Meri N. Kuk
Këshilltare e Parë në Presidencinë e Përgjithshme të Të Rejave
Kur ajo përsërit temën e Të Rejave me të reja në të gjithë botën, Meri Nilsen Kuk, këshilltare e parë në presidencinë e përgjithshme të Të Rejave, është mirënjohëse që e di se ajo është një bijë e Perëndisë.
“Babai im ndërroi jetë në nëntor 2007 dhe besoj se Zoti ishte i gatshëm të më mbartë gjatë kësaj kohe të vështirë”, thotë Motra Kuk. “Ne u mësojmë të rejave se jemi të gjitha bija të Perëndisë; kjo përvojë e shenjtë rikonfirmoi se Ai më njeh dhe më do mua si individ.”
Lindur më 8 qershor 1951 nga Kenet Nilsen dhe Fern Suan Nilsen, Motra Kuk u rrit në Midveil të Jutas, SHBA dhe ofron përvojat e saj si një shembull për të rejat që përballen me çaste pasigurie në jetën e tyre.
“Nuk u martova derisa u bëra 37 vjeç dhe njoh mjaft nga shqetësimet dhe druajtjet me të cilat përballen gratë”, thotë Motra Kuk. “Duhet të keni besim dhe kurajë që të vazhdoni të ecni përpara, pavarësisht pasigurisë.”
Ajo u martua me Riçard E. Kuk më 16 korrik 1988, në Tempullin e Solt Lejkut dhe tani është nëna birësuese e 4 fëmijëve dhe gjyshja birësuese e 17 nipërve dhe mbesave.
“Kryerja e një shkollimi të mirë ka qenë ndihmë e madhe në jetën time”, thotë Motra Kuk, që ka marrë diplomë dhe master për patologjinë e të folurit dhe audiologji si dhe diplomë si specialiste arsimi në Universitetin “Brigam Jang”. “Ajo më ka përgatitur më mirë për të shërbyer si nënë dhe për të shërbyer në Kishë.”
Motra Kuk ka shërbyer si misionare me kohë të plotë në Mongoli bashkë me bashkëshortin e saj, të cilin e quan mikun e saj më të mirë. Më parë ajo ka shërbyer si këshilltare e dytë në presidencinë e përgjithshme të Të Rejave dhe në bordin e përgjithshëm të Të Rejave.
Motra Kuk beson se është e rëndësishme të përqendrohesh tek individi. “Dëshirojmë që çdo e re të qëndrojë si dëshmitare e Krishtit”, thotë Motra Kuk. “Këto nuk janë thjesht fjalë. Ne duhet të ndihmojmë që t’i japim asaj vullnetin dhe besimin që të jetë një bijë e drejtë e Perëndisë.”