Shembuj Drejtësie
Është detyra jonë të jetojmë në mënyrë të tillë që të jemi shembuj drejtësie.
Jam sonte i vetëdijshëm që ju, vëllezër të mi, qofshi këtu në Qendrën e Konferencave, qofshi në mijëra vendndodhje të tjera, përfaqësoni grumbullimin më të madh të priftërisë të mbledhur ndonjëherë. Ne jemi pjesë e vëllazërisë më të shkëlqyer në të gjithë botën. Sa fatlumë dhe të bekuar që të jemi mbajtës të priftërisë së Perëndisë.
Ne u udhëzuam e u frymëzuam ndërsa i dëgjuam me vëmendje mesazhet e frymëzuara. Lutem që të kem mbështetjen e besimit dhe të lutjeve tuaja ndërsa ndaj me ju ato mendime dhe ndjenja që kanë qenë në mendjen time kohët e fundit, kur u përgatita t’ju flas juve.
Si mbajtës të priftërisë ne u vendosëm mbi tokë në kohë të trazuara. Jetojmë në një botë të ndërlikuar me rryma e konflikte që gjenden kudo. Makinacionet politike rrënojnë qëndrueshmërinë e kombeve, tiranët kapen pas pushtetit dhe segmente të shoqërisë duken si të shtypura përgjithnjë, të privuara nga mundësitë dhe të mbetur me ndjenjë dështimi.
Ne që jemi shuguruar në priftërinë e Perëndisë mund të sjellim një ndryshim. Kur cilësohemi për ndihmën e Zotit, mund të ndërtojmë karakterin e djemve, mund të ndreqim njerëzit, mund të kryejmë mrekulli në shërbesën e Tij të shenjtë. Mundësitë tona janë të pakufishme.
Është e jona detyra të jemi shembujt e duhur. Ne na forcon e vërteta që forca më e madhe sot në botë është fuqia e Perëndisë që vepron nëpërmjet burrave. Nëse jemi në detyrën e Zotit, vëllezër, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit. Mos e harroni kurrë atë të vërtetë. Ajo ndihmë hyjnore, natyrisht, varet nga denjësia jonë. Gjithkush duhet të bëjë pyetjen: a janë duart e mia të pastra? A është zemra ime e pastër? A jam shërbëtor i denjë i Zotit?
Ne rrethohemi nga gjëra të shumta të cilat kanë për qëllim të na largojnë vëmendjen nga ato gjëra që janë të virtytshme e të mira dhe të na tundojnë me atë që do të shkaktonte padenjësi për të ushtruar priftërinë që mbajmë. Nuk u flas vetëm të rinjve të Priftërisë Aarone, por dhe atyre të çdo moshe. Tundimet vijnë në forma të ndryshme gjatë gjithë jetës sonë.
Vëllezër, a e kemi kurdoherë cilësinë për të kryer detyrat e shenjta që shoqërojnë priftërinë që mbajmë? Djem – ju që jeni priftërinj – a jeni të pastër në trup dhe në shpirt kur uleni të dielën në tryezën e sakramentit dhe bekoni simbolet e sakramentit? Djem që jeni mësues, a jeni të denjë të përgatitsni sakramentin? Dhjakë, kur u shpërndani sakramentin anëtarëve të Kishës, a e bëni këtë me dijeninë se jeni cilësuar shpirtërisht për këtë? E kupton plotësisht secili nga ju rëndësinë e të gjitha detyrave të shenjta që kryeni?
Miqtë e mi të rinj, jini të fortë. Filozofitë e njerëzve janë përreth nesh. Fytyra e mëkatit sot maskohet shpesh me tolerimin. Mos u mashtroni; pas asaj pamjeje të jashtme ndodhet ankthi, hidhërimi dhe dhimbja. Ju e dini ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar, dhe asnjë maskim, sado tërheqës, nuk e ndryshon dot këtë. Natyra e ligë e shkeljes mbetet po ajo. Nëse të ashtuquajturit miq ju nxisin të bëni diçka që e dini se është e gabuar, ju, bëhuni ai që mbështet të drejtën, edhe nëse ju duhet ta bëni këtë vetëm. Kini kurajon morale të jeni një dritë që të tjerët duhet ta ndjekin. Nuk ka shoqëri më të çmuar sesa ndërgjegjja juaj e pastër, pastërtia juaj morale – dhe sa ndjenjë e lavdishme është të dish se qëndron i pastër në vendin tënd të caktuar dhe me bindjen se je i denjë të veprosh kështu.
