Plaku Horge F. Zebalos
Nga të Shtatëdhjetët
Tamam 12 vjet pasi Plaku Horge Fernando Zebalos u lind më 19 korrik 1955, misionarët e parë shenjtorë të ditëve të mëvonshme mbërritën në qytetin e tij të lindjes, në Ovale të Kilit, më 1967.
Katër amerikano-veriorët që ecnin nëpër qytet, i tërhoqën kureshtjen, si edhe një intervistë favorizuese e tyre në gazetën vendore. Kur misionarët filluan të luajnë në kampionatin vendor të basketbollit, Horge, që e donte shumë basketbollin, i ndoqi me interes lojërat e tyre. Një herë ai ia doli të qëndronte vjedhurazi pas tavolinës së zyrtarëve për t’i hedhur një sy listës së emrave të skuadrës së tyre. Çuditërisht, të gjithë quheshin “Plak” (Elder).
Kur një shok i klasës i tha Horges së vogël se ai dhe familja e tij ishin bashkuar me kishën e misionarëve, Horge pyeti nëse mund të shkonte edhe ai. Ai mori pjesë besnikërisht në mbledhje për shtatë muaj, para se misionarët të zbulonin se Horgeja nuk kishte marrë mësime dhe as ishte pagëzuar. Me lejen e prindërve të tij, Alberto Zebalos dhe Ines Zebalos, kjo gjë u rregullua shpejt.
Më vonë, kur ishte në Universitetin Santa Maria në Valparaiso, Horgeja takoi Karmen Gloria Valenzuelën. “Kur e pashë për herë të parë, e dija se do të martohesha me të”, kujton ai. “Ishte shumë e çuditshme, sepse unë e kisha tashmë thirrjen time për mision, ndërsa ajo nuk ishte anëtare.” Brenda pak javësh ajo po merrte diskutimet e misionarëve dhe ai e pagëzoi përpara se të largohej për të shërbyer në Misionin e Kilit, Koncepsion.
Horgeja dhe Karmeni mbajtën letërkëmbim gjatë misionit të tij, filluan të takoheshin më pas dhe u martuan më 26 qershor 1982, në Tempullin e San Paolos, Brazil. Ata janë prindër të pesë fëmijëve.
Plaku Zebalos ka një diplomë inxhinieri civil nga Universiteti i Santa Marias dhe diplomë masteri në administrim biznesi nga Universiteti “Brigam Jang”. Përpara thirrjes së tij si president i Misionit të Kilit, Koncepsioni Jugor, në 2005-ën, ai ishte drejtues i çështjeve të korporatës për një kompani minierash në Kili. Plaku Zebalos, i sapothirrur në Kuorumin e Parë të të Shtatëdhjetëve, ka shërbyer gjithashtu si peshkop, president kunji, përfaqësues rajonal dhe i Shtatëdhjetë Zone.