2008
Besimi dhe Betimi e Besëlidhja e Priftërisë
Maj 2008


Besimi dhe Betimi e Besëlidhja e Priftërisë

Ecni përpara me besim në mbajtjen e besëlidhjeve tuaja me Perëndinë dhe kështu pretendoni premtimin që Ai ju ka bërë me betim.

President Henry B. Eyring

Qëllimi im sonte është të ndihmoj që t’ju rritet besimi se ju mund dhe do të lartësoheni për bekimet e betimit dhe të besëlidhjes së priftërisë. Ky është kulmimi i arritjeve të mundshme prej këtij betimi dhe besëlidhjeje, prandaj kërkohet një rritje e rregullt në besimin tuaj.

Zoti i ka bërë të qarta këto arritje. Ngritja deri në mundësitë e betimit dhe të besëlidhjes sjell më të madhen nga dhuratat e Perëndisë: jetën e përjetshme. Ky është një qëllim i Priftërisë Melkizedeke. Nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve kur marrim priftërinë dhe përtëritjes së tyre në ceremonitë e tempullit, neve na premtohet nga një betim i bërë nga Ati ynë Qiellor, Elohimi, që ne do të fitojmë plotësinë e lavdisë së Tij dhe do të jetojmë siç jeton Ai. Ne do të kemi bekimin e qenies të vulosur në një familje përgjithmonë me premtimin e rritjes së përjetshme.

Siç mund ta prisni, moskërkimi i një bekimi të tillë do të sillte pasoja tragjike. Zoti ishte i qartë edhe për këtë. Këto janë fjalët që shpesh u lexohen të rinjve nga udhëheqësit e tyre kur ata i afrohen kohës për marrjen e Priftërisë Melkizedeke. Ju ndoshta do të kujtoni ndjesitë tuaja kur i dëgjuat për herë të parë ato. Ato janë fjalët e Shpëtimtarit Jezu Krisht që na u përcollën neve nëpërmjet Profetit Jozef Smith:

“Dhe gjithashtu gjithë ata që e pranojnë këtë priftëri, më pranojnë mua, thotë Zoti;

Sepse ai që pranon shërbëtorët e mi, më pranon mua;

Dhe ai që më pranon mua, pranon Atin tim;

Dhe ai që pranon Atin Tim, pranon mbretërinë e Atit tim; si rrjedhim, gjithçka që Ati im ka, do t’i jepet atij.

Dhe kjo është sipas betimit dhe besëlidhjes të cilat i përkasin priftërisë.

Si rrjedhim, gjithë ata që e pranojnë priftërinë, pranojnë këtë betim dhe besëlidhje nga Ati im, që ai nuk mund ta thyejë, ajo as nuk mund të ndryshohet.

Por kushdo që e thyen këtë besëlidhje pasi e ka pranuar atë, dhe tërësisht largohet prej saj, nuk do të ketë falje të mëkateve në këtë botë, as në botën që vjen.

Dhe mjerë gjithë ata që nuk vijnë në këtë priftëri që ju e keni pranuar, të cilën unë tani e konfirmoj mbi ju që jeni të pranishëm këtë ditë, me anë të zërit tim nga qiejt; dhe madje u kam dhënë banorëve qiellorë dhe engjëjve të mi përgjegjësi lidhur me ju.

Dhe unë tani ju jap një urdhërim të hapni sytë për veten tuaj, t’u vini veshin me zell fjalëve të jetës së përjetshme”1.

Tani, nëse ju jeni ashtu si unë kur dëgjova për herë të parë ato fjalë si i ri, sfida e pranimit të Priftërisë Melkizedeke mund të duket frikësuese. Janë të paktën dy arsye pse duhet më shumë të ndiheni të sigurtë sesa të frikësuar me ndëshkimet që do të pasonin qoftë nga mosmbajtja e betimit dhe e besëlidhjes ose nga vendimi për të mos i pranuar. Nëse ju pranoni betimin dhe besëlidhjen dhe ju duken tepër të vështira apo, nëse nuk përpiqeni, ndëshkimi është po ai. Prandaj nuk ka dyshim se rruga më e mirë e juaja dhe e imja është të marrim priftërinë e shenjtë dhe të përpiqemi me gjithë zemrën tonë të mbajmë besëlidhjet e saj. Nëse zgjedhim të mos përpiqemi, ne sigurisht do të humbasim mundësinë për jetë të përjetshme. Nëse përpiqemi, dhe me ndihmën e Perëndisë kemi sukses, ne do të fitojmë jetë të përjetshme.

