2008
E Sotmja
Maj 2008


E Sotmja

Me kusht që të jetojmë Sot në mënyrë të tillë që të pretendojmë hirin pastrues të Shlyerjes, ne do të jetojmë përgjithmonë me Perëndinë.

Elder Lance B. Wickman

Tre javë më parë hyra tek e Djeshmja. Atë çast rizbulova të Sotmen. Dhe për të Sotmen dëshiroj të flas.

Një detyrë e Kishës më ka çuar përmes largësive të mëdha të Paqësorit në tokën e Vietnamit. Për mua kjo ishte më shumë se një fluturim mbi oqean. Ishte një kthim pas në kohë. Më shumë se 40 vjet më parë kisha shërbyer në fushëbetejat e atij vendi si oficer këmbësorie. Skalitur në mendjen time gjatë atyre dekadave të aksionit ndërhyrës ishin kujtimet për atë vend, për njerëzit e tij dhe shokët e mi të armëve me të cilët kisha shërbyer. Jakobi dikur shkroi: “Jetët tona kaluan sikur të ishin një ëndërr” (Jakobi 7:26 [LiM]). Kështu ishte për mua. Dhe tani, nga mjedisi im i kujtimeve po kthehesha tek ai vend kujtimesh pas afro një gjysmë shekulli. I përfundova punët e Kishës dhe vendosa të vizitoj rishtas ato fusha betejash të dëshpëruara. Në shoqërinë e bashkëshortes sime të dashur ndërmora pelegrinazhin.

Nuk jam plotësisht i sigurt se çfarë prisja të gjeja pas aq shumë vitesh. Ajo që gjeta ishte shumë e paparashikuar. Në vend të një populli të dërmuar nga lufta, gjeta një popullatë rinore e të gjallëruar. Në vend të fshatrave të vraguara nga bombardimi i artilerisë, gjeta fusha të qeta e të gjelbëruara. Madje edhe bimësia e xhunglës ishte e re. Mendoj se gjysma e asaj që prisja ishte të gjeja të Djeshmen, por ajo që gjeta ishte e Sotmja dhe premtimi për një të Nesërme të ndritur. Më erdhi ndër mend se “të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi” (Psalmeve 30:5).

Ndërsa vija këmbë rishtas në fushë dhe ecja edhe një herë shtegut të xhunglës, në mendje dëgjoja përsëri breshërinë e mitralozit, fërshëllimën e ciflave të bombave dhe batarenë e armëve të lehta. Pashë përsëri fytyrat rinore të bronxta të shokëve të cilët “dhanë pikën e fundit të gjakut” (Abraham Lincoln, Gettysburg Address). Dhe mendova veçanërisht për njërin dhe për një ditë – një ditë të vetme, 3 prill 1966, të dielën e palmave, një kohë Pashke. Pothuajse 42 vjet më parë nga kjo ditë sot.

Batalioni ynë i këmbësorisë ndodhej në Vietnam prej disa muajsh. Unë isha toger, drejtuesi i një toge pushkatarësh. Ne përfshiheshim pothuaj vazhdimisht në operacione luftimi. Në agim të asaj dite batalioni ynë gjendej thellë në territorin armik. Shumë herët dërguam një patrullë zbulimi prej rreth 10 vetash. Një prej tyre ishte rreshteri Artur Moris. Disa nga njerëzit ishin plagosur në një shkëmbim zjarri, përfshirë rreshterin Moris, i cili mori një plagë të lehtë në mish. Si përfundim, njerëzit e patrullës çapitën përsëri prapa tek vijat tona.

Kërkuam me radio një helikopter evakuimi mjekësor. Ndërsa ngarkonim të plagosurit në helikopter, e nxita rreshterin Moris të hipte dhe ai. Ai ngurronte. Unë e nxita përsëri. Ai përsëri ngurroi. Edhe një herë e këshillova atë. Përsëri ai nuk pranoi. Më në fund, i thashë: “Reshter Moris, hip në helikopter”. Ai më shikoi, me sinqeritetin në sytë e tij, duke u përgjëruar. “Zotëri, të lutem” tha ai dhe pastaj ja këto fjalë që nuk do të më ndahen kurrë: “Ata s’e vrasin dot një djalë të fortë si unë”.

E gjithë skena është gdhendur në mendjen time si tablo beteje: spastrimi i xhungles; ankthi, rrahja e elikës së helikopterit; piloti që priste se ç’do të bëja unë; dhe miku im që më lutej të qëndronte me të vetët. Unë u zbuta. I valëvita dorën helikopterit që merrte me vete litarin e shpëtimit për të Nesërmen. Para se dielli të perëndonte në po atë ditë, miku im i dashur, Rreshteri Artur Sirius Moris, ra i vdekur në tokë i këputur nga zjarri armik. Dhe me jehonë në mendjen time, pa pushim, dëgjoj thirrjen e tij, “Ata s’e vrasin dot, s’e vrasin dot, s’e vrasin dot.”

Natyrisht, në një kuptim ai e kishte tmerrësisht gabim. Jeta e vdekshme është kaq e brishtë. Vetëm një rrahje zemre, një frymëmarrje e vetme, e ndan këtë botë nga tjetra. Një çast, miku im ishte njeri plot jetë e i gjallë; në tjetrin, shpirti i tij i pavdekshëm kishte ikur, duke e lënë tabernakullin e vdekshëm si një plis dheu pa jetë. Vdekja është një vel përmes të cilit duhet të kalojë gjithkush, dhe ashtu si Reshteri Artur Moris, asnjë nga ne nuk e di kur ndodh ai kalim. Nga të gjitha sfidat që hasim, ndoshta më e madhja është ndjenja e gabuar që jeta e vdekshme vazhdon përgjithnjë dhe paralelisht me këtë, mendimi se mund ta shtyjmë deri nesër kërkimin dhe ofrimin e faljes, të cilat, siç mëson ungjilli i Jezu Krishtit, janë ndër qëllimet kryesore të jetës së vdekshme.

Kjo e vërtetë e thellë na mësohet nga Amuleku në Librin e Mormonit:

“Pasi vini re, kjo jetë është koha për njerëzit që të përgatiten të takohen me Perëndinë; po, vini re, dita e kësaj jete është dita për njerëzit që të kryejnë punët e tyre… . Si rrjedhim, ju lutem shumë që të mos e shtyni ditën e pendimit tuaj deri në fund… . Pasi i njëjti shpirt që zotëron trupat tuaj në kohën që ju largoheni nga kjo jetë, i njëjti shpirt do të ketë fuqi të zotërojë trupin tuaj në atë botë të përjetshme” (Alma 34:32–34; me shkrim kursiv shtesë).

Sa e mprehtë shprehja që përdor Amuleku “dita e kësaj jete”! Apostulli Jakob e thotë kështu: “Ndërsa [ju] nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Është avull që duket për pak, dhe pastaj humbet” (Jakobi 4:14 [Bibla]). Dhe ai njeri që ne jemi kur largohemi nga kjo jetë, është njeriu që do të jetë kur futemi në tjetrën. Për fat të mirë, ne kemi të Sotmen.

Nëse Rreshteri Moris e kishte tmerrësisht gabim, ai gjithashtu kishte madhërisht të drejtë! Me të vërtetë ne jemi të pavdekshëm, në kuptimin që Shlyerja e Krishtit mposht vdekjen qoftë fizikisht, qoftë shpirtërisht. Dhe po qe se e kemi jetuar të Sotmen në atë mënyrë që të pretendojmë hirin pastrues të Shlyerjes, ne do të jetojmë përgjithnjë me Perëndinë. Kjo jetë nuk është kohë për të marrë dhe grumbulluar, sesa është kohë për të dhënë dhe për t’u ndryshuar. Jeta e vdekshme është fushëbeteja në të cilën ndeshen drejtësia dhe mëshira. Por nuk nevojitet që ato të ndeshen si kundërshtarë, sepse janë pajtuar në Shlyerjen e Jezu Krishtit për gjithkënd që e përdor të Sotmen me urtësi.

Mbetet vetëm që ju dhe unë edhe të kërkojmë, edhe të ofrojmë atë falje – edhe të pendohemi, edhe t’u japim të tjerëve dashuri hyjnore – të cilat na japin mundësi të kalojmë nga dera që Shpëtimtari e mban të hapur, për të kapërcyer kështu pragun nga kjo jetë drejt ekzaltimit. E Sotmja është dita për t’u falur të tjerëve gabimet e tyre, të siguruar nga dijenia që Shpëtimtari në këtë mënyrë do të na falë tonat. Sikurse Lluka e shënoi në mënyrë kuptimplote: “Jini të mëshirshëm” (Lluka 6:36; theksimi i shtuar). Përkryerja mund të na shmanget këtu, por ne kemi mundësi të jemi të mëshirshëm. Dhe në mbyllje, pendimi dhe falja janë ndër kërkesat kryesore të Perëndisë ndaj nesh.

Pelegrinazhi im i kthimit prapa në kohë përfundoi, vështrova përreth ato fusha të qeta të së Sotmes dhe në pjellorinë e tyre pashë premtimin e së Nesërmes. Mendova për mikun tim, Rreshterin Artur Sirius Moris. Mendova për atë ditë fatale, të Dielën e Palmave të së Djeshmes. Dhe isha thellësisht mirënjohës për Shëlbuesin e mëngjesit të Pashkës i cili na dhuron jetë, zbritja e të cilit nën gjithçka, bën të mundur ngjitjen tonë mbi gjithçka – Të Nesërmen, por vetëm nëse rrokim të Sotmen. Në emër të Jezu Krishtit, amen.