Vëllezër të Priftërisë Melkizedeke, a përpiqeni çdo ditë me zell të jetoni si duhet? A jeni të sjellshëm e të dashur me bashkëshortet tuaja dhe fëmijët tuaj? A jeni të ndershëm në marrëdhënie me ata që keni përreth – në të gjitha rastet dhe në të gjitha rrethanat?
Nëse ndonjë nga ju ka shkarë nga rruga, ju i keni ata që do t’ju ndihmojnë të bëheni sërish të pastër dhe të denjë. Peshkopi ose presidenti juaj i degës është në merak dhe i gatshëm për ndihmë dhe, me mirëkuptim e dhembshuri, do të bëjë gjithçka brenda mundësisë që t’ju ndihmojë në procesin e pendimit, që ju sërish të mund të qëndroni me drejtësi para Zotit.
Shumë nga ju e kujtojnë Presidentin N. Eldon Taner, i cili shërbeu si këshilltar për katër Presidentë të Kishës. Ai ka dhënë një shembull të pashmangshëm drejtësie gjatë gjithë karierës së tij në industri, gjatë shërbimit në qeverinë e Kanadasë dhe rregullisht në jetën vetjake. Ai na dha këtë këshillë të frymëzuar:
“Asgjë nuk do të sjellë gëzim dhe sukses më të madh, sesa të jetuarit sipas mësimeve të ungjillit. Jini shembull; jini ndikimi për mirë.
Secili nga ne u shugurua për të bërë ndonjë punë si shërbëtor i zgjedhur i [Perëndisë], të cilit ai e pa të përshtatshme t’i japë priftërinë dhe fuqinë për të vepruar në emër të tij. Gjithnjë mbani mend se njerëzit shohin drejt jush për udhëheqje dhe se ju po ndikoni në jetën e njerëzve ose për mirë, ose për keq, ndikim i cili do të ndihet për breza në vijim.”1
Vëllezër të mi, e përsëris, si mbajtës të priftërisë së Perëndisë, është detyra jonë të jetojmë në mënyrë të tillë që të jemi shembuj drejtësie për të tjerët që vijnë. Ndërsa thellohesha se si mund të ofrojmë më së miri shembuj të tillë, kam menduar mbi një ngjarje që më ndodhi disa vjet më parë, kur po merrja pjesë në një konferencë kunji. Gjatë sesionit të përgjithshëm, vëzhgova një çun që rrinte së bashku me familjen në radhën e parë të qendrës së kunjit. Isha i ulur në podium. Ndërsa zhvillohej mbledhja, fillova të vë re se, nëse unë hidhja këmbën përmbi këmbë, djaloshi bënte të njëjtën gjë. Nëse ndryshoja lëvizjen dhe hidhja këmbën tjetër, ai e ndiqte këtë proces. Unë vija duart në prehër dhe ai bënte të njëjtën gjë. Unë anohesha duke mbështetur mjekrën tek pëllëmba dhe ai gjithashtu. Çfarëdo që të bëja, ai i kopjonte veprimet e mia. Kjo vazhdoi derisa m’u afrua koha për të folur para bashkësisë. Vendosa ta vë në provë. Vështrova drejtpërdrejt mbi të, i bindur se po më ndiqte, dhe pastaj luajta veshët. Ai u përpoq më kot të bënte të njëjtën gjë, por këtu e munda! Nuk arrinte t’i luante aspak veshët. Ai iu drejtua të atit, i cili ndodhej ulur pranë tij, dhe diçka i pëshpëriti. I bëri shenjë nga veshët dhe pastaj nga unë. Kur i ati vështroi drejt meje, siç duket për të parë si i luaja veshët, unë po qëndroja serioz e duarkryq, pa luajtur asnjë muskul. I ati ktheu vështrimin me mosbesim nga i biri, i cili dukej disi i bllokuar. Përfundimisht, ky më buzëqeshi si dikush që e zënë në gabim dhe mbodhi supet.
