2008
Dëshmia
Maj 2008


Dëshmia

Njohuria nxit bindjen dhe bindja rrit njohurinë.

Elder Dallin H. Oaks

Një dëshmi e ungjillit është një dëshmi vetjake që lind në shpirtin tonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë, që disa fakte me rëndësi të përjetshme janë të vërteta dhe se ne dimë që ato janë të vërteta. Fakte të tilla përfshijnë natyrën e Kreut Perëndi dhe lidhjen tonë me tre anëtarët e tij, efikasitetin e Shlyerjes dhe realitetin e Rivendosjes.

Një dëshmi për ungjillin nuk është një histori udhëtimi, bisedë mbi gjendjen shëndetësore apo një shprehje dashurie për anëtarët e familjes. Ajo nuk është një predikim. Presidenti Kimbëll na mësoi se në momentin që ne fillojmë t’u predikojmë të tjerëve, dëshmia jonë ka mbaruar1.

I.

Shumë pyetje ngrihen kur ne dëgjojmë të tjerët të sjellin dëshmi ose kur mendojmë të sjellim vetë dëshmi.

  1. Në një mbledhje dëshmish një anëtar thotë: “Unë e di se Ati dhe Biri iu shfaqën Profetit Jozef Smith.” Një vizitor mendon: “Çfarë kupton ai kur thotë se ai e di se?”

  2. Një i ri që përgatitet për një mision mendon nëse dëshmia e tij është mjaft e fortë që ai të mund të shërbejë si misionar.

  3. Një i ri dëgjon dëshminë e një prindi apo mësuesi. Si e ndihmon një dëshmi e tillë një person që e dëgjon atë?

II.

Çfarë kuptojmë ne kur dëshmojmë dhe themi se ne e dimë se ungjilli është i vërtetë? Krahasojeni këtë lloj njohurie me “Unë e di se është ftohtë përjashta” ose “Unë e di se unë e dua bashkëshorten time”. Këto janë tre lloje të ndryshme njohurie, secila e mësuar në një mënyrë të ndryshme. Njohja e temperaturës përjashta mund të verifikohet me prova shkencore. Njohja që ne e duam bashkëshorten apo bashkëshortin, është personale dhe subjektive. Ndonëse nuk mund të ketë prova shkencore, ajo prapë është e rëndësishme. Ideja se çdo njohuri e rëndësishme bazohet në të dhëna shkencore, thjesht është e pavërtetë.

Ndërkohë ka disa “të dhëna” për të vërtetat e ungjillit (për shembull, shih Psalmin 19:1; Helamani 8:24), metodat shkencore nuk do të jepnin njohuri shpirtërore. Kjo është ajo që Jezusi na mësoi në përgjigje të dëshmisë së Simon Pjetrit se Ai ishte Krishti: “I lumtur je ti, Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej” (Mateu 16:17). Apostulli Pal e shpjegoi këtë. Në një letër shenjtorëve korintas ai tha: “Asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë” (1 Korintasve 2:11; shih gjithashtu Gjoni 14:17).

Në kontrast me këtë, ne njohim gjërat e njeriut sipas mënyrave të njeriut, por “njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; Sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14).

Libri i Mormonit na mëson se Perëndia do të manifestojë të vërtetën e gjërave shpirtërore për ne me forcën e Frymës së Shenjtë (shih Moroni 10:4–5). Në zbulesën moderne Perëndia na premton se ne do të marrim “njohuri” nëpërmjet tregimit të Tij për mendjen dhe për zemrën tonë “me anë të Frymës së Shenjtë” (DeB 8:1–2).

Një nga gjërat më të mëdha mbi planin e Atit tonë Qiellor për fëmijët e Tij është që secili prej nesh mund të mësojë vetë të vërtetën e atij plani. Kjo njohuri e zbuluar nuk vjen nga librat, nga provat shkencore, apo nga mendimi intelektual. Siç ndodhi me Apostullin Pjetër, ne mund ta marrim atë njohuri direkt nga Ati ynë Qiellor nëpërmjet dëshmisë së Frymës së Shenjtë.

