“Fjalët e Mia … Kurrë s’Pushojnë”
I ftojmë të gjithë të kërkojnë në mrekullinë e asaj që ka thënë Perëndia që nga kohët biblike dhe që po thotë edhe tani.
Presidenti Monson, a mund t’ju kërkoj një çast privilegji personal?
Si i pari nga Vëllezërit i ftuar të flas pas mesazhit tuaj të veçantë drejtuar Kishës këtë mëngjes, më lejoni të them diçka në emrin e të gjithë Vëllezërve tuaj të Autoriteteve të Përgjithshme dhe me të vërtetë, në emrin e të gjithë Kishës.
Midis privilegjeve të shumta që kemi patur në këtë konferencë historike, përfshirë pjesëmarrjen në një asamble solemne në të cilën patëm mundësinë të ngrihemi e t’ju mbështesim juve si profet, shikues dhe zbulues, unë nuk mund të mos ndiej se privilegji më i rëndësishëm që kemi patur të gjithë, ka qenë të dëshmojmë personalisht vendosjen e mantelit të shenjtë, profetik mbi supet tuaja, gati si të ishte vënë nga vetë dora e engjëjve. Ata që e ndoqën mbledhjen e përgjithshme të priftërisë natën e shkuar dhe të gjithë ata që panë transmetimin mbarëbotëror të sesionit të këtij mëngjesi kanë qenë dëshmitarë okularë të kësaj ngjarjeje. Për të gjithë pjesëmarrësit, unë shpreh mirënjohjen tonë për një çast të tillë. E them këtë me dashuri ndaj Presidentit Monson dhe veçanërisht me dashuri ndaj Atit tonë në Qiell për mundësinë e mrekullueshme që të ishim “dëshmitarë okularë të madhështisë së tij” (2 Pjetri 1:16), siç tha dikur Apostulli Pjetër.
Në konferencën e përgjithshme tetorin e kaluar, unë thashë se ka dy arsye kryesore pse Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e akuzojnë, gabimisht, se nuk është e krishtere. Atë kohë unë trajtova një nga këto çështje doktrinore – pikëpamjen tonë bazuar në shkrimin e shenjtë për Kreun-Perëndi. Sot dëshiroj të trajtoj doktrinën tjetër kryesore e cila karakterizon besimin tonë, por që i shkakton shqetësim disave, pikërisht pohimin e guximshëm se Perëndia vazhdon ta thotë fjalën e Tij e të zbulojë të vërtetën e Tij, zbulesa që autorizojnë që koleksioni i shkrimit të shenjtë (kanuni) të mbetet i hapur për shtesa të tjera.
Disa të krishterë, kryesisht për shkak të dashurisë së tyre të pastër për Biblën, kanë deklaruar se nuk mund të ketë tjetër shkrim të shenjtë të autorizuar përtej Biblës. Duke e shpallur të mbyllur kanunin e zbulesave, miqtë tanë të disa sekteve të tjera ia mbyllin derën fjalës hyjnore që ne në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e kemi të shtrenjtë: Librit të Mormonit, Doktrina e Besëlidhjes, Perlës me Vlerë të Madhe dhe udhëheqjes së vazhdueshme të marrë nga profetët dhe apostujt e vajosur të Perëndisë. Megjithatë, pa ushqyer ndjenja të këqija për ata që kanë një pozicion të tillë, ne me respekt, por vendosmërisht, e përjashtojmë një karakterizim të tillë të pambështetur në shkrimin e shenjtë që i bëhet krishtërimit të vërtetë.
Një nga argumentet e përdorura shpesh në cilëndo mbrojtje të një kanuni të mbyllur, është pjesa e Dhiatës së Re të shënuar në Zbulesa 22:18: “Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e … këtij libri, se nëse ndokush do t’i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër.” Megjithatë, tani ka një konsensus tronditës praktikisht mes të gjithë studiuesve të Biblës se ky varg zbatohet vetëm për librin e Zbulesës, jo për të gjithë Biblën. Këta studiues të kohës sonë njohin një numër “librash” të Dhiatës së Re që thuajse sigurisht u shkruan pasi u mor zbulesa e Gjonit në ishullin Patmos. Përfshirë në këtë kategori janë të paktën letrat e Judeut, tre Letrat e Gjonit dhe ndoshta edhe i gjithë Ungjilli i Gjonit.1 Ndoshta ka edhe më tepër se këta.
