2008
Të Bekuar me Bollëk
Maj 2008


Të Bekuar me Bollëk

Dëshmitë tona janë forcuar. Unë besoj se ne jemi të gjithë të vendosur që të jetojmë parimet e ungjillit të Jezu Krishtit.

President Thomas S. Monson

Kam marrë pjesë në konferencë për një kohë të gjatë. Por mendoj se asnjëherë nuk jam ndier i bekuar kaq shumë sa gjatë këtij sesioni. Kemi patur breshëri mesazhesh nga mjaft folës, por secili ka prekur një temë shumë të rëndësishme. Sot kemi patur një llojshmëri besimi, dashurie dhe këshille. Le t’i përfshijmë këto gjëra në jetën tonë.

Vëllai Ballard, disa vite më parë bashkëshortja ime e dashur u shtrua në spital. Ajo la pas një shënim për fëmijët: “Të dashur fëmijë, mos e lini Babin të prekë mikrovalën” – pasuar nga një presje, “apo furrën, apo larësen e enëve, ose tharësen e rrobave.” Ndiehem në siklet të shtoj të tjera në atë listë.

Mendoj se qe Vëllai Uhtdorf që tha: “I treguat publikut sot për trashëgiminë tuaj nga ana e nënës. Po nga ana e babait tuaj?” Prandaj po e përfundoj me vetëm një apo dy fjalë për trashëgiminë nga ana e babait tim.

Babai i babait tim erdhi nga Suedia dhe gruaja e tij nga Anglia. Ata u takuan në anije kur po vinin. Ai priti që ajo të rritej dhe pastaj i propozoi për martesë. U martuan në Tempullin e Solt Lejkut dhe ai shkroi në ditarin e tij: “Sot është dita më e lumtur e jetës time. E dashura ime dhe unë u martuam për kohën dhe përjetësinë në tempullin e shenjtë.”

Tre ditë më vonë, më 23 prill 1898, ai shkroi: “Mora trenin në stacionin perëndimor të Rio Grande, për të shkuar së fundi në Skandinavi, ku jam thirrur si misionar.” Ai u nis për në Suedi, duke lënë nusen e tij prej vetëm tre ditësh.

Ditari i tij, i shkruar me laps, më mbërriti nga një xhaxha i cili, në një farë mënyre, më zgjodhi mua për të marrë ditarin e babait të tij. Shënimi më i shpeshtë në ditar ishte: “Këmbët i kam të lagura”. Por shënimi më i bukur thoshte: “Sot shkuam në shtëpinë Janson. U takuam me Motrën Janson. Ajo na shtroi një darkë të këndshme. Ajo është kuzhiniere e mirë.” Dhe pastaj ai tha: “Fëmijët të gjithë kënduan, ose i ranë harmonikës, ose kërcyen pak dhe pastaj ajo pagoi të dhjetën e saj. Pesë krona për Zotin, një për shokun tim, Plakun Ipson dhe një për mua.” Pastaj ishin renditur emrat e fëmijëve.

Kur i lexova ato në ditar, ishte atje dhe emri i babait të gruas sime, si një nga pjestarët e asaj familjeje, njëri që ndoshta këndoi një këngë, njëri që u bë baba i një vajze të vetme, i vajzës me të cilën u martova.

Qysh në ditën e parë që e pashë Frensisin, e dija se kisha gjetur vajzën e duhur. Zoti na afroi më vonë dhe unë i kërkova asaj të dilte në takim me mua. Shkova në shtëpinë e saj që ta thërrisja. Ajo më paraqiti dhe babai i saj tha: “‘Monson’ – ky është një emër suedez, apo jo?”

“Po” i thashë.

Ai tha “Mirë”.

Pastaj ai shkoi në një dhomë tjetër dhe solli një fotografi të dy misionarëve, me kapele cilindrike dhe kopjet e tyre të Librit të Mormonit.

“A e ke gjë këtë Monson,” tha ai, “Elias Monson?”

I thashë: “Po, ai është vëllai i gjyshit tim. Edhe ai ka qenë misionar në Suedi.”

Babai i saj qau. Ai qau lehtë. Ai tha: “Ai dhe shoku i tij ishin misionarët që na mësuan ungjillin nënës time, babait tim, të gjithë vëllezërve dhe motrave të mia dhe mua.” Ai më puthi në faqe. Pastaj nëna e saj qau dhe më puthi në faqen tjetër. Pashë përreth për Frensisin. Ajo tha: “Po shkoj të marr xhaketën.”