Ndër vite kam menduar për atë ngjarje ndërsa sillja ndër mend se si ne, veçanërisht kur jemi të rinj, priremi të kopjojmë shembullin e prindërve tanë, të udhëheqësve tanë, të shokëve tanë. Profeti Brigam Jang tha: “Nuk duhet t’i lejojmë kurrë vetes të bëjmë diçka të cilën nuk duam të shohim ta bëjnë fëmijët tanë. Duhet t’u japim atë shembull që ne urojmë që ata ta kopjojnë.”2
Juve që jeni etër të djemve ose që jeni udhëheqës të djemve, ju them: përpiquni të jeni shembulli që u duhet djemve. Babai, natyrisht, duhet të jetë shembulli i parë dhe djali që bekohet të ketë një baba të denjë, në të vërtetë, është fatlum. Megjithatë, edhe një familje shembullore, me baba e nënë të zellshëm e besnikë, mund të përdorë gjithë ndihmën mbështëtëse që arrin të marrë nga njerëz të mirë që kujdesen sinqerisht. Por është edhe ai djali që nuk ka baba, ose babai i të cilit tani nuk po i ofron atë shembull që duhet. Për atë djalë Zoti ka siguruar një sistem ndihmëtarësh brenda Kishës – peshkopë, këshillues, mësues, drejtues të skautistëve, mësues të shtëpisë. Kur programi i Zotit është në fuqi dhe po ecën siç duhet, asnjë i ri në Kishë nuk duhet të jetë pa ndikim të njerëzve të mirë në jetën e tij.
Efektshmëria e një peshkopi, këshilluesi apo mësuesi ka të bëjë shumë pak me treguesit e jashtëm të fuqisë apo me bollëkun e të mirave të kësaj bote. Udhëheqësit që kanë ndikimin më të madh, zakonisht janë ata që të ndezin zemrën me përkushtimin ndaj së vërtetës, të cilët bëjnë që bindja ndaj detyrës të shihet si thelbi i burrërisë, të cilët e shndërrojnë rutinën e një dukurie të zakonshme, në një perspektivë nga ku ne shohim njeriun që duam të jemi.
Një gjë që nuk duket kapërcyer – dhe, në fakt, shembulli ynë më i parë – është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Lindja e Tij u parashikua nga profetët; engjëjt njoftuan lajmin e shërbesës së Tij tokësore. Ai “rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të”3.
I pagëzuar nga Gjoni në lumin që njihet me emrin Jordan, Ai filloi shërbesën e Tij zyrtare për njerëzit. Sofizmave të Satanit, Jezusi u ktheu shpinën. Detyrës së përcaktuar nga Ati i tij, Ai i doli ballëhapur, i premtoi zemrën dhe i dha jetën e Vet. Dhe çfarë jete e pamëkat, vetmohuese, fisnike dhe hyjnore që ishte! Jezusi punoi. Jezusi deshi. Jezusi shërbeu. Jezusi dëshmoi. Çfarë shembulli më të shkëlqyer mund të përpiqeshim të arrinim? Le të fillojmë tani, pikërisht sonte, të veprojmë kështu. Flaket tutje përgjithnjë vetvetja e vjetër dhe bashkë me të disfata, dëshpërimi dhe mosbesimi. Drejt një risie të jetës shkojmë – një jetë besimi, shprese, kuraje dhe gëzimi. Asnjë punë nuk duket shumë e madhe; asnjë përgjegjësi nuk rëndon tepër; asnjë detyrë nuk është barrë. Gjithçka bëhet e mundur.
Shumë vite më parë fola për dikë i cili e mori shembullin e tij nga Shpëtimtari, dikush që qëndroi i patundur dhe i vërtetë, i fortë dhe i denjë përmes stuhive të jetës. Ai me guxim i lartësoi thirrjet e tij në priftëri. Ai na ofron një shembull për secilin nga ne. Emri i tij ishte Tomas Majkëll Uilson, biri i Uilli dhe Xhuli Uilsonit nga Lafejet i Alabamës.