Ka akoma një shkak tjetër për të vendosur tani që ju do të përpiqeni me gjithë zemrën tuaj të cilësoheni për këtë betim e besëlidhje dhe të keni besim se ju do të keni sukses. Perëndia ju premton ndihmë dhe forcë që, nëse ju keni besim, do t’ju japë sukses.

Më lejoni të përshkruaj disa bekime që do të merrni kur ecni përpara me besim.

Së pari, vetë fakti që juve ju është ofruar betimi dhe besëlidhja, vërteton që Perëndia ju ka zgjedhur duke njohur forcën dhe aftësinë tuaj. Ai ju ka njohur që kur keni qenë me Të në botën e shpirtrave. Me njohjen e Tij qysh më parë të forcës tuaj, Ai ju ka dhënë mundësinë të gjeni Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit dhe t’ju ofrohet priftëria. Ju mund ta ndieni besimin, sepse ju keni fakte të besimit të Tij tek ju.

Së dyti, kur ju do të përpiqeni të mbani besëlidhjet tuaja, Shpëtimtari ka premtuar ndihmën e Tij personale. Ai ka thënë se kur ju përparoni në respektimin e priftërisë: “Atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart”2.

Ju mund të keni nevojë për risigurim kohë pas kohe, siç ndodh edhe me mua, që ju do të keni forcë për të përmbushur detyrimet në këtë priftëri të shenjtë. Zoti e parashikoi nevojën tuaj për t’u risiguruar. Ai tha: “Sepse cilëtdo që janë besnikë në marrjen e këtyre dy priftërive për të cilat kam folur, dhe në lartësimin e thirrjes së tyre, shenjtërohen me anë të Shpirtit në ripërtëritjen e trupave të tyre”3.

Unë e kam parë këtë premtim të përmbushet në jetën time dhe në jetën e të tjerëve. Një miku im shërbeu si president misioni. Ai më tregoi se në fund të çdo dite kur shërbente, ai me vështirësi mund t’u ngjitej shkallëve për në krevat në darkë duke menduar a do të kishte fuqi për të përballuar një ditë tjetër. Pastaj në mëngjes, ai i gjente forcën dhe kurajon e tij të rivendosura. Ju keni parë në jetën e profetëve të moshuar që dukeshin të përtërirë sa herë që qëndronin për të dëshmuar për Zotin Jezu Krishti dhe për ungjillin e rivendosur. Ai është një premtim për ata që shkojnë përpara me besim në shërbimin e tyre priftëror.

Juve gjithashtu ju është premtuar që do t’ju jepet forca për të dhënë dëshmi dhe që gjatë procesit ju do të pastroheni dhe do të bëheni të përshtatshëm për jetën e përjetshme që ju është premtuar:

“Sepse unë do t’jua fal të gjitha mëkatet me këtë urdhërim – që ju të mbeteni të qëndrueshëm në mendjet tuaja në solemnitet dhe në shpirtin e lutjes, në dhënien e dëshmisë për gjithë botën për ato gjëra që ju kanë komunikuar.

Si rrjedhim, shkoni në të gjithë botën; dhe në çfarëdo vendi që nuk mund të shkoni, duhet të dërgoni, që dëshmia të mund t’i shkojë nga ju gjithë botës, çdo krijese”4.

Dhe me këtë premtim Zoti ju ka respektuar duke thënë për ju: “Ju jeni ata që Ati im m’i ka dhënë; ju jeni miqtë e mi.”5

Ka edhe një bekim tjetër të mrekullueshëm që do t’ju nxisë kur mbani besëlidhjet e priftërisë. Shërbimi priftëror do t’ju përgatisë për të jetuar në familje të përjetshme. Ai do të ndryshojë ndjenjat tuaja mbi domethënien e të qenit bashkëshkort, apo baba, apo bir, apo vëlla. Ky ndryshim në zemrën tuaj do të vijë kur ju ndieni besimin tuaj të rritet dhe, nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke, premtimi për jetë të përjetshme bëhet i vërtetë për ju.

Kjo ndodhi me Parli P. Prat kur Profeti Jozef Smith i mësoi atij për herë të parë doktrinën mbi familjet e përjetshme. Parli P. Prat shkroi:

“Ishte ky rast kur dëgjova prej tij idenë e parë për organizatat e familjeve të përjetshme dhe bashkimin e përjetshëm të gjinive në ato lidhje me dashuri të papërshkrueshme, që askush veç atyre me mendim shumë të lartë, të përkorë dhe të pastër në zemër, nuk dinë ta çmojnë, dhe që janë pikërisht në themelet e gjithçkaje që meriton të quhet lumturi… .

