2008
A e Dini Cilët Jeni?
Maj 2008


A e Dini Cilët Jeni?

Dija se cilët jeni ju bën shpirtërisht të fortë, të shëndetshëm dhe të paepur në detyrat tuaja të priftërisë.

Dean R. Burgess

Si një i ri i Priftërisë Aarone, unë mund të sjell ndër mend emocionin që ndjeva si dhjak i porsashuguruar. Unë mezi prisja të isha në gjendje të plotësoja detyrat e mia të priftërisë. Si një djalë i ri i Fillores, unë vëreja nga afër dhjakët në lagjen time në pritje të ditës kur do të bëhesha 12 vjeç, do të merrja priftërinë dhe do të kisha mundësi të shpërndaja sakramentin. Kjo ditë më në fund arriti dhe shpejt pasi u shugurova nga babai im, që ishte peshkop i lagjes, unë u ndjeva gati, por i emocionuar, të filloja detyrat e mia si dhjak i ri.

Unë tani i përkisja një kuorumi të Priftërisë Aarone. Anëtarët e kuorumit tim u bënë miqtë më të mirë. Kjo miqësi dhe vëllazëria e kuorumit vijuan të rriten gjatë rinisë sime ndërsa ne mësonim dhe shërbenim së bashku në detyrat tona të priftërisë. Ne ishim të gjithë miq të mirë dhe provonim një hare dhe kohë të pëlqyeshme duke qenë së bashku në veprimtaritë e kuorumit tonë.

Një të dielë, duke ndjekur një nga ato mbledhje të ngrohta dhe të gjata të sakramentit, këshilltari i parë në këshillin tonë të peshkopit më thirri mënjanë për të folur me mua. Kjo intervistë e paprogramuar priftërie u bë një bekim në jetën time kur meditoja për pyetjen që ai më bëri gjatë takimit tonë të shkurtër por të rëndësishëm. Vëllai Bejtmën më pa në sy dhe pyeti: “Din, a e di se cili je?” Pati një heshtje totale dhe pastaj ai më dha një kujtesë të shpejtë dhe të fuqishme: “Ti je i biri i Reid Bërxhes.”

Kuptimi dhe domethënia e kësaj pyetjeje ka vluar në zemrën time për një kohë të gjatë dhe shpesh unë kam menduar rreth saj gjatë gjithë viteve të rinisë time të hershme. Kjo pyetje e vëllait të mirë – “A e di se cili je?” – më ka dhënë një drejtim të frymëzuar gjatë gjithë jetës time dhe një zotim për të respektuar dhe nderuar familjen time dhe priftërinë.

Sonte unë do të doja t’i bëja secilit nga ju të rinj të Priftërisë Aarone, pikërisht të njëjtën pyetje që m’u bë mua kur isha i ri: “A e dini se cilët jeni?”

Njohja se kush jeni, ju bën shpirtërisht të fortë, të bazuar dhe të palëkundur në detyrat tuaja të priftërisë. Ju bëheni i sigurtë me besim dhe me vendosmëri për të marrë vendime të drejta. Ju keni kurajon të ngriheni për atë çka është e drejtë. Ju kuptoni se është një privilegj të mbash priftërinë e Perëndisë dhe të kesh autoritetin të veprosh në emër të Tij.

Amoni, një misionar i madh në Librin e Mormonit, ishte shërbëtor besnik dhe i guximshëm i Mbretit Lamoni. Ai i ruajti mrekullisht tufat e Mbretit Lamoni dhe bëri gjithçka mundej që t’i shërbente mbretit. Kur dëgjoi për veprimet e fuqishme të Amonit, Lamoni pyeti se kush ishte në të vërtetë Amoni.

Amoni deklaroi: “Shiko, unë jam njeri dhe jam shërbëtori yt; prandaj, çdo gjë që ti dëshiron që është e drejtë, atë unë do ta bëj.

Tani, kur mbreti i dëgjoi këto fjalë, u mrekullua përsëri, pasi ai pa që Amoni mund të kuptonte mendimet e tij; por megjithatë, mbreti Lamoni hapi gojën e tij dhe i tha atij: Kush je ti? A je ti ai Shpirt i Madh, që di të gjitha gjërat?

Amoni iu përgjigj dhe i tha atij: Jo, nuk jam.”

Amoni shpjegoi pastaj se kush ishte ai kur tha: “Unë jam një njeri; … [krijuar] sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe unë jam thirrur nga Shpirti i tij i Shenjtë për t’i mësuar … këtij populli” (Alma 18:17–19, 34). Amoni e dinte kush ishte dhe cili ishte misioni i tij i vërtetë.

Të gjejmë se cilët jemi, është një nga çështjet më të mëdha të jetës. Si prindër dhe udhëheqës ne bëjmë një përpjekje të sinqertë dhe të ndershme për të ndihmuar ata që i duam që të kuptojnë dhe të dinë përgjigjen për këtë pyetje të thjeshtë, por të thellë: “Kush jam unë?”

