Në të Gjitha Kohërat, në të Gjitha Gjërat dhe në të Gjitha Vendet
Kur qëndroni si dëshmitare, u bindeni urdhërimeve dhe ecni përpara me “vendosmëri në Krisht”, nuk do të jeni asnjëherë e vetme.
Është privilegj të qëndrosh para jush e të japësh dëshmi për Shpëtimtarin dhe për jetën e Tij të pashoqe. Ai erdhi në tokë që të na tregojë se si jetohet plani që e kishte autorësinë në qiell – plan i cili, nëse jetohet, do të na bëjë të lumtura. Shembulli i Tij na tregoi rrugën e kthimit në shtëpi tek Ati ynë Qiellor. Askush tjetër që ka jetuar ndonjëherë, nuk ka qenë kaq “i qëndrueshëm dhe i patundur” (Mosia 5:15). Ai nuk u hutua asnjëherë. Ai u përqendrua tek realizimi i vullnetit të Atit dhe mbeti i vërtetë ndaj misionit të Tij hyjnor. Vërtet për Të mund të thuhet se ishte i vërtetë në të gjitha kohërat, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet (shih Mosia 18:9).
Ju jeni pjesë e atij plani të mrekullueshëm që u paraqit në sferat e jetës paramortore. Ardhja juaj tani në tokë ka qenë e parashikuar qëkurse u pranua plani. Vendi juaj në kohë dhe vendndodhje nuk është rastësi. “[Besimi juaj i] jashtëzakonshëm dhe [veprat tuaja] të mira” (Alma 13:3) në atë kohë, kanë hedhur themelin e asaj që mund të përmbushni tani, në qoftë se jeni besnike dhe të bindura. Ju jeni bija të vyera të Perëndisë dhe keni një punë fisnike për të kryer. Në mënyrë që të plotësoni misionin tuaj hyjnor dhe të jetoni planin e lumturisë, duhet të jeni gjithashtu të qëndrueshme e të patundura “në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9).
Disa vjet më parë më dhanë një fotografi të tre hangarëve, dy nga të cilët mbështeteshin tek hangari i tretë dhe më i vogli. Titulli shoqërues thoshte: “Nevojitet të jesh i fortë, kur je i fundit që duhet të mbash një qëndrim”. Ju gjithashtu nevojitet të jeni të forta. Kur jeni besnike dhe të drejta, të tjerët do të vështrojnë nga ju për mbështetje dhe forcë.
Helamani përshkruan se si mund të jetë kjo: “Dhe tani, … mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, Biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; … që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).
Themeli juaj i besimit duhet të jetë vendosmërisht i përqendruar tek Jezu Krishti. Të kesh atë lloj besimi, do të thotë se ju mbështeteni tek Ai, se i besoni Atij dhe që, megjithëse nuk kuptoni gjithçka, e dini që Ai i kupton. Gjithashtu ju dini se jeni bijë e Perëndisë, se Ai ju njeh me emër, se i dëgjon lutjet tuaja dhe se do t’ju ndihmojë ta përmbushni misionin tuaj tokësor.
Një i ri që e njoh mirë, u zgjodh president i trupës studentore në një universitet të madh. Universiteti e dërgoi në një seminar mbi udhëheqjen, ku udhëheqës të studentëve kudo nga Shtetet e Bashkuara u mblodhën në Çikago të Illinoisit për t’u trajnuar dhe mësuar. Fillimisht ata morën pjesë në një lojë jashtë në kompleksin studentor, me qëllim që të njiheshin me njëri-tjetrin. Studentët i njohën me probleme të kohës, me të cilat përballet rinia e sotme dhe iu kërkua të mbanin një qëndrim. Si përgjigje ndaj problemit të parashtruar, ata u udhëzuan të rendnin drejt disa pemëve të zonës së gjelbëruar në të cilat shënohej “plotësisht dakord”, “pjesërisht dakord”, “plotësisht jo dakord” apo “paksa jo dakord”.