Kur ne dimë të vërteta shpirtërore me anë të mjeteve shpirtërore, ne mund të jemi pikërisht po aq të sigurt mbi atë njohuri ashtu si studiuesit apo shkencëtarët janë të sigurt për lloje të ndryshme dijesh që ata kanë arritur me metoda të ndryshme.

Profeti Jozef Smith na dha një shembull të mrekullueshëm të kësaj. Kur ai u persekutua pse u tregoi njerëzve mbi vegimin e tij, ai e krahasoi rastin e tij me Apostullin Pal, që u përqesh dhe u ofendua kur ai u mbrojt përpara mbretit Agripa (shih Veprat e Apostujve 26). “Por e gjithë kjo nuk e shkatërroi realitetin e vegimit të tij”, tha Jozefi. “Ai kishte parë një vegim, ai e dinte se e kishte parë dhe e gjithë përndjekja nën qiell nuk mund ta ndryshonte atë; … Kështu ishte me mua”, vijoi Jozefi. “Unë kisha parë me të vërtetë një dritë dhe në mes të asaj drite pashë dy Personazhe dhe ata me të vërtetë më folën; … Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe unë nuk mund ta mohoja, as nuk guxoja ta bëja atë” (Joseph Smith—Historia 1:24–25).

III.

Kjo ishte dëshmia e Jozef Smithit. Çfarë do të themi për tonën? Si mund ta dimë dhe të dëshmojmë që ajo që ai tha është e vërtetë? Si arrin një njeri të fitojë atë që ne e quajmë dëshmi?

Hapi i parë në arritjen e çfarëdo lloj njohurie është të dëshirohet vërtetë që të dihet. Në rastin e njohjes shpirtërore, hapi tjetër është t’i kërkosh Perëndisë me lutje të sinqertë. Siç lexojmë në zbulesën moderne:

“Në qoftë se do të kërkosh, ti do të marrësh zbulesë pas zbulese, dituri pas diturie, që të mund të dish misteret dhe gjërat paqësore – ato që sjellin gëzim, ato që sjellin jetë të përjetshme” (DeB 42:61).

Ja si e tregoi Alma atë që bëri: “Vini re, unë kam agjëruar dhe jam lutur për shumë ditë, që t’i di këto gjëra vetë. Dhe tani, unë vetë e di se ato janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi m’i ka njoftuar nëpërmjet Shpirtit të tij të Shenjtë” (Alma 5:46).

Kur ne dëshirojmë të kërkojmë, ne duhet të kujtojmë se arritja e një dëshmie nuk është një gjë pasive, por një proces ku pritet që ne të bëjmë diçka. Jezusi na mësoi: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17).

Një mënyrë tjetër për të kërkuar dëshmi, duket e habitshme kur krahasohet me metodat e arritjes së një njohurie tjetër. Ne e fitojmë ose forcojmë një dëshmi duke e shprehur atë. Dikush madje sugjeroi se disa dëshmi arrihen më mirë në këmbë, duke i shprehur ato, se sa në gjunjë duke u lutur për to.

Një dëshmi vetjake është themelore për besimin tonë. Si rrjedhim, gjërat që ne duhet të bëjmë që të arrijmë, të forcojmë dhe të mbajmë një dëshmi janë thelbësore për jetën tonë shpirtërore. Përveç atyre që sapo thamë, ne kemi nevojë të marrim pjesë në sakrament çdo javë (shih DeB 59:9) për t’u kualifikuar për premtimin e çmuar se ne do të “ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]” (DeB 20:77). Doemos, ai Shpirt është burimi i dëshmive tona.

IV.

Ata që kanë dëshmi të ungjillit të rivendosur kanë gjithashtu detyrë që ta përhapin atë. Libri i Mormonit na mëson se ne duhet “të qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] … gjendemi” (Mosia 18:9).

