2008
Shpirti Im Kënaqet pa Masë në Gjërat e Zotit
Maj 2008


Shpirti Im Kënaqet pa Masë në Gjërat e Zotit

Kënaqësia në gjërat e Zotit … do të na “ngrejë” zemrat dhe do të na japë shkas të “gëzohemi”.

Susan W. Tanner

Në Librin e Mormonit, Nefi flet shpesh për kënaqësinë e pamasë. Ai kënaqet “me gjërat e Zotit”, “me shkrimet e shenjta” dhe “me planin e madh e të përjetshëm” të Atit tonë në Qiell (shih 2 Nefi 4:15–16; 11:2–8). Veçanërisht, Nefi shpesh kujton burimet e kënaqësisë së tij të pamasë në mes të shqetësimeve, burime që i shërbejnë për t’ia ngritur dhe përqendruar shpirtin tek bekimet e përjetshme.

Edhe ne duhet kënaqemi pa masë në gjërat e Zotit sepse ato do të na “ngrenë” zemrat dhe do të na japin shkas të “gëzohemi” (2 Nefi 11:8). Më lejoni të përmend pak nga gjërat në të cilat unë kënaqem pa masë.

Unë kënaqem pa masë në Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Ashtu si Nefi, “unë ngazëllehem në Jezusin tim” (2 Nefi 33:6), në shërbesën dhe funksionet e Tij shpëtimtare mbi tokë. Ai na jep dritë e shpresë dhe na ka dhënë Frymën e Shenjtë për udhëzim e ngushëllim të mëtejshëm përgjatë shtegut ku duhet të shkojmë. Vetëm nëpërmjet Tij ne mund të kthehemi tek Ati ynë. “Shpëtimi mund të vijë te fëmijët e njerëzve, vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit” (Mosia 3:17).

Unë kënaqem pa masë tek ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit, ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, me të cilët kam patur mundësinë e bekuar të shërbej. Unë dëshmoj se Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Zotit në tokë sot. Unë kënaqem pa masë që ai është vërtet një shërbestar si Krishti për çdo njeri, duke i ofruar ngrohtësi e dashuri çdo individi.

Unë kënaqem pa masë për çelësat e priftërisë dhe tempujt në të gjithë tokën, që i bëjnë të disponueshme secilit prej nesh ordinancat dhe besëlidhjet e përjetshme. Kohët e fundit, disa nga ditët e mia më qiellore kanë qenë martesat në tempull të vetë fëmijëve të mi, ku babai im ka kryer atë ordinancë të shenjtë.

Unë kënaqem pa masë me forcën e rinisë, ndërsa i shoh të rinjtë të mbushin tempujt për të bërë pagëzime për të vdekurit. E dua besnikërinë e tyre të denjë ndaj standardeve që çojnë në tempull dhe përgatitjen e tyre për t’u bërë misionarë besnikë dhe nëna e etër të drejtë.

Unë kënaqem pa masë që jam një bijë e Atit Qiellor, që më do. Mësova për identitetin tim hyjnor në vitet e mia më të hershme, përkrah nënës time. Tamam këto ditët e fundit kam parë mbesën time atëherë tre vjeçare, ta mësojë identitetin e saj nga e ëma. Eliza kishte shkuar të flinte e shqetësuar. Ajo do të gjente qetësi vetëm kur e ëma t’i tregonte përsëri historinë e vërtetë e të preferuar të Elizës, për natën e veçantë kur Ati Qiellor, shquar dhe qartë, i pëshpëriti në zemër mamit të saj, se Eliza është një shpirt i veçantë që ka përpara një mision fisnik.

Unë kënaqem pa masë për rolin tim si edukatore, që më lejon të shpreh identitetin tim më të thellë si grua. Gjithmonë më lë mbresa mënyra se si gratë, të rejat e madje dhe vajzat e vogla duken të kenë një interesim e aftësi instinktive për të edukuar. Nuk është vetëm përgjegjësia parësore e nënës, por gjithashtu pjesë e “identitetit dhe qëllimit individual të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, tetor 2004, f. 49). Të edukosh, është të japësh mësim, të kujdesesh për zhvillimin, të nxisësh rritjen, të ushqesh fizikisht dhe shpirtërisht. Kush nuk do të thërriste nga gëzimi që i është dhënë një rol i tillë kaq i bekuar?

Shkrimet e shenjta e përdorin fjalën edukim [kujdesim] vetëm dy herë dhe në të dy rastet flasin për përgjegjësinë e prindërve për t’i rritur fëmijët e tyre “në kujdesin dhe këshillën e Zotit” (Efesianëve 6:4; Enosi 1:1).

Presidenti Hinkli gjithashtu i këshilloi edhe burrat, edhe gratë të jenë edukatorë. Ai tha: “Sa herë më e bukur do të ishte … shoqëria ku jetojmë, nëse çdo atë … dhe … nënë do t’i quanin fëmijët [e tyre] … si dhurata nga Perëndia i qiellit, … dhe do t’i rriste ata me dhembshuri të vërtetë në urtësinë dhe këshillën e Zotit?” (“These, Our Little Ones,” Liahona, dhjetor 2007, f. 7).