Pranë fundit të këtij ushtrimi, drejtuesi i pyeti: “I pranoni ju marrëdhëniet seksuale paramartesore?” Pa ngurrim, ky i ri vrapoi drejt pemës ku shënohej “plotësisht jo dakord”. Për habinë e tij, ai ishte i vetmi atje! Të gjithë studentët e tjerë po qeshnin e po tregonin nga ai dhe po i thonin: “Oh, Xhes, sa shakaxhi që je. Të gjithë e dimë se nuk e ke seriozisht.” Në atë çast Xhesi tha se e dinte me saktësi se ç’duhet të bënte dhe prandaj shpalli me zë të lartë: “Nuk jam shakaxhi. E kam seriozisht!” Pati një heshtje tronditëse dhe pastaj grupi u shpërnda, duke lënë Xhesin që qëndronte i vetëm pranë pemës. Ai u ndie si i papërshtatshëm dhe, po, si i çuditshëm. Por nuk ishte i çuditshëm. Ai kishte të drejtë. Dhe nuk ishte vetëm. Gjatë javës shumë nga drejtuesit e studentëve erdhën veçmas tek ai dhe i thanë se do të kishin dashur t’i dinin vite më parë ato që dinte ai. Më vonë Xhesi tha: “Ishte e thjeshtë ngaqë e dija se unë përfaqësoja jo vetëm universitetin, por familjen time, Kishën dhe Shpëtimtarin”.
Dëshmia se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi, e bëri Xhesin të vendosur e të shpejtë për t’u përgjigjur. Ju mund ta fitoni të njëjtën siguri atëherë kur luteni përditë, kur kërkoni përgjigje nga shkrimet e shenjta dhe u bindeni urdhërimeve. Kur kërkoni sinqerisht të fitoni një dëshmi, njohuria që do të vijë nëpërmjet Frymës së Shenjtë, do t’ju ndihmojë në sfidat tuaja, në pyetjet tuaja dhe në të jetuarit e standardeve. Dhe do të jetë e thjeshtë që gjithashtu të zotoheni të jeni të qëndrueshme dhe të patundura në të gjitha kohërat e në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet.
Të jesh e qëndrueshme dhe e patundur, do të thotë të bindesh. Një nga arsyet që jeni këtu në tokë, është për të parë a do të ushtroni lirinë tuaj të zgjedhjes dhe “[do të bëni] të gjitha gjërat që Zoti … do t’i urdhërojë” (Abrahami 3:25). Kur përtërini besëlidhjet tuaja çdo javë nëpërmjet marrjes së sakramentit, ju lidhni besën se përherë do të kujtoni Shpëtimtarin e do të mbani urdhërimet e Tij.
Dhurata e çmuar për të pasur trupin tuaj, ju krijon mundësi të ushtroni lirinë tuaj të zgjedhjes dhe të vini në veprim besimin dhe bindjen tuaj. E keni vënë ndonjëherë re se afërsisht të gjitha sulmet e Satanit drejtohen ndaj trupit tuaj? Pornografia, mungesa e thjeshtësisë, tatuazhet, amoraliteti, abuzimi me drogat, dhe veset janë të gjitha orvatje për marrjen në zotërim të kësaj dhurate të çmuar. Kjo ishte një dhuratë që Satanit iu mohua. Bindja ndaj urdhërimeve dhe standardeve i jep secilës nga ju mundësi të jetë e qëndrueshme dhe e patundur në mbrojtje të dhuratave të çmuara të lirisë suaj të zgjedhjes dhe të trupit tuaj.