Unë ju pyes ju djem të rinj të Priftërisë Aarone: si mund ta arrini ju një njohje dhe dëshmi mbi atë se cilët jeni ju?

Ju lutem shqyrtojini tre pyetjet që vijojnë dhe parimet përkatëse që janë thelbësore në kuptimin e identitetit tuaj të vërtetë.

Së pari, a e dini ju se jeni një bir i Perëndisë?

Ju jeni vërtet një bir i Perëndisë, “i krijuar në jetën para lindjes. Duke qenë fëmija i Tij, mund të jeni i sigurt se keni aftësi hyjnore e të përjetshme dhe se [Ati juaj Qiellor ] do t’ju ndihmojë gjatë përpjekjeve tuaja të sinqerta për të arritur nivelin e asaj aftësie.” (Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], fq. 119).

Njohuria që Ati Qiellor na do dhe që ne jemi Fëmijët e Tij na jep forcë, qetësi dhe shpresë për të jetuar këtë jetë tokësore. Në Letrën e Parë të Gjonit ne lexojmë:

“Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.

Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë” (1 Gjoni 3:1–2).

Ju jeni të rëndësishëm për një Atë të dashur në Qiell! Të rinj, lutuni gjithmonë! Lutjet tuaja, si në mëngjes, edhe në darkë, do t’ju ndihmojnë të mësoni se ju jeni një bir i Perëndisë.

Së dyti, a e dini se cili jeni në planin e Perëndisë?

Alma e quajti atë “plani i madh i lumturisë” (Alma 42:8), një plan që Perëndia e përgatiti për ju dhe për secilin prej nesh. Ndjekja e këtij plani e bën të mundur që secili prej nesh të gëzojë lumturinë tani dhe të kthehet në praninë e Tij pasi ne vdesim. Ati Qiellor dërgoi Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, të “zgjidhë rripat e vdekjes” (Alma 7:12) dhe të na shëlbojë për mëkatet tona dhe për mëkatet e botës. Lejimi i Shpëtimtarit që të shëlbojë për mëkatet tona, është shprehja më e madhe e dashurisë së Atit tonë Qiellor për secilin prej nesh. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Dituria, besimi dhe kuptimi i misionit të Shpëtimtarit na ndihmon të dimë se cilët jemi.

Si pjesë e planit të Atit Qiellor ju jeni dërguar në një shtëpi tokësore dhe në një familje. Besëlidhjet që ju bëni në planin e Perëndisë, si individ dhe si pjesë e një familjeje, do t’ju lidhin përherë në familjen tuaj dhe në familjen e Perëndisë për gjithë përjetësinë. Nderoni dhe respektoni emrat që mbani. Jetoni sipas standardeve dhe urdhërimeve të Perëndisë. Mundësojuni të tjerëve të dinë se cilët jeni nëpërmjet mënyrës se si i jetoni standardet, siç tregohet në broshurën “Për Forcën e Rinisë”. Studiojini, meditojini dhe jetojini këto standarde. Ato janë për ju!

Së treti, a e dini se cilët jeni si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Ju jeni pagëzuar dhe keni marrë Frymën e Shenjtë. Ju jeni një anëtar i Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit. Është Kisha e Tij dhe Ai na ka dhënë neve një profet të Perëndisë që të na mësojë, udhëheqë e drejtojë si dhe për të drejtuar punën e Tij këtu në tokë. Unë dëshmoj se Presidenti Tomas S. Monson është profeti ynë në këto “kohë të vështira” (2 Timoteut 3:1). Dëgjojeni atë. Ai dhe profetë të tjerë të ditëve bashkëkohore do t’ju mësojnë se cilët jeni dhe si të bëheni si Shpëtimtari.

Ju jeni një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe jeni shuguruar të mbani priftërinë e Perëndisë. Presidenti Monson ka thënë: “Neve na është besuar të mbajmë priftërinë dhe të veprojnë në emër të Perëndisë. Ne na është dhënë një besim i shenjtë. Shumë pritet prej nesh” (“A Royal Priesthood,” Liahona, nëntor 2007, fq. 59).

Ju i përkisni një kuorumi priftërie të të rinjve, ku ju mund të ndieni vëllazërinë dhe miqësinë e mbajtësve të tjerë të priftërisë. Kuorumi është një mbrojtje për ju nga ndikimet e botës. Ju jeni të aftë t’i shërbeni njëri-tjetrit dhe të merrni pjesë në ordinancat e priftërisë. Në kuorumet tuaj ju mësoni gjithashtu parimet e ungjillit të Jezu Krishtit, që ju ndihmojnë të mësoni se cilët jeni. Të rinj, nderoni priftërinë e Perëndisë.

Unë dëshmoj se dijenia se cilët jeni dhe mbajtja e premtimeve dhe e besëlidhjeve tuaja me Zotin, do t’ju sjellin lumturi në jetën tuaj.

Qofshim të gjithë të aftë të dimë dhe të kuptojmë se cilët jemi në të vërtetë. Shpirti që ne ndiejmë sonte le t’i “[dëshmojë] frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë” (Romakëve 8:16). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.