Po Kush Është i Afërmi Im?
U shprehim vlerësimin tonë të madh individëve të shumtë … që janë samaritanët e mirë të kohës së sotme.
Mirëmbrëma. Sonte, pjesët e shkrimit të shenjtë “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:40) dhe “Kujtoni në gjithçka të varfërit dhe nevojtarët” (DeB 52:40) marrin një kuptim të veçantë ndërsa rishikojmë çastet më kryesore të veprimtarive humanitare gjatë vitit që shkoi.
Komitetit të Përgjithshëm të Mirëqenies së Kishës, këto kohë, iu dha një raport mbi shërbimin humanitar. Kryetari i komitetit, atëherë Presidenti Gordon B. Hinkli, shprehu mirënjohje të thellë për bujarinë e anëtarëve dhe të atyre nga besime të tjera fetare që kanë bërë të mundur një arritje të tillë. Në emër të Komitetit të Përgjithshëm të Mirëqenies u shprehim vlerësimin tonë të madh shumë individëve, familjeve, kuorumeve dhe grupeve të Shoqatës së Ndihmës dhe të të Rejave që janë samaritanët e mirë të kohës së sotme.
Në vitin 2007 Kisha u është përgjigjur tërmeteve të rënda në 5 vende, zjarreve masive në 6 vende, urisë dhe zisë së bukës në 18 vende dhe përmbytjeve e stuhive të rënda në 34 vende. Në total, Kisha dhe anëtarët e saj u janë përgjigjur 170 ngjarjeve të rënda – afërsisht një ngjarjeje në çdo dy ditë për mbarë vitin. Ishte një vit i zënë me punë, me shumë mundësi për shërbim.
Përveç përgjigjes ndaj fatkeqësive natyrore, ne ndërmorëm mijëra nisma shëndetësore publike përgjatë vitit. Mbi 1 milion njerëz përfituan nga projekte për ujë të pijshëm financuar nga Kisha në 25 vende. Më tepër se 60.500 njerëz në 60 vende morën karroca për invalidë. Nga fillimi i këtij viti Motra Burton dhe unë, tok me Presidencinë e Zonës Veriore të Amerikës së Jugut, morëm pjesë bashkë me Zonjën e Parë të Kolumbisë në një dhurim të karrocave për invalidë. Lotët vinin lirshëm kur marrësit dhe dhënësit shprehnin vlerësimin e tyre. Në 11 vende mbi 54.000 persona tani gëzojnë një shikim të përmirësuar. Mbi 16.500 profesionistë të shëndetësisë në 23 vende u trajnuan mbi rikthimin e jetës të porsalindurve; si rezultat, ata do të trajnojnë shumë të tjerë. Gjatë një aksioni kërkimi për zhdukjen e fruthit, u imunizuan 2.8 milion fëmijë dhe të rinj në 10 vende. Efektet e bashkuara të këtyre përpjekjeve të vajtjes në ndihmë prekën drejtpërdrejt afro 4 milionë njerëz në 85 vende.
Në gusht një tërmet i rëndë 8 ballësh vrau 520 njerëz dhe shkatërroi më shumë se 58.000 shtëpi në Perunë jugore. Me një paraqitje të mrekullueshme dashurie dhe shqetësimi, secili nga 29 kunjet e Limas në Peru mundësoi ndihmën bazë për zonat e lagjeve të rajonit të shkretuar.
Me ndihmën e mrekullueshme të misionarëve ka marrë udhë një plan për të ndihmuar individë që të rindërtojnë shtëpitë dhe jetën e tyre dhe të rivendosin disa shkolla. Deri në 400 shtëpi si përfundim mund të ndërtohen kryesisht me punën e individëve, miqve dhe familjeve. Mbikëqyrja, bashkërendimi dhe trajnimi janë nën drejtimin e Plakut dhe Motrës Alen Lejton.
Vonë gjatë vitit, një bashkëveprim i motit të thatë me erëra të forta, ndezën zjarre shkatërrimtare në Kaliforninë Jugore. Këto zjarre larguan mbi një milion njerëz nga shtëpitë e tyre. Të paktën 1500 shtëpi u shkatërruan. Duke iu përgjigjur kësaj, Kisha mundësoi kuti me lëndë pastruese, mbulesa, komplete pastërtie dhe ushqime. Mbi 5000 veprimtarë të Duarve Ndihmëtare Mormone bashkë me misionarë pastruan, gatuan, ngushëlluan dhe u kujdesën për të prekurit.