Por ka një përgjigje më të thjeshtë se përse ajo pjesë në librin e fundit të Dhiatës së Re të sotme nuk mund të zbatohet për të gjithë Biblën. Kjo sepse e gjithë Bibla, siç e njohim – një koleksion tekstesh lidhur në një vëllim të vetëm – nuk ekzistonte kur u shkrua ai varg. Për shekuj me radhë pasi Gjoni bëri shkrimin e tij, librat e veçantë të Dhiatës së Re qarkullonin të vetëm ose ndoshta të bashkuar me pak tekste të tjera, por pothuajse asnjëherë si koleksion i plotë. Nga e gjithë përmbledhja prej 5366 dorëshkrimesh greke të Dhiatës së Re që njihen, vetëm 35 përmbajnë të gjithë Dhiatën e Re siç e njohim ne dhe 34 prej tyre u përpiluan pas vitit 1000 të erës sonë.2
Fakti është se vërtet secili profet i Dhiatës së Vjetër dhe të Re i ka shtuar shkrim të shenjtë atij të marrë nga paraardhësit e vet. Po të ishin të mjaftueshme fjalët e Moisiut në Dhiatën e Vjetër, siç mund të kenë menduar gabimisht disa3, atëherë pse duheshin, për shembull, profecitë pasuese të Isaias apo të Jeremias që vjen pas tij? Pa përmendur të Ezekielit dhe Danielit, të Joelit, Amosit dhe të të gjithë të tjerëve. Nëse një zbulesë dhënë një profeti në një çast kohe mjafton për të gjithë kohën, çfarë i justifikon gjithë këta të tjerë? Ajo që i justifikon u bë e qartë nga Vetë Jehova kur Ai i tha Moisiut: “Veprat e mia janë pa fund dhe … fjalët e mia … kurrë s’pushojnë”4.
Një studiues protestant ka hetuar efektivisht mbi doktrinën e gabuar të një kanuni të mbyllur. Ai shkruan: “Mbi çfarë bazash biblike ose historike frymëzimi i Perëndisë është kufizuar tek dokumentat e shkruar që kisha tani e quan Biblën e vet? … Nëse Shpirti frymëzoi vetëm shkrimin e dokumentave të shekullit të parë, a do të thotë kjo se i njëjti Shpirt nuk flet sot në kishë për çështje me interes thelbësor?”5 Me përulësi ne bëjmë të njëjtat pyetje.
Zbulesa në vazhdim nuk ul poshtë dhe as zhvlerëson zbulesën ekzistuese. Dhiata e Vjetër nuk i humbet vlerat e saj në sytë tanë kur na paraqitet Dhiata e Re dhe Dhiatës së Re vetëm i shtohen ato kur lexojmë Librin e Mormonit: Një Dëshmi (Dhiatë) Tjetër e Jezu Krishtit. Duke mbajtur parasysh shkrimin e shenjtë shtesë të pranuar nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme, mund të pyesim: Ata të krishterë të hershëm, që për vite patën vetëm Ungjillin fillestar të Markut (që konsiderohet në përgjithësi si Ungjilli i Dhiatës së Re që u shkrua i pari) – a u fyen kur morën rrëfimet më të hollësishme të hartuara nga Mateu dhe Lluka, pa përmendur pjesët e pashembullta dhe zbuluesën theksuese që u ofrua më vonë nga Gjoni? Sigurisht ata duhet të jenë gëzuar ngaqë vazhdoi të vinte provë edhe më bindëse për hyjninë e Krishtit. Po kështu gëzohemi dhe ne.
Ju lutem, mos keqkuptoni. Ne e duam dhe e nderojmë Biblën, siç na mësoi kaq qartë nga kjo foltore Plaku M. Rasëll Ballard, vetëm një vit më parë6. Bibla është fjala e Perëndisë. Gjithmonë është identifikuar e para në kanunin tonë, “veprat tona standarde”. Në të vërtetë, ishte një takim i shuguruar hyjnisht me vargun e pestë të kapitullit të parë të librit të Jakobit ai që e çoi Jozef Smithin tek vegimi i tij i Atit dhe Birit, që solli lindjen e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në kohën tonë. Por edhe atëherë, Jozefi e dinte se vetëm Bibla nuk mund t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve me karakter fetar që kishte ai dhe të tjerë si ai. Siç e tha me vetë fjalët e tij, shërbestarët e komunitetit të tij debatonin – nganjëherë me zemërim – për doktrinat e tyre. “Prifti [grindej] kundër priftit dhe besimtari kundër besimtarit … në një zënie fjalësh dhe ndeshje mendimesh,” tha ai. Thuajse e vetmja gjë që këta sekte në grindje kishin të përbashkët, ironikisht, ishte besimi tek Bibla, por, siç shkroi Jozefi: “mësuesit e fesë të sekteve të ndryshme i kuptonin të njëjtat pjesë të shkrimit të shenjtë kaq ndryshe, sa ta shkatërronin gjithë besimin në zgjidhjen e një pyetjeje [lidhur me atë se cila kishë ishte e vërtetë] duke iu drejtuar Biblës”7. Duket qartë se Bibla, e përshkruar shpesh në atë kohë si “terren i përbashkët” nuk ishte aspak ashtu – për fat të keq ishte terren beteje.
Kështu pra, një nga qëllimet e mëdha të zbulesës në vazhdim nëpërmjet profetëve të gjallë është që t’i deklarohet botës, nëpërmjet dëshmive të mëtejshme, se Bibla është e vërtetë. “Ky është shkruar” tha një profet i lashtë, duke folur për Librin e Mormonit, “me qëllim që ju të mund të besoni në të” duke folur për Biblën8. Në një nga zbulesat më të hershme të marra nga Jozef Smithi, Zoti tha: “Vër re, unë nuk e sjell [Librin e Mormonit] për të shkatërruar … [Biblën], por për ta forcuar atë”9.