Një nga mësimet më të rëndësishme në marrëdhëniet midis dhuratës së një dëshmie dhe detyrës për ta ruajtur atë është në seksionin 46 të Doktrina e Besëlidhje. Në përshkrimin e llojeve të ndryshme të dhuratave shpirtërore, kjo zbulesë shpall:

“Disave u jepet me anë të Frymës së Shenjtë të dinë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se ai u kryqëzua për mëkatet e botës.

Të tjerëve u jepet të besojnë në fjalët e tyre, që edhe ata të mund të kenë jetë të përjetshme, nëse qëndrojnë besnikë” (vargjet 13–14; shih gjithashtu Gjoni 20:29).

Ata që kanë dhuratën të dinë kanë detyrën e qartë ta thonë dëshminë e tyre, kështu që ata që kanë dhuratën e besimit në fjalët e tyre të mund edhe ata të kenë jetë të përjetshme.

Nuk ka pasur kurrë një nevojë më të madhe për ne që të tregojmë besimin tonë, privatisht dhe publikisht (shih DeB 60:2). Megjithëse disa shpallin ateizmin, ka shumë që janë të hapur për të vërteta plotësuese mbi Perëndinë. Këtyre kërkuesve të sinqertë, ne duhet t’u afirmojmë ekzistencën e Perëndisë, Atit të Përjetshëm, misionin e shenjtë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit dhe realitetin e Rivendosjes. Ne duhet të jemi të guximshëm në dëshminë tonë për Jezusin. Secili prej nesh ka shumë mundësi të shpallë bindjet tona shpirtërore tek miqtë dhe fqinjët, te bashkëpunëtorët dhe tek njohjet e rastit. Ne duhet të përdorim këto mundësi për të shprehur dashurinë tonë për Shpëtimtarin tonë, dëshminë tonë për misionin e Tij hyjnor dhe vendosmërinë tonë për t’i shërbyer Atij.2 Fëmijët tanë duhet gjithashtu të na dëgjojnë të japim shpesh dëshmitë tona. Ne duhet t’i forcojmë gjithashtu fëmijët tanë, duke i nxitur ata të formohen vetë nëpërmjet dëshmive të tyre në rritje, jo thjesht nga njohja e arritjeve shkollore, sportive apo në veprimtari të tjera shkollore.

V.

Ne jetojmë në një kohë kur disa i paraqesin shtrembër besimet e atyre që ata i quajnë mormonë dhe madje na ofendojnë ne për shkak të tyre. Kur ndeshemi me keqinterpretime të tilla, ne kemi për detyrë të flasim për të sqaruar doktrinën tonë dhe atë që ne besojmë. Ne duhet të jemi ata që deklarojmë ato që ne besojmë dhe jo t’ua lemë të tjerëve fjalën e fundit në keqinterpretime. Kjo thërret për dëshmi, që mund të shprehet privatisht tek një i njohur apo publikisht në një mbledhje të vogël apo të madhe. Kur ne dëshmojmë të vërtetën që dimë, ne duhet besnikërisht të kemi vëmendjen të flasim “me qetësi dhe butësi” (DeB 38:41). Ne nuk duhet të jemi kurrë arrogantë, të vrazhdë apo fyes. Siç na mësoi Apostulli Pal, ne duhet ta themi të vërtetën me dashuri (shih Efesianëve 4:15). Kushdo mund të mos bjerë dakord me dëshminë tonë personale, por askush nuk mund ta hedhë atë poshtë.

VI.

Në mbyllje unë po flas për raportin midis bindjes dhe njohurisë. Anëtarët që kanë një dëshmi dhe që veprojnë sipas saj nën drejtimin e udhëheqësve të Kishës së tyre, ndonjëherë akuzohen për bindje të verbër.

Patjetër që kemi udhëheqës dhe patjetër që u nënshtrohemi vendimeve dhe drejtimit të tyre në veprimtarinë e Kishës dhe kryerjen e ordinancave të duhura të priftërisë. Por, kur vijmë në mësimin dhe njohjen e të vërtetës së ungjillit – dëshmitë tona personale – secili nga ne ka një lidhje direkte me Perëndinë, Atin tonë të Përjetshëm dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, nëpërmjet dëshmisë së fuqishme të Frymës së Shenjtë. Kjo është ajo që kritikët tanë nuk arrijnë të kuptojnë. Ata i ngatërron ajo që ne mund të jemi të bashkuar në ndjekjen e udhëheqësve tanë dhe përsëri të pavarur në njohjen për veten tonë.