Të jesh e qëndrueshme dhe e patundur, do të thotë gjithashtu që ju të vazhdoni të shkoni përpara me “një vendosmëri në Krisht” (2 Nefi 31:20). Disa vjet më parë pata mundësinë të vrapoja në Maratonën e Bostonit. Isha stërvitur fort dhe ndihesha e përgatitur, por në miljen e 20-të ka kodra. Vendasit e quajnë kodrën më të përpjetë e më të gjatë Kodra e Shkurajimit. Kur arrita atë pikë, isha fizikisht e fikur. Kodra ishte e gjatë dhe, meqenëse isha fillestare, i lejova vetes të bëja diçka që nuk e bën asnjë vrapues me përvojë – fillova të mendoj negativisht. Kjo ma ngadalësoi ritmin, prandaj u përpoqa të mendoj pozitivisht dhe të përfytyroja vijën e finishit. Por, ndërsa bëja kështu, papritur u kujtova se isha në një qytet të madh, se kishte mijëra njerëz të rreshtuar anash rrugës të vrapimit dhe që nuk isha parapërgatitur për të gjetur se ku ndodhej bashkëshorti im në përfundim të maratonës. U ndjeva e humbur dhe e vetmuar dhe fillova të qaj. Kisha veshur një bluzë të madhe të kuqe me fjalën Juta të stampuar në pjesën e përparme me germa të mëdha. Kur shikuesit panë që po qaja, zunë të thërrisnin: “Forca, Juta”. “Mos qaj, Juta.” “Gati po e përfundon, Juta.” Por e dija që jo dhe isha e humbur. E dija gjithashtu se edhe po të ndalja vrapimin dhe të dilja jashtë garës, përsëri do të isha e humbur.
A e ndien vallë ndonjëra nga ju sikur po e ngjit me vrap Kodrën e Shkurajimit dhe sikur, edhe pse ka njerëz në anë të rrugës, jeni e vetmuar? Ashtu ndihesha unë. Prandaj bëra atë që do të bënte secila prej jush – fillova të lutem pikërisht atje në atë rrugë të maratonës. I thashë Atit Qiellor se isha e vetmuar dhe se isha në një kodër. I tregova se isha e shkurajuar, e trembur dhe se ndihesha e humbur. I kërkova ndihmë dhe fuqi që të isha e qëndrueshme dhe ta përfundoja garën. Ndërsa vazhdoja të vrapoja, më erdhën në mendje këto fjalë:
“Ti mos u frik’so, mos bjer në dëshpërim,
se jam Zoti yt dhe të vij un’ në ndihm’.
T’forcoj, të ndihmoj që në këmb’ të qëndrosh,
mbështetur në krahun tim që të shpëtosh”
(“Sa i Fortë një Themel”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, fq. 6).
Ajo përgjigje e ëmbël ndaj lutjes sime më dha fuqi të vazhdoja përpara derisa kalova vijën e finishit. Dhe pavarësisht druajtjes sime, bashkëshorti im ndodhej pikërisht atje dhe gjithçka shkoi mirë.
Atë ditë përjetova më shumë se vetëm maratonën. Mësova disa mësime të rëndësishme. E para e të gjithave – mos vishni kurrë bluzë të madhe të kuqe të stampuar me fjalën Juta. Së dyti, mësova se, pavarësisht sa mirë mendoni se jeni përgatitur, gjatë rrugës ka kodra. Mësova se njerëzit që brohorasin për ju gjatë rrugës, janë plotësisht të domosdoshëm. Atë ditë mësova përsëri se ne nuk jemi asnjëherë vetëm. Ati ynë Qiellor është vetëm një lutje larg dhe Fryma e Shenjtë është aq pranë, sa i ndihet pëshpëritja.
Dëshmoj se, kur ju qëndroni dëshmitare, u bindeni urdhërimeve dhe shkoni përpara me “një vendosmëri në Krisht”, nuk do të jeni kurrë vetëm. Mund të mbështeteni tek fuqia aftësuese e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Dhe dëshmoj se duke ndërtuar mbi këtë themel të qëndrueshëm ju ndihmon të bëheni si Ai – të qëndrueshme dhe të patundura “në të gjitha kohërat, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”. Në emër të Jezu Krishtit, amen.