Ishte ai nga i cili mësova se bashkëshortja që kam në krahë, mund të sigurohet pranë meje për gjithë kohën dhe përjetësinë; dhe se simpatitë dhe dhembshuritë, që na lidhën në dashurinë për njëri-tjetrin, erdhën nga burimi i dashurisë së përjetshme hyjnore.” Ishte ai nga i cili unë mësova se ne mund t’i edukojmë këto dhembshuri dhe të rritemi e të lartësohemi në to në të gjithë përjetësinë; kurse rezultati i bashkimit tonë të pafund do të ishte një trashëgimi po aq e panumërueshme sa edhe yjet e qiellit ose rëra në bregdet… .

Unë kisha dashuruar më parë, por nuk e dija pse. Por tani unë dashurova – me një pastërti – një intensitet ndjenje ekzaltimi e lartësimi … Unë ndjeva që Perëndia ishte Ati im qiellor vërtet; që Jezusi ishte vëllai im dhe bashkëshortja në krahët e mi ishte një shoqe e pavdekshme, e përjetshme; një engjëll bujar shërbyes, që më ishte dhënë si një qetësues dhe si një kurorë lavdie përherë e përgjithmonë.”6

Unë jam vetë dëshmitar se shërbimi i priftërisë i kryer me besim ka një efekt të tillë në ndryshimin e zemrës dhe të ndjenjave tona. Një i ri që dëgjon fjalët e mia sot, mund të ketë besim se, duke respektuar priftërinë e tij, ai do të ketë mbrojtje nga tundimi i mëkatit seksual, aq i përhapur në botën ku jetojmë. Do të jetë e mundur për mbajtësin e Priftërisë Aarone që më dëgjon sonte, kur besimi i tij të rritet në nivelin e shpërblimit për jetën e përjetshme nëpërmjet priftërisë së përjetshme, që ai të ketë forcën të shohë tek bijat e Perëndisë vlerat e tyre të vërteta dhe, tek premtimi i brezave pasardhës, një arsye për të qenë i pastër dhe për të qëndruar i pastër.

Në të njëjtën mënyrë, besimi tek betimi dhe besëlidhja do të na çojë në rritjen e ndjenjave të dhembshurisë që është thelbësore për një familje të përjetshme. Një nga premtimet që bëjmë, kur pranojmë priftërinë, është të kujdesemi për të tjerët.

Unë e kam parë mrekullinë e asaj rritjeje në dhembshuri në zemrat e mbajtësve të priftërisë. Kështu ka ndodhur edhe me shumë prej jush. Dhe kështu ka ndodhur edhe me shumë të tjerë jashtë Kishës. Unë isha në zyrën e Presidentit Gordon B. Hinkli kur atij i kërkuan të merrte një thirrje telefonike. Ai foli shkurt në telefon dhe pastaj iu rikthye bisedës sonë. Por ai qëndroi një çast të shpjegonte. Ai tha se telefonata ishte nga presidenti i Shteteve të Bashkuara që fluturonte mbi Juta me avionin presidencial (Air Force One) gjatë udhëtimit për në Uashington. Presidenti i Shteteve të Bashkuara i kishte telefonuar për ta falënderuar Presidentin Hinkli për atë që mbajtësit e priftërisë kishin bërë për riparimin e pasojave të një uragani. Presidenti i Shteteve të Bashkuara kishte thënë se ishte një mrekulli që ne ishim në gjendje të dërgonim aq shumë njerëz, aq shpejt, të punonin së bashku aq mirë. Ai lavdëroi njerëzit tanë duke thënë se ne dinim si t’i bënim gjërat.

Ndoshta presidenti i Shteteve të Bashkuara ishte impresionuar me atë që ai e mendonte se ishin aftësitë tona të mëdha organizative. Kjo ishte një pjesë e mrekullisë. Por shkaku më i madh për mrekullinë ishte se qindra dhe ndoshta mijëra mbajtës të priftërisë kishin një besim të tillë në betimin dhe besëlidhjen e priftërisë. Nuk ishte mënyra si ishin organizuar ata ajo që sillte ndryshimin: besnikëria ndaj betimit dhe besëlidhjes së priftërisë i shtynte ata të shkonin në largësi të mëdha, të qëndronin me orë të zgjatura dhe të duronin vështirësi si përfaqësues të Zotit Jezu Krisht për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë të madhe.

Ata, në këtë proces të dhënies së shërbimit priftëror, ishin duke zhvilluar forcën dhe shpirtin e dhembshurisë së nevojshme për t’u bërë bashkëshortë, baballarë, bij dhe vëllezër të shkëlqyer në familjet e këtushme dhe në familjet e përhershme. Ata shembuj të shërbimit priftëror kanë ndodhur në shtrirjen tonë tek njerëzit si vëllezër dhe motra në familjen e Perëndisë kudo në botë, herë pas here.