Ndoshta ngatërresa, ndiejnë disa, mund të shpjegohet nëpërmjet realitetit që secili prej nesh ka dy kanale të ndryshëm komunikimi me Perëndinë. Ne kemi një kanal qeverisjeje nëpërmjet profetit tonë dhe udhëheqësve të tjerë. Ky kanal, që ka të bëjë me doktrinën, ordinancat dhe urdhërimet, çon tek bindja. Ne gjithashtu kemi një kanal të dëshmisë tonë personale, që është direkt tek Perëndia. Kjo lidhet me ekzistencën e tij, lidhjen tonë me Të dhe me të vërtetën e ungjillit të rivendosur. Ky kanal ka të bëjë me njohurinë. Këto dy kanale përforcojnë njeri-tjetrin: Njohuria nxit bindjen (shih Ligji i Përtërirë 5:27; Moisiu 5:11) dhe bindja rrit njohurinë (shih Gjoni 7:17; DeB 93:1).

Ne të gjithë veprojmë në bazë të njohurisë ose i bindemi njohurisë. Qoftë në shkencë apo në fe, bindja jonë nuk është e verbër kur ne veprojmë bazuar mbi njohurinë e përshtatur me subjektin e veprimit tonë. Një shkencëtar merr dhe vepron mbi një të vërtetë të besuar të përmbajtjes apo kushteve të një eksperimenti të veçantë. Në çështje të fesë burimi i njohurisë së një besimtari është shpirtëror, por parimi është i njëjti. Në rastin e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kur Fryma e Shenjtë i jep shpirtit tonë një dëshmi të së vërtetës së ungjillit të rivendosur dhe të thirrjes së një profeti modern, zgjedhja jonë për të ndjekur ato mësime nuk është një bindje e verbër.

Në gjithë dëshmimin tonë ne duhet të shmangim arrogancën dhe krenarinë. Ne duhet të kujtojmë qortimin në Librin e Mormonit ndaj popullit që kishte një krenari të tillë për gjërat më të mëdha që u kishte dhënë Perëndia dhe që ata u shkaktonin vuajtje fqinjëve të tyre (shih Jakobi 2:20). Jakobi tha se kjo ishte “[e] neveritshme për atë që krijoi çdo mish” sepse “çdo qenie është po aq e çmueshme në pamjen e tij sa tjetra” (Jakobi 2:21). Më vonë Alma tërhoqi vëmendjen që: “ju nuk duhet të çmoni një mish mbi një tjetër, ose një njeri nuk duhet të mendojë se është mbi një tjetër” (Mosia 23:7)

Unë po përfundoj me dëshminë time. Unë e di se ne kemi një At Qiellor, plani i të cilit na sjell ne në tokë dhe na siguron kushtet dhe fatin e udhëtimit tonë të përjetshëm. Unë e di se ne kemi një Shpëtues, Jezu Krishtin, mësimet e të cilit përcaktojnë planin dhe Shlyerja e të cilit jep sigurinë e pavdekësisë dhe mundësinë për jetë të përjetshme. Unë e di se Ati dhe Biri iu shfaqën Profetit Jozef Smith për të rivendosur plotësinë e ungjillit në këto ditë të mëvonshme. Dhe unë e di se ne udhëhiqemi sot nga një profet, Presidenti Tomas S. Monson, i cili mban çelësat për të autorizuar mbajtësit e priftërisë për të kryer ordinancat e caktuara për përparimin tonë drejt jetës së përjetshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih The Teachings of Spenser W. Kimball. botimi Edward L. Kimball (1982), faqe 138.

  2. Për shembull, shih Jeanne Newman, “With the Sound of a Trump,” Tambuli, gusht–shtator 1985, faqe 21–23.