Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe
Në këtë botim konference, jepen udhëzues burimorë për t’iu shtuar manualeve Aaronic Priesthood Manual 3 dhe Young Women Manual 3. Për zonat që nuk i kanë këto manuale, jepen përzgjedhjet e mëposhtme nga Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe] (artikulli nr. 36123) për të ndihmuar udhëheqësit, mësuesit dhe prindërit që të përmirësojnë përpjekjet e tyre të mësimdhënies.
NDIHMA QË INDIVIDËT TË MARRIN PËRGJEGJËSI PËR TË MËSUAR UNGJILLIN
Përgjegjësia e Çdo Individi për të Mësuar Ungjillin
Në një letër mbi studimin e ungjillit, Plaku Brus R. MekKonki, shkroi: “Tani le të vijmë tek … një përfundim që do të ketë një aspekt të rëndësishëm për shpëtimin tonë të përjetshëm. Ai është që çdo person duhet t’i mësojë doktrinat e ungjillit për vete. Askush tjetër nuk mund ta bëjë për atë. Secili person qëndron i vetëm përsa i përket diturisë së ungjillit; secili ka të disponueshme të njëjtat shkrime të shenjta dhe ka të drejtën për udhërrëfimin e të njëjtit Shpirt të Shenjtë; secili duhet të paguajë çmimin e vendosur nga një Providencë Hyjnore nëse do të marrë perlën me vlerë të madhe.
I njëjti parim drejton si mësimin e të vërtetës ashtu dhe jetën në harmoni me standardet e saj. Askush nuk mund të pendohet për apo në emër të një tjetri; askush nuk mund të mbajë urdhërimet në vend të një tjetri; askush nuk mund të shpëtohet në emrin e dikujt tjetër. Dhe askush nuk mund të marrë një dëshmi apo të ecë përpara në dritë dhe të vërtetë drejt lavdisë së përjetshme për askënd, përveç vetvetes. Që të dyja, dija e së vërtetës dhe bekimet që vijnë tek ata që pajtohen me parimet e vërteta, janë çështje vetjake. Dhe ashtu si Perëndia i ofron të njëjtin shpëtim çdo shpirti që jeton të njëjtat ligje, po ashtu Ai i ofron të njëjtën dijeni të së vërtetës së Tij të përjetshme të gjithëve atyre që paguajnë çmimin e kërkuesit të së vërtetës.
Procesi i Kishës për të fituar njohuri të ungjillit është si vijon:
-
Përgjegjësia bie mbi secilin person për të fituar njohuri të së vërtetës me anë të përpjekjeve vetjake.
-
Tjetër, familjet duhet t’u japin mësim anëtarëve të tyre. Prindërit janë urdhëruar t’i rrisin fëmijët e tyre në dritë e të vërtetë. Shtëpia duhet të jetë qendra kryesore mësimore në jetën e një shenjtori të ditëve të mëvonshme.
-
Për të ndihmuar familjet dhe individët, Kisha, si një agjenci shërbimi, siguron shumë mundësi për të dhënë e për të marrë mësim. Ne na është dhënë urdhëri ‘t’ia [mësojmë] njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë’ (DeB 88:77). Kjo kryhet në mbledhjet e sakramentit, në konferenca dhe mbledhje të tjera, nga mësuesit e shtëpisë, në klasat e priftërisë e të shoqatave të ndihmës, nëpërmjet seminareve e instituteve dhe nëpërmjet sistemit arsimor të Kishës” (“Finding Answers to Gospel Questions,” në Charge to Religious Educators, bot. 3të [1994], f. 80).
Roli i Mësuesit për të Ndihmuar Individët që të Mësojnë Ungjillin
Duke e ditur se individët janë përgjegjës për të mësuar ungjillin, mund të pyesim, ‘Cili është roli i mësuesve?’ Ai është të ndihmojë individët të marrin përgjegjësinë për të mësuar ungjillin – të zgjojë në ta dëshirën për ta studiuar, kuptuar dhe jetuar ungjillin, si dhe t’u tregojë atyre si ta bëjnë këtë.
Motra Virxhinia H. Piërs, që ka shërbyer si këshilltare e parë në presidencinë e përgjithshme të Të Rejave, ka thënë:
“Qëllimi i mësuesit është më i madh sesa thjesht të japë një leksion mbi të vërtetën. Ai është të ftojë Shpirtin dhe të përdorë teknika që do ta rritin mundësinë që nxënësi të zbulojë të vërtetën [dhe] të motivohet për ta zbatuar atë… .
… Përfytyroni qindra mijëra klasa çdo të dielë, secila me një mësues që e kupton se ‘nxënia duhet të bëhet nga nxënësi. Prandaj është nxënësi që duhet të vihet në veprim. Kur mësuesi vihet në qendër, bëhet ylli i shfaqjes, flet vetëm ai dhe përndryshe merr mbi vete gjithë aktivitetin, është thuajse e sigurt se ai po ndërhyn në nxënien e anëtarëve të klasës’ [Asahel D. Woodruff, Teaching the Gospel (1962), f. 37].