Lutja ime është që ju të vendosni sonte dhe pastaj çdo ditë, që të ecni përpara me besim në mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë dhe kështu të kërkoni premtimin që Ai ju ka bërë me betim. Ju mund ta bëni këtë në gjëra të thjeshta. Kur shkoni në mbledhje në kuorumin tuaj, ju mund të vendosni t’i shihni ata si vëllezër në familjen e Perëndisë. Dikush në kuorumin tuaj apo në grupin e priftërisë mund të jetë në nevojë. Ata mund të mos e tregojnë. Ju mund të mos jeni në gjendje ta shihni me sytë tuaj. Por Perëndia e di dhe ju fton ju të jeni shërbyesi i Tij për t’a ndihmuar atë.

Ju mund të jeni si një mbajtës i priftërisë që, sa herë që e takoja në shërbimin tonë të përbashkët priftëror, do të më pyeste: “Si është gjyshja?” Ai nuk e kishte takuar kurrë vjehrrën time, me sa di unë. Por ai në një farë mënyre kishte mësuar për sëmundjen e saj dhe moshën e madhe. Unë nuk mund ta tregoj sa shumë donte të thoshte të shihja dorën e Perëndisë të shtrihej drejt meje dhe bashkëshortes time për të na ngushëlluar dhe qetësuar nëpërmjet një mbajtësi priftërie. Ju mund të sillni të njëjtin ndikim sa herë që mblidheni me mbajtësit e priftërisë, nëse gjithnjë mendoni për besëlidhjet tuaja për të mbështetur dhe ndihmuar ata, duart e të cilëve janë varur dhe që mbajnë barrë të rënda. Kur veproni kështu, ju do të zhvilloni cilësitë e duhura që do t’ju cilësojnë për të qenë një anëtar në një familje të përhershme.

Ka edhe një gjë tjetër që mund të bëni. Ju mund të studjoni fjalën e Perëndisë, jo vetëm për vete, por për të qenë një i dërguar i Zotit Jezu Krishti në mbarë botën. Kur ju e rrisni forcën tuaj për t’u mësuar ungjillin të tjerëve, ju jeni duke u cilësuar për të ndihmuar Atin Qiellor në grumbullimin e fëmijëve të Tij. Kur bëni këtë, një bekim tjetër do të vijë. Nëse ndonjëherë në jetën e familjes në këtë botë, ose në botën që vjen, do të lindë nevoja për të rikthyer te Perëndia dele të humbura, ju do të keni marrë më shumë forcë, sesa mund të keni njohur tani.

Zoti e përshkruan këtë bekim të mrekullueshëm tek Alma 13:6: “Dhe kështu, duke qenë të thirrur nga kjo thirrje e shenjtë dhe të shuguruar në priftërinë e lartë të urdhrit të shenjtë të Perëndisë, për t’u mësuar fëmijëve të njerëzve urdhërimet e tij, që edhe ata të mund të hyjnë në pushimin e tij.”

Ju mund të keni besim në shërbimin tuaj me këtë premtim për sukses:

“Tani ata, pasi u shenjtëruan nga Fryma e Shenjtë, pasi rrobat e tyre u zbardhën, u bënë të kulluara dhe pa njollë para Perëndisë, nuk mund të shikonin mbi mëkatin përveçse me urrejtje të madhe; dhe pati shumë, jashtëzakonisht shumë, që u pastruan dhe hynë në prehjen e Zotit, Perëndisë së Tyre.

Dhe tani, vëllezërit e mi, unë dua që ju të përuleni para Perëndisë dhe të sillni fryte të përshtatshme për pendim, që edhe ju të mund të hyni në atë prehje.”7

Unë dëshmoj se Perëndia Ati jeton. Ju keni bërë besëlidhje me Atë. Ai ju ofron juve një betim, një premtim për jetë të përjetshme, që Ai nuk mund ta thyejë. Unë ju dëshmoj se priftëria është forca me të cilën Perëndia, nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit, krijoi universin. Unë dëshmoj se Perëndia do që ju të keni sukses dhe të ktheheni përsëri në shtëpi që të jetoni me Të në familjet e përjetshme. Unë ju dëshmoj se kjo është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit. Në të janë çelësat e priftërisë. Është kjo priftëri me të cilën Perëndia ju ka nderuar juve. Unë ju premtoj se Ai i njeh aftësitë tuaja dhe se ato janë të mjaftueshme që ju të mundni me besim të plotë të shpresoni për jetën e përjetshme për ju dhe familjet tuaja, përgjithnjë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. DeB 84:35–43.

  2. DeB 84:88.

  3. DeB 84:33.

  4. DeB 84:61–62.

  5. DeB 84:63.

  6. Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. (1938), f. 259–260.

  7. Alma 13:12–13.