Kur ishte veçse adoleshent dhe ai e familja e tij ende nuk ishin anëtarë të Kishës, u godit nga kanceri, i ndjekur nga terapia e dhimbshme radiologjike dhe më pas nga lehtësimi i bekuar. Kjo sëmundje bëri që familja e tij të ndërgjegjësohej se jeta është jo vetëm e çmuar, por gjithashtu mund të jetë e shkurtër. Ata filluan të vështronin për ndihmë nga besimi fetar gjatë kësaj kohe të fatkeqësisë. Më pas, ata u njohën me Kishën dhe, si përfundim, të gjithë, përveç babait, u pagëzuan. Pasi pranuan ungjillin, i riu Vëllai Uilson përmallohej për një mundësi që të bëhej misionar, edhe pse ishte më i madh se shumica e të rinjve kur ata fillojnë shërbesën e tyre misionare. Në moshën 23-vjeçare, ai mori një thirrje misioni që të shërbente në Misionin Salt Lejk Siti, Juta.
Shokët misionarë të Elder Uilsonit e përshkruan besimin e tij si të padyshimtë, pa shmangie dhe të paepur. Ishte shembull për të gjithë. Sidoqoftë, pas 11 muajve shërbim misionar, sëmundja u rikthye. Kanceri i kockave tani kërkonte të hiqeshin pjesë të krahut dhe supit të tij. Megjithatë, ai ngulmonte në punën e tij misionare.
Kuraja dhe dëshira e etur e Elder Uilsonit që të mbetej në misionin e tij, e preku aq shumë babain e tij joanëtar, saqë ai filloi të kërkonte mësimet e Kishës dhe gjithashtu u bë anëtar.
Mësova se një kërkuese, të cilin Elder Uilsoni e kishte mësuar, u pagëzua, por më pas dëshironte të konfirmohej nga Elder Uilson, për të cilin kishte aq shumë respekt. Ajo, së bashku me disa të tjerë, udhëtoi dhe mbërriti në spital, pranë shtratit të Elder Uilsonit. Atje, me pjesën e dorës që i kishte mbetur, të vendosur mbi kokën e saj, Elder Uilson e konfirmoi anëtare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Elder Uilson vazhdonte muaj pas muaji shërbesën e tij të çmueshme, por të dhimbshme, si misionar. U dhanë bekime; u ofruan lutje. Për arsye të shembullit të tij të përkushtimit, shokët e tij misionarë jetuan më pranë Perëndisë.
Gjendja fizike e Elder Uilsonit u përkeqësua. Afrohej përfundimi dhe ai duhej të kthehej në shtëpi. Ai kërkoi që të shërbente vetëm një muaj shtesë dhe kërkesa iu pranua. Ai e vuri besimin tek Perëndia dhe Ai, të cilin Tomas Majkëll Uilsoni e besonte heshturazi, hapi dritaret e qiellit dhe e bekoi me bollëk. Prindërit, Uilli dhe Xhulia Uilson, dhe vëllai i tij Toni erdhën në Salt Lejk Siti ta ndihmonin birin dhe vëllain e tyre të kthehej në shtëpi, në Alabama. Megjithatë, në saje të lutjeve dhe të dëshirës së madhe, kishte ende një bekim për t’u dhënë. Familja e tij më ftoi të shkoja me ta në tempullin Xhordan River, ku ato ordinanca të shenjta që i lidhin familjet në përjetësi, si edhe në përkohësi, u realizuan.
I dhashë lamtumirën familjes Uilson. Ende mund ta shoh Elder Uilsonin kur më falenderoi që isha me të dhe me të dashurit e tij. Ai tha: “S’ka rëndësi se ç’na ndodh në këtë jetë, përderisa kemi ungjillin e Jezu Krishtit dhe e jetojmë atë. S’ka rëndësi a e predikoj ungjillin në këtë anë apo në anën tjetër të velit, përderisa unë mund ta predikoj.” Sa kurajë! Çfarë bindjeje! Çfarë dashurie! Familja e Elder Uilsonit kreu udhëtimin e gjatë të kthimit në shtëpi, në Lafejet, ku Elder Tomas Majkëll Uilson kaloi që këtej në përjetësi. Ai u varros atje me etiketën e misionarit në vendin e saj.
Vëllezër të mi, ndërsa lëmë tani këtë mbledhje të përgjithshme të priftërisë, le të vendosim të gjithë të përgatitemi për kohën e mundësisë sonë dhe ta nderojmë priftërinë që ne mbajmë nëpërmjet shërbimit që japim, jetëve që bekojmë dhe shpirtrave që na jepet privilegji t’i ndihmojmë për shpëtim. Ju “jeni një fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë”4 dhe ju mund të sillni një ndryshim. Për këto të vërteta unë dëshmoj në emër të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, amen.