Një mësues i aftë nuk mendon ‘Çfarë do të bëj unë në klasë sot?’ por pyet ‘Çfarë do të bëjnë studentët e mi në klasë sot?’; jo ‘Çfarë do të jap unë mësim sot?’ por në vend të kësaj, ‘Si do t’i ndihmoj unë studentët e mij që të zbulojnë atë që duhet të dinë?’ [Teaching the Gospel: A Handbook for CES Teachers and Leaders (1994), f. 13]. Mësuesi i aftë nuk dëshiron që studentët të largohen nga klasa duke folur se sa i shkëlqyer dhe i jashtëzakonshëm është mësuesi. Ai mësues dëshiron që studentët të largohen duke folur se sa i mrekullueshëm është ungjilli!” (në Conference Report, tetor 1996, f. 13–14; ose Ensign, nëntor 1996, f. 12).
Mësuesit që kuptojnë përgjegjësinë e tyre të vërtetë, respektojnë zgjedhjen e lirë të secilit person që e mësojnë. Ata gëzohen kur ata që u mësojnë i studiojnë vetë shkrimet e shenjta, zbulojnë vetë parimet e ungjillit dhe bëjnë kontribute të mprehta në diskutimet. Mësuesit janë më të suksesshëm kur nxënësit studiojnë me zell, rriten në ungjill dhe marrin forcë nga Perëndia.
Mësuesit e shkëlqyer nuk i marrin meritat për mësimin dhe rritjen e atyre që u mësojnë. Ashtu si kopshtarët që mbjellin dhe kujdesen për bimët, ata orvaten të krijojnë kushtet më të mira të mundshme për mësim. Pastaj, ata falenderojnë Perëndinë kur shohin përparimin e atyre që u mësojnë. Pali shkroi: “As ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit” (1 Korintasve 3:7).
Nxitja e Mbështetjes tek Vetja për Mësimin e Ungjillit
Sugjerimet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë të nxisni të tjerët të marrin përgjegjësinë për të mësuar ungjillin:
-
Ushqeni vetë entuziazmin tuaj për studimin e shkrimeve të shenjta dhe mësimeve të profetëve të ditëve të mëvonshme. Entuziazmi juaj mund të frymëzojë ata që u mësoni që të ndjekin shembullin tuaj.
-
Kur jepni mësim, gjithmonë tërhiqeni vëmendjen tek shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme. Kjo do të ndihmojë anëtarët të vlerësojnë sa e pasur dhe kuptimplote është fjala e Perëndisë.
-
Bëni pyetje që kërkojnë që nxënësit të gjejnë përgjigjet tek shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme. Ndërkohë që disa herë është mirë të pyesni nxënësit se çfarë mendojnë për tema të caktuara, shpesh është ide më e mirë t’i pyesni ata se çfarë na mësojnë shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme.
-
Jepni detyra që kërkojnë studim të shkrimeve të shenjta dhe mësimeve të profetëve të ditëve të mëvonshme. Mbani parasysh që ta përfundoni një mësim duke bërë një pyetje apo duke dhënë një detyrë që kërkon që të pranishmit të shqyrtojnë shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme. Edhe fëmijëve të vegjël mund t’u jepet kjo lloj detyre. Për shembull, pas një mësimi mbi lutjen, mund t’u kërkoni fëmijëve të lexojnë bashkë me prindërit një rrëfim nga shkrimi i shenjtë ose nga një bisedë e konferencës së përgjithshme mbi lutjen.
-
Ndihmoni nxënësit të kuptojnë se njerëzit në shkrimet e shenjta ishin njerëz të vërtetë, që përjetuan sprova dhe gëzime në përpjekjet e tyre për t’i shërbyer Zotit. Shkrimet e shenjta bëhen të gjalla kur ne kujtojmë se profetët dhe njerëz të tjerë në shkrimet e shenjta përjetuan shumë nga të njëjtat gjëra që ne provojmë.
-
Tregojuni nxënësve si të gjejnë përgjigje për sfidat e jetës tek shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme. Për shembull, mund t’i ndihmoni të përdorin treguesin e lëndës në botimet e konferencës të revistave të Kishës për të kërkuar këshillë mbi tema të tilla si ngushëllimi, pendimi, falja, zbulesa, ose lutja.
-
Nxitini hapur ata që u mësoni që të studiojnë shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme. Disa nuk e kanë kuptuar asnjëherë përgjegjësinë e tyre për të mësuar ungjillin. Disa e kanë harruar. Një peshkop vërejti se një herë ai kishte marrë pjesë në një mbledhje trainimi të Fillores ku ishte hedhur sfida e studimit të shkrimeve të shenjta çdo ditë. Si rezultat i drejtpërdrejtë i asaj përvoje, ai humbi vetëm një ditë studimi gjatë 13 viteve që pasuan. Ai tha se ky studim i ndryshoi jetën.
