Elen S. Dalton
Presidente e Përgjithshme e Të Rejave
Kur ishte vajzë e vogël, Elen Shvarc Dalton gjente kënaqësi të madhe kur vallëzonte. Por si nënë e re me gjashtë fëmijë, ajo zbuloi se vallëzimi dukej i pazbatueshëm, kështu që filloi të vraponte si një mënyrë për të shijuar lëvizjen çdo ditë. Fillimisht ajo vraponte 10 hapa dhe pastaj ecte 10 hapa derisa arriti të vraponte gati dy kilometra. Që nga ai fillim modest, ajo ka vrapuar në 18 maratona.
“Vrapimi më jep kohë që të qetësoj mendjen dhe të sodis jetën”, thotë Motra Dalton. Ai është një orë kur ajo mund të mendojë për shkrimet e shenjta që sapo ka lexuar.
Motra Dalton lindi në Ogden të Jutas, SHBA, më 1 nëntor 1946, nga Melvin Lio Shvarc dhe Ema Martin Shvarc. Ajo u martua me Stiven Juxhin Dalton më 13 shtator 1968, në Tempullin e Solt Lejkut. U diplomua për gjuhën angleze në Universitetin “Brigam Jang”. Ajo ka shërbyer në bordin e përgjithshëm të Të Rejave dhe si këshilltare e parë dhe e dytë në presidencinë e përgjithshme të Të Rejave. Ka shërbyer edhe si presidente e Të Rejave të kunjit, këshilluese e Dafinave, këshilluese tek një Shoqatë e Ndihmës me të reja beqare në moshë madhore dhe si mësuese e Shoqatës së Ndihmës.
Si presidentja e re e përgjithshme e Të Rejave, Motra Dalton thotë: “Mesazhi im kyç për të rejat e Kishës është e njëjta gjë që ato dëgjojnë nga prindërit e tyre sa herë që dalin nga shtëpia: ‘Kujtoni se cilat jeni.’”
Ajo shpreson të ndihmojë të rejat të kuptojnë se janë bija të Atit Qiellor, që i do ato. “Ato e përsërisin këtë në temën e Të Rejave çdo javë, por për mjaft të reja, ky mesazh nuk ka hyrë në zemrat e tyre”, thotë Motra Dalton. “Kur një e re e kupton se ajo është bijë e Perëndisë, kjo i përcakton gjithë marrëdhëniet e tjera të saj.”
Ajo i nxit ato të jenë të dëlira. “Një nga punët kryesore që iu është rezervuar për të bërë është puna në tempull”, thotë ajo. “Nuk është çudi që Satani po bëhet i furishëm, duke shkëputur të rejat nga të qenit të denja. Jini të dëlira. Në një jetë të dëlirë ka forcë.”