Një shënim vlerësimi thoshte: “Ju lutem përcilluni një falenderim të madh të gjithë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që kanë punuar aq shumë në lagjen time. Mormonët ishin këtu vazhdimisht me gatime, me përqafime, me lutje dhe duke ndihmuar për riparimin dhe pastrimin e pronës. Ata … e përmirësojnë komunitetin, shërojnë zemrat dhe riparojnë shtëpitë në kodrat e San Diegos.”1
Duke rikujtuar atë përvojë një president kunji tha: “Një nga projektet tona ishte të ndihmonim pastrimin përreth kishës baptiste lokale… . Caktuam 25 të rinj … Baptistët thanë se do të na sillnin plot petulla dhe kafe. Ne u thamë se kafeja do t’u ngelej bajate, por të rinjtë tanë mund t’ua dilnin të gjitha petullave që mund t’u ofronin ata!”2
Shira të dendur shkaktuan përmbytje në shtetet e mesme perëndimore, Oregon dhe Uashington. Vullnetarët erdhën me furnizime nga magazina e peshkopit që t’u jepnin ndihmë njerëzve nevojtarë.
Kur përfaqësuesit e Kishës në Findli të Ohajos dorëzuan një dhurim për degën lokale të Kryqit të Kuq, një kalimtare i vuri re që ata kishin veshur bluzat e verdha “Duart Ndihmëtare Mormone”. Ajo u afrua dhe ngriti celularin e saj me një foto të katër prej Duarve Ndihmëtare dhe thirri: “Ata sapo më shpëtuan familjen!”3 Pastaj përqafoi gjithë sa ndodheshin pranë.
Një ngarkesë ushqimore iu dorëzua një depoje të ushqimeve. Kur ajo arriti, administratori kishte një vështrim të befasuar në fytyrë dhe tha: “Nga e dinit ju? Sapo dhashë copën e fundit të bukës dhe kisha menduar të kyçja dyert. Nga e dinit?”
Duke punuar me Organizatën Botërore të Shëndetit për zhdukjen e fruthit si një vrasës i pothuajse një milion fëmijëve çdo vit, mbi 54.000 anëtarë të Kishës dolën vullnetarë për të ndihmuar në organizimin e aksionit. Një anëtar i Kishës në Nigeri shkroi: “E quajta detyrën tonë ‘shpëtimi i të pafajshmëve’. Shkuam shtëpi më shtëpi dhe godinë më godinë në fshat. Një grua na tha se ajo kishte humbur tre fëmijë nga fruthi. Ajo na tregoi historinë e saj me një ndjenjë dhe pasion të tillë, saqë nuk kishte asnjë sy që nuk u njom në atë shtëpi, përfshirë edhe mua.” Vullnetari ynë vërejti: “Gjërat që bëni për vetveten, ikin bashkë me ikjen tuaj, por gjërat që bëni për të tjerët, mbeten si trashëgimi e juaja”.4
Përpjekja jonë katërvjeçare për të ndihmuar të rrënuarit nga cunami në Indonezi dhe në Azinë Jugore vazhdoi gjithashtu. U mundësuan financime për të ndihmuar ndërtimin e 902 shtëpive, me 3 qendra komunitare, 24 sistemeve për ujë në fshat, 15 shkollave dhe 3 qendrave mjekësore. Një udhëheqës i komunitetit tha: “Anëtarët e komunitetit ndihen të lumtur dhe të bekuar që kanë qendrën komunitare… . Ajo është një vend [ku] ne mund të lutemi … dhe të mësojmë fëmijët… . Faleminderit [Kishës] për ndërtimin e kësaj qendre për njerëzit tanë… . Do t’i lutemi Perëndisë t’i japë [Kishës] bekime dhe suksese në të ardhmen. Faleminderit.”5
Në Etiopi, komunitetet u ndihmuan të merrnin ujë të pijshëm të pastër. Kisha shpoi puse dhe ndërtoi depozita ruajtjeje. Komunitetet organizuan një komitet të ujërave dhe gërmuan kanalet e nevojshme për tubacione uji nga rezervuarët në secilin fshat. Në disa raste kjo arrinte një distancë prej mbi 5 kilometra.
Disa komuniteteve iu deshën mundime për plotësimin e zotimit të tyre për kanalizimet. Toka ishte e fortë, e thatë dhe e mbushur me argjilë, që e bënte shumë të vështirë gërmimin. Në një komunitet, një shkollë prej 1500 nxënësish pezulloi veprimtarinë normale shkollore për një periudhë kohe dhe secili mori pjesë në gërmimin e pjesëve të kanaleve që u kishin mbetur. Ndërsa ata punonin, anëtarë të tjerë të komunitetit u bashkoheshin. Pati një pikë ku kishte një varg njerëzisht mbi dy kilometra të gjatë që gërmonin.
Faleminderit për dhembshurinë tuaj, mirësinë tuaj dhe bujarinë tuaj. Vazhdofshim përpara për të lehtësuar barrën e fqinjëve, për të inkurajuar dhe ndihmuar të vuajturit, për të hapur kuletat tona që të ndihmojmë të varfrit dhe për të zgjatur dorën tonë të ndihmës. Jap dëshmi për hyjninë e Zotit Jezu Krisht dhe të ungjillit të Tij dhe lutem që të mundim të vazhdojmë të gëzojmë bekimet prej dishepulli të vërtetë ndërsa shkojmë pa bujë në ndihmë të të tjerëve. Në emër të Jezu Krishtit, amen.