-
epni dëshmi për Shpëtimtarin si qendra e të gjithë mësimeve të shkrimeve të shenjta dhe të profetëve të ditëve të mëvonshme. Jini veçanërisht i guximshëm në dhënien e dëshmisë tuaj për Shpëtimtarin. Kur ata që u mësoni shohin Shpëtimtarin në shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme, do t’u rritet etja për studim dhe dëshmia e tyre do të forcohet.
VLERËSIMI I PARAQITJEVE TË MËSIMIT
Pasi zhvilloi një mësim, një mësues i Doktrinës së Ungjillit ishte i shqetësuar nga përvoja e mësimdhënies. Disa pjesë të mësimit kishin shkuar mirë, por pjesë të tjera kishin qenë zhgënjyese. “Përse disa gjëra shkuan mirë dhe disa jo?” pyeste veten. “Çfarë duhet ta bëj përsëri kur të paraqes mësimin? Çfarë duhet të ndryshoj?” Këto pyetje i mbetën ndërsa meditonte si të ndihmonte anëtarët e klasës së tij që të mësonin ungjillin. Pyetjet që ky mësues i bënte vetes janë gati të zakonshme tek mësuesit.
Përveç vlerësimit të mësimit të atyre që u mësojmë, është e rëndësishme që të vlerësojmë edhe suksesin tonë në paraqitjen e mësimit. Presidenti Spenser W. Kimball na mësoi për rëndësinë e vlerësimit të vetvetes dhe të kërkesës për t’u përmirësuar: “Ne gjejmë dhe vendosim standarde të pranueshme të përsosmërisë … dhe e matim punën tonë sipas tyre. Duhet të jemi më pak të interesuar që të lëmë pas të tjerët por më të shqetësuar që të lëmë pas arritjet tona të kaluara” (The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball [1982], f. 488).
Pas çdo mësimi duhet të shpenzojmë kohë për të zbatuar këshillën e Presidentit Kimball për të “matur punën tonë”. Kjo do të na ndihmojë të përgatitemi për mësimin e ardhshëm dhe të vazhdojmë të përmirësohemi si mësues.
Çfarëdo ndryshimesh që nxiteni të bëni, kujtoni se vlerësimi i mësimdhënies tuaj duhet të jetë një përvojë pozitive, jo një përvojë shkurajuese. Çdo herë që zbuloni një mënyrë për të përmirësuar mësimdhënien tuaj, ju zbuloni një mënyrë të re për të ndihmuar të tjerët që të mësojnë ungjillin dhe që të jetojnë sipas parimeve të tij.
Pyetje për t’Ju Ndihmuar që të Vlerësoni Paraqitjet e Mësimit
Suksesi i një mësimi matet nga ndikimi i tij tek ata që u jepni mësim. Kur vlerësoni çdo mësim që jepni, përpiquni të kujtoni përgjigjet e nxënësve në pika të ndryshme të mësimit. Mund t’i kujtoni më qartë përgjigjet e tyre nëse rishihni planin që përdorët për të paraqitur mësimin.
Pyetjet e renditura më poshtë mund t’ju ndihmojnë kur vlerësoni mësimet. Vini re se pyetjet e para ju ndihmojnë të përcaktoni çfarë keni bërë mirë. Zakonisht mund të mësoni më shumë se si të përmirësoheni duke u përqendruar së pari tek sukseset se sa te zhgënjimet. Kur me përulësi njihni pikat tuaja të forta, mund të ndërtoni mbi to dhe t’i përdorni për të përmirësuar mësimdhënien tuaj në përgjithësi. Pasi të përcaktoni çfarë keni bërë mirë, mund të përcaktoni se çfarë mund ta bëni më mirë.
-
Në cilat pika të mësimit ata që po u mësoja dukeshin më të gatshëm për të marrë pjesë? Kur dukeshin më pak të gatshëm për të marrë pjesë?
-
Në cilat pika të mësimit ata dukeshin se e ndienin më fuqishëm ndikimin e Shpirtit? Kur dukeshin se e ndienin më pak fuqishëm ndikimin e Shpirtit?
-
Në cilat pika të mësimit ata dukeshin më të menduar? Kur dukeshin se nuk po mendoheshin thellë?
-
Në cilat pika të mësimit ata dukeshin të gjenin zbatimin më të madh për jetën e tyre? Kur dukeshin se nuk e gjenin zbatimin e mësimit për jetën e tyre?
Ndërsa meditoni për secilën nga pyetjet e renditura më sipër, mbani parasysh këto pyetje vazhdimësie:
-
Cilat aspekte të paraqitjes së mësimit dukeshin të kontribuonin për këto përgjigje?
-
Çfarë më tregon kjo mbi ata që u mësoj?
-
Si mund të më ndihmojë kjo dijeni kur përgatitem për mësimin e ardhshëm?
Kur i bëni vetes këto pyetje, mbani parasysh të shkruani përgjigjet që të mos harroni perceptimet dhe nxitjet që merrni. Mund të befasoheni nga sa shumë do të mësoni.
Kur meditoni me lutje mënyra për t’iu afruar atyre që u mësoni, Shpirti mund t’ju ndihmojë të shihni fusha në të cilat mund të përmirësoheni.