E dashura ime Frensis pati një keqësim të tmerrshëm të shëndetit disa vite më parë. Ajo u shtrua në spital. Qëndroi në koma për rreth 18 ditë. Unë qëndrova pranë saj. Ajo nuk lëvizte asnjë muskul. Fëmijët qanë, nipërit e mbesat qanë dhe unë lotova. Asnjë lëvizje.

Pastaj një ditë, ajo hapi sytë. I shkova shpejt pranë. E putha, e përqafova dhe i thashë: “U ktheve. Të dua.” Ajo më tha: “Edhe unë të dua Tom, por jemi në telash të madh.” Mendova, çfarë di ti për telashin, Frensis? Ajo tha: “Kam harruar të postoj pagesën e tremujorit për taksën e të ardhurave.”

Unë i thashë: “Frensis, po të ma kishe thënë këtë përpara se të më puthje e të më thoshje se më do, ka shumë mundësi të të kisha lënë këtu.”

Vëllezër, le t’i trajtojmë bashkëshortet me dinjitet dhe respekt. Ato janë shoqet tona të përjetshme. Motra, nderoini bashkëshortët tuaj. Ata kanë nevojë të dëgjojnë një fjalë të mirë. Ata kanë nevojë për një buzëqeshje miqësore. Ata kanë nevojë për një shprehje të ngrohtë të dashurisë së vërtetë.

Le ta lëmë tani familjen time për një çast vëllezër e motra të mia, kjo ka qenë një konferencë e mrekullueshme. Jemi udhëzuar nëpërmjet mesazheve të mençura dhe frymëzuese. Dëshmitë tona janë forcuar. Besoj se jemi aq më tepër të vendosur të jetojmë parimet e ungjillit të Jezu Krishtit.

Jo vetëm kemi qenë të bekuar nëpërmjet bisedave të shkëlqyera që u dhanë; ne gjithashtu u ngritëm shpirtërisht nga muzika e bukur që u realizua. Në Kishë bekohemi me bollëk nga ata të cilët i ndajnë me ne talentet e tyre muzikore. Secili kor dhe grup koral interpretoi mjaft mirë gjatë dy ditëve të kaluara.

Shpreh dashurinë time të madhe për të gjithë ju që keni marrë pjesë dhe për ju të gjithë që keni dëgjuar. I kam ndier lutjet tuaja për mua dhe jam mbështetur e bekuar gjatë dy muajve qëkurse i dashuri ynë President Hinkli na la. Sërish, e çmoj votën tuaj mbështetëse.

Nuk arrij ta shpreh plotësisht mirënjohjen time për Rivendosjen e ungjillit në këto ditë të mëvonshme dhe domethënien që ka pasur kjo në jetën time. Secili nga ne është ndikuar dhe formuar kur ka shkuar pas Shpëtimtarit dhe ka qëndruar besnik ndaj parimeve të ungjillit të Tij.

Për ju që jeni prindër, them: tregojuni dashuri fëmijëve tuaj. Ju e dini që i doni ata, por sigurohuni që edhe ata ta dinë këtë. Ata janë mjaft të çmuar. Bëjeni të mundur që ta dinë. Thirreni Atin tonë Qiellor për ndihmë ndërsa kujdeseni për nevojat e tyre përditë dhe kur punoni me sfidat që shoqërojnë në mënyrë të pashmangshme aktivitetin prindëror. Ju nevojitet më shumë se mençuri vetjake në rritjen e tyre.

Ne i përgëzojmë të rinjtë tanë të mrekullueshëm që ngrihen përballë padrejtësisë së botës dhe që vënë në jetë sa më mirë urdhërimet.

Juve që keni mundësi të frekuentoni tempullin, do t’ju këshilloja të shkonit shpesh. Duke vepruar kështu ju ndihmoheni të forconi martesën dhe familjen.

Le të jemi dashamirës ndaj njëri-tjetrit, të vetëdijshëm ndaj nevojave të njëri-tjetrit dhe të përpiqemi të ndihmojmë në atë drejtim.

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, unë ju dua dhe lutem për ju. Ju lutem, lutuni për mua. Dhe së bashku do të korrim bekimet që Ati ynë në Qiell ka të rezervuara për secilin prej nesh. Kjo është lutja ime, përgjërimi im ndërsa shtoj dëshminë time. Kjo punë është e vërtetë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.