Duhet sqaruar edhe një çështje tjetër. Meqenëse është e qartë se ka patur të krishterë kohë më parë se të ishte një Dhiatë e Re, apo madje një përmbledhje e thënieve të Jezusit, nuk mund të pohohet se është Bibla ajo që e bën të krishterë një njeri. Sipas fjalëve të studiuesit të shquar të Dhiatës së Re, N.T. Rajt, “Jezusi i ringjallur, në fund të Ungjillit të Mateut, nuk thotë: ‘Tërë autoriteti në qiell dhe në tokë i jepet librave që do të shkruani ju të gjithë,’ por: ‘Tërë autoriteti në qiell dhe në tokë më jepet mua.’”10 Me fjalë të tjera, “Vetë shkrimi i shenjtë drejton … larg nga vetja dhe drejt faktit se autoriteti përfundimtar dhe i vërtetë, i takon vetë Perëndisë”11. Kështu shkrimet e shenjta, nuk janë burimi përfundimtar i dijes për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Ato janë shfaqje të burimit përfundimtar. Burimi përfundimtar i dijes dhe autoritetit për një shenjtor të ditëve të mëvonshme është Perëndia i gjallë. Transmetimi i këtyre dhuratave vjen nga Perëndia si një zbulesë e gjallë, kumbuese, hyjnore12.
Kjo doktrinë qëndron në vetë zemrën e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe të mesazhit tonë drejtuar botës. Ajo shton pa masë domethënien e kuvendit solemn të djeshëm ku ne mbështetëm Tomas S. Monsonin si një profet, shikues, dhe zbulues. Ne besojmë në një Perëndi që është i angazhuar në jetën tonë, që nuk është i heshtur, nuk mungon, jo ashtu si tha Elia për zotin e priftërinjve të Baalit, nëse Ai po “[udhëtonte], ose [kishte] rënë në gjumë e [duhej] zgjuar”13. Në këtë Kishë, edhe fëmijët tanë të vegjël të Fillores recitojnë: “Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë.”14
Kur deklarojmë shkrim të shenjtë të ri dhe zbulesë në vazhdim, ne lutemi që nuk do të jemi asnjëherë arrogantë apo të pandjeshëm. Por pas një vegimi të shenjtë, në atë që tani është korije e shenjtë, që i dha përgjigje pohuese pyetjes “A ekziston Perëndia”, ajo që Jozef Smithi dhe Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme na shtyjnë të përballim, është pyetja tjetër që vijon doemos: “A flet Ai?” Ne sjellim lajmin e mirë se Ai flet dhe se Ai ka folur. Me dashurinë dhe dhembshurinë që rrjedh nga që jemi të krishterë, ne i ftojmë të gjithë të hetojnë në mrekullinë e asaj që Perëndia ka thënë që nga kohërat biblike dhe po thotë edhe tani.
Në një farë kuptimi, Jozef Smithi dhe pasuesit e tij profetikë në këtë Kishë, i përgjigjen sfidës që Ralf Valdo Emerson i vuri studentëve të Shkollës së Teologjisë së Harvardit, 170 vjet më parë. Atij grupi të protestantëve më të zgjuar e më të shkëlqyer, njeriu i urtë nga Konkordi, Masaçusets, iu lut që të jepnin mësim “se Perëndia është, jo ishte; se Ai flet, jo fliste”15.
Unë dëshmoj se qiejt janë të hapur. Unë dëshmoj se Jozef Smithi ishte dhe është profet i Perëndisë, se Libri i Mormonit është vërtet një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Dëshmoj se Tomas S. Monsoni është profet i Perëndisë, një apostull modern me çelësat e mbretërisë në duart e tij, një burrë mbi të cilin unë kam parë personalisht të vijë autoriteti. Unë dëshmoj se prania e zërave të tillë të autorizuar e profetikë dhe e zbulesës në vazhdim që kanonizohet, kanë qenë në zemrën e mesazhit të krishterë kurdoherë që shërbesa e autorizuar e Krishtit ka qenë në tokë. Unë dëshmoj se një shërbesë e tillë është përsëri në tokë dhe se gjendet këtu, në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Në përkushtimin tonë që e ndiejmë thellë, ndaj Jezusit të Nazaretit si vetë Biri i Perëndisë, Shpëtimtari i botës, ne i ftojmë të gjithë të shqyrtojnë atë që kemi marrë nga Ai, të bashkohen me ne duke pirë thellësisht në “burimin e ujit që gufon në jetë të përjetshme”16, këta kujtues që rrjedhin vazhdimisht se Perëndia jeton, se Ai na do dhe se Ai flet. Unë shpreh falenderimet më të thella personale që veprat e Tij janë pa fund dhe fjalët e Tij “kurrë s’pushojnë”. Unë jap dëshmi për një vëmendje të tillë, të dashur e hyjnore dhe për regjistrimin e saj, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.