë tjetër se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe ka siguruar një udhë që ne të kthehemi dhe të jetojmë me Të përsëri. Ne kaluam rreth një orë më tej duke rishikuar shumë aspekte të Librit të Mormonit, përfshirë historinë dhe prejardhjen e tij hyjnore. Më lejoni të ndaj pak nga gjërat që diskutuam.

Një Libër me Premtim

Ne shpjeguam së pari se Libri i Mormonit është një libër me premtim. Ndonëse vetë historia e tij është bindëse, ai është një libër me domethënie shkrimi të shenjtë që duhet të merret e të lexohet nën ndikimin e Frymës së Shenjtë. Të gjithëve që i studiojnë dhe i meditojnë mësimet e tij u jepet një premtim që gjendet në kapitullin e fundit të Moronit (shih Moroni 10:3–4), si dhe në parathënien e Librit të Mormonit, ku lexojmë: “Ne ftojmë të gjithë njerëzit kudo, të lexojnë Librin e Mormonit, të mendojnë në zemrat e tyre mesazhin që ai mban dhe pastaj t’i kërkojnë Perëndisë, Atit të Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se libri është i vërtetë. Ata që do të ndjekin këtë udhë dhe kërkojnë me besim, do të marrin, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë një dëshmi të vërtetësisë dhe të hyjnisë së tij.” Ne pastaj kaluam disa minuta duke e mësuar për lutjen dhe sesi Fryma e Shenjtë i flet zemrave tona dhe konfirmon se Libri i Mormonit është i vërtetë.

Një Libër me Qëllim

Pastaj pohuam se Libri i Mormonit është një libër me qëllim. Nga faqja e titullit ne lexojmë se Libri i Mormonit ishte “shkruar me urdhërim” dhe “nëpërmjet shpirtit të profecisë dhe të zbulesës” që të “vijë në dritë nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” për të bindur secilin prej nesh “se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar.” Me një shprehje vetjake të këtij qëllimi, Nefi, si një nga autorët e Librit të Mormonit, shkroi: “I gjithë qëllimi im është që të mund të bind njerëzit, që të vijnë te Perëndia i Abrahamit, dhe te Perëndia i Isakut, dhe te Perëndia i Jakobit, dhe të shpëtohen” (1 Nefi 6:4).

Një Libër që na Mëson Planin e Madh të Lumturisë

Përveç këtyre, ne shpjeguam se Libri i Mormonit është një libër që na mëson “planin e madh të lumturisë” (Alma 42:8; shih gjithashtu vargjet 5, 13, 31; 2 Nefi 9). Me fjalë të thella dhe përsëri të kuptueshme, Libri i Mormonit mëson qëllimin e jetës, nga vijmë dhe çfarë na ndodh kur vdesim. Ne mësojmë për besimin tek Jezu Krishti dhe sakrifica e Tij shlyese, për pendimin, për rëndësinë e pagëzimit me anë të zhytjes në ujë dhe për dhuratën e fuqinë e Frymës së Shenjtë. Duke studiuar e duke u ushqyer me doktrinat e Librit të Mormonit, ne fitojmë “një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për të gjithë njerëzit”, me një dëshirë për të “[duruar] deri në fund” që të mund “të [kemi] jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20).

Një Libër që Dëshmon se Jezusi Është Krishti

Më e rëndësishmja, ne deklaruam se Libri i Mormonit është një libër që dëshmon se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari i botës. Profetë të mëdhenj gjatë gjithë Librit të Mormonit kanë dhënë dëshmi solemne se Jezu Krishti është Krijuesi i tokës (shih Mosia 3:8), Shëlbuesi i njerëzimit (shih Helamani 5:9–12), i Vetëmlinduri i Atit (shih 1 Nefi 11:18–21; Jakobi [LiM] 4:11). Këta profetë të Librit të Mormonit e njihnin Atë, ashtu si dhe Abrahami e Moisiu, si dhe e morën dhe e dhanë mësim ungjillin e Tij të përjetshëm. Kur lexojmë dhe studiojmë fjalët e tyre, ne marrim një dijeni më të thellë të dashurisë së pashoqe të Shpëtimtarit, të shembullit dhe jetës së Tij të përsosur, si dhe të bekimeve të sakrificës së Tij madhështore shlyese.

Një Libër që Vërteton Misionin Profetik të Jozef Smithit

Ne pastaj dëshmuam se Libri i Mormonit është një provë e prekshme që Jozef Smithi u zgjodh nga dora e Zotit për të rivendosur në tokë Kishën e Jezu Krishtit në këto ditë të mëvonshme. Siç deklarohet në parathënien e Librit të Mormonit: “Ata që marrin [një] dëshmi hyjnore nga Shpirti i Shenjtë [për hyjninë e Librit të Mormonit], do të mësojnë gjithashtu, nga e njëjta fuqi, se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës, se Joseph Smithi është zbuluesi dhe profeti i tij në këto ditë të fundit dhe se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Zotit e ngritur sërish mbi tokë.”

Që kur Samuel Smithi u nis të predikonte ungjillin me pak kopje të botimit të parë, Libri i Mormonit ka bekuar jetën e miliona njerëzve në të gjithë botën. Unë lutem që ne të vazhdojmë ta përdorim Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, për të ndarë mesazhin e ungjillit me familjen dhe miqtë. Nëse e bëjmë këtë, siç ishte rasti me shokun tonë të dashur, shumë do të përgjigjen me interes të madh për të mësuar më shumë rreth jetës dhe misionit të Shpëtimtarit dhe planit të Tij të mrekullueshëm të lumturisë për secilin prej nesh.

Unë shpreh dëshminë time solemne se Libri i Mormonit është i vërtetë. Ai është një libër që ka sjellë një ndryshim të fuqishëm në jetën time. E di se Perëndia jeton. Jezusi është Krishti. Ungjilli i Tij është rivendosur në tokë. Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Tij dhe orakulli i gjallë në këtë kohë. Shpirti që ndiej kur çdo ditë lexoj, meditoj dhe lutem për Librin e Mormonit e forcon dijen dhe dëshminë time për këto gjëra dhe më ripohon se ato janë të vërteta. Përulësisht ndaj me ju këtë dëshminë time personale në emrin e Jezu Krishtit, amen.