Unë kënaqem pa masë me familjet. Ditët e fundit jam kënaqur pa masë për lindjen e një mbese të re në një familje që kupton se prindërit kanë përgjegjësinë solemne t’i rritin fëmijët e tyre në dashuri dhe drejtësi. Vëllezërit e motrat më të mëdhenj kishin një kureshtje të natyrshme për ardhjen në këtë botë të motrës së tyre të vogël. Mësimet e tyre të para mbi këtë temë të shenjtë u zhvilluan nga prindër të dashur në një mjedis të shenjtë familjar, në mjedisin hyjnor që shoqëron lindjen e një shpirti të ri në jetë të vdekshme dhe në kontekstin e planit të përjetshëm e të shkëlqyer të Atit tonë. Ndryshe nga kjo, ditën tjetër kur u kthye nga kopshti, mbesa jonë na raportoi se atë ditë kishte mësuar në mësim “një frazë të madhe të re të quajtur abuzim seksual”. U ndieva e shqetësuar që në këtë moshë të njomë, fëmijëve iu duhet tashmë që, për arsye sigurie, të jenë të ndërgjegjësuar për aspektet negative të temës për të cilën kishim folur kaq bukur një natë më parë. U kënaqa pa masë si kurrë më parë me një familje të edukuar e të themeluar mbi mësimet e Jezu Krishtit.

Jakobi na mësoi se Zoti kënaqet pa masë për “dëlirësinë e grave” (Jakobi [LiM] 2:28). Unë kënaqem për dëlirësinë dhe pastërtinë e të gjitha grave dhe burrave. Sa shumë duhet të brengoset Zoti kur sheh të dhunohet virtyti e të përqeshen thjeshtësia ngado në këtë botë të ligë. Zoti ka siguruar gëzim të madh për fëmijët e Tij nëpërmjet marrëdhënieve të ngushta e të dashura, siç po mësonin nipërit e mbesat e mia. Unë kënaqem pa masë për qartësinë e proklamatës drejtuar botës mbi familjen, e cila paralajmëron se: “Individët që shkelin besëlidhjet e dëlirësisë, që abuzojnë me bashkëshorten ose fëmijët, apo që dështojnë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre familjare, do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë.”

Unë kënaqem pa masë me shembujt e atyre njerëzve në shkrimet e shenjta që ecin nëpërmjet besimit, në udhëtimin e tyre tokësor. Çdo herë që eci bashkë me Abrahamin dhe Isakun në rrugën drejt Malit Moriah, unë lotoj, duke e ditur se Abrahami nuk e di se do të gjendet një engjëll dhe një dash në kaçube në fund të udhëtimit. Ne, gjithësecili, jemi në mes të udhëtimit tonë tokësor dhe nuk e dimë pjesën tjetër të historisë sonë vetjake. Por, ashtu si Abrahami, ne bekohemi me mrekulli.

Unë kënaqem pa masë me “mëshirën dhe mrekullitë” e Zotit (shih “Bless Our Fast, We Pray,” Hymns, no. 138). Unë e di se mëshira e Tij e dhembshur dhe mrekullitë e Tij, të mëdha e të vogla, janë të vërteta. Ato vijnë sipas mënyrës së Tij dhe planifikimit të Tij. Nganjëherë kjo nuk ndodh derisa të kemi mbërritur kufirin tonë. Dishepujve të Jezusit në Detin e Galilesë iu desh të punonin fort për të rremuar kundër erës gjithë natën, para se Jezusi në fund t’u vinte në ndihmë. Ai nuk erdhi deri në “rojën e katërt” që do të thotë pranë agimit. Por Ai vërtet erdhi (shih Marku 6:45–51). Dëshmia ime është se mrekullitë vijnë vërtet, ndonëse nganjëherë jo përpara “rojës së katërt”.

Tamam tani po ushtroj besim dhe lutje dhe po vëzhgoj për mrekulli në emër të të dashurve që janë të sëmurë fizikisht, emocionalisht të tronditur dhe shpirtërisht larg rrugës së drejtë. Unë kënaqem pa masë me dashurinë e Zotit për secilin nga fëmijët e Tij dhe me mençurinë e Tij, që na lejon përvoja tokësore të përgatitura posaçërisht për secilin.

Së fundi, unë kënaqem pa masë, më shumë nga sa mund ta shpreh, për dashurinë e përjetshme dhe ndihmën e vazhdueshme të bashkëshortit tim dhe për lutjet e mbështetjen e fëmijëve dhe prindërve të mi gjatë këtyre viteve të shërbimit tim si presidente e përgjithshme e Të Rejave.

“Shpirti im kënaqet pa masë me gjërat e Zotit” (2 Nefi 4:16) – ligjin e Tij, jetën e Tij, dashurinë e Tij. Të kënaqesh pa masë me Të, do të thotë të njohësh dorën e Tij në jetën tonë. Detyra jonë e ungjillit është të bëjmë ç’është e drejtë dhe të duam e të kënaqemi në ç’është e drejtë. Kur ne kënaqemi pa masë për t’i shërbyer Atij, Ati ynë në Qiell kënaqet pa masë që të na bekojë. “Unë, Zoti … gëzohem t’i nderoj ata që më shërbejnë në drejtësi dhe të vërtetë deri në fund” (DeB 76:5). Dëshiroj të jem gjithmonë e denjë për kënaqësinë e Tij. “E dua Zotin; tek Ai shpirti im kënaqet pa masë”, (“I Love the Lord,” Jackman